Auditimi në funksion të shtimit të vlerës për biznesin

Hysni Çela*, batuar në Panorama Online, 21 tetor 2013

Qëllimi i auditimit ka qenë dhe mbetet besueshmëria e raportimit financiar dhe garantimi i transparencës. Të dyja këto aspekte janë të domosdoshme jo vetëm për përmirësimin e administrimit të entiteteve të biznesit, por edhe për çdo lloj vendimmarrje tjetër të palëve të interesuara. Raportimi financiar cilësor e i besueshëm kërkon një bashkërendim efektiv midis standardeve teknike cilësore dhe profesionistëve të aftë e të përgatitur, të cilët i zbatojnë këto standarde në praktikë.

Por ai as që mund të kuptohet pa integritetin, objektivitetin, paanshmërinë dhe sjelljen profesionale të individit. Nevoja e kombinimit të sjelljes etike me profesionalizmin bëhet edhe më e fortë pikërisht sot, kur roli i profesionistëve kontabël është transformuar ndjeshëm drejt një roli aktiv menaxherial, në shërbim të drejtpërdrejtë të përmirësimit të sistemeve të menaxhimit dhe të qeverisjes. Në rastin e audituesve (ekspertëve kontabël të autorizuar, EKR), ky rol i ri nënkupton përgjegjësi më të madhe ndaj përdoruesve të informacioneve financiare. Për këtë arsye, audituesit duhet që nga njëra anë të zotërojnë njohuri dhe aftësi profesionale, të mbajnë qëndrime dhe të tregojnë etikë e sjellje profesionale dhe, nga ana tjetër, t’i nënshtrohen kontrollit përmes rregullimit, pasi vetëm kështu palët e interesuara dhe publiku në përgjithësi do të marrin garancinë e duhur se do të kenë rezultate të besueshme dhe të dobishme për vendimmarrjet e tyre.

Ndonëse profesioni i audituesit (EKR) në vendin tonë nuk ka një histori shumë të madhe (afërsisht dy dekada jetë), rruga e tij e zhvillimit gjithnjë ka mbajtur parasysh, krahas nevojave imediate të ekonomisë së tregut, edhe zhvillimet ndërkombëtare, aq sa mund të thuhet se ndryshimet dhe përmirësimet në këtë fushë mbeten të përhershme. Në botë ky profesion është zhvilluar dhe rregulluar duke adresuar nga njëra asimetrinë e informacionit që ekziston midis marrësve dhe dhënësve të shërbimit, dhe, nga ana tjetër, mbajtjen parasysh të interesave të palëve të treta të pakontraktuara, të cilat ndonëse në marrëdhënien me informacionin publik kanë cilësinë e palëve të interesuara, në rastin e shërbimit të auditimit janë të papërfaqësuara. Të dy këta faktorë të rregullimit, të cilët kanë shërbyer si një garanci për cilësinë e shërbimeve, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me disa shtylla të tjera bazë, ku përfshihen standardet e edukimit, standardet teknike e profesionale, standardet e etikës, sigurimi i cilësisë etj.

I iniciuar rreth një shekull e gjysmë më parë mbi bazën e vetërregullimit, profesioni e ka shtuar reputacionin e tij ndër vite. Natyrisht, kjo rrugë ka pasur edhe ulje-ngritjet e saj, të cilat nisin që me krizën ekonomike të viteve 1929-1933 e vijojnë deri sot me krizën e korporatave dhe atë financiare të viteve të fundit. Një nga meritat e profesionit të audituesit te ne, në fazën e parë të zhvillimit tij, është pa dyshim përmirësimi i raportimit financiar përmes zbatimit të standardeve kombëtare e ndërkombëtare të kontabilitetit dhe rritjes së transparencës së raporteve. Po kjo meritë dhe kjo fazë tashmë konsiderohen të tejkaluara dhe ky rol është i pamjaftueshëm.

Aktualisht kërkesat janë shumë më të larta dhe në plan të parë del sensibilizimi jo vetëm i anëtarëve të profesionit, por edhe i palëve të tjera të interesuara në çështje të tilla si cilësia e shërbimit, dobia dhe shtimi i vlerës për ekonominë dhe bizneset. Sensibilizimi nuk lidhet vetëm me dinamikën e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe me nevojën për të ridimensionuar sjelljen dhe për të përballuar pasojat e krizës. Entitetet tona të biznesit gjithnjë e më shumë po e kuptojnë se pa ndryshuar mënyrat e menaxhimit, ato nuk do të mund të përballojnë dot pasojat e krizës. Shenjat janë të dukshme jo vetëm në industrinë e ndërtimit, në veprimtaritë prodhuese, tregtare, por edhe në ato profesionale. Pavarësisht se faktorët e krizës janë tejet komplekse, roli i profesionistëve si faktor nuk është përjashtuar, pasi profesioni kontabël nuk e ka paralajmëruar sa duhet biznesin në lidhje me efektet e krizës. Po kështu edhe entitetet e biznesit e kanë nënvleftësuar profesionin, pasi nuk e kanë njohur sa duhet rolin që duhet të luajë, çka ka bërë që pasojat e krizës financiare të pleksen me praktikat e gabuara menaxheriale, duke çuar në këtë mënyrë në ulje të performancës së bizneseve.

Shërbimet profesionale që ofrohen nga audituesi jo vetëm mund, por ato duhet të kontribuojnë drejtpërdrejt në shtimin e vlerës për biznesin. Pasojat e krizës na mësojnë të adresojmë qoftë përdorimin eficient të profesionit nga biznesi, ashtu edhe rregullimin e profesionit. Është evident fakti që roli i audituesit nuk është luajtur si duhet dhe potencialet e tij nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm për të kontribuar në shtimin e vlerës për bizneset. Kështu që sot, për të rritur kontributin e shërbimit të tij në përmirësimin e performancës së biznesit, rëndësi të madhe merr sensibilizimi i palëve të interesuara. Më shumë përpjekje sensibilizuese e njohëse duhet të bëhen jo vetëm për palët jashtë entitetit të biznesit, por edhe për ato brenda tij.

Auditimi i pavarur i veprimtarisë ekonomike të entitetit, nga njëra anë e vendos audituesin në një pozicion të përshtatshëm për të gjykuar në lidhje me eficiencën, ekonominë dhe efektivitetin e përdorimit të burimeve dhe, nga ana tjetër, eksperienca që ai zotëron i jep atij mundësinë që në kuadër të kryerjes së procedurave të auditimit të shqyrtojë dhe vlerësojë çështje të tilla si organizimi i brendshëm i operacioneve të entitetit, ndërtimi dhe funksionimi i procedurave të kontrollit të brendshëm etj. Të gjitha këto vlerësime, kur komunikohen në kohë me individët e duhur brenda organeve të qeverisjes dhe të drejtimit dhe kur merren në konsideratë nga këta të fundit, pa dyshim që do të kenë një ndikim pozitiv në përmirësimin e performancës.

Këtij qëllimi njohës e sensibilizues do t’i shërbejë Konferenca e 12-të ndërkombëtare e FCM-së (Federatës së Ekspertëve Kontabël të Mesdheut), e cila do të organizohet në bashkëpunim me IEKA-n në Tiranë me 4 nëntor 2012. Në qendër të punimeve të saj do të jetë profesioni i audituesit, në raport me mbrojtjen e interesit publik përmes kombinimit të përshtatshëm të standardeve profesionale, etikes, mbikëqyrjes publike dhe kontrollit të cilësisë. Një tjetër rrugë në rikonsiderimin e rolit të audituesit, është zgjerimi i fushës së veprimtarisë së tij, duke kërkuar që krahas auditimit të pasqyrave financiare për qëllime të përgjithshme, ai të kontribuojë edhe me shërbime të tjera shtesë, siç mund të jenë vlerësimi dhe raportimi mbi kontrollin e brendshëm, rreziqet e biznesit, rreziqet e sektorit të ekonomisë dhe ato strategjike, raportimi mbi pajtueshmërinë me kërkesat kryesore ligjore e rregullatore, kur është rasti i entiteteve që operojnë në sektorë të rregulluar, siç janë bankat shoqëritë e sigurimit, shoqëritë e pensioneve etj. Megjithatë, qoftë sensibilizimi, ashtu edhe zgjerimi i fushës së veprimtarisë, nuk mund të arrihen pa standarde profesionale cilësore. Duke i konsideruar esenciale standardet cilësore, IEKA (Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar), krahas adoptimit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (SNA), ka përgatitur edhe një manual standard e të thjeshtëzuar, për kryerjen e auditimit dhe të shërbimeve të tjera të sigurisë për entitetet e vogla e të mesme, i cili kontribuon dukshëm jo vetëm në uniformizimin e procedurave të punës për audituesit lokalë, por edhe në krahasueshmërinë e punës së tyre më atë të homologëve nga vendet e rajonit e më gjerë.

Pavarësisht nga më sipër, përmirësimi i rregullimit mbetet përsëri faktori kyç për realizimin e rolit të ri të audituesit. Kushtet e reja kërkojnë një shpërndarje proporcionale dhe të arsyeshme të kësaj barre midis rregullimit të brendshëm dhe mbikëqyrjes publike të jashtme, një proces ku duhet të marrin pjesë të gjithë aktorët. Të gjitha këto përpjekje që po bën IEKA janë në sinkron me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, formalizimit të ekonomisë dhe rritjes së performancës. Kërkesa më e fundit për përfshirjen e audituesve në shërbimin e kontrollit për qëllime tatimore për rreth 1000 kompanitë më të mëdha të biznesit, mendoj se është në koherencë të plotë me zgjerimin e fushëveprimit të audituesit; ajo do të shërbejë jo thjesht për rritjen e eficiencës në mbledhjen e taksave e tatimeve, por edhe në formalizimin e veprimtarisë së biznesit.

Megjithatë, kjo përfshirje, qoftë edhe për shkak se përbën një angazhim të konsiderueshëm, mendoj se duhet të jetë e hapur për të gjithë audituesit anëtarë të IEKA-s dhe nuk duhet të lërë jashtë audituesit lokalë, pasi ata e kanë përgatitjen, zotërojnë përvojën e duhur, zbatojnë standardet profesionale ndërkombëtare dhe, natyrisht, i nënshtrohen mbikëqyrjes publike dhe një procesi kontrolli për garantimin e cilësisë. Gjithashtu, në funksion të realizimit të objektivave të besueshmërisë, transparencës dhe formalizimit të bizneseve, audituesve mund t’u kërkohet të japin opinione në mënyrë specifike edhe për disa elemente të veçanta të pasqyrave financiare (për shembull kapitali, llogaritë me të tretet etj.).

Po kështu, pa shmangur të drejtën e bankave dhe të institucioneve financiare për analiza e grumbullim informacionesh alternative, mund të konsiderohet edhe dhënia e sigurisë për informacionet financiare për qëllime të kredimarrjes. Në të njëjtën mënyrë mund të veprohet edhe për kompanitë që përfitojnë fonde publike ose fonde të donatorëve, të cilave për qëllime të vlerësimit të performancës mund t’iu kërkohen edhe informacione financiare të audituara. Natyrisht, të gjitha këto mundësi dhe të drejta duhet të shoqërohen me marrjen përsipër dhe sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta. Audituesit mund të përfshihen edhe në angazhime të auditimit të pasqyrave financiare të njësive vendore dhe subjekteve e entiteteve në varësi të tyre, sikurse është parashikuar edhe nga projektligji për kontabilitetin në sektorin publik, i përgatitur disa vite më parë, por i pamiratuar ende, raporte të cilat mund të përdoren për qëllime të konsolidimit të llogarive të shtetit. Nevoja për institucionalizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis agjencive të ndryshme, siç janë QKR, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, IEKA etj., në funksion të cilësisë dhe përdorueshmërisë së raporteve të auditimit, të shmangies së informalitetit dhe publikimit e transparencës, mbetet një domosdoshmëri.

Ky bashkëpunim, përveç kontributit direkt në cilësinë e informacioneve, ndihmon gjithashtu në nxitjen e investimeve dhe në uljen e kostos së kapitalit. IEKA, për shkak të përvojës së grumbulluar deri më sot, por edhe të ekspertizës që zotëron, mbetet e angazhuar të kontribuojë me sugjerime e komente në të gjitha nismat e qeverisë, që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, formalizimin e aktiviteteve të tij, përmirësimin e llogaridhënies, përgjegjshmërinë dhe transparencën.

* President, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi