Pse qytetarët e BE-së janë të frikësuar nga Ballkani
Nga Agustin Palokaj, botuar në Kohanet, 24 tetor 2013
Përderisa komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, nga Brukseli mundohej t’u dërgonte mesazhe pozitive dhe inkurajuese vendeve të Ballkanit, nga Beogradi e Prishtina deri në Tiranë, fjalët e tij nuk hasnin në mbështetje të opinionit publik evropian. Të nesërmen mediat europerëndimore raportuan për „frikën nga ardhja e 3 milionë shqiptarëve në BE“, reportazh për Lazaratin, ku të papenguar fshatarët jetojnë nga prodhimi i hashashit dhe ku shteti nuk ka qasje, ndërsa në Austri anketat dëshmojnë se kundërshtimi për zgjerimin e BE-së nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Megjithëkëtë, vendet si Kosova, Shqipëria dhe të tjerat nuk kanë zgjidhje më të mirë sesa të ecin drejt BE-së edhe nëse e dimë se kjo rrugë do të jetë shumë-shumë më e gjatë sesa mendojmë
Para katër muajsh intervistova ish-kryetarin e Komisionit Evropian, Romano Prodin, i cili pas largimit nga Brukseli ishte edhe kryeministër i Italisë. Folëm për procesin e zgjerimit të BE-së dhe për anëtarësimin e Kroacisë. Prodit i kujtohej koha kur ai ishte në krye të ekzekutivit të BE-së dhe kur ndodhi zgjerimi më i madh i saj duke pranuar përnjëherë 10 shtete anëtare dhe duke caktuar datën për pranimin edhe të dy të tjerave. Prodi në atë kohë kishte parashikuar se Kroacia po ashtu do të bëhej anëtare e BE-së deri në vitin 2007, por kjo u realizua me gjashtë vite vonesë. Prodi për këtë nuk fajësoi vetëm Kroacinë dhe ritmin e reformave në atë shtet, por edhe vetë zhvillimet e mëdha që ndodhën në Bashkimin Evropian në vitet 2003 dhe 2004. „Prej Evropës së shpresës erdhëm në Evropën e frikës“, tha Prodi, duke i bërë thirrje BE-së që të vazhdojë zgjerimin derisa në BE të mos përfshihet i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor, sepse vetëm atëherë do të mund të konsiderohet si i realizuar ideali i bashkimit të Evropës. Fjalët e Prodit m’u kujtuan të mërkurën më 16 tetor, kur Komisioni Evropian publikoi paketën vjetore të zgjerimit që përfshin Strategjinë dhe raportet e progresit për secilin vend të përfshirë në këtë proces. Së pari u befasuam të gjithë me mungesën e interesimit për këtë ngjarje të rëndësishme, e cila deri vitin e shkuar zgjonte interesim të madh të mediave perëndimore. Kësaj radhe në sallë të konferencave të shtypit në Bruksel pothuajse nuk kishte gazetarë perëndimorë, aty-këtu ndonjë nga Italia a Austria. Sikur në sallë të mos ishin gazetarët nga rajoni dhe nëpunësit e Komisionit të cilët vetë kanë punuar në tekstet e raporteve, Fule nuk do të kishte pasur as para kujt t’i paraqiste raportet. Të nesërmen një vështrim në pasqyrën e shtypit evropian të cilën e përgatit Komisioni Evropian të krijon përshtypjen se është më mirë të mos ketë interesim sesa të raportohet në mënyrën si u raportua për këtë ngjarje. Raportet në disa gazeta perëndimore ishin më shumë shprehje e frikës nga zgjerimi sesa e shpresës se vendet e Ballkanit dhe Turqia do të lëvizin shpejt drejt integrimit në BE.
Përderisa komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, nga Brukseli mundohej t’u dërgonte mesazhe pozitive dhe inkurajuese vendeve të Ballkanit, nga Beogradi e Prishtina deri në Tiranë, fjalët e tij nuk hasnin në mbështetje të opinionit publik evropian. Të nesërmen mediat euro-perëndimore raportuan për „frikën nga ardhja e 3 milionë shqiptarëve në BE“, reportazh për Lazaratin, ku të papenguar fshatarët jetojnë nga prodhimi i hashashit dhe ku shteti nuk ka qasje, ndërsa në Austri anketat dëshmojnë se kundërshtimi për zgjerimin e BE-së nuk ka qenë asnjëherë më i madh.
Popullizmi në rritje në Evropë ndikon në proceset e zgjerimit
„Shqetësime të freskëta rreth imigrimit masivë nga Evropa Lindore u ngritën mbrëmë kur Brukseli i dha Shqipërisë mundësinë që të ecë drejt anëtarësimit në BE…kjo lëvizje do të thotë se të 3.1 milionë shqiptarët mund të marrin të drejtën për t’u vendosur kudo në BE, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe“, shkruante atë ditë „Daily Express“, duke cituar nënkryetarin e Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) të thotë se „do të ishte çmenduri e paparë të pranohet Shqipëria në BE, edhe një shtet i cili ka problem të madh me aktivitetet kriminale dhe me varfëri të frikshme“. Natyrisht ky shkrim nuk reflekton tërë opinionin britanik, por mendimet e tilla janë duke e ngritur popullaritetin e partive populliste që flasin me këtë gjuhë. E ndaj kësaj nuk janë indiferente as partitë e qendrës.
Edhe më serioz është komenti në gazetën gjermane “Handelsblatt”, ku autori porosit se BE-ja „është në buzë të humnerës për t’u shkatërruar dhe tash duhet të fokusohet në eurozonë dhe stabilizimin e tërë BE-së“, ndërsa ringre çështjen e një „partneriteti“ me këto shtete që nuk do të nënkuptonte anëtarësimin e tyre të plotë në BE. Edhe kjo gazetë serioze gjermane, sikur edhe gazetat e shumta në vendet tjera të pasura të BE-së, shfrytëzojnë disa politika të BE-së për të argumentuar kundër zgjerimit. Si shembull përmendin pritjet që nga viti i ardhshëm, kur do të skadojnë kufizimet për qytetarët e Bullgarisë dhe Rumanisë për të punuar në tregun e punës të tërë BE-së, me qindra e mijëra, nëse jo edhe miliona, të tyre të vijnë për të marrë ndihma sociale derisa të mos gjejnë punë në Britani, Gjermani, Holandë, Danimarkë apo ndonjë shtet tjetër të pasur.
Një ndryshim në raportimet e mediave për zgjerimin e BE-së dhe raportet e progresit ishin mediat italiane. Ato edhe rekomandimin për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit e quanin si lajm të mirë dhe si sukses edhe të Italisë, e cila ka interesa në Shqipëri. Por roli i Italisë në BE-në e sotme nuk është më sikur ka qenë dikur.
Austria është një ndër vendet e rralla të BE-së nga pjesa e saj perëndimore që zyrtarisht mbështet ecjen sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit drejt BE-së dhe kjo mbështetje është për të gjitha këto shtete kandidate dhe kandidatët potencialë. Ndërkohë, edhe pse nuk pengon në këtë moment, Austria kundërshton idenë që Turqia të jetë në BE. Por në rastin e vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë Vjena zyrtare nuk ka rezerva. Kjo ndoshta edhe për faktin se ky vend i cili nuk është i madh ka investuar në këto vende më shumë se 20 miliardë euro dhe ka lidhje edhe historike, edhe gjeografike me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj në Austri interesimi për zgjerimin është pak më i madh sesa në disa vende tjera të BE-së. Por ky interesim nuk ka arritur të përfitojë edhe mbështetjen e qytetarëve. Sipas hulumtimeve të bëra në Austri vetëm një javë para nxjerrjes së raporteve të progresit, vetëm 20 për qind e austriakëve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kosova në këtë anketë qëndron edhe më keq: me vetëm 19 për qind të atyre të cilët do të donin ta shihnin shtetin më të ri Evropian në BE. Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë vetëm pak pikë më mirë se Turqia për të cilën tashmë shumica e evropianëve nuk besojnë se fare do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së.
A u humb rasti në vitin 2000
Është më se e qartë se rasti për integrimin e Ballkanit në BE ka ikur diku në fillim të vitit 2000. Në atë kohë kur mbaroi lufta në Kosovë, kur në Serbi nga pushteti ra Slobodan Milosheviqi, kur mbështetja për ribashkimin e Evropës ishte e madhe dhe kjo përjetohej si realizim i një ideali të kësaj gjenerate, ekonomia shkonte mirë dhe optimizmi ndjehej gjithandej Evropës. Por as BE-ja e as Ballkani nuk u gjendën si duhet. Hezitimi që menjëherë të pavarësohet Kosova, të fillojë demokratizimi i mirëfilltë i Serbisë, të ndahet Shqipëria nga konflikti i brendshëm politik, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, bëri që të humbet rasti. Në atë kohë u zhvillua samiti i Zagrebit, ku u premtua „e ardhmja evropiane“ e tërë rajonit. Sot Kroacia mbetet e vetmja e cila i ka realizuar këto aspirata dhe është bërë anëtare e BE-së. Të gjitha shtetet tjera janë ose në fazën fillestare, ose nuk e kanë nisur fare këtë rrugë.
BE-ja, përkundër fjalëve të mira, ka nisur po ashtu të humbë fuqinë e saj për të hequr pengesat. Fuqia e BE-së sot kufizohet në bindjen e kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë që në Bruksel të pajtohen për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale apo për rregullimin e një trafostacioni në veri të Kosovës. Brukseli për 5 vjet me radhe nuk ka fuqi të heqë pengesën e Greqisë që të nisin negociatat me Maqedoninë, e cila i ka përmbushur të gjitha kushtet.
Brukseli pa fije ndjenjash sot kritikon Bosnjë-Hercegovinën duke harruar se rregullimi i sotëm i këtij shteti është produkt i bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, po ashtu për shkak të lëshimeve të ndërkombëtarëve, ka ndodhur gjenocid. BE-ja përmend Kosovën si një ndër sukseset e saj më të mëdha në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë në kohën kur pikërisht Kosova mund të përmendet edhe si dështimi më i madh i BE-së. Pra për Kosovën, si një çështje evropiane, BE-ja nuk ka unitet sa i përket statusit të saj dhe nuk mund të flasë me një zë. Këtë dështim Brukseli mundohet ta mbulojë me parullën „Të bashkuar rreth qëllimit, edhe pse të ndarë rreth statusit“.
Si u bë që pikërisht shtetet ku BE-ja ka rolin më të madh, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, të jenë më problematiket. Si u bë që Kosova të ketë aq problem me krimin e organizuar dhe korrupsionin në kohën kur misioni i BE-së në fushën e rendit dhe ligjit, EULEX, ka edhe fuqi ekzekutive për t’i luftuar edhe këto dukuri.
Fati gjeografik
Por edhe vendet e Ballkanit, jo vetëm politikanët, por edhe e tërë shoqëria, duhet të pranojnë përgjegjësinë e tyre. Nuk kanë faj britanikët, gjermanët apo austriakët pse në një fshat të Shqipërisë kultivohet dhe prodhohet në mënyrë të papenguar një substancë e palejuar. Nuk kanë faj pse në Kosovë kandidatët në zgjedhje nga seancat gjyqësore shkojnë në fushatë. Nuk kanë fajin kryesor, edhe pse e kanë një dozë të fajit, pse trukohen tenderët gjatë prokurimit publik. Nuk kanë faj pse në Beograd e Prishtinë sulmohen grupet me orientim të caktuar për mbrojtjen e të cilave bën thirrje Brukseli, pse në Kosovë, sipas Raportit të Progresit, të cilin Qeveria e Kosovës e ka quajtur „pozitiv dhe real“, vazhdon trafikimi i fëmijëve, ndërhyrja politike në gjyqësor dhe dukuritë tjera negative për të cilat numri i dënimeve është i vogël .
Edhe po të mos i kishin të gjitha këto probleme serioze vendet e Ballkanit sot nuk do të ishin aq të dëshiruara për t’u anëtarësuar në BE, siç shihet edhe nga mbulimi që u bëhet atyre në mediat evropiane. E me këto probleme ato vetëm e bëjnë më të largët arritjen e qëllimit për t’u bërë një ditë anëtare të BE-së.
Përkundër kësaj vendet si Kosova, Shqipëria dhe të tjerat nuk kanë zgjidhje tjetër pos të ecin drejt BE-së edhe nëse e dimë se kjo rrugë do të jetë shumë- shumë më e gjatë sesa mendojmë. Edhe nëse fundi i rrugëtimit nuk mund të parashihet tani, vetë ky rrugëtim ndikon që këto vende të ndryshojnë për të mirë. Prandaj porositë e Brukselit duhet të kenë efekt inkurajues e ato të mediave euro-perëndimore të kuptohen si alarm për zgjim nga gjumi. Po të mos ishte fati gjeografik (i tërë Ballkani Perëndimor rrethohet nga vendet anëtare të BE-së) që sot do të flitej për ndonjë alternativë për afrimin e këtyre vendeve me BE-në pa u anëtarësuar formalisht. Por për këtë faktor gjeografik as BE-ja nuk ka rrugëdalje tjetër pos të ndjekë rrugët e anëtarësimit të tyre në BE. Alternativat tjera nuk do të ishin të mira as për BE-së e as për këto vende. Për dallim nga Turqia rreth anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka dilemë asnjë shtet i BE-së. E Turqia, siç tha këto ditë një koleg nga ky shtet, me ritmin e deritashëm të negociatave (një kapitull negociues nga gjithsej 35 është mbyllur në tetë vjet proces negociator) do të mund të hyjë në BE për tre shekuj. Edhe për Turqinë para disa viteve kishte entuziazëm në BE, por tash më nuk ka. Vendet e Ballkanit duhet ta ndryshojnë veten sa më shpejt, në mënyrë që të mos ulet entuziazmi dhe të rritet edhe më shumë kundërshtimi për përfshirjen e tyre në BE