Statusi për në BE nuk është një trofe
Nga Ilir Dhima, botuar në Balkanweb, 22 tetor 2013
Që prej disa vitesh rresht, akordimi Shqipërisë i statusit të shtetit kandidat për në Bashkimin Europian ka qenë një temë e përhershme, që ngërthente edhe shpresën e qytetarëve për një përfshirje në familjen europiane, por edhe zënkat ndërmjet forcave politike në pushtet dhe në opozitë. Ndërkohë që pikërisht këto zënka, përkundër përvojave të vyera dhe rekomandimeve të vlefshme të shteteve mike, në vazhdimësi u bënë faktorë për frenimin e hapave më të mëdha në rrugën drejt Brukselit dhe në civilizimin e shoqërisë sonë sipas modeleve të Perëndimit. Si për çudi, tani që jemi më pranë se sa çdo herë tjetër këtij akordimi, pra edhe të një të ardhmeje të mundshme për ta shndërruar gjithnjë e më shumë dhe përherë e më shpejt një ëndërr të vjetër në realitet të ri, kësaj teme (së paku nëpër mediat vendase) nuk po i jepet vendi që meriton. Duket sikur ajo u ezaurua brenda pak ditësh të mesit të këtij muaji me publikimin e progres-raportit të Komisionit Europian, nëpërmjet të cilit propozohej dhënia vendit tonë e statusit të kandidatit për në BE, pa ndonjë kusht imediat, përveç objektivave të përcaktuara që nevojiten të përmbushen për t’u çelur bisedimet për anëtarësim me shumë gjasa vitin e ardhshëm. Pra, sikur me kaq më së fundi shfaqja përfundoi, çdo gjë u mbyll me sukses dhe nuk kemi ç’të presim më, nuk kemi përse të bëhemi shumë merak.
Mirëpo deri në dhjetor të këtij viti, kur Këshilli i Ministrave i BE – sipas të drejtës institucionale të këtij organizmi supranacional – të vendosë zyrtarizimin e kësaj mase paraprake drejt përfshirjes edhe të Shqipërisë në gjirin e shteteve anëtare, ende ka vend, ka edhe pak kohë që duhet shfrytëzuar intensivisht, për të shtuar reflektimin. Për ta thelluar atë, në mënyrat që nesër buzëqeshja të mos na ngrijë nëpër buzë. Sepse, statusi për në BE nuk është një trofe. Nuk është një trofe meritash grupale apo individuale, që i dorëzohet ndokujt. Prandaj, rekomandimet nga Brukseli dhe nga të dërguarit e tij këtu edhe në këtë rast nuk munguan. Fjala kyçe e këtyre rekomandimeve ishte dhe mbetet: gjithëpërfshirja. Gjithëpërfshirja në këtë proces kompleks, që akoma më tepër se sa në muajt dhe vjetët e kaluar është e domosdoshme të gjejë shprehje konkrete, për t’iu përgjigjur sfidave që ka Shqipëria dhe gjithë shoqëria e saj, duke lënë mënjanë ndërmjet nesh çdo keqinformim, apo qoftë edhe më të voglin deformim të natyrës së marrëdhënieve komunitare.
Keqinformimi dhe deformimi i këtyre marrëdhënieve në atmosferën tonë politike u vu re qartë që atë ditë, si edhe të nesërmen e publikimit të progres–raportit dhe të dorëzimit të tij personaliteteve kryesore të vendit. Përkundër qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se “lajmi është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe e daulleve qeveritare ka mbaruar më 23 qershor”, nga kampi tjetër politik shpërthyen me “fishekzjarre”, apo siç thuhej qëmoti, me “qorrfishekë”. Ish-kryeministri dhe ish-lideri i forcës së djathtë iu përvesh “Fecebook”– ut, duke shkruar se statusi u mor për meritë të Partisë Demokratike. Zëvendësuesi formal i tij, Lulëzim Basha bie në një mendje, kur në Konventën e të zgjedhurve vendorë demokratë deklaron se ky është një status, për të cilin PD i plotësoi një nga një të gjitha kriteret e kushtet. Ndërsa aty për aty një zonjë siameze me ish-kryetarin e saj e fokuson trofeun në duart e këtij të fundit. “Marrja e statusit është meritë e Sali Berishës”, – e mbyll ajo. Por, pavarësisht heshtjes së fundit të mediave, përsëri gëlon një pyetje: A mund të merrej statusi përpara zgjedhjeve parlamentare të fundit te ne? Kjo i mundon akoma ca e ca të paktë njerëz nëpër biseda të bëra kafeneve dhe salloneve të bilardove. Ndonëse atje ku e shtyjnë kohën këta njerëz, sigurisht që nuk mund të pritet ndonjë përgjigje e saktë, lexuesit ndoshta do t’i interesonte të thuhen së paku edhe në këto radhë nja dy fjalë. Dhe, nuk e kanë keq. Prandaj, le të shfletojmë disa shënime, për të veçuar ndërmjet tyre, diçka që më duket se për atë kohë, madje edhe për disa vjet më vonë morën dhe u verifikuan në një kuptim konkret.
Kur sidomos nga mesi i viteve 2000 nisi të intensifikohet kujdesi i Shteteve Anëtare të BE për vendet e Evropës Juglindore, që shteti dhe sistemi politik i brendshëm në vendet e këtij rajoni të dëshmonin një masë të lartë legjitimiteti dhe me këtë, edhe besim te qytetarët, midis të tjerëve, një pedagog i Departamentit të Shkencave Politike të Universitetit të Budapestit, Andras Bozoki e quajnë, bëri disa vëzhgime interesante që ngjallën jehonë në kancelaritë perëndimore. Në këtë kohë munda të lexoj disa përfundime të këtyre vëzhgimeve, ku veçoj: “Horizonti i përvojave të qytetarëve në shtetet e transformuara postsocialiste me institucionet e shteteve të tyre, shpesh është diçka tjetër. Ata duhet të mësojnë që institucionet nganjëherë nuk luajnë asnjë rol. Praktikat informale zotërojnë më të shumtën e rasteve ngjarjet politike në vendin e tyre…”. Ky përshkrim nuk duket i panjohur edhe për ne shqiptarët, që jo rrallë vuajmë nga kujtesa e dobët. Nuk duken pa interes dhe të palidhura me gjendjen tonë as vijimet e mëtejshme të Bozokit: “Me hyrjen e vendeve të reja në Bashkimin Evropian më 2004 u shfaq një fenomen, i cili kishte të bënte me konceptimin e elitës politike përmes popullatës, me llojin dhe mënyrën se si e kishin menaxhuar ata procesin transformues pas viteve 1990 dhe si e kishin shfrytëzuar për vete afrimin e vendit të tyre me Bashkimin Europian”.
Për të mos u zgjatur më tej me citime nga Bozoki, edhe kaq sa u përmend më lart, do të mjaftonin për të hequr një paralele me ngjarjet që u përjetuan në Shqipëri, ku besimi në proceset demokratike u shoqërua pa ndërprerje me kultivimin e një kulture zënkash politike, që dukshëm lanë gjurmë të forta. Në tërë këtë atmosferë akoma më dukshëm spikatnin metodat pushtetmbajtëse të Sali Berishës dhe klikës së tij, si edhe deklaratat mashtruese, që deformonin edhe treguesit më sinjifikativë të zhvillimeve në vend. Në këto kushte, Shqipëria nuk mund të lejohej të hynte në “paradhomat” e Bashkimit Europian, kur me radhë të gjithave shteteve të Ballkanit Perëndimor iu akordua statusi i kandidatit (sigurisht jo Bosnjë– Hercegovinës, që edhe sot ende nuk është një shtet i qëndrueshëm dhe unitar). Ndërsa me Kroacinë u çelën bisedimet, që brenda pak vitesh çuan në anëtarësimin e saj me të drejta të plota si shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Ndërsa te ne, pas refuzimit të Shqipërisë për të tretin vit radhazi, në maj të 2013 opozita iu bashkua mazhorancës për votimin e tri akteve ligjore që listoheshin në kriteret e Brukselit, kjo nuk mund të konsiderohej plotësisht e mjaftueshme dhe as kushti i vetëm, siç u shpreh Berisha në “Facebook” të mërkurën e kaluar. Jo vetëm se objektivi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ishte përmbushur aspak nën qeverisjen e tij të Partisë Demokratike, por edhe se ishte theksuar mjaft qartë nga Komisioneri për Zgjerimin e BE, Shtefan Fyle, se do të priteshin rezultatet e procesit elektoral që do të finalizohej më 23 qershor, po qe se ai do të organizohej në plotësim të një prej të drejtave themelore të njeriut për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Unioni Evropian i ka të shprehura qartë vlerat që e karakterizojnë në formulimin e traktatit kushtetues të tij: “Vlerat mbi të cilat themelohet unioni janë respektimi i dinjitetit të njeriut, lirisë, barazisë, shtetit ligjor dhe ruajtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë këtu personave që u përkasin minoriteteve. Këto vlera janë të përbashkëta për të gjitha shtetet anëtare, në një shoqëri që shquhet për pluralizëm, jo diskriminim, tolerancë, drejtësi, solidaritet dhe barazi mes grave dhe burrave”. Pra, ndërrimi i qeverisjes në Shqipëri konsiderohej një garanci për të marrë edhe këtu një hov të ri vlerat njerëzore dhe politika, jo nëpërmjet pasigurive dhe destabilizimit, me të cilat vihet në pikëpyetje kuptimi i qenies brenda Europës Perëndimore. Sepse, Bashkimi Evropian pret nga shtetet, të cilët duan të jenë pjesë e komunitetit të të drejtave të Unionit, që ky vullnet për të hyrë në të, të pasqyrohet në ndërmarrjen e të ashtuquajturave “kritere të Kopenhagenit”, të cilat kërkojnë si kusht paraprak për anëtarësimin që vendi kandidat të ketë arritur një stabilitet institucional, si garanci për stabilitet institucional, si garanci për rendin demokratik dhe ligjor.
Në këtë vështrim, opozita politike në Shqipëri do të vihet në pozitë qesharake dhe destruktive, nëse vazhdon të mendojë që maxhoranca po ia rrëmben nga duart “trofeun” e statusit të kandidimit dhe si për kandidimit, si për hakmarrje gjen raste për të bojkotuar pjesëmarrjen e saj në Parlament. Për shembull, nisma legjislative e qeverisë për të shtyrë deri në prill efektet e ligjit për ‘Shërbimin Civil’, nuk mund të thuhet se shkelte konsensusin që u arrit në maj të këtij viti për miratimin e tij me tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, kur nga Brukseli u mirëkuptua kjo nismë, duke u shprehur se ajo ka të bëjë me çështje teknike. Tashmë ky akt është miratuar gjithashtu me tre të pestat e votave të të gjithë deputetëve, pra u shndërrua në ligj. Dhe, Gjykata Kushtetuese që do të shqyrtojë ankimin e grupit parlamentar të PD nuk mund të vendosë në favor të tij, përveçse për ironi të ankuesit ta konsiderojë vetë Ligjin konsensual antikushtetues (?!). Prandaj, bojkoti nuk mund të justifikohet më, kur priten zhvillime të reja intensive, duke mos krijuar asnjë hapësirë për skepticizëm as në Parlamentin Europian dhe as në Këshillin e Ministrave të Shteteve Anëtare, për t’ia akorduar Shqipërisë statusin e shumëpritur.