Ballkani dhe Turqia: mundësi të reja në BE
LINAS LINKEVIÈIUS
ŠTEFAN FÜLE, botuar në Panorama Online, 26 tetor 2013
Para disa muajsh Bashkimi Europian u rrit sërish. Kroacia u bë shteti anëtar i 28-të. Ky zgjerim i ri tregoi edhe një herë se projekti i BE-së nuk ndalet dhe as ngadalësohet.
Ai nënvizoi gjithashtu besueshmërinë e politikës së zgjerimit, sipas së cilës pranohen vendet pasi plotësojnë kriteret e nevojshme. Axhenda e Presidencës Lituaneze gjatë këtij semestri është një provë e mirë e vendosmërisë për vazhdimin e kësaj politike.
Pavarësisht dinamikave të ndryshme në vendet e zgjerimit, kemi arritur të regjistrojmë zhvillime shumë pozitive. Marrëveshja historike mes Serbisë dhe Kosovës është me rëndësi thelbësore, ngase kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe garanton që si Serbia ashtu dhe Kosova mund të vazhdojnë në udhën e tyre europiane. Ajo është ndoshta gjithashtu edhe shembulli më mbresëlënës i pushtetit transformues të procesit të anëtarësimit në BE dhe një sinjal i qartë se edhe vendimet më të vështira mund të merren nëse ka motivim të fortë dhe vullnet politik. Pas një marrëveshjeje novatore mbi normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët takohen tani rregullisht nën mbështetjen e BE-së për zgjidhjen e çështjeve praktike me rëndësi në dobi të qytetarëve të të dyja palëve. Në shtator BE-ja nisi procesin shqyrtues të dy kapitujve të parë shumë të rëndësishëm me Serbinë dhe po bëhet gati që më 28 tetor të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit me Kosovën. Megjithatë, një sulm i kohëve të fundit mbi stafin e EULEX-it në Kosovë, autorët e të cilit presim të dalin sa më parë para drejtësisë, tregon gjithashtu sa i nevojshëm është zgjerimi i BE-së.
Procesi i negocimit me Malin e Zi ka fituar një vrull të ri dhe gjatë muajve të ardhshëm mund të hapen dy kapituj negociues me rëndësi për procesin e anëtarësimit. Po bëjmë gjithashtu përpjekje për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Turqinë në vijim. Shqipëria ka treguar një qëndrim demokratik shumë më të përmirësuar gjatë zgjedhjeve të fundit dhe një tranzicion paqësor të pushtetit, duke i afruar shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat. Për mbështetjen e vrullit të reformave kemi vazhduar dialogët e nivelit të lartë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Sigurisht që anëtarësimi në BE nuk ndodh në vakuum. Në klimën aktuale ekonomike, qytetarët e shteteve anëtare dhe të vendeve aspiruese janë gjithnjë e më të shqetësuar për ndikimin e zgjerimit të vazhdueshëm. Edhe vetë menaxhimi i procesit të zgjerimit i reflekton këto shqetësime. Procesi i negocimit bazohet në një kushtëzim të rreptë, ku çdo hap para varet nga një progres i prekshëm i arritur në terren. Nuk bëhet fjalë për të klikuar kutiza nëpër lista, por për krijimin e arritjeve solide në fusha të tilla si të drejtat dhe liritë themelore, shteti ligjor, qeverisja e mirë dhe demokracia. Forcimi i shtetit ligjor, përmirësimi i kapacitetit për trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, progresi në zbatimin e të drejtave të njeriut, standardeve demokratike dhe lirive, sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e mbarë Europës.
Zgjerimi është një histori suksesi e BE-së, që reflektohet gjithashtu edhe në çmimin “Nobel” për Paqen të marrë kohët e fundit. Megjithatë, nëse duam të jemi seriozë dhe realistë, nuk duhet të tundohemi që të paraqesim një pamje të pavërtetë rozë. Shembujt e përmendur më lart demonstrojnë se progresi është i mundur aty ku ka vullnet politik për t’u fokusuar te reformat dhe aty ku axhenda e BE-së konsiderohet si përparësi kombëtare. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për faktin se jo në rajon dhe jo në të gjitha fushat reformat bëjnë përpara me shpejtësinë e dëshiruar. Duhet bërë shumë më tepër, por kjo nuk duhet ta dekurajojë procesin e zgjerimit të BE-së, që ka një ndikim të madh transformues. Kërcënimi këtu nuk qëndron te zgjerimi si i tillë, por te lodhja nga reforma.
Mundësitë për të ecur vendosmërisht përpara në udhën e integrimit europian janë mjaft të dukshme dhe janë njësoj të hapura për të gjitha vendet aspiruese. U takon këtyre vendeve t’i bëjnë realitet këto mundësi në të mirë të qytetarëve të tyre, ashtu siç bëri Kroacia. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar që t’i mbështesim ato në udhën e tyre, duke e ditur se kjo ka të bëjë po aq me suksesin e përbashkët sa dhe me besueshmërinë e zgjerimit si një nga politikat kyçe të BE-së.
*Ministër i Punëve të Jashtme të Lituanisë
*Komisioner i BE-së për Zgjerimin