Universiteti i Arsimit – nevojë e ngutshme për vendin
Nga Zaimira Çavo, botuar në Shqip, 19 tetor 2013
Nëse do të vonojmë ende me reformimin e sistemit arsimor, sërish do mbetemi në kuadrin e fjalëve të bëra litarë në 23 vite. MASH, në pritje të reformimit të vet, duket se nuk ka ende ndonjë strategji konkrete për të ardhmen e afërt të sistemit arsimor në të gjitha nivelet e tij. Arsimi nuk është thjesht çështje “kuadri”, pra largime dhe marrje në punë. Jo! Nëse reformat nënkuptojnë këtë, mendoj se janë të dështuara që në nisje. Arsimi nuk pret! Është e ardhmja e vendit në pikëpyetje. Ndaj dhe e vlerësoj si shumë të rëndësishme fokusin e qeverisë ndaj arsimit. Nuk ka më vend për të treguar konstatimet, por për të vepruar me kompetencë dhe largpamësi në shërimin e plagëve të arsimit shqiptar, dhe më tej, në krijimin e standardeve moderne të metodave, cilësisë dhe kurrikulave të tyre.
Është tashmë e qartë se në sistemin arsimor nuk mund të ndodhë përmirësim i pjesshëm, pasi sistemi zinxhir nuk e lejon këtë. Pra dhe nëse arrin sukses ta zëmë, në “maturën shtetërore”, sërish mangësitë në sistemin zinxhir nuk lejojnë dukjen e këtij suksesi (gjithnjë nëse ka sukses). Kemi maturantë që megjithëse me nota të larta e arrijnë të hyjnë në degë të tilla si mjekësi, IT, arkitekturë etj., mbesin në pjesën më të madhe, që vitin e parë. Dhe ky është një dështim dhe jo sukses. Shkaqet janë të shumta. Por gjithnjë vicioziteti i problemit të arsimit mbetet kyçi! Le t’i shikojmë më me precedencë:
– Thuhet zakonisht se, në degët që çojnë drejt mësuesisë në universitete shkojnë studentë shumë të dobët. Edhe kjo mund të ndodhë nëse pikët e vendosura nga universitetet e lejojnë këtë. Të tjerë mendojnë se, studentët nuk duan të studiojnë në këto degë për shkak të pagesës së ulët që kanë mësuesit. Por unë mendoj se ka diçka tjetër në këtë mes. Një student, që të studiojë për matematikë, apo fizikë, apo anglisht dhe të shkojë mësues duket pak e vështirë. Pse e them këtë. Sepse një student që në tri vite specializohet vetëm për matematikë, dhe pastaj edhe një apo dy vite të tjera sërish për matematikë, gati e detyrojmë të bëhet “matematicien” dhe jo mësues matematike. Aq më tepër kur kurrikula e sistemit arsimor parauniversitar është shumë e kryqëzuar me lëndë të tjera. Po kështu edhe për lëndët e tjera.
Nëse do të gjenim shkakun te pagesa do të thosha se dhe pagesa nuk është tepër diferencuese me pozicionet e tjera të punëve në Shqipërinë tonë të varfër. Atëherë mund ta rishtrojmë pyetjen edhe një herë: Si mund ta shpjegojmë faktin që një pjesë e mirë e nxënësve që mbarojnë ciklet e para, të dyta e të treta të sistemit parauniversitar, nuk kanë as njohuritë e duhura, as kulturën e përgjithshme dhe as logjikën e të mësuarit?
Unë mendoj se arsyeja e parë është pikërisht mungesa e një formimi të plotë të mësuesve që përgatisim. Brezi i vjetër i mësuesve, tashmë po e përfundon misionin e vet do të thosha me “sukses” në përputhje me llojin e formimit që synonte sistemi ku ata vetë u përgatitën. Por koha e HTech është kohë tjetër që kërkon tjetër lloj formimi, kulture, metodologjie dhe angazhimi. Po çfarë po përgatisim ne? I referohem brezit të arsimtarëve që kemi përgatitur dhe vazhdojmë të përgatisim gjatë këtyre 23 viteve.
-Përgatisim studentë që merren 5 vite me matematikë, që “lodhen” e nxjerrin sytë për “të rejat” e fundit të matematikës dhe përfundojnë mësues në shkolla! Përgatisim studentë që studiojnë 5 vite histori, që përgatiten për historianë dhe shkojnë mësues… Dikush do të thotë: Shumë mirë. Ky është vlerësimi që duhet të jetë për një mësues të shkollës sonë! Unë mendoj se jo. Nuk ka pse të shpenzojë gjithë ato vite studimi në një degë, një student që do shkojë drejt mësuesisë. Sigurisht do t’i mirëkuptoja ata specialistë që do më thoshin se pas bachelorit në një degë, studenti mund t’i drejtohet 2-vjeçarit për mësuesi. Le të më gjejnë ku zhvillohen këta 2-vjeçarë dhe unë do të isha pjesërisht dakord.
Sikur t’i shtonim këtij fakti dhe momentin tjetër që, në shumë nga degët që çojnë drejt mësuesisë nuk ka asgjë në lidhje me pedagogjinë, psikologjinë apo metodat e mësimdhënies moderne, problemi bëhet edhe më i ndërlikuar! Mësuesit “matematicienë”, fizikanë”, “gjeografë” etj., e kanë gati të pamundur të akomodohen me nxënësit dhe sjelljen e tyre brenda klasave!
Nëse do t’i referohem sërish disa degëve do të thosha se degët e shkencave të natyrës janë degë të vështira, ku studenti që hyn në to duhet të jetë i “prerë” për të studiuar në këto degë. Duke ditur që studentët që mbarojnë këto degë përfundojnë zakonisht mësues, në to shkojnë studentë të dobët, të cilët dalin edhe më të dobët nga auditorët. Më tej kthehen e u japim “dije” nxënësve të tjerë të cilët ndjekin po të njëjtin rrugëtim. Ja se si rrethi bëhet vërtet vicioz!
Ndaj unë mendoj se ka ardhur koha që në vendin tonë të ngrihet Universiteti i Arsimit, me departamente përkatëse që ndjekin kurrikulat e sistemeve parauniversitare, që mundësojnë harmonizimin e dijeve, që sigurojnë metodat e reja psikopedagogjike, që ofrojnë përgatitje cilësore të brezit të mësuesve të shekullit të 21-të! Mbase duhet ta fillojmë këtej reformimin e sistemit arsimor. Ashtu si kemi nevojë për Universitet Mjekësie, Inxhinierie, apo Sporti, kemi nevoje urgjente për krijimin e Universitetit të Arsimit. Dhe përvoja ka, madje të shumta, se si mund të ngrihet një universitet i tillë. Vetëm kështu do të mund të frenojmë rrëshqitjen drejt “analfabetizmit funksional”.