Turqia, nostalgji orientale, apo domosdoshmëri moderne?

Nga ILIR BARJABA, botuar në Panorama Online, 26 tetor 2013Dëshiroj të them në krye të herës se shpalosja e Turqisë si partnere kryesore e Shqipërisë, është një domosdoshmëri e kohës në betejën ndërballkanase për mbijetesën e faktorit shqiptar. Sigurisht, për shkak të paaftësisë të qeverive post-komuniste të Shqipërisë për t’u bërë dalzotsa përballë diversioneve serbe, maqedonase etj. Për fat të keq, ne, shqiptarët e Shqipërisë, nëpërmjet qeverive tona, shpesh jemi treguar egoistë duke u fokusuar vetëm në punët tona të brendshme. Kjo, duke i ikur si mëkatarë detyrimit kombëtar për të mbrojtur e përkrahur të drejtat e shqiptarëve etnikë në të gjithë Ballkanin. Nuk dua të them se qeveritë tona nuk kanë bërë asgjë për faktorin shqiptar jashtë Shqipërisë. Pa mohuar këtë kontribut, bindja ime është se Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë meritojnë shumë me tepër se çka u kanë ofruar qeveritë e Tiranës. Do ishte në nderin tonë si komb dhe shtet që qeveritë që kemi zgjedhur të kishin vepruar si një tigër në përkrahjen e të drejtave e lirive të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, më shumë prej hallit të tyre, qeveritë tona pak janë ndier kur në Maqedoni, për shembull, janë djegur barbarisht shqiptarë të pafajshëm. Në këtë kontekst, afrimi që Kryeministri Rama po projekton me Turqinë është një lëvizje e dobishme për të ardhmen e faktorit shqiptar në Ballkan. Sigurisht, ky afrim ka edhe përfitime ekonomike.
1. Pse “Serbia e Re” europiane përbën rrezik për faktorin shqiptar?
Në një pikëpamje krahasuese, Serbia ka dalë përpara Shqipërisë në proceset e integrimit në BE. Ata e kanë nënshkruar marrëveshjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa ne akoma jo. Me mbarimin e luftës së Kosovës, faktori ndërkombëtar e kishte poshtëruar Serbinë, duke e lënë në harresë të plotë. Gjithsesi, nëpërmjet “makijazhesh” të shumta dhe aftësive koalicion-ndërtuese, Serbia po e bind BE-në se kursi milosheviçist është zëvendësuar nga parimet e tolerancës perëndimore. Megjithatë, qytetarët kosovarë shpesh kanë provuar në lëkurën e tyre hendekun midis retorikës pacifiste dhe realitetit diskriminues. BE, mbase gabimisht, mendon se Serbia mund të zbutet duke u integruar në strukturat europiane. Në këtë kontekst, Turqia shfaqet si një fuqi e madhe, e cila mund t’u bëjë ballë me sukses tendencave antishqiptare në Ballkan. Nëse kundrojmë hartën e rajonit, nuk ekziston fuqi tjetër më e përshtatshme se Turqia për të shërbyer si “vëlla i madh” i faktorit shqiptar. E them këtë për faktin se qeveria turke ka qenë shpesh e vetme në artikulimin e qëndrimeve të forta pro-shqiptare, kur të drejtat tona në rajon janë dhunuar. Pra, atë që duhet ta bënte Tirana zyrtare, i është dashur shpesh ta bëjë Erdogani. Prandaj, pa dyshim që Turqia është kurorëzuar me të drejtë nga Rama si partnerja strategjike e shqiptarëve në Ballkan.
2. A ka përfitime të tjera përveç atyre politike? Po, është ekonomia!
Nga pikëpamja ekonomike, tre vendet partnere më të rëndësishme tregtare të Shqipërisë që prej vitit 1991 kanë qenë Italia, Turqia dhe Greqia. Aktualisht Greqia është financiarisht e dobët, politikisht dhe shoqërisht e traumatizuar. Ndërkohë, Italia është në vështirësi edhe në menaxhimin e çështjeve të brendshme. Në të kundërt, Turqia përgjatë dy dekadave të fundit, është industrializuar me hapa gjigantë në formësimin e një ekonomie kapitaliste të mbështetur në tregun e lirë dhe zhvillimin industrial. Megjithatë, nuk duhet marrë e mirëqenë se zhvillimi ekonomik detyrimisht sjell edhe emancipimin politik. Marrëdhënia midis të dyjave vazhdon të mbetet një dilemë historike në diskutim. Ndërkohë, në këto kohë të vështira ekonomike, nuk duhet të ketë asnjë dyshim se, siç thoshte Erich Maria Remarque, “të refuzosh një dorë që të shtrihet do të thotë të tallesh me fatin”. Shumëkush që pozicionohet kundër bashkëpunimit shqiptaro-turk duhet të kuptojë se kjo aleancë ka dobi të madhe ekonomike për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza.
3. Destabilizimi i Egjiptit si mundësi e artë për Shqipërinë. Pse?
Historikisht Egjipti ka qenë një partner i rëndësishëm tregtar i Turqisë. Për më tepër, Turqia dërgonte shumë investime të huaja direkte në Egjipt. Tashmë që ky vend gdhihet e ngryset midis luftës dhe paqes, nuk ka asnjë dyshim se Turqia është larguar përkohësisht prej tij. Në këtë kontekst të ri, Shqipëria ka një shans të artë për të përfituar nga Turqia ato investime që në të shkuarën dërgoheshin drejt Egjiptit. Nëse realisht investimet me destinacion Egjiptin vërshojnë drejt Shqipërisë, kjo do ishte “banka” më inspiruese për ekonominë.
4. Orientalë apo europianë?
Nuk ka asnjë dyshim se shqiptarët, si një ndër popujt më të vjetër të kontinentit, janë europianë në kuptimin më të plotë të fjalës. Megjithatë, në të shkuarën ne kemi qenë pjesë e Orientit. Tashmë nuk ka më arsye për t’u fokusuar vetëm te pjesët negative të periudhës sonë otomane. Shteti i ri turk, i themeluar nga Ataturku dhe formësuar më tej nga Inonu, është larguar edhe vetë nga principet e mbrapshta otomane. Prandaj, në rrugën drejt Europës nuk duhet të kompleksohemi nga e shkuara otomane. Turqia nuk do të mund të pengonte as integrimin zyrtar e as atë kulturor të shqiptarëve në BE. Prandaj, le të harrojmë të shkuarën otomane dhe të ndërtojmë një të ardhme të re europiane me Turqinë.
5. A ka konotacion elektoral vizita e Erdoganit në Kosovë?
Kam lexuar në shtypin e Kosovës se vizita e Erdoganit është interpretuar si me qëllime elektorale. Në respekt të këtyre shqetësimeve, dua të them shkoqur se nuk më takon ta gjykoj këtë aspekt. Mendoj se kjo është një çështje ekskluzive për t’u debatuar midis qytetarëve kosovarë dhe që do të zgjidhet me votë më 3 nëntor. Analiza ime ka si qëllim të interpretojë gjeopolitikën dhe aleancat shqiptare në kuadër të promovimit të të drejtave të faktorit shqiptar në rajon. Konkluzioni im është se bashkëpunimi Shqipëri-Turqi, përveçse do të prodhonte investime për ekonominë, njëkohësisht do të shërbente për të avancuar interesat e faktorit shqiptar në rajon.
*B.A në Ekonomi, 
Universiteti Stanford

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi