KKRT miraton nismën për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit

Mbledhja e KKRT, 18 tetor 2013

 

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni: “Sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit u morën disa vendime shumë të rëndësishme që lidhen me planifikimin dhe me kontrollin e territorit.

-Vendimi i parë dhe më i rëndësishmi është; Miratimi i nismës për hartimin  e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Sigurisht, sipas legjislacionit në fuqi, kjo nismë duhet të ishte marrë prej kohësh dhe Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit duhet të ishte zbatuar dhe realizuar në Shqipëri.

Deri tani, zhvillimet informale, siç e dimë të gjithë dhe kaosi me të cilin po zhvillohen ato në Shqipëri, e kanë bërë mëse të domosdoshme nismën për Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Me marrjen e kësaj nisme dhe me hartimin e këtij Plani synohet realisht që në radhë të parë t’i jepet fund informalitetit dhe kaosit të zhvillimit informal dhe urban në Shqipëri. Të fillojë një epokë e re e planifikimit, e kontrollit të territorit, e një zhvillimi ekonomik dhe social, i cili do t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë.

Procesi i këtij planifikimi do të jetë një proces gjithëpërfshirës, duke angazhuar të gjithë ekspertizën vendase, duke angazhuar ekspertizën e huaj, duke qenë në bashkëpunim dhe në një proces partneriteti me pushtetin vendor, me grupet e interesit, me shoqërinë civile, me universitetet, me median, duke dashur që ky proces, jo vetëm të jetë përfshirës dhe i qëndrueshëm, por vërtet Plani që do të dalë nga ky proces, të jetë një plan që t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë.

Ajo që doja të theksoja është angazhimi maksimal i qeverisë Rama, i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencisë së Planifikimit të Territorit, por në radhë të parë të të gjithë Këshillit Kombëtar të Territorit, që ky Plan Kombëtar, e para të realizohet sipas afateve dhe legjislacionit në fuqi. Nga ana tjetër të jetë proces gjithëpërfshirës dhe të mund të realizojë një Plan Kombëtar i cili do t’i shërbejë interesave të vendit edhe një të ardhmeje evropiane të Shqipërisë.

-Vendimi i dytë, po kaq i rëndësishëm është; Fillimi i procedurave për hartimin e Planit të Integruar të Përgjithshëm në Zonën Ekonomike, Tiranë – Durrës. Të gjithë e dimë që është një zonë nga më të rëndësishmet në vend, me potenciale ekonomike dhe sociale shumë të mëdha, por edhe kjo zonë është prekur gjithashtu nga informaliteti, nga kaosi demografik dhe urban, prandaj ndaj hartimi i një plani të integruar për këtë zonë, mendojmë do t’i shërbejë më mirë zhvillimit të potencialeve të kësaj zone, edhe të ardhmes evropiane të zonës, Tiranë – Durrës.

Duam vërtetë, që përmes këtij plani, kjo zonë të jetë një model suksesi për zhvillimin ekonomik dhe social në Shqipëri.

-Vendimi i tretë, ka të bëjë me; Masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore, në zonën e kurorës së Tiranës. Është në vazhdën e vendimeve që u morën edhe në mbledhjen e kaluar të Këshillit Kombëtar të Territorit, duke dashur t’i vëmë një barrikadë, t’i ndalojmë ndërtimet informale, sidomos në zona që janë kaq të rëndësishme, jo vetëm për sot, por edhe për brezat që vijnë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm, që unë dua ta ndaj me ju është; Miratimi i Rregullores së Këshillit Kombëtar të Territorit. Ajo që dua të theksoj është që ky Këshill më parë ka funksionuar pa Rregullore. Mendojmë që edhe ky është vendim i rëndësishëm, që KKT si autoriteti më i lartë i planifikimit të territorit, duhet të ketë një rregullore dhe të funksionojë sipas një rregulloreje të caktuar.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka: “Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm sot në mbledhjen e KKT ishte pikërisht për masat emergjenteqë nevojiten për të ndërhyrë në mbrojtjen dhe rehabilitimin të  zonave të rëndësishme, kombëtare mjedisore.

Siç dhe jeni në dijeni, sot në Shqipëri është një numër jo i vogël, i zonave të mbrojtura, parqeve kombëtare, të cilat në vitet e fundit kanë pësuar një dëmtim shumë të madh. Ndaj dhe Këshilli Kombëtar i Territorit e konsideroi një emergjencë për të rehabilituar pikërisht këto zona, të cilat nëse do t’i konsiderojmë të mbrojtura, vetëm të mbrojtura nuk kanë qenë përgjatë mbi 20 vitet e fundit. Sigurisht, rreth 90 % e ndërtimeve që gjenden në zonat në fjalë janë ndërtime informale dhe që të bësh rehabilitimin e zonave të mbrojtura, hapi i parë dhe i domosdoshëm është, pikërisht, kthimi i tyre në identitet. Sigurisht, që ka një ligj të posaçëm për menaxhimin e parqeve kombëtarë, ku dhe lejet në mënyrë të domosdoshme janë për t’u dhënë nga KKT, ku do të thoja në shumë pak raste, mos të themi në asnjë rast, nuk është vepruar në mënyrë të atillë.

Një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare është edhe rritja e sipërfaqeve të gjelbra, po aq më shumë edhe rritja e zonave të mbrojtura, që është dhe një nga rekomandimet e KE. Ndaj unë do t’i garantoja të gjithë qytetarët shqiptarë se qeveria është shumë e vendosur për t’i kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve, pikërisht zonat e gjelbra, zona me të vërtetë rekreative, për pushuesit e mbarë vendit, por edhe turistët e huaj

Do t’u falënderoja dhe të kërkoja bashkëpunimin e çdo qytetari shqiptar, të denoncojë në kohë reale, çdo ndërhyrje që mund të bëhet, pikërisht, në këto zona të mbrojtura.”

Ministre e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro:  “Vendimi tjetër, në të njëjtën natyrë siç ishte Mbrojtja e Pasurive Natyrore, që mori sot Këshilli Kombëtar i Territorit është edhe vënia në një mbrojtje të veçantë dhe marrja e masave të menjëhershme emergjente për Mbrojtjen e Objekteve dhe Qendrave të Trashëgimisë Kulturore me një rëndësi të veçantë. Bëhet fjalë për një përditësim të listës, rishikim të listës të objekteve të Trashëgimisë Kulturore të të gjitha natyrave të përcaktuara qartë nga ligji për Trashëgiminë Kulturore, identifikimi i atyre objekteve që kërkojnë ndërhyrje emergjente dhe pezullimin e dhënies së lejeve zhvillimore deri në planin e përgjithshëm definitiv të territorit, ç’ka do të bëjë të mundur edhe njëherë përcaktimin e zonave më të rrezikuara. Të cilat nuk janë pak, po të shikojmë hartën e Shqipërisë që është shumë e pasur me të tilla zona dhe që shpesh herë në vitet e fundit janë bërë objekt raportimi edhe nga media. Kjo vjen në vazhdën e vendimit pararendës të KKT-së, që është moratoriumi në tre qytete; Berati, Gjirokastra të mbrojtura nga UNESKO dhe Kruja, për të  mos dhënë më asnjë lejë ndërtimi të asnjë lloj natyre. Ripërcaktimin e zonave A dhe zonave B të mbrojtura nga ligji i trashëgimisë kulturore është gjithashtu në vazhdën e një përpjekje tjetër të Ministrisë së Kulturës,  e cila ka vënë në dijeni të gjitha bashkitë e vendit  për rishikim të rregullave, me të cilat do të funksionojë Këshilli Kombëtar i Restaurimit, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, pas riformatimit të tyre, i cili do të ndodhë shumë shpejt, si dhe në kuadrin e një reforme të përgjithshme, që Ministria e Kulturës po ndërmerr për menaxhimin territorial të objekteve të trashëgimisë kulturore. Do të na lejojnë këto masa, që të vëmë në kontroll dhe në monitorim për të shpëtuar nga rreziku ato objekte që janë në rrezik sot dhe për të mbrojtur në vazhdim të gjitha zonat e tjera të përfshira nga ky ligj.”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi