Fushatë simbolikash në qeverisje

Nga Belina Budini, botuar në Panorama Online, 16 tetor 2013

Mund të jetë herët për të folur për qeverisje të re. Madje edhe për Kryeministër të ri mund të jetë ende herët të flitet. Si punëve të tij, ashtu edhe atij vetë u duhet dhënë kohë që të bëhen, të duken, të jenë. Nuk duket moment i përshtatshëm as për ta kërkuar rilindjen e premtuar, as për ta pretenduar atë. Por ndërsa qëndrojmë në pritje për të parë punë dhe rezultate nga një qeveri dhe një Kryeministër i porsaardhur në detyrë, nuk mund të mbyllim sytë përpara akteve, shenjave dhe komunikimeve politike të hedhura në publik. Jo për t’u dhënë atyre rëndësinë e arritjeve, synuar prej tij me anë të publicitetit, por për t’i analizuar si shenja të qeverisjes. Tek e fundit, shenjat në komunikim janë të vetmet të dhëna të sigurta që kemi deri tani.
Çdo vendim, shkarkim, emërim, rrëzim, rinovim i bërë publik në këto pak ditë qeverisje të vendit prej Ramës, është ende më tepër shenjë komunikimi, sesa akt faktik apo juridik. Prandaj, vërtet mund të jetë herët për të folur për qeverisje me vepra, por jo për akte të saj në drejtim të komunikimit publik dhe politik. Janë pikërisht këto akte që Kryeministri Rama me talentin e pamohueshëm propagandues i ka shpërndarë ngado si gjethe vjeshte. Qëllimi i këtyre komunikimeve me tone “transformuese” mund të mos jetë sinjalizimi i dimrit, mirëpo nuk i shpëtojnë simbolikës së stinës së ftohtë ndërsa shpallin një shtet zero në të gjitha kuptimet: ekonomike dhe administrative po e po, ashtu si edhe në terma të moralit dhe vlerave, por gati-gati edhe në terma juridike. Është propozuar, të paktën simbolikisht, një rithemelim i shtetit, politikës, edhe më gjerë shoqërisë në Shqipëri.
Fundja, paralajmërimin ose premtimin e këtij lloj “transformimi” e kemi marrë që në ditët e fushatës parazgjedhore, kur fjala Rilindje u ringjall nga varreza gjuhësore ku kishte përfunduar, për t’u rinovuar në një slogan politik të vitit 2013.
Rilindja, ende fushatë në qeverisje
“Rilindje” mund të konsiderohet pra kambana e parë e alarmit në morinë e shenjave ose komunikimeve simbolike që propozojnë rithemelim, transformim, ribërje, terma këto që karakterizuan jo vetëm fushatën parazgjedhore të Ramës, por momentalisht edhe qeverisjen e tij. Mirëpo nëse fushata parazgjedhore i përligj disi kambanat e alarmit si forma komunikimi, fushata qeverisëse si kjo në të cilën Kryeministri Rama duket se do të na mbajë gjatë, e bën jehonën e tyre të tingëllojë e largët dhe e panevojshme. Vijueshmëria e së njëjtës formë komunikimi nga faza e premtimeve (lexo fjalëve), në atë të mbajtjes së premtimeve (lexo veprave), e shndërron dramën e luajtur në aktin e parë në një komedi në aktin e dytë.
Një komedie i ngjan në fakt prirja e Ramës për të qeverisur duke i paraqitur gjithë çfarë ka qenë dhe ekzistuar përpara tij, që nga zyrat dhe institucionet te shërbimet, si edhe ekonominë, financat, figurat zyrtare dhe vetë legjislacionin e shtetin si karikatura. Njëra pas tjetrës këto ishin edhe shënjestrat e para të komunikimit publik që Kryeministri Rama përdori me të ardhur në pushtet, duke i anuluar të gjitha me radhë. Nuk e ka për herë të parë, po të kujtojmë që një shfaqje të ngjashme e ka vënë në skenë që në Ministrinë e Kulturës, duke vijuar edhe në Bashkinë e Tiranës, në një distancë kohore prej 15 vjetësh, gjatë së cilës presupozohet që Ministria e Kulturës u shndërrua, po ashtu edhe Bashkia e Tiranës; që qyteti i Tiranës u transformua, PS u modernizua, por të gjitha gjërat dhe punët e tjera të këtij vendi kanë degraduar. Shenja e parë e këtij degradimi të qarkulluar me anë të fotografive në rrjetet sociale nga ana e vetë Kryeministrit, ishte pikërisht godina dhe institucioni i Kryeministrisë.
Promovohet albumi: “Shqipërinë, siç e gjeta”
Koleksioni i fotografive të ashtuquajtura të rrënimit që Kryeministri i ri promovoi në Facebook, erdhi e u zgjerua rrugës për të shkuar nga bodrumet e Kryeministrisë në kthinat e ministrive fqinje në bulevard dhe deri në ambientet e hapura të spitaleve publike. Në përpjekje për të ndërtuar “Shqipërinë, siç e gjeta”, kjo ekspozitë fotografike e Kryeministrit nuk mund ta kishte gati diçiturën tjetër: “Shqipërinë, siç e bëra”, pasi në këtë stacion i duhet ende shumë kohë për të mbërritur. Ndaj nuk u përkthye veçse si shenjë ngutjeje për të bërë krahasime mes le ta quajmë “rrënimit” dhe si ta quajmë ende “rrënimit”. Për sa kohë nuk mund të flasim për ndonjë fotografi të qartë që të meritojë diçiturën “Shqipërinë, siç do ta bëj”, ky akt komunikimi zor se i ka thënë ndonjë gjë konkrete ndokujt nga publiku në lidhje me atë se si do të jenë më mirë me Ramën institucionet, shërbimet, qeverisja.
Rënia e kangjellave dhe ngritja e heshtjes  
Lista e shënjuesve “transformues” në komunikimet publike të Kryeministrit vijon në aspekte të tjera periferike, duke përmendur këtu aktin simbolik të heqjes së kangjellave të Kryeministrisë, gjë që sigurisht nuk na thotë asgjë në nivel simbolik mbi politikat demokratike të Kryeministrit si hapja dhe transparenca publike. Aq më tepër po të mbajmë shënim aktin tjetër që shkon në drejtim të kundërt, atë të miratimit të kodit të etikës për ministrat e Ramës, kod i cili ndalon ose censuron komunikimet e drejtpërdrejta të titullarëve të ministrive dhe drejtuesve të lartë ekzekutivë me publikun, pa marrë miratimin ose lejen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit. Ja pse akti i heqjes së kangjellave të Kryeministrisë ishte thjesht një shenjë boshe në komunikim, ndërsa miratimi i një kodi komunikimi të centralizuar rreth Kryeministrit flet pikërisht për të kundërtën e hapjes dhe transparencës publike.
Fotoja e Presidentit vs mitit historik
Edhe vendimi i posaçëm për zëvendësimin e fotos së Presidentit nëpër institucione me atë të Ismail Qemalit bie në zonën e periferisë të vendimmarrjes politike, mirëpo ky vendim mori për ditë me radhë vëmendjen e mediave dhe të opinionit publik, si një akt komunikues i ndjeshmërisë së lartë, që prek pikërisht simbolin e shtetit dhe të së drejtës kushtetuese. Sigurisht, përzgjedhja e një figure të gjithëpranuar siç është ajo e Ismail Qemalit, shërbeu për ta zbutur reagimin ndaj një provokimi të tillë me natyrë ligjore. Mirëpo pretendimi që qëndron pas këtij “transformimi”, gjithnjë të natyrës simbolike, është ngritja e mitit të rilindjes së shtetit. Për këtë flet në fakt i gjithë rrugëtimi i Ramës drejt marrjes së pushtetit qendror, duke mistifikuar dhe përdorur të gjitha vendet dhe simbolet, që nga ato të qyteteve historike të Shqipërisë si Vlora apo Shkodra dhe vetë godinën e Kryeministrisë, ku vetëfilmohet duke bërë një hyrje “historike”.
Tony Blair në tryezën e qeverisë
Nga ana tjetër, bashkëdrejtimi simbolik i një seance të mbledhjes së qeverisë me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, përbën sërish një shënjues të fortë në komunikimet publike dhe vëniet në skenë të evenimenteve mediatike nga ana e Kryeministrit Rama. Edhe pse me sa duket ka një akt bashkëpunimi mes “laburistit të famshëm të rrugës së tretë” dhe “socialistit të së vetmes rrugë” në nivel këshillimi, akti i vënies në tryezën e punës të mysafirit të jashtëm nuk është më tepër sesa një “mundësi për foto dhe për kamera”. Sigurisht, një gjetje e shkëlqyer në pikëpamje të PR-it, edhe pse aludimet mbi kostot e këtij këshillimi e cenojnë disi këtë simbolikë mbështetjeje dhe ekspertize ndërkombëtare në favor të qeverisë shqiptare, si brenda dhe jashtë vendit.
Mirë emrat, po kriteret!
Sakaq, emërimet në qeveri dhe në administrimin e lartë të punëve publike janë në radhë të parë akte politike dhe vendimmarrje, efektet e të cilave mbeten për t’u provuar, por ato janë njëherësh akte të forta komunikimi për vetë përzgjedhjet e bëra, të natyrës ekstravagante. Përjashtimi nga qeveria i të gjithë “klasikëve” të PS në favor të më të rinjve, që në fakt kanë bërë edhe betejat kryesore në opozitë, si edhe mosha e re apo gjendja civile e disa drejtuesve të lartë në administrimin publik, janë dy nga praktikat që janë gjykuar dhe diskutuar më tepër në drejtim të stafeve të reja politike dhe menaxheriale të vendit.
Duhet thënë se praktikat e mësipërme rekrutuese të Ramës në sektorin publik ngjajnë shumë me ato të sipërmarrjeve private në Shqipëri, pasi synojnë efikasitet të lartë përmes vendosjes në pozicione të angazhimit të lartë kohor dhe energjik të të rinjve dhe atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë familjen për karrierën. Mirëpo, edhe më ekstravagante se vetë kandidaturat e përzgjedhura, kanë qenë argumentimet ose justifikimet që u kanë bërë këtyre përzgjedhjeve Kryeministri dhe stafet pranë tij. Nëse punëdhënësit në sektorin privat zor se e bëjnë gabimin politik që të justifikojnë rekrutimet e tyre në administrim dhe menaxhim në terma diskriminues, Rama në fakt i ka justifikuar përzgjedhjet e bëra publikisht duke shtënë në përdorim stilema diskriminuese ndaj kategorive të tëra sociale, si për shembull të nëpunësve të shtetit mbi peshë ose “barkderrave”, siç janë cilësuar, vajzave që mbajnë ferexhe, atyre që kanë angazhime familjare si nëna dhe si gra, individë që për rrethana jete nuk janë elegantë, kanë një besim fetar të caktuar, i cili respektohet me ligj, janë kurorëzuar me martesë dhe janë bekuar me fëmijë…
Sigurisht, të gjitha kategoritë e mësipërme e ndiejnë në një formë ose një tjetër edhe në jetët e tyre reale peshën e këtyre rrethanave, zgjedhjeve, lirive dhe përgjegjësive të marra, mirëpo e fundit gjë që presin në një rend të lirë e demokratik është që këto diskriminime të vishen edhe me simbolika politike, ligjërisht të dënueshme. Mirëpo, po të mos i blesh monedhat “modernizuese” të argumenteve të paraqitura nga Rama dhe njerëzit më pranë tij në ligjërim, atëherë nuk të kursehen as ty epitetet e tipit “primitiv”, “anadollak”, “fanatik”, drejtuar tekstualisht të gjithëve atyre që nuk janë dakord me kriteret rekrutuese të stafeve të reja nga ana e Kryeministrit Rama.
Në të vërtetë, të rinjtë në politikë, në administrim dhe në menaxhim publik janë pa dyshim të shumëpritur. Sidomos në politikën e niveleve të larta, ku gjithnjë i kemi kërkuar jo thjesht si moshë e re, por si brez profesionistësh të rinj, me cilësi, shkollim dhe mentalitet të ri. As që shtrohet fare diskutimi “pse ka të rinj” në qeveri, në administrim dhe në drejtimin publik! Nuk shtrohet fare as diskutimi tjetër “pse ka gra dhe vajza” në këto pozicione! Me siguri që, edhe pas emërimeve të bëra në mënyrë spektakolare, të rinjtë dhe gratë, si në politikë, ashtu edhe në nivelet drejtuese në administratë, mbeten sërish në minorancë. Diskutimi që shtrohet është: “A mund të jetë mosha e re dhe gjendja civile një kriter përzgjedhës?”. Është pikërisht artikulimi i këtyre arsyeve si kritere përzgjedhëse, që zgjon debat, jo thjesht fakti që janë emëruar ministre gra dhe drejtore vajza beqare, apo fakti tjetër që janë emëruar djem të rinj dhe beqarë, si edhe figura të panjohura apo të pasprovuara politikisht në poste të larta drejtuese. I vlefshëm si argument kundër logjikës së këtyre emërimeve është edhe nocioni i harruar i konkurseve rekrutuese të premtuara, argument të cilin e ka në retorikën e vet opozita si kartë kundër Ramës. Gjithsesi, aktet opozitare të komunikimit meritojnë të trajtohen në një shkrim më vete.
Të shpëtosh vendin me akte verbale
Ngritja e një Task-Force për shpëtimin e territorit mund të duket më tepër si aksion ndërhyrës, ndërsa përfshin Policinë e Shtetit për të mbajtur nën kontroll ndërtimet pa leje dhe abuzimet me hapësirat territoriale. Por frenimi që prodhon një akt i tillë ka gjasa të mbetet më tepër i natyrës komunikative, i pamatshëm ende në terma konkretë. Shpëtimi ose transformimi i peizazhit rrugor interurban, sigurisht që nuk mund të bëhet me anë të këtij akti verbal, edhe pse është ndër ato komunikime që të japin shpresë se kjo edhe mund të ndodhë. Ashtu si edhe shpëtimi i qytetarëve të pafat nga kazinotë e parregullta që shfaqen lirisht ngado. Nëse nuk mbeten thjesht akte simbolike ose komunikimi, ndoshta prej tyre mund të dalë ndonjë aksion konkret dhe, pse jo, transformues.
Ndryshe apo njëlloj?
Në tërësi, përpjekjet e vazhdueshme për t’i paraqitur si transformime simbolikat dhe aktet e komunikimit “transformues” kanë krijuar atmosferën e një panairi të kotësive në fillimet e qeverisë së re. Këto projektime, pa dyshim që bëjnë një farë përshtypje në kuptimin që njerëzit si edhe ky shkrim merren apo flasim për to, por kjo nuk do të thotë që i vlerësojnë ose i gjykojnë ato si të qenësishme, si punë, si arritje apo si transformime. Aq më tepër kur simbolikat janë kundërthënëse, pra thonë “transformim”, “modernizim”, “rilindje” aty ku në rastin më të mirë nuk ka ende asgjë dhe në rastin më të keq ka “vijueshmëri” të praktikave të mëparshme si “rekrutime pa konkurs”, “centralizim” dhe “arrogancë”. A nuk ishte ky stili qeverisës që u ndëshkua me votë nga shumica e votuesve shqiptarë? Gjithsesi, duhet bërë durim për të pritur realizimin e një ndryshimi apo vazhdimësie në terma konkretë, përtej simbolikave dhe akteve të deritanishme të komunikimit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi