Shteti apo tregu? Një rrugëtim i gjatë në dilemat ekonomike
Nga Artan Santos, Parathënie e librit “Shteti apo Tregu?” i Adrian Civicit, 18 tetor 2013
Kur Tedi ( Adrian Civici ), me atë mirësjelljen e tij të “paplakur”, më telefonoi për të më thënë se kishte përgatitur një botim të ri dhe dëshironte që parathënien t’ia shkruaja unë, u ndjeva mirë dhe kërkova menjëherë të lexoja gjithçka. “Shteti apo Tregu – Cilin model zhvillimi të zgjedhim”? Që në kopertinë, duket se kërkohej të provokohej çdo lexues se kë duhet të zgjidhte, Shtetin a Tregun, apo të dy së bashku? Çdo gjë e lexuar deri me sot, lidhur me këtë temë më erdhi mbrapsh, por kurioziteti dominoi mbi qartësimin e leximeve të shkuara dhe kërkova, pa e nisur mirë librin, të shfletoja kapituj a pjesë të tëra, ashtu si më erdhi për momentin, pa zgjedhje. Ende pa e filluar mirë, nga faqja e parë deri te e fundit, i telefonova Tedit vetëm për t’i thënë që “e nisa”, por akoma pa mbaruar fjalinë unë, ai më thotë “si t’u duk, se aty janë disa vite punë brenda”… E vërteta është që pikërisht këtë fjalë prisja, pasi kuptova se pas shumë vite për këto probleme, më në fund, dilemat e politikave ekonomike dhe të atyre të zhvillimit, apo dhe mjaft pikëpyetjeve se cila është mënyra e reflektimit për “problematikën shqiptare” i gjeja të përmbledhura me shumë finesë në këtë titull të zgjedhur të këtij libri “Shteti apo Tregu”?.
Faqet e librit janë një rrugëtim i gjatë në dilemat e politikave ekonomiko-financiare dhe faktorët e zhvillimit, shembujt pozitivë e negativë në mjaft vende e rajone të botës, në debatet e përballjet teoriko-akademike ndërmjet shkollave të ekonomisë dhe lloji i ekonomistëve “modernë” që na duhen, marrëdhëniet ndërmjet ekonomisë, demokracisë dhe politikës, aspektet polivalente të strategjive të zhvillimit dhe rritjes ekonomike, modeleve të ndryshme të kapitalizmit dhe atyre sociale të aplikuara në Europë e në botë, rolin e dijes dhe njohurive si faktorë thelbësorë në zhvillim, reformimin e bankave, përballjen tonë të përditshme me efektet e ngrohjes globale, ndryshimeve klimaterike, sfidën e ushqimeve dhe shkatërrimin e diversitetit, etj. Në mbyllje të librit, një reflektim i gjatë dhe i detajuar historiko-analitik i autorit për 100 vjet ekonomi kombëtare dhe “modelin ekonomik shqiptar post-tranzicion”, të cilësuar shpesh dhe si “modeli i ri ekonomik” që ka nevojë të aplikojë Shqipëria në dy apo tri dekadat në vazhdim. Një analizë për prioritetet, strategjitë, politikat dhe vizionin e zhvillimit ekonomiko-social të Shqipërisë.
Harku kohor 2007-2013, përkonte me një tjetër “hark” a “trajektore” zhvillimesh të përmbledhura në fjalën “krizë”, nga SHBA –ja e më pas te Europa në të gjithë hapësirën e saj të përbashkët duke arritur të ndihet dukshëm përgjatë dy viteve të fundit në Europën Juglindore dhe te ne. Në dilemë siguria e tregut dhe qenësia e vetë shtetit. Kriza greke më tepër sesa ndau, krijoi konfuzion tërësor si në tregjet ashtu edhe në teoritë e zgjidhjet e propozuara. FMN-ja dhe mbarë Europa e Bashkuar këtë radhë u ndjenë të ndara. Paqartësia politike në Itali, pas qeverisë Monti, vetëm në pak muaj trembi tregjet, duke spostuar vëmendjen nga Greqia fqinje te fqinji tjetër i përtejdetit. Të rrethuar nga sindromi krizë politiko-ekonomike, u ndodhëm pikërisht ne që të provonim fort dallgët italiane dhe rrebeshin grek. Sa të aftë apo sa të paaftë u ndodhën shtetet dhe vetë tregjet përballë një zgjatjeje të ciklit tej parashikimeve më të zymta? Në shfletimet e Civicit lumturisht rrok idetë dhe praktikat e një morie vendesh të kombinuara me teoritë më të ndritura të modeleve ekonomike, nga Rostov e Rikardo, të bashkëshoqëruar me versionin modern të teorisë së tregtisë së lirë dhe përparësive krahasuese të Teoremës HOS, te kriza aziatike e mesit të viteve ’90, apo axhustimet strukturore të Friedman-it; për t’u futur më pas në shtjellimin “Shteti apo Tregu”, nëpërmjet një tregimi të plotë të destinacioneve fatlume a fatkeqe, si dhe në teoritë që derivuan prej tyre në zona, vende a kontinente të tëra. Diku quhet me “cinizëm” si trekëndësh i hekurt “shteti-bankat-biznesi”. Por në vetvete, shteti predominon dhe shpesh dikton dhunshëm një treg që po nga ndërhyrja e tij kulmon me një recesion, siç do ta trajtonte në ligjërimin e tij austriaku Hayek. Jo më kot trajektoret nisin nga perëndimi i largët, SHBA-ja. Ishin ata me “Planin Marshall”, që vepruan si “hegjemonë beninj” në fundin e Luftës së Dytë Botërore, duke marrë kështu edhe rolin udhëheqës të botës së lirë duke gëzuar në këtë mënyrë edhe aleancën e qëndrueshme me Europën. Trajektorja vijoi në Europë më pas, pra edhe në atë kohë, por edhe tashmë. Një krizë amerikane e transferuar po nëpërmjet kësaj trajektoreje në Europë, ku roli i shtetit ishte tepër i fuqishëm si në SHBA, por edhe në Europë, ku Gjermania luajti thuajse e vetme rolin e udhëheqësit, në mjedisin politik dhe ekonomik europian. Historinë e krizë-pas-krize, në transformimin e saj, në zgjatjen dhe ciklin e shkurtër, gjatë shfletimit të librit të Civicit do ta shohësh të paraqitur qartësisht, me reagimet dhe ndryshimet e sjelljeve të shteteve, institucioneve financiare ndërkombëtare, por edhe të ligjëruesve të famshëm, në çdo shfaqje të zhbalancimeve në ekonomitë e veçanta a në atë botërore. Në 20 vitet e fundit pati ndryshime të qenësishme në filozofinë e gjetjes së mekanizmave prudentë për sistemin bankar. Nga rregullimet e përcaktuara te Bazel 1 në 1975-ën, këtë vit e deri në 2019- ën, datë e përcaktuar për rregullat e reja të Bazel 3, do të zbatojnë një tjetër strategji për të qenë vetë sistemi bankar e financiar i qetë ndaj krizave a tensioneve të reja në tregje. Nga ana tjetër, edhe vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka hequr petkun e ortodoksisë shumëvjeçare dhe po e sheh realitetin me zgjidhjet përkatëse pikërisht për vendin ku ndodh a krijohet “incidenti financiar”, por edhe më gjerë. Rasti i Greqisë ishte një dërrmim i shumë teorive dhe krijesave tej realitetit të vendit, si edhe gjerësisë shumëplanëshe të zgjerimit të valës goditëse të asaj që në të vërtetë u shfaq. Nuk priteshin më të zbatoheshin teoritë, që ndonëse patën sukses në mjaft vende, por jo në rastin grek. Kështu që mes falimentit a shpëtimit të shtetit, nuk pritej një vendim që të zgjaste më tepër se diferenca ngrysje në mbrëmje e zgjim në mëngjes. Nga e gjithë moria e problematikave ekonomike e financiare që kriza shfaqi në shumë vende, u arrit që të dyshohej edhe formula e vetë mbajtjes së monedhës së bashkuar, Euros. Ajo u etiketua si një nga të “këqijat e mëdha”. Përgjatë këtyre viteve të fundit, jo vetëm që u vunë në dyshim parimet bazë të lindjes së euros, por u anatemua e gjithë politika e ndjekur për mbajtjen në këmbë me gjithfarësoj instrumentesh të jetës së saj. Nga më goditësit ishte George Soros. Ai në vijimësi krijoi dhe teoritë e tij që ishin të ndryshme nga ato tradicionalet, duke zhvilluar një kuadër konceptual, shumë më të gjerë sesa tregjet financiare, pasi ai përfshin në teorinë e tij, marrëdhëniet mes të menduarit dhe realitetit. Ai shprehet se “mendimet dhe veprimet e pjesëmarrësve janë pjesë e realitetit rreth të cilit ata duhet të mendojnë”. Të menduarin ai e paraqet në funksionin e dyfishtë, ku nga njëra anë pjesëmarrësit kërkojnë ta kuptojnë botën ku ata jetojnë, dhe ky është funksioni njohës; dhe nga ana tjetër, ata kërkojnë të influencojnë në ngjarjet që dhe ata vetë marrin pjesë dhe ky sipas tij është funksioni manipulues. Dhe interferencën e të dyjave me njëra- tjetrën, Soros e quan “refleksiviteti i interferencës”. Si gur themeli të kuadrit të tij konceptual, ai vendos parimin e “pasigurisë njerëzore”, e cila është bazuar në dy shtyllat identike të “gabueshmërisë” dhe “refleksivitetit”.
Parimi i pasigurisë njerëzore ka efekte të gjithanshme për metodën shkencore. Në këtë kontekst ai kundërvihet dhe del në konflikt të drejtpërdrejtë me teorinë e përgjithshme ekonomike. Ekonomia e linjës së zakonshme është e bazuar në ligje të përjetshme dhe universale, testimi i vlefshmërisë së tyre mund të bëhet duke iu referuar fakteve. Por faktet e prodhuara nga proceset shoqërore nuk përbëjnë në realitet një kriter të besueshëm për të gjykuar vlefshmërinë e teorive për shkak të gabueshmërisë njerëzore. Ekzistenca e ligjeve të vlefshme universale dhe të përjetshme është një realitet, i tillë është edhe parimi i pasigurisë njerëzore, por të tilla ligje paraqiten ende shumë të paqarta dhe të përgjithshme për t’u përdorur për gjenerimin e parashikimeve dhe sqarimeve specifike. Në gjenerimin e pasojave të krizës globale ekonomike-financiare, pikërisht në rrugën që ajo ndoqi ndër vite si dhe në rezultatet që u shfaqën, ajo që krijon veçanësi është roli i ideve të gabuara dhe keqinterpretimeve, mungesa absolute e mirëkuptimit në formimin e rrjedhjes së ngjarjeve. Ajo çka është dukshëm e veçantë në një trajtim të ri të këtyre ngjarjeve është pikërisht ndryshueshmëria e rrjedhjes së tyre. Në këtë proces të zgjatur përfshihen shumë nyje reagimesh refleksive, mes aspekteve objektive dhe subjektive të realitetit. Pasaktësia e ndodhur, tregon qartazi se këto dy aspekte asnjëherë nuk janë identike. Duke pasur këto “përleshje”idesh, por edhe lindjen e teorive të reja për një situatë të pazakontë dhe krejt të ndryshme nga krizat e mëparshme, në pamundësinë e gjetjes së ekuilibrit të vështirë të “ecjes në tel” si dhe veprimi i shtetit inteligjent që Civici e trajton me kujdes në faqet e librit, natyrshëm vihen përballë keynesianistët me ndërhyrjen publike në ekonomi dhe liberalët si partizanë të tregut të lirë dhe globalizmit pa limit. Mirëpo këta të fundit, të tronditur nga këto vite krize, që nuk i prisnin, kërkojnë të mbahen fort në logjikën e tyre se “kjo nuk erdhi për faj të liberalizmit, dhe se po vetë liberalizmi do të jetë ai që do ta nxjerrë botën prej saj”.
Tej teorive, shpërthimi i krizës i futi në çark autoritetet financiare europiane. Atyre iu duhej të përballeshin me krizën, në përputhje me rregullat që ishin dukshëm të papërshtatshme me kushtet e krijuara, e megjithatë nuk mund të ndryshonin Traktatet e Maastrichtit dhe atë të Lisbonës, pasi u has në një kundërshtim masiv të opinionit publik veçanërisht në vendet e zhvilluara europiane, Gjermania dhe Franca, lidhur me hapat e mëtejshëm të integrimit europian. Më pas rasti i Greqisë denatyroi çdo teori të paraqitur deri në këtë kohë saqë u përdor një fjalë në gjuhën gjermane “Schuld”, e cila nënkupton borxhin dhe fajin. Një fjalë kjo që luajti një rol kyç në të gjithë zhvillimet e “zgjidhjes” së krizës greke. Megjithëse tashmë ndodhemi në kohën kur kriza e euros mbaroi, një deklarim ky i bërë edhe gjatë zgjedhjeve në Gjermani, apo edhe fillimi i shenjave të ringritjes së ekonomisë europiane gjatë vitit 2014, gjithsesi, në një pasqyrim të defekteve të situatës aktuale ato ndahen në dy kategori: politike dhe financiare. Në anën politike Gjermania është shfaqur de facto si një fuqi hegjemoniste. Ajo nuk mund t’u diktojë të tjerëve, por autoritetet europiane nuk mund të bëjnë asnjë propozim pa marre lejen e Gjermanisë.
Ndërsa në planin ekonomik, politika shtrënguese e përkrahur nga Gjermania, rezultoi kundërproduktive. Në frontin ekonomik, politika shtrënguese e përkrahur nga Gjermania, rezultoi kundërproduktive. Çdo euro e zbritur nga deficiti fiskal shkaktoi më shumë se një euro të zbritur nga PPB-ja, me fjalë të tjera koeficienti fiskal rezultoi më shumë se një i tillë. Publiku gjerman e pati të vështirë për ta kuptuar këtë. Reformat fiskale të futura nga qeveria Schroeder ishin të suksesshme, pse nuk mund të funksiononte edhe për Europën një politikë që ka funksionuar për Gjermaninë? Arsyeja është se qeveria Schroeder ka operuar në një mjedis inflacionist, ndërsa mjedisi i tanishëm është deflacionist. U desh kohë që autoritetet europiane të pranonin këtë fakt dhe në fund vepruan duke ndaluar imponimin e masave shtrënguese shtesë.
Kjo e lehtësoi presionin e trendit rënës dhe lejoi Eurozonën të arrinte fundin duke i dhënë fund krizës financiare. Eurozona ndodhet tashmë në një tërheqje të “butë“ të udhëhequr nga Gjermania, por vendet e zhytura në borxhe janë mbrapa. Divergjenca është kryesisht për shkak të barrës së tyre të lartë të borxhit dhe të kostos më të lartë të parave. Duke qenë se këto janë të përsëritura, divergjenca ka tendencën të zgjerohet me kalimin e kohës. Ajo që duhet bërë rrjedh drejtpërsëdrejt nga analiza e asaj që ka ndodhur. Pranimi i gabimeve dhe identifikimi i ideve të gabuara që kanë krijuar situatën e tanishme përbën hapin e parë, ndërsa korrigjimi i tyre është i dyti. Në trendin krizë-gabime-rregullime, Soros, zhvilloi teorinë e tij të “fryrjes dhe shpërthimit” të flluskës së krizës financiare, që praktikisht është e kundërta e ekuilibrit. Ajo përbëhet nga një trend që mbizotëron në realitet, dhe nga një keqinterpretim ose ide e gabuar rreth atij trendi.
Si trendi dhe ideja e gabuar e përforcojnë reciprokisht njëra-tjetrën derisa ato të rriten në atë masë ku ideja e gabuar bëhet gjithnjë e më e dukshme. Përfundimisht kurba arrin në pikën ku trendi kthehet në anën e kundërt dhe nyja e reagimit pozitiv, zhvillohet në drejtim të kundërt.
Proceset e “fryrjes dhe shpërthimit” ose “flluskat”, janë vetëm manifestim i refleksivitetit dhe rrallëherë ndodh që ato të rriten deri në një madhësi ku marrin rëndësi makroekonomike.
Por ka edhe një ndërveprim refleksiv midis autoriteteve dhe tregjeve. Pas dorës së padukshme të tregjeve fshihet dora e dukshme e politikës. Të dy, qoftë tregjet apo edhe autoritetet gabojnë. Është pikërisht ajo që e bën ndërveprimin e tyre refleksiv. Ndërsa “flluskat” ndodhin në mënyrë ciklike, bashkëveprimi midis ekonomisë dhe politikës është i vazhdueshëm. Në rastin e krizës kaq të gjerë ekonomike e financiare dhe dilemave pa fund mbi modelet dhe teoritë më efiçente të zhvillimit, do të na duhet të studiojmë ekonominë politike ku çdo ngjarje është unike, në vend që të kërkojmë të futemi në ligjet dhe ligjësitë që kanë vlefshmëri të përjetshme.
Në pjesët e librit të Civicit gjejmë tema të të përditshmes sonë, “Uji si burim strategjik dhe lufta për të”; përse po na dëmtojnë kaq shumë zjarret dhe përse jemi kaq të pafuqishëm për t’i përballuar ato? Gjejmë problematika komplekse për mjedisin, për burimet natyrore dhe administrimin efiçent të tyre, për naftën dhe fuqinë financiare e gjeopolitike që ajo ka sot në tregjet ndërkombëtare, për kulturën si faktor zhvillimi, edukimin, kapitalin njerëzor dhe për rolin e ri të ekonomisë së dijes dhe universiteteve, për etikën dhe besimin etj., si faktorë socialë që janë pjesë e një mjedisi ku ne veprojmë dhe ndërvaremi nga njëri-tjetri. Të përfundosh leximin e librit “Shteti apo tregu- Cilin model zhvillimi të zgjedhim”?, vetvetiu futesh natyrshëm në mjedisin dhe “çështjet” shqiptare. Reflektimet taksa e sheshtë a progresive të shprehura këndshëm, të kuptueshme nga kushdo, apo roli i shtetit inteligjent kur vendi është i vogël si ç’është rasti ynë, pamundësia e një formule të vetme zhvillimi që mund të kopjohet nga jashtë, roli i ekonomistëve shqiptarë në trajtimin e problemeve “të brendshme” të zhvillimit, marrëdhëniet me FMN-në apo Bankën Botërore etj., trajtohen si pikëpyetje e rrugëzgjidhje për të ardhmen e ekonomisë dhe financave shqiptare. Dilemat shqiptare dhe përgjigjet për to vazhdojnë: nëse do të pranojmë një situatë të rëndë ekonomike, cili është profili i vërtetë i saj, ndërkohë që kemi një inflacion mjaft të ulët apo një borxh tashmë mbi 70% të PBB-së, a do të pranojmë të rrisim inflacionin derisa të jetë i kontrollueshëm si dhe borxhin deri aty sa kufijtë e rritjes dhe kufiri kohor i mbajtjes së tij aty, të përkojnë me inversin e derisotëm, pra me zhvillimin e ekonomisë dhe mundësitë reale të stabilizimit të treguesve ekonomikë e financiarë?
Ç’duhet të bëjmë? Të njohim realisht dhe me vërtetësi situatën. Të njohim dhe t’i pranojmë gabimet.