Midis sistemit dhe qytetarit shqiptar

Nga Besnik Gjongecaj, botuar në Shqip, 18 tetor 2013

Është jashtë çdo dyshimi që qeverisja e re e Shqipërisë ka identifikuar tashmë si bash-problem të saj përcaktimin realist të raportit midis sistemit dhe qytetarit shqiptar, në kuptimin e peshës relative që secili prej tyre, si sistemi ashtu edhe qytetari, ka në rindërtimin e vendit, apo, për t’i qëndruar strikt terminologjisë politike të ditës, në ndikimin që secili prej tyre ka në rilindjen e Shqipërisë. Është një prioritarizim absolutisht logjik, sepse nga përcaktimi i këtij raporti do të varet edhe efektiviteti i shpenzimit të energjisë qeverisëse të vendit, prandaj edhe suksesi apo dështimi i vetë qeverisjes. Kryeministri i vendit e artikulon problemin e këtij raporti çdoherë që i jepet rasti, pa hezituar që të shprehë qëndrimin e tij të prerë se është ndryshimi i sistemit, ridizenjimi i tij, ai që do të mund të çojë në rilindjen e Shqipërisë. Për të shpjeguar qëndrimin e tij ai nuk shkon në substancën e dialektikës që ekziston midis të dyve: sistemit qeverisës dhe shqiptarit. Si çdo politikan normal, ai ndihet “rehat” në komunikimin me publikun kur idenë se të dy, si shkaku i prapambetjes demokratike ashtu dhe ai i rilindjes së Shqipërisë ndodhen te sistemi, te vullneti për të projektuar atë, e konkretizon me shembuj që kanë efekt te publiku dhe çlirojnë mbështetje ndaj qeverisjes. Një nga shembujt më sinjifikativë që Kryeministri i vendit jep para publikut për të argumentuar se ndryshimi i sistemit çon në ndryshimin e vendit është se si një shqiptar në dhè të huaj, pra në një vend perëndimor, bëhet njësoj si qytetarët e atij vendi në pikëpamjen e respektimit të ligjit dhe të shtetit të ndërtuar atje, ndërsa bën krejt të kundërtën menjëherë sapo shkel në tokën e atdheut të tij. Pra, në idenë e Kryeministrit është sistemi ai që e detyron qytetarin shqiptar të transformohet në perëndimor. Shembulli është realist, por sipërfaqësor, sepse nuk përmban shkakun më të thellë të sjelljes së ndryshme të shqiptarit në sisteme të ndryshme, apo të raporteve midis sistemit dhe njeriut në vetvete. E artikuluar nëpërmjet shembujve të tillë, lidhja sistem-qytetar “griset” dhe “ringjitet” në kohë dhe hapësirë të dyzuar. Shqiptari transformohet në qytetar europian në një kohë tjetër dhe në një sistem demokratik që është ndërtuar nga të tjerët, por, paradoksialisht, nuk arrin ta ndërtojë atë, sistemin demokratik, në shtëpinë e tij dhe sot! Pranojmë, në këtë mënyrë, që një sistem demokratik i një vendi tjetër e transformon shqiptarin, por ç’sistem do ta transformojë atë në Shqipëri!? A mund të ndërtojë ai, shqiptari, një sistem demokratik në vendin e tij pa shqiptarin, pra me të huajt?! Prandaj, për hir të thjeshtëzimit të problemit të madh të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri dhe dëshirës së Kryeministrit për të pasur efekt te publiku, po përjetojmë një mjegullim të strategjisë qeverisëse pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është sistemi përgjegjës për prapambetjen e Shqipërisë? Është qytetari shqiptar i papërgatitur për demokraci që është bërë shkaku më i thellë i prapambetjes demokratike të vendit? Apo janë të dy së bashku, në një dialektikë që sa më shpejt të kuptohet aq më dobishëm, aq më efektshëm, do të mund të shpenzohen energjitë qeverisëse në rilindjen e këtij vendi.

* * *

Sistemi, në kuptimin politik dhe më të thjeshtë të tij, nuk është gjë tjetër veçse tërësia e institucioneve të vendit, si dhe natyra e ndërvarësisë ligjore midis tyre. Duke e detajuar më tej, institucioni si pjesë elementare bazë e sistemit nuk është gjë tjetër në vetvete veçse një sistem rregullash, që të marra së bashku formojnë një të tërë dhe të pavarur. Pra, kur flitet për sistem nënkuptohen institucionet si një tërësi rregullash dhe ligjet si produkte të Parlamentit. Gjithsesi, nuk mbaron këtu. Në sfond të sistemit qëndrojnë politikat (policies dhe jo politics), të cilat prodhohen nga qeverisja e vendit. Varësisht prej natyrës së politikave qeverisëse institucionet forcohen ose dobësohen, ashtu sikundër, varësisht prej forcimit apo dobësimit të institucioneve, vetë qeverisja bëhet gjithmonë e më e mirë ose gjithmonë e më e keqe. Në këtë pikëpamje, vetë qeverisja duhet të konceptohet si një veprimtari që lidh politikëbërjen me ndërtimin e institucioneve. Aq sa është e pamundur të ndërtosh institucione demokratike me një politikëbërje të mbështetur mbi urdhrat dhe jo mbi incentivat, ashtu sikundër është e pamundur të formësosh një politikëbërje pa urdhra, në qoftë se nuk ke ndërtuar institucione demokratike. Duke zbuluar rolin esencial të qeverisjes në ndërtimin e institucioneve, pra në ndërtimin e sistemit, është zbuluar vetëm gjysma e mundësisë së rilindjes së vendit dhe askush nuk mund të thotë nëse është zbuluar gjysma më shumë apo më pak e rëndësishme. Sepse askush nuk mund të thotë që institucionet do të reagojnë pozitivisht ndaj një politike të mirë ashtu sikundër do të shtyjnë, nuk do të pranojnë (reject) një politikë qeverisëse të keqe, pa marrë në konsideratë njeriun, qytetarin, nivelin e përgatitjes së tij për demokraci. Deri dje, institucionet e këtij vendi nuk reaguan kurrë ndaj politikave autokratike të qeverisjes, çka do të thotë që së pari, ato nuk u ndërtuan kurrë si të tilla dhe së dyti, nuk u vunë kurrë në lëvizje nga njerëz të përgatitur për demokraci.

* * *

Sistemin qeverisës të një vendi demokratik e kanë ndërtuar dhe e ndërtojnë përditë qytetarët e tij. As të ardhurit dhe as vizitorët. Sistemi politik i një vendi as nuk importohet dhe as nuk ndërtohet nga qytetarë të tjerë. E gjithë kjo ndodh për një shkak thelbësor, ekzistencial: vetëm duke ndërtuar sistemin njerëzit transformohen në qytetarë, përgatiten për t’i dhënë jetë, për ta vënë në lëvizje sistemin që po ndërtojnë; ashtu sikundër një sistem që ndërtohet ndihmon ndërtuesit e tij të bëhen më qytetarë se ç’janë. Asnjë nuk përfundon së ndërtuari përfundimisht në këtë proces: as sistemi dhe as qytetari. Të dy vazhdojnë të përsosin njëri-tjetrin në një dialektikë që nuk përfundon kurrë. Fatkeqësisht, shqiptarët nuk janë përfshirë asnjëherë në ndërtimin thelbësor të sistemit të tyre politiko-shoqëror. Kanë qenë gjithmonë të tjerë ata që kanë bërë diçka në ndërtimin e tij dhe jo shqiptarët, duke krijuar në këtë mënyrë vetëm iluzionin e ndërtimit të shtetit dhe aq më pak të demokracisë në këtë vend. Pra, në thelb, shqiptari nuk është mësuar kurrë të ndërtojë një sistem të vërtetë, demokratik, në tokën e tij. Sistemin politik në të cilin ka mbijetuar, shqiptarit ose ia kanë ndërtuar të tjerët, të huaj, ose, jashtë dëshirës së tij të plotë, ia kanë ndërtuar diktatorët. Ja pse, për të plotësuar jetën e tij, shqiptari ka synuar të shfrytëzojë sisteme të tjerë politikë, demokraci që kanë përfunduar së ndërtuari. Ja pse ai nuk ka guxuar në asnjë çast të historisë të përveshë mëngët dhe të fillojë të ndërtojë një sistem demokratik të vërtetë brenda kufijve të tokës së tij. Ja pse ai është detyruar të krijojë profilin e emigrantit, të një populli migrues, të cilit i është bërë e pamundur të ndërtojë jetën në tokën që i takon. Ky është fati i tij më tragjik, që në fund të fundit, duhet të vijë një ditë dhe të marrë fund. Të marrë fund ditën kur të kuptohet në thelb dialektika dramatike, mohuese, që ekziston edhe sot e kësaj dite midis tij, shqiptarit dhe formës politiko-shoqërore përmes së cilës ai ekziston. Ditën kur të kuptohet në substancë që sistemi nuk ndërtohet pa krijuar qytetarin dhe qytetari nuk krijohet pa ndërtuar sistemin. Ditën kur të kuptohet që shqiptari mund të gëzojë frytet e një demokracie të një vendi të huaj, por kurrë nuk mund të formohet si qytetar pa ndërtuar sistemin demokratik në vendin e tij. Ditën kur të kuptohet që një sistem demokratik për këtë vend nuk mund të ndërtohet nga qytetarë të huaj, por vetëm nga shqiptarët. Ditën kur shqiptari të demonstrojë se e ka pjesë të ADN së tij faktorin e vullnetit shtetformues.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi