Disa pasaktësira për pezullimin nga detyra në ligjin ‘Për nëpunësin civil’

Nga Njazi Jaho, botuar ne Dita, 22 tetor 2013

Kuvendi miratoi aktin normativ të Këshillit të Ministrave për shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të ligjit ‘Për nëpunësin civil’. Kërkesa për shfuqizimin e këtij akti nga Gjykata Kushtetuese ende nuk është shqyrtuar. Deri më sot nuk është paraqitur ndonjë projekt për ndryshime apo saktësime në këtë ligj, me përjashtim të akteve nënligjore që duhet të miratojë Këshilli i Ministrave (Neni 69 i ligjit).

Por, pavarësisht nga kjo, mbas njohjes së ligjit ‘Për nëpunësin civil’ kam shprehur disa mendime për dispozita të veçanta (shih gazetën ‘DITA’, datë 22 shtator 2013), ndërsa në këtë shkrim, mendova të trajtoj tre dispozita që kanë të bëjnë me pezullimin nga shërbimi civil (Kreu IX, nenet 53, 54, 56). Pezullimi, sipas nenit 53, është ndërprerja e përkohshme e marrëdhënieve në shërbimin civil për arsyet e parashikuara në nenin 54, me kërkesën e vetë nëpunësit ose në rastin e procedimit disiplinor sipas pikës 6 të nenit 59 të ligjit.

Neni 54 parashikon pezullimin për shkak të ligjit. Një nga këto shkaqe është dhe ai i parashikuar në pikën 1, shkronja ‘d’ të nenit të mësipërm, dmth pezullimi në rastet kur nëpunësi civil “regjistrohet, sipas ligjit, si kandidat për zgjedhjet vendore apo politike, për periudhën nga regjistrimi deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar apo deri në përfundimin e mandatit”. (zgjedhjet vendore janë zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, ndërsa zgjedhjet politike janë zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë).

Siç dihet, kandidati i regjistruar në këto zgjedhje shpallet ose jo fitues në bazë të vendimit përfundimtar të organit përkatës. Nëse ai fiton mandatin, vazhdon të jetë deputet ose në organet e qeverisjes vendore për 4 vjet (me përjashtim të ndërprerjes para kohe të mandatit).

Sipas nenit 56 të Ligjit të titulluar “Efektet e pezullimit” në përfundim të afatit apo zhdukjes së shkakut të pezullimit, përveç kur vendoset përfundimi i marrëdhënieve të shërbimit civil “nëpunësi civil rikthehet në pozicionin e mëparshëm të punës, ose në rast se pozicioni i mëparshëm është i plotësuar përfundimisht, ai transferohet në një vend tjetër të së njëjtës kategori”.

Le të marrim për shembull rastin kur kandidati fiton mandatin dhe e ka ushtruar atë për 4 vjet. Në mbështetje të nenit 56 si rregull, nëpunësi civil duhet të rikthehet në vendin e mëparshëm. Mendoj se për të gjithë është e qartë se vështirë të përmbushet ky detyrim ligjor (koha është relativisht e gjatë, vendi mund të plotësohet, mund të shkurtohet, ndërsa sektori ose zyra mund të ristrukturohet). Në këto kushte, mbetet që ai të caktohet ose të emërohet në një vend tjetër të së njëjtës kategori (termi ‘transferohet’ që përdoret në ligj nuk më duket i përshtatshëm).

Do të ishte e drejtë që në ligj të caktohej edhe afati brenda të cilit nëpunësi civil do të duhej të transferohej në një vend tjetër të së njëjtës kategori, derisa sipas ligjit pezullimi ka efektet e tij. Kjo do të krijonte më tepër besim dhe siguri.

Në hartimin dhe miratimin e dispozitave të mësipërme ligjbërësi mendoj se duhet të kishte parasysh nenin 69 pika 1 të Kushtetutës që detyron edhe punonjësin e policisë të heqë dorë nga detyra nëse kandidon për deputet. E përmendim këtë, sepse, sipas nenit 3 pika 1 të ligjit ‘Për punonjësin civil’, punonjësi i policisë është nëpunës civil. Në këtë vështrim është logjike të bëhet pyetja nëse punonjësi i policisë vë kandidaturën për deputet duhet të japë dorëheqjen (sipas Kushtetutës) apo si punonjës i shërbimit civil nëse vë kandidaturën si deputet duhet të vendoset pezullimi i tij (sipas ligjit)?

Veç kësaj, ligjbërësi mendoj se duhej të kishte parasysh edhe ligjin Nr. 8550 datë 18.11.1999 ‘Statusi i deputetit’ të ndryshuar, ku në nenin 22 të tij theksohet se “Deputetët që nuk kanë arritur moshën e pensionit pas mbarimit të mandatit, kanë të drejtë të punësohen në profesionin e tyre. Organet e administratës shtetërore janë të detyruara t’i ofrojnë deputetit brenda 1 viti nga koha e mbarimit të mandatit si deputet një vend pune në përputhje me kualifikimin e tij profesional duke i dhënë statusin e nëpunësit civil të nivelit të lartë ose të mesëm”.

Është e vërtetë se ligji ‘Për nëpunësin civil’ është miratuar me konsensus dhe me asistencën përkatëse. Por, mendoj se ky fakt, nuk mund të jetë argument kushtëzues që të mos bëhen ndryshime, plotësime apo saktësime në këtë apo atë dispozitë nëse arrihet në përfundimin se kjo është e nevojshme aq më tepër në ndonjë rast kur zbatimi i tyre mund të shoqërohet edhe me pasoja të dëmshme ose të lerë shtigje për interpretime të ndryshme subjektive.

Aktet nënligjore të parashikuara në nenin 69 miratohen në bazë të ligjit. Ato do të zbërthejnë dhe do të sqarojnë më mirë dispozita të veçanta të tij, por kuptohet, pa ndryshuar thelbin dhe frymën e tyre.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi