Sërish vjen tetori

Nga Shenoll Muharremi, botuar në Dita, 17 tetor 2013

Reformimi i politikës së zgjerimit të BE-së dhe përpjekja e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim

Evropa nuk do të jetë e plotë derisa Ballkani Perëndimor të mos anëtarësohet në Bashkimin Evropian‘ është një deklaratë e besueshme që e japin udhëheqësit e BE-së për të dëshmuar mbështetjen e tyre për rajonin. Por ‘perspektiva evropiane’ është bërë disi si deklaratë fetare, ajo jep shpresë por me raste tingëllon utopike. Qytetarët dhe bizneset e Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar duke mos pasur mundësi të përfitojnë nga lëvizja e lirë; Maqedonisë prej tetë vitesh nuk i është ofruar mundësia e fillimit të negociatave për anëtarësim; Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina në listë pritjeje… pastaj drama rreth anëtarësimit të Turqisë që po vazhdon prej dekadash.

Mirëpo nuk duhet mohuar se arritur edhe progres. Mali i Zi ka nisur dhe është duke negociuar kapitujt për anëtarësim, Serbia e ka fituar statusin e vendit kandidat për BE dhe Kosova do të nisë bisedimet për MSA-në, në mënyrë që shteti i ri të fillojë ngjitjen shkallëve të anëtarësimit [në BE]. Kroacia është bërë anëtare e BE-së korrikun e kaluar për t’iu treguar të gjithëve në rajon se puna e madhe dhe reformat shpaguhen dhe se anëtarësimi është i mundur nëse punohet në mënyrë sistematike.

Për të paraqitur si duhet faktet, është pikërisht korniza dhe politika e zgjerimit ajo që ka funksionuar si duhet për transformimin e vendeve të Evropës Lindore, si Lituania, e cila kryeson Presidencën e BE-së dhe misione dhe operacione të ndryshme, dhe qytetarët dhe bizneset e tyre kanë më shumë zgjedhje dhe mundësi, kanë standard jetësor shumë më të lartë dhe konkurrueshmëri dhe ambient më të mirë për biznes. Prandaj, politika dhe korniza e zgjerimit është rrëfim i suksesit dhe do të funksionojë edhe në Ballkanin Perëndimor. Por për të arritur këtë, BE duhet të tregohet më praktike, më inovative dhe më kreative në zhvillimin, dizajnimin dhe aplikimin e zgjidhjeve që i përshtaten realiteteve, rrethanave dhe mentalitetit të Ballkanit Perëndimor.

Në radhë të parë, është përgjegjësi e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor që të tregojnë më shumë dëshirë dhe vullnet, të punojnë më shumë për të ndërmarrë reformat e nevojshme të cilat jo vetëm që do ta sjellin rajonin më afër BE-së por edhe do të zgjidhin problemet e përbashkëta që kanë këto vende, si mungesën e hapjes së vendeve të punës, tërheqjen e investimeve të huaja apo ndryshimin e reputacionit negativ të rajonit.

BE edhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë më ambicioze rreth procesit të transformimit dhe afateve kohore për anëtarësim, të cilat do të mund të ishin stimulues të mirë për qeveritë e rajonit që të arrijnë rezultate në reformat e tyre. Prandaj, një ndryshim fillestar do të ishte krijimi i një afati kohor për anëtarësim në mënyrë që ai të frymëzojë rajonin dhe qeveritë që të fokusohen më shumë në agjendën e reformës.

Ndarja strukturale e politikave të zgjerimit dhe fqinjësisë nga BE do të jetë hapi i dytë pozitiv dhe do të sjellte rezultate, përpjekje dhe fokusim më të madh. Zbatimi i kritereve të anëtarësimit në rajon kërkon fokusim dhe vëmendjen e plotë të Komisionerit dhe Drejtorisë për Zgjerim (DG) të Komisionit Evropian. Prandaj, në vend se të punojë dhe udhëtojë gjysmën e kohës në/për/me vendet e përfshira në politikën e fqinjësisë, Komisioneri dhe stafi/shërbimet e tij duhet të fokusohen plotësisht në vendet që janë pjesë e zgjerimit [të BE-së]. Komisioneri për Zgjerim, z. Shtefan Fyle, ka bërë punë të mirë. Megjithatë, agjenda shumë e ngjeshur e fqinjësisë, veçanërisht gjatë kryesimit të Presidencës së BE-së nga Lituania, i ka lënë në hije aktivitetet e zgjerimit. Ky ndryshim do të dërgojë sinjale se Ballkani Perëndimor është më shumë se proces teknik dhe krijimi i tregjeve për kompanitë e vendeve të BE-së. Do të tregojë se është zgjedhje gjeopolitike dhe strategjike për Evropën.

Përveç kësaj, BE duhet të rivlerësojë instrumentet e saj të ndihmës para-anëtarësimit. Ndarja e kësaj ndihme bëhet në atë mënyrë që madhësia e vendit e jo nevojat e vendeve aspiruese e përcaktojnë shkallën e përkrahjes. BE ka krijuar kritere të mira për kohezion dhe politika strukturale dhe këto mund të përdoren edhe për IPA. Mospërputhjet nuk duhet të jenë aq të larta saqë një vend kandidat për zgjerim me konkurrueshmëri ekonomike të ngjashme me shumicën e ekonomive të fuqishme të BE-së merr 25 herë më shumë ndihmë se sa një vend që ka nevojë tepër të madhe që të transformohet (rasti Turqi-Mali Zi) . Prandaj, ky ekuacion i ndarjes së IPA-s duhet të ndryshojë për të pasqyruar më mirë nevojat e vendeve aspiruese, në vecanti Kosovës.

Kryesimi i Presidencës së BE-së nga Greqia është i rëndësishëm dhe Athina ua ka borxh fqinjëve të vet ta përcaktojë zgjerimin si prioritet të lartë në agjendë. Nëse jo për shkak të parimit të solidaritetit, Greqia duhet ta bëj ketë për shkak të interesave ekonomike të saj. Gjatë kryesimit të presidencës së BE-së nga Greqia, do të mund të rregulloheshin dhe të arrihej pajtimi për ndryshimet strukturale të Komisionit, për afatet kohore të anëtarësimit dhe për ndarjen e IPA-s. Përveç kësaj, në gjysmën e parë të vitit 2014, Kosova do të përfundojë negociatat për MSA-në, Serbia mund të fillojë negociatat për anëtarësim, Shqipëria të marrë dhe shpresojmë se do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Turqia dhe Bosnjë Hercegovina me gjasa do të arrijnë progres ndërsa Mali i Zi është duke ecur mirë.

Sfida dhe mundësia kryesore e Greqisë është që të pajtohet të zhbllokojë negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë. Kjo kërkon guxim dhe fleksibilitet edhe nga udhëheqësit e Maqedonisë. SHBA-ja dhe Gjermania do të mund të ndihmojnë duke qenë pro-aktive dhe duke sanksionuar ketë proces në të njëjtën mënyrë siç vepruan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja. BE-ja ka treguar solidaritet të konsiderueshëm ndaj Athinës gjatë dhe para krizës financiare, Greqia duhet të tregojë të njëjtin solidaritet ndaj Maqedonisë.

Për më tepër, BE-ja ndoshta dëshiron të mendojë se cili do të ishte sfondi më i përshtatshëm dhe më praktik për Komisionerin e ardhshëm për Zgjerim. Gjermania gjithmonë ka ofruar mbështetje për zgjerim dhe një Komisioner i ardhshëm nga ky vend do të ndihmonte në ketë çështje edhe në krijimin e disa lidhjeve të drejtpërdrejta me udhëheqësit më me ndikim të BE-së. Po ashtu edhe kandidatët nga Sllovenia ose Kroacia të cilët e kuptojnë mjaft mirë rajonin dhe të cilët kanë një të kaluar të ngjashme, do të ishin një zgjidhje e mençur. Komisioneri Neven Mimica ose ministrja e tanishme e jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic, nëse  janë të interesuar, mund të jenë opsione të mira. Sllovenia mund të ofrojë kandidatë të mirë, duke përfshirë edhe ish-ministrin e jashtëm Samuel Zbogar.

Kur ka vullnet ka edhe zgjidhje. Derisa vitet po kalojnë, ekziston nevoja për injektimin e më shumë energjive për të përshpejtuar dhe frymëzuar përparimin e rajonit drejt BE-së. ‘Perspektiva evropiane’ deri më tani ka funksionuar mirë, por ka ardhur koha për përcaktimin e afateve kohore për anëtarësim, për miratimin e politikave për arritjen e rezultateve efikase të cilat do të çojnë më shpejt drejt anëtarësimit. Me një planifikim më të mirë dhe me më shumë mbështetje, vendet e Ballkanit perëndimor, pak  a shumë në faza të njëjta, do të mund të anëtarësoheshin në BE së bashku, si grup, edhe për të lehtësuar të gjitha procedurat që duhet të zhvillojnë vendet anëtare si dhe institucionet e BE-së. Duhet të krijohet dhe mbahet një dinamikë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së deri më 2021. Evropa do të jetë e kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj, por të gjithë përgjegjësve, udhëheqësve dhe administratorëve u bëhet thirrje që ta bëjnë historinë, që të përmbyllin anëtarësimin e rajonit sa më herët që të jetë e mundur.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi