Kriza botërore, Shqipëria humbi 2.5 mld $
Raport i FMN, 21 tetor 2013
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza botërore gjatë këtyre 5 viteve të fundit, i ka kushtuar ekonomisë shqiptare rreth 2.5 miliardë dollarë prodhim të munguar.
Në raportin e fundit rajonal për Europën, ekspertët e fondit kanë përllogaritur se si është ngadalësuar rritja e prodhimit në të gjitha ekonomitë europiane, krahasuar me vitet para krizës. Sipas FMN, në vitin 2008 vlerësohej se Prodhimi Kombëtar i Shqipërisë do të rritej në periudhën 2008-2013, në total me 35.1 për qind.
Por me përfshirjen e vendit nga kriza, rritja reale për këtë 5-vjeçar ishte vetëm 13.9 për qind. Për pasojë vetëm për këto 5 vjet kriza ka ulur prodhimin potenciale të ekonomisë shqiptare me mbi 21.2 për qind, që e konvertuar në vlerë është rreth 2.5 miliardë dollarë. E thënë ndryshe dhjetëra vite të humbura zhvillimi ekonomik.
Sipas FMN, ekonomitë në zhvillim të Europës Lindore dhe Qendrore janë ato që po paguajnë kostot më të mëdha të krizës, ku prodhimi është ngadalësuar me ritme dramatike. Në këtë grup vendesh, Shqipëria renditet si ekonomia e 5 me humbjet më të vogla nga kriza, pas Letonisë, Polonisë, Turqisë dhe Bjellorusisë.
Por nëse do të krahasohej me vendet e zhvilluara, humbjet e ekonomisë shqiptare nga ngadalësimi i rritjes këtë 5-vjeçar do të vinin menjëherë pas Greqisë, Qipros, Irlandës dhe Spanjës, vendeve më problematike të Eurozonës, raporton “Top Channel”.
Ndërsa në Gjermani, lokomotivën e ekonomisë europiane humbjet në prodhim nga kriza vlerësohen vetëm 6 për qind. Raporti i fundit i FMN për Europën konfirmon edhe një herë se ekonomitë e Ballkanit përfshirë Shqipërinë, janë ato që po përballen me kostot më të mëdha të krizës.