Partitë politike dhe shoqëria civile në një marrëdhënie ‘konfliktuale?

Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 26 tetor 2013

Tashmë pranohet gjerësisht se në procesin e tranzicionit demokratik partitë politike janë aktorë kryesorë. Megjithatë, numri i madh i partivepolitike në Shqipëri nuk tregon domosdoshmërisht nivelin e zhvillimit demokratik të vendit, por më shumë “etjen” e njerëzve për organizime të pavarura, diçka që u ishte mohuar atyre për dekada me radhë.  Por, në periudhën e thellimit të ndryshimeve politike, sociale, ekonomike dhe institucionale dhe të konsolidimit demokratik, aktorë të tjerë të rëndësishëm janë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatat dhe grupet e interesit të biznesit, të punës, apo forma të tjera profesionale të organizimit.  Pikërisht organizimi sa më i mirë i këtyre interesave, rritja e kulturës politike dhe e shkallës së dialogut politik mes partive politike dhe atyre të grupeve të ndryshme të interesit, i japin një profil më qytetar politikës dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. 

Në këtë kontekst, ndarja në shoqëri civile dhe shoqëri politike është e vlefshme vetëm në pikëpamje analitike dhe mbetet një ndarje konvencionale, por në rrethanat e funksionimit demokratik të tyre dhe të sjelljeve, qëndrimeve e veprimeve të anëtarëve të kulturuar të partive politike, pra në kuptimin dahrendorfian, edhe partitë politike janë pjesë e shoqërisë civile. Ky debat, në fakt vijon akoma, nëse edhe partitë politike janë pjesë strukturore e shoqërisë civile.  Në fund të fundit, edhe ato janë organizime të pavarura vullnetesh të individëve, të cilët pastaj pranojnë t’u nënshtrohen rregullave dhe programeve të përbashkëta. Kjo ndihmon partitë politike të ruajnë kohezionin politik, pa cenuar parimin e diversitetit brenda tyre. Nga njëra anë, “shoqëria politike” përfshin shtetin dhe ligjet, kurse nga ana tjetër, “shoqëria civile” shërben si një lloj “argjinature” përballë pushtetit shtetëror.

Një keqkuptim me shoqërinë civile gjatë tranzicionit ishte se ajo identifikohej apo barazohej vetëm me organizatat joqeveritare apo jofitimprurëse, kur në fakt, ajo është shumë më e gjerë, që përfshin grupet dhe shoqatat e interesit privat, sindikatat dhe konfederatat, shoqatat e biznesmenëve dhe të konsumatorëve, punonjësit agrarë, grupet dhe shoqatat e interesit publik, shoqatat e mbrojtjes së mjedisit, të këshilltarëve komunalë e bashkiakë, grupet e presionit, që bëjnë presion mbi qeverinë ose institucionet e tjera shtetërore për tatimet, taksat, akcizat, pra “lobet” e ndryshme. Po ashtu, ajo përfshin shoqatat e ndryshme kulturore, shkencore, letrare, sportive, organizatat fetare dhe të bamirësisë etj. Partitë politike konsiderohen si hallka ndërmjetëse midis shtetit dhe shoqërisë civile, ndërkaq, kjo e fundit, ndryshe prej partive politike, nuk synon të marrë pushtetin, por të interesohet më shume se si t’u shërbejë qytetarëve dhe shtetit.

Kur Arend Lijphart flet për nevojën e njerëzve për krijimin e shoqatave të ndryshme, të grupeve lobiste, përmend edhe nevojën e krijimit të partive politike, kësisoj, në këto rrethana, vetë partitë politike nuk mund të ndahen edhe nga roli qytetar i krijimit dhe funksionimit të tyre, pasi është elementi iqytetarisë demokratike që bashkon ata dhe shtetin me shoqërinë civile. Ralf Dahrendorf, po ashtu, thotë se shoqëria civile është një shoqëri qytetarësh në kuptimin e plotë të fjalës. Partitë politike janë bashkime vullnetare anëtarësh-qytetarë, mbi bazën e një programi dhe rregullash të pranuara në liri të plotë. Në këtë këndvështrim, partitë politike mund të luajnë rolin e mediatorit politik ndërmjet shtetit dhe shoqërisë civile, duke u shfaqur si aktorë të rëndësishëm në mobilizimin e pjesëmarrjes politike të qytetarëve, duke përshtatur programe politike që përfaqësojnë interesa të gjera shoqërore. Brenda formave të shumta të komunitetit dhe asosacioneve që pasurojnë sfondin e kulturës demokratike, krahas familjes, kishave, sindikatave dhe lëvizjeve të tjera vullnetare, edhe partitë politike mbeten një pjesë e gjallë e kësaj panorame.

Në Shqipëri, gjatë tranzicionit demokratik nuk është nguruar të adresohen pakënaqësi dhe kritika të shumta lidhur me funksionimin e shoqërisë civile, dyshimet për mbështetjen financiare të tyre, nënshtrimin ndaj krahëve politikë e pushtetit shtetëror, mungesën e profesionalizmit dhe pasaktësive në shifrat që ofronin devijimin prej rolit të tyre si partnerë me shtetin, dhe jo një pozicion “satelit” të saj. Të dyja partitë e mëdha politike në vend, PS dhe PD, shpesh keqpërdorën individë e grupe të kësaj shoqërie, duke i bërë ata një me pushtetin shtetëror, ose me veprimtaritë shtetërore në përgjithësi. Hapja e këtyre partive politike ndaj shoqërisë civile ndodhi me fushata e në mënyrë spontane, kryesisht për qëllime elektorale, duke “rekrutuar” në detyra të rëndësishme shtetërore njerëz gjoja “jopolitikë”, madje që nuk njiheshin për kontribute as për vetë shoqërinë civile. Kjo solli në shumë raste strukturimin e shoqërisë shqiptare dhe shoqërisë civile sipas interesave dhe oreksit të partive politike.

Në përgjithësi, sektori i shoqërisë civile mbeti një sektor me probleme në strukturë e përbërje, burime financimi e kontribute ekonomike. Ai u shfaq si forcë ekonomike modeste, nga pikëpamja e punësimit dhe shpenzimeve kombëtare. Nisur nga problematikat kombëtare, sektori u orientua më shumë, ndryshe nga përvoja perëndimore, në çështje që lidheshin me mosmarrëveshjet, gjakmarrjen/hakmarrjen, gratë, fëmijët, rininë dhe mjedisin. Arsyeja përse nuk kishte më shumë vëmendje për veprimtari rikrijuese, kulturore, të artit dhe/apo shërbime sociale, mesa duket, erdhi si reflektim i trashëgimisë së regjimit të kaluar, i cili në një masë të konsiderueshme nxiste vetë veprimtari të tilla. Disa shërbime thelbësore për mirëqenien, si për shembull, shërbimet sociale, shëndetësia, arsimi, nuk luajtën ndonjë rol kryesor. Shteti vijoi t’i ofronte këto shërbime duke përforcuar besimin se mund të vazhdonte të bënte vetë diçka të tillë.  Një pjesë e matshme e sektorit të shoqërisë civile mbetën asosacionet dhe sindikatat profesionale, megjithatë edhe mbi to e kaluara komuniste pati një ndikim domethënës.  Anëtarësia në to shpesh ka shërbyer si parakusht për trajtime preferenciale, avantazhe ekonomike dhe mundësi për arsimin. Madje disa prej organizatave të transformuara pas rënies së regjimit komunist patën një avantazh të krahasueshëm me organizata të sapokrijuara, pasi mbajtën asetet dhe burimet që trashëguan.

Si përfundim, ndërsa e majta tentoi ta njësonte shoqërinë civile me veten e saj, ose ta vinte në shërbim të saj, e djathta tregoi indiferencë e neglizhencë ndaj saj, deri në mospajtim të plotë me të. Të dyja praktikat ishin të gabuara, pasi cenonin pavarësinë dhe paanshmërinë e shoqërisë civile. Demokracia nuk është pronë e partive politike dhe vetëm e njerëzve të përfshirë në to, por një proces i hapur, në të cilin qytetarët, lidershipet politike dhe shoqëria civile mund dhe duhet të ndërveprojnë në forma të ndryshme. Sa më shumë qendra pushtetesh të ketë në një shoqëri të hapur, aq më efektiv është mekanizmi i kontrollit mbi to dhe i balancës ndërmjet tyre.  Ky përbën një element të qenësishëm në funksionimin normal të një sistemi demokratik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi