Paranoja e pushtetit

Nga Ilva Tare, botuar në Java, 13 tetor 2013

Kur i ndjeri David Forst më rrëfente si i kishte njohur dhe analizuar më të pushtetshmit e botës dy Shtatorë të shkuar më mbeti në mendje mënyra sesi përshkroi paranojën e tyre për të qëndruar në pushtet. Sa më gjatë mbanin pushtetin aq më skicofrenik bëhen duke ushtruar presion e për të kontrolluar gjithcka bëjnë, dinë dhe thuhet për ta. Me kalimin e viteve kjo ndjenjë e fortë kontrolli i ka kthyer në diktatorë paranojakë shpeshherë me fund të hidhur jo thjesht për fatin e tyre personal, por për interesat e vendeve të tyre.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar se cfarë i ndodh qenies njerëzore kur merr pushtet. Pir kam njohur shume që janë transformuar të nesërmen e uljes në karrigen qeveritare. Dhe kur them transformuar arroganca është më e pakta. Ajo për të cilën jam e shqetësuar dhe që ka pasojë direkte tek qytetarët është sjellja e tyre me informacionin që kontrollojnë dhe tentativa për ta mbajtur të mbyllur, të izoluar dhe pa asnjë mundësi të shkojë tek qytetari i plotë, i detajuar, me fakte te verifikueshme dhe të provuara prej nga mund të bëhen edhe analiza serioze për të dalë në përfundime serioze.

Porse ky vend ka shumë vite që është jo serioz. Thuhen akuza publike të paprovuara sepse sistemet e ngritura nga politika nuk funksionojnë. Kalojnë disa kohë dhe harrohen disa akuza e ngrihen re të tjera. Edhe ato i merr era në mnugesë të llogaridhënies dhe transparencës së detyrueshme me kodet ligjore por të kuptueshme për moszbatimin e tyre nga kodi moral i shqiptarëve. Me pretendimin të gjithë janë njësoj qytetarët e këtij vendi nuk dinë e as duan të kërkojnë llogari. Ata i janë dorëzuar fatit të të qenurit pjesë e një vendi ballkanik ku politika është një mjeshtre mashtrimi që të përdor kur i duhesh si në pozitë dhe në opozitë për interesat e saj që shpeshherë nuk motivohet nga ato që deklaron publikishit.

Ditët e fundit pamë që Kryeministri Rama na zbardhi një leje që pakkush nga qytetarët shqiptarë përvec të ineresuarve e kishte të qartë për ndërtimin e Xhamisë së madhe të muslimanëve. Zërat që humbëtinin nëpër tavolina thashethemesh u vërtetuan nga bërja publike e lejes së qeverisë së mëparshme anullimi i së cilës e bëri Bashën të dilte nga binarët dhe të nxitohej duke deklaruar se pa kulla s’ka xhami. Çfarë kullash? Heshtja dhe mosllogaridhënia kishte bërë që opinioni publik të mos dinte pothuajse asgjë as për marrëvveshjen me pronarët e truallit që vetëm tani të prekur drejtpërsëdrejti e pranuan që do të ndërtonin edhe dicka për vete përpos tokës që i falën xhamisë.

Ky nuk është as rasti i parë, as i fundit dhe as i vetmi kur opinioni mbetet në karrigen e spektatorit teksa politika merret me hesapet e saj të metra katrorëve dhe bizneseve që mbështeten hapur apo vjedhurazi. Por meqenëse qeveria Rama e nisi me transparencë duhet të shpresojme që të njëjtin kut do të përdorë edhe për vendimet që do të marrë ky kabint qeveritar, ku do të ketë të tjerë emrat të fshehur pas nje tenderi, një kontrate, një marrëveshjeje dhe e drejta e publikut për tu informuar imtësisht është po ajo e njëjta universale që po ndiqet për vendimet e Berishës. Në të kundërt rrezikojmë që të përdoremi sërish në të drejtën tonë per të kërkuar llogari dhe për të marrë përgjigje në kohën e duhur për interesa që frymëzohen nga hije paqartësie.

Edhe shembujt që na vijnë nga demokracitë për të cilat ende njerëzimi nuk ka gjetur modele më të mira janë frikësuese. Paranoja për ta mbajtur pushtetin duke kontrolluar jo vetëm fjalët që nxjerrin nga goja por edhe shpeshtësine e frymëmarrjes të cdo individi që ka lidhje me të është bërë shqetësuese edhe në SHBA. Sipas nje studimi të dalë ditët e fundit nga ish kryeredaktori i Washington Post Leonard Downie Presidenti Barack Obama Ka zhvilluar “luftën më të ashpër” kundrejt nxjerrjes së informacioneve që nga koha e Nixon. Administrate e Obamës akuzohet se ka penguar dhe bërë të pamundur dhënien e informacioneve përmes së cilave publiku ka të drejtë të kërkojë llogari, duke vështirësuar edhe punën e gazetarëve që ja ofrojnë këtë përballje faktesh dhe argumentash opinionit publik. Dhe kur kjo ndodh në Amerikë, ne gazetarët e Tiranës nuk duhet as ta mendojmë llogaridhënien e pushtetarëve, ose ata që e mendojnë do shkruajne lart e poshtë nëpër rrjete sociale derisa të gjenden mekanizmat nga qeveria për ta bërë të parëndësishme atë që thuhet herë me mos përgjigije, herë me injorim, herë me katering të gazetarëve që gëzojnë besimin e saj.


    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi