Pasojat nga anulimi i koncesioneve

Nga Elvin Nuriu, botuar në Panorama Online, 17 tetor 2013

Koncesionet janë mundësi për ridimensionimin e një pasurie publike, të cilën shteti, për shkaqe të ndryshme, kryesisht financiare, nuk arrin ta menaxhojë. Këto praktika janë rëndom në botën demokratike, çka ka sjellë edhe përfitime nga shumë ekonomi. Tipike në këtë fushë janë planet koncesionare zhvillimore, si p.sh. në fushën e energjisë, minierave dhe infrastrukturës, të cilat nuk kanë ekzistuar më parë dhe ku gjithçka ndërtohet nga themeli.
Duhet pohuar së në këtë proces pozitiviteti qëndron në faktin së shteti nuk investon asgjë për këto projekte gjigante. Ai ka të drejtën e ndarjes së fitimit me shoqërinë përkatëse, përfiton të ardhura nga taksat, mundëson hapjen e vendeve të reja të punës dhe më kryesorja, pas periudhës së përfundimit të koncesionit bëhet pronare i një investimi gjigant dhe disponon tërësisht të drejtën për të administruar ketë burim të ardhurash duke futur në buxhetin e shtetit të ardhurat prej ish-koncesionit.
Ndërkaq, një koncesion i suksesshëm është ai koncesion i cili arrin të sigurojë përfitime brenda 3-5 viteve të para të veprimtarisë, ndërsa një koncesion i dështuar është ai që arrin të japë përfitime gjatë 5-10 viteve të para të veprimtarisë së tij. Koncesionet në hidrokarbure, ose siç njihen ndryshe “burime të parinovueshme të energjisë”, janë ato marrëveshje që specifikimet teknike kërkojnë një kohë të gjatë negocimi me koncesionarin. Koncesionet në hidrokarbure janë të kushtueshme, por dhe shumë fitimprurëse nëse gjendet lëngu. Administrimi me përgjegjshmëri i aneksit të marrëveshjes për ndarjen e prodhimit është pika më e nxehtë e koncesionit në hidrokarbure. Në Norvegji marrëveshjet me shoqëri jopublike për ndarjen e prodhimit kryesisht arrijnë nga 80 deri në 90% e prodhimit për shtetin norvegjez dhe pjesa tjetër, 10 deri 20%, për shoqërinë koncesionare, ndarja e prodhimit bëhet vetëm pasi shoqëria koncesionare ka marrë të gjithë investimin e bërë për ndërtimin e infrastukturës identifikuese, shpuese, nxjerrëse dhe transportuese të hidrokarburit. Pra, negocimi i kontratave koncesionare në të gjitha rastet është shumë i rëndësishëm, duhet të dominojë interesi i përgjithshëm duke pasur parasysh dhe interesin e palës koncesionare, e cila është e interesuar të investojë me qëllim që më pas të fitojë të ardhura.
Por ç’mund të ndodhë tani që qeveria e re ka nisur anulimin e koncesioneve dhe marrëveshje të firmosura së fundmi gjatë periudhës së nderimit të pushtetit?
Së pari, një marrëveshje koncesioni apo një kontratë e lidhur ku ka vulë dhe firmë të rregullt të një nëpunësi të autorizuar të ish-qeverisë shqiptare, është njësoj e vlefshme si me një nëpunës të qeverisë së re. Askush nuk mund të mohojë tagrin e firmës dhe vulës së autoritetit shqiptar të autorizuar. Në këtë mënyrë bie çdo dyshim i mosnjohjes së kontratave nga qeveria e re.
Së dyti, duhet të qartësojmë se koncesionet janë marrëveshje komplekse të përbëra nga plane biznesi, korrespondenca, gara kualifikimi dhe marrëveshje për çdo faze negocimi si dhe kontrata me sekrete tregtare ku aty përcaktohet fitimi në terma konkretë. Koncesionet me palë kontraktore shoqëritë tregtare shqiptare janë më të lehta për të gjetur zgjidhjen sepse në themel do të jetë ligji shqiptar i cili do ta zgjidhe atë, por koncesionet më të rëndësishme janë me subjekte të huaja, të cilat ushtrojnë ndikim shume të madh në negocimin e klauzolave për mosmarrëveshje të mundshme sipas ligjit asnjanës.
Së treti, një shoqëri e huaj, e cila vjen në Shqipëri për të investuar dhe për të fituar në kohë sa më të shkurtër, fillimisht atë që ka investuar, vjen me ligjin e saj dhe me gjykatën që ajo e zgjedh (teorikisht zgjidhet nga palët). Këtu vlen të përmendet puna e dobët në detyrat që i ngarkohen Avokaturës së Shtetit në kontratat e rëndësishime jo vetëm në qeverinë “Berisha”, por edhe në qeverinë “Nano” (kujtoj koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtare të Tiranës “Nënë Tëreza” dhe shitjen e Albtelekomit). Siç dihet nga publiku i gjerë, këto çështje u trashëguan nga qeveria e para 8 viteve dhe u proklamuan si kontrata të negociueshme apo të anulueshme nga qeveria “Berisha”, por që pothuajse asgjë nuk u ndryshua dhe ato vazhdojnë të jenë të njëjta, duke penalizuar interesin e shtetit për të përfituar dhe ofruar shërbime interesit publik. Avokatura e Shtetit, e cila ka për detyrë të ruajë interesin e shtetit në një mosmarrëveshje të mundshme duke këshilluar organet shtetërore, ministritë apo organe varëse me asistencë të vazhdueshme duke hartuar dhe duke ndjekur fazat kontraktuese që në shprehjen e interesit nga palët, korrespondencat e ndryshme, krijimin e draft-kontratës paraprake dhe negocimin për çdo klauzolë dhe paragraf të saj, si dhe përfaqësimi ligjor i mundshëm i shtetit në çdo fazë dhe në çdo gjykatë, qoftë dhe ato të arbitrazhit ndërkombëtar. Mungesa e theksuar e negocimit të termave të zgjidhjes së një kontrate, si faza më e rëndësishme e saj, nuk  është bërë me përgjegjësi në asnjë rast në favor të shtetit shqiptar.
Së katërti, anulimi (null and void) i një kontrate pa pasoja është i pamundur, kjo për arsye së Shqipëria prej vitesh është aderuese në konventa dhe marrëveshje bilaterale, të cilat mbrojnë investimet e huaja dhe nuk e lejojnë një gjë të tillë (Konventa për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të huaja në fushën civile dhe tregtare, konventa ICSID, UNCITRAL dhe ajo e njohjes së vendimeve të gjykatave të arbitrazhit). Anulimi i një kontrate duhet të jetë domosdoshmërisht i bazuar në kontratë, dhe një nen i tillë që i lejon çdo qeverie që vjen në pushtet për të anuluar një marrëveshje tregtare apo investimi pa një shkak ligjor të bazuar në marrëveshje më parë, është i pamundur të ekzistojë.
Le të analizojmë pasojat
Pasojat do të jenë negative nëse zgjidhen koncesionet pa shkaqe të bazuara. Gjyqet ndërkombëtare do ta gjenin Shqipërinë në shkelje kontraktore dhe dënimet nga Arbitrazhi do ishin sa dyfishi i investimeve të kryera ose të planifikuara dhe fitimet e munguara. Të gjitha shoqëritë që mund të fitojnë gjyqet do na merrnin edhe qindarkën e fundit kudo ku ajo të lëvizte në tregjet ndërkombëtare (G&E kundër Shqipërisë). Një aspekt tjetër është besueshmëria e investitorëve të huaj për të ardhur dhe investuar në Shqipëri. Një sjellje jo miqësore ndaj investitorëve të huaj gjatë kësaj periudhe krize në mbarë botën do ishte shkatërruese për imazhin e Shqipërisë në tregjet e huaja të kapitalit, le të kujtojmë që çeshtja me shoqërinë publike çeke “CEZ” dhe KESH-ERE ka sjellë një klime “siberiane” midis dy qeverive, në të njëjtën kohë amplituda në kërkesat e palëve në këtë çështje vazhdon të jetë në vëmendjen e të gjitha gjykatave ndërkombëtare dhe investitorëve të huaj. Prandaj një zgjidhje e njëanshme e kontratës, e pabazuar në kontratë, pa një arsyetim bindës në klauzolat e zgjidhjes së saj, do të ishte një hap i gabuar dhe me pasoja të rënda për qeverinë e re dhe për klimën e investimeve.
Si fillim, për të zgjidhur kontratat do ishte i nevojshëm revizionimi i të gjitha kontratave koncesionare për të vlerësuar impaktin e tyre në financat publike.
Analizimi i tyre në themel për identifikimin e mospërmbushjeve të detyrimeve kontraktore në aspektin e investime, ku përfshihet periudha e investimit dhe sasia financiare e investimit, e ndjekur më pas në korrektësinë në shlyerjen e tatim-taksave, duke pasur parasysh neglizhencat e theksuara të qeverisë së shkuar me instrumentet e saj si tatim-taksat, Avokaturës së Shtetit dhe atë të çdo ministrie të ngarkuar për zbatimin e kontratave, nuk do të jetë e vështirë për t’i kapur në shkelje kontraktore subjektet private, palë në kontratat koncesionare.
Nëse nuk ka shkelje, vazhdohet me rinegocim të temave kontraktore, të cilat në pamje të parë duken të pamundura, por që juristët ekspertë të së drejtës ndërkombëtare tregtare i njohin mirë klauzolat, të cilat e mundësojnë rinegocimin e termave dhe përafrimin e tyre në interesa të përafërta për të dyja palët.
Përfundimisht, anulimi i kontratave “null and void” nuk do të ishte një zgjidhje për aktorët në një kontratë, për shtetet respektive dhe intersin publik. Një nismë e tillë do ta kthente Shqipërinë si 23 vite më parë, duke na barazuar me Korenë e Veriut, duke shuar çdo shpresë për thithjen e investimeve të huaja.
*Master në zgjidhjen e kontratave ndërkombëtare.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi