BE, një portë e mbyllur për Ballkanin
Nga Muhamer Pajaziti*, botuar në Shekulli Online, 24 tetor 2013
Një kohë të gjatë procesi i zgjerimit dhe thellimit llogaritej një nga mjetet më fuqishme të politikës së Bashkimi Evropian. Tërheqja e BE-së ka ndihmuar transformimin e Evropës Qendrore dhe Lindore nga regjimet komuniste në vende me demokraci funksionale. Ky proces kishte frymëzuar sado pak reforma në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë dhe pranohej ideja, se të gjithë evropianët përfitonin duke pasur fqinj që kanë demokraci më të qëndrueshme dhe ekonomi të begatë. Por siç duket e vërteta qëndron ndryshe. Shumë analistë dhe njohës të integrimit ekonomik evropian e theksojnë hapur se, Evropa i ka punët keq dhe kriza që ajo kalon, e cila lidhet me ritmin e rritjes së saj, ashtu edhe me orientimet politike, me natyrën e qeverisjes së saj ekonomike si edhe me deficitet sociale dhe demokratike, është me e rënda e historisë së saj. Profesori i shquar Jean-Yves Letessier me të drejtë thekson se “në këto kushte, nuk është e tepërt të pohohet se në mungesë të përgjigjeve politike të përbashkëta dhe të shpejta për tensionet e rënda që po e tronditin, vihet vërtet në rrezik vazhdimësia e eksperiencës unike të integrimit, mbartëse e të cilës është Evropa”.
Madje edhe integrimi i dhjetë vendeve të reja, në 1 maj 2004, shtatë prej të cilave dikur sundoheshin nga Bashkimi Sovjetik, nuk u prit me ceremoni të ngrohta nga vendet anëtare. Por fakti që integrimi i Bullgarisë dhe Rumanisë, në 1 janar 2007, u realizua në një klimë indiference pothuaj të përgjithshme, madje edhe dyshimi, flet shumë për dobësimin e ndjenjave të identitetit dhe përkatësisë së evropianëve. Për të mos folur pastaj për Slloveninë që u bë anëtare e zonës euro në 1 janar 2007 e ndjekur nga Qipro dhe Malta në 1 janar 2008, ngjarje këto që u injoruan ose anashkaluan nga mediet dhe që rastin më të mirë u lanë pak vend në shtypin e specializuar. Evropianët akoma heqin të zitë e ullirit nga një pjesë e madhe e rumunëve dhe bullgarëve, të cilët merren me veprimtari të dyshimta dhe kriminale, disa punojnë në të zezë, ndërsa një pjese e mbetur, jetën e tyre e kalon duke fjetur nën ura dhe parqe në metropolet evropiane. Ata nuk dëshirojnë ta besojnë se kanë lejuar një gjë të tillë.
Por akoma më shumë i shqetëson edhe kriza greke dhe krizat tjera të paralajmëruara ekonomike në vendet tjera anëtare të BE-së, të cilat me paratë e gjermanëve, francezëve dhe vendeve tjera anëtare duhet të tejkalohen. A janë të gatshëm shtetasit e BE-së, por edhe vet ky organizëm që të pranojë edhe virusin që quhet Ballkani Perëndimor, në të cilët bëjnë pjesë disa shtete me një mal kontestesh bilaterale dhe çështjesh tjera të hapura? A është i interesuar Bashkimi Evropian, që problemet e Ballkanit t’i bartë tek vetja? Çfarë përfiton nga përfshirja e këtyre shteteve në gjirin e saj? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Një Jo e madhe. Përderisa zgjerimet e mëparshmeintegrimi i disa shteteve më pak të zhvilluara ekonomikisht ekuilibrohej nga disa ringritje ekonomike të pakundërshtueshme, sot nuk ekziston një situatë e tillë. Evropa sapo ka dalë nga recesioni ekonomik. Prandaj edhe ky proces prolongohet; Maqedonia tanimë 8 vite ka statusin kandidat, Shqipëria shpreson tani, ndërsa Serbia dhe shteti i Kosovës do të duhet të bisedojnë edhe gjatë për çështje të ashtuquajtura teknike.
Mos të flasim për Turqinë, e cila ka më shumë se dy dekada, që ka marrë statusin kandidat dhe akoma qëndron para portës evropiane. Brukseli zyrtar e pranon se Ballkani Perëndimor është një sfidë e veçantë për BE-në. Politika e zgjerimit duhet të demonstrojnë fuqinë e saj të transformimit të këtij rajoni ku shtetet janë me demokraci të brishta dhe marrëdhënie ndëretnike të tendosura. Një perspektivë bindëse politike për integrimin përfundimtar në BE është vendimtare për të mbajtur reformat e tyre në rrugën e duhur. Por është po aq e qartë se këto vende mund të anëtarësohen në BE vetëm kur ato të kenë përmbushur kriteret në mënyrë të plotë.
Lidershipi aktual në vendet e rajonit nuk po dëshmon një maturi dhe përgjegjësi në ushtrimin e funksioneve të shtetit. Janë shumë anomali që duhen eliminuar dhe kjo do të ndodhë kur i gjithë rajoni do të udhëhiqet nga një klasë e re politike, e cila mbart në vete vlera të larta civilizuese dhe demokratike. Në të kundërtën, “Kartoni i kuq” i radhës, nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor, do të jetë goditja e radhës e rëndë dhe që vërteton brishtësinë e këtij rajoni në të gjitha sferat institucionale dhe shoqërore. Por kjo do të jetë me pasoja edhe për vendet evropiane. Të gjetur në një situatë të tillë, vendet e Ballkanit realisht nuk mund të pretendojnë se i takojnë familjes evropiane, atje ku promovohen demokracia, të drejtat e njeriut, toleranca ndëretnike etj.. Ky rajon në të ardhmen, medoemos duhet të hapet ndaj vlerave demokratike dhe principeve që ofron Bashkimi Evropian , sepse vetëm ashtu do të këtë edhe më shumë liri për vete dhe aspiratat për anëtarësim në familjen evropiane do të jenë më shpresëdhënëse.