Celibashi: Reforma të thella në drejtësi, prona, territor, arsim e shëndetësi

Intervistë e Ilirjan Celibashi botuar në Java, 15 tetor 2013

Ilirjan Celibashi, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, ka një detyrë të pazakontë; Të lehtësojë komunikimin mes legjislativit dhe ekzekutivit. Ai thotë se qeveria e re duhet të ndërhyjë energjikisht, ndoshta edhe në Kushtetutë, për të bërë ndryshimet që kërkon koha dhe situata aktuale.

Maxhoranca e re ka ardhur në pushtet me ambicjen për të inicuar disa reforma të mëdha, të cilat kalojnë domosdoshmërisht përmes propozimeve konkrete të natyrës ligjore. Në cilat fusha do të ndërhyhet nga qeveria, për të ndryshuar ligje apo procedura të caktuara? 

Jo vetëm për atë se çfarë dhe si kjo qeveri gjen në kuptim të organizimit dhe të funksionimit të shtetit nga qeveria e shkuar, por edhe sepse tashmë kanë kaluar më shumë se 20 vite të ndryshimit politik dhe ekonomik të sistemit. Kjo mazhorancë ka bindjen e konsoliduar se kryerja e disa reformave përbën një domosdoshmëri politike dhe ekonomike.

Është bindja  se drejtësia, shërbimet kundrejt publikut, arsimi, shëndetësia, prona, territori, janë disa nga fushat apo çështjet ku ka domosdoshmëri për reforma reale dhe të thella. Ne njohim dhe respektojmë progresin e arritur në të shkuarën në këto fusha, por edhe më tej, por mendoj se edhe opozita vlerëson se është koha që në sa më sipër ka shumë vend që të ndryshohet dhe ky ndryshim nuk mundet të vijë pa reforma të thella. Besoj se pavarësisht interesave të kundërta politike, ne sëbashku me opozitën nuk mundet të mos pranojmë, p.sh që drejtësia nuk është një sistem i besueshëm dhe në shërbim të barabartë për të gjithë, apo që regjimi i pronës është një çështje jo problematike. Prandaj kryesisht në fushat e mësipërme duhen reforma të thella. Dhe këto reforma nuk mundet të mos kryhen pa ndryshime në ligj dhe pse jo edhe në kushtetutë. Ne po punojmë në këto drejtime në mënyrë intensive.

Sistemi i drejtësisë përbën sot një emergjencë kombëtare, nëse mund të thuhet kështu. Si jurist, por edhe si përfaqësues politik, në cilat aspekte mendoni se ka nevojë për ndryshime? 

Po është i vërtet ky konstatim apo edhe përkufizim. Nëse ka një aspekt të jetës dhe të funksionimit të shtetit ku duhet reformë e thellë dhe e gjerë, kjo është padiskutim aspekti që li­dhet me sistemin e drejtësisë.

Drejtësia në përgjithësi, gjyqësori në veçanti karakterizohen sot nga mosbesimi, gati i plotë i publikut kundrejt këtij sistemi, nga mungesa e profesionalizmit, nga korrupsioni, nga mungesa e efiçiencës. Por nuk do të ishim realist nëse nuk do të pranonim që trajtimi dhe garancitë që korpusi kushtetues dhe ligjor ju ofron punonjësve dhe përfaqsuesve të këtij sitsemi, është jo-dinjitoz për ta dhe përgjithësisht jo i përshtatshëm. Rikonsiderimi i sistemit të karrierës dhe i pozitës të përfaqësuesve dhe punonjësve të drejtësisë, duke e garantuar atë realisht në kuptim të funksionalitetit të këtij sistemi, rikonsiderimi i pozitës dhe funksionit, kompetencave dhe juridiksionit të gjykatave të niveleve të ndryshme, apo institucioneve të tjera të drejtësisë, rikonsiderimi i  procedurave të shqyrtimeve nga ky sistem, përmirësimi i kushteve të punës, atyre materiale dhe të tjera të jetës veçanërisht për gjyqtarët dhe prokurorët, përbëjnë disa nga drejtimet ku ne kemi bindjen se duhet të fokusohet reforma në drejtësi në përgjithësi dhe në gjyqësor në veçanti.

Ne kemi bindjes se garantimi i sistemit të karrierës përbën një ndër aspektet më të rendësishëm të kësaj reforme bashkë me përmirësimin e statusit të gjyqtarit dhe prokurorit.

Nuk mundet të ndërtojmë një sistem drejtësie efiçient më së pari promovimi në detyrë i një gjyqtari apo një prokurori nuk respekton rigo­rozisht rregulla të qarta dhe të plota në këtë këtë aspekt. Ky sistem duhet të garantojë, p.sh, që gjyqtarë për një vend vakant në një gjykatë apeli duhet te emërohet një nga disa pretendentë të cilët janë ata dhe vetëm ata të identifikuar nga të gjithë si të tillë. Apo kështu edhe për gjykatën e lartë. Pra sistemi i karrierës duhet të garantojë që nëse janë të themi 5 kandidatë për një vend vakant në një gjykatë, duhet të jetë e qartë dhe pa ekuivok për të gjithë që janë këta dhe vetëm këta kandidatë për atë vend vakant. Dhe jo të tjerë që “plotësojnë” me interpretim të zgjeruar edhe ata kushtet për të pretenduar vendin vakant dhe që emërimin e tyre shkaktojn surpriza kur promovohen. Nga ana tjetër ne duhet të rishikojm me sinqeritet trajtimin pasuror dhe jo të tillë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Siruata aktuale e trajtimit të tyre është gati skandaloze.Puna e gjyqtarit dhe prokurorit është një punë me përgjegjësi mjaft të lartë. Ata e ushtrojnë funksionin e tyre nën një stres dhe presion jo të zakonshëm. Kështu që duhet të krijojmë kushte të paktën të domosdoshme minimale për jetesë dhe për punë të tyre. Dhe të gjitha këto sa më sipër përmenda, do të duhet të kombinohen me një sistem të ndershëm kontrolli dhe vendosje masash disiplinore për ata gjyq­tarë dhe prokurorë që shpërdorojnë detyrën edhe pse jo në kufijtë e një vepre penale. Por në tërësi duhet thënë se ka shumë për të bëre në lidhje me sistemin e drejtësisë. Pritshmëria është shumë e madhe në fakt. Shpresoj që ta justifikojmë këtë pritshmëri.

A duhet prekur Kushtetuta sipas jush? Nëse po, në cilat drejtime?

Ndryshimet kushtetuese nuk janë kushte sine qua non për të bërë një refrormë. Por nevoja për reforma të thella mundet të kërkojë edhe ndryshime të saj. Ne jemi akoma në fillimet e përgatitjes së një platforme mendimesh dhe gjetjesh për konturimin e kësaj  reforme dhe më pas në mënyrë të padiskutueshme duam ta ndajmë dhe ta diskutojmë atë me të gjithë faktorët e interesuar dhe natyrshëm, si dhe me të gjithë spektrin politik. Organizimi dhe funksionimi i gjykatave, emërimet dhe lëvizjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kompetencat e insitutucioneve që “qeverisin” drejtësinë mundet të jenë disa nga fokuset në Kushtetutë. Por jo domosdoshmërisht.

Jeni shprehur me nota kritike për KLD. A pritet ndonjë nismë konkrete e maxhorancës në drejtim të modifikimit të kompetencave apo procedurave në këtë institucion?

Nëse jemi të sinqertë, ne duhet të pranojmë që në përgjithësi KLD sot nuk përmbush dhe nuk përfaqëson interesin më të mirë të gjyqtarëve. E kuptoj që për dikë kjo nuk është e pëlqyeshme, por në këtë vlerësim nuk ka asnjë interes të ngushtë politik dhe kjo nuk është kundër interesit personal të anëtarësisë në këtë institucion. Dikush mundet të thotë që kështu ka qënë situata edhe në te shkuarën. Ndoshta. Por ky nuk është argument për të mos pranuar situatën dhe nevojën për ndryshim. Mendoj se KLD-së i mungon besimi tek komuniteti i gjyqtarëve në radhë të parë, por dhe më gjerë tek publiku. Ky besim duhet të rikthehet. Gjyqtarët më së pari duhet të kuptojnë dhe të pranojnë këtë proces.

Me ose pa opozitën? A do të mbahet parasysh kjo dilemë, në rastin e reformave që do të kërkojnë shumicë të cilësuar?

Zgjedhjet e 23 Qershorit shënuan rotacionin e dytë normal, nëse mundet të përdor këtë cilësim, të pushtetit nga një shumicë politike tek ajo në opozitë, pas atyre të vitit 2005. Mendoj se kemi kaluar një lloj handicap. Mendoj se tashmë ka më shumë kuptim të ndërsjelltë të përgjegjësive si të pozitës/qeverisë, ashtu edhe të opozitës. Politika nuk mundet të bëhet qëndruar nga anë të ndryshme të një muri të lartë. Është e domosdoshme që të ketë komunikim dhe dëgjim të njeri-tjetrit. Është e qartë që më së shumti ky detyrim shkon për atë të qeverisë. Qartësisht në vazhdim do të shihet se qeveria Rama dhe vetë kryeministri udhëhiqen nga parime dhe principe në dialogun politik nga më të mirat e traditës euro-atlantike. Në këtë kuadër do të krijojmë kushte reale për opozitën që të jetë kontribuese në të gjithë këto reforma. Jam i sigurt që nuk na ndajnë shumë gjëra. Të rëndësishme mendoj asnjë, përsa i përket drejtsissë.

Cilat do të jenë plotësimet që do ta bëjnë të zbatueshëm ligjin e ri të nëpunësit civil?

Me miratimin e akteve nënligjore ligji i ri për nëpunësin civil bëhet praktikisht i zbatueshëm. Lidhur me këtë çështje, nuk mundet të mos them që shqetësimi i opozitës është i pavend , apo më mirë të them i panatyrshëm. Por e vërteta është që ne nuk kemi patur shkak tjetër veç atij ligjor për shtyrjen e fillimit të efekteve të këtij ligji. Mendoj se ka vend për tu ulur dhe për të diskutuar për këtë çështje, pa vendosur kushte paraprake. Nuk mendoj se ulja kompromenton qëndrimet e secilës palë. Por mundet të krijojë mundësi për zgjidhje të pranueshme për qeverinë dhe opozitën.

Keni folur deri më sot për një organizim korporatist të gjyqtarëve. Si ndryshohet kjo situatë, ku duket se një gjyqtar mund të bëjë ç’të dojë, pa rrezikuar asgjë?Si mund të bëhet më e varur drejtësia nga vetë e drejta?

Pikërisht pak më lart theksova që duhet të rikonsiderojmë sistemin e evidentimit të përgjegjësive të gjyqtarëve, apo prokurorëve. Dhe kjo duhet të bëhet duke respektuar pa asnjë rezervë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, apo të drejtësisë në përgjithësi. Ne e kuptojmë shumë mirë këtë gjë.

Sistemi i demokracisë pluraliste bazohet në parimin e kontrollit dhe të balancës. Pushteti gjyqësor dhe përfaqësuesit e tij nuk mundet të veprojnë në mos-respekt të këtij parimi.

Si e konsideroni eksperiencën e deritanishme të punës? Çfarë do të thotë të jesh ministër shteti për marrëdhëniet me parlamentin, pas një tetëvjeçari ku qeveria e ktheu Kuvendin në një noter të vendimeve të saj?

Qënia e një ministri të dedikuar për mardhëniet me parlamentin, synon pikërisht zhvillimin e një tradite të ndryshme nga ajo e shkuar. Është e qartë se nuk është mungesa e këtij ministri ajo që ka bërë që raporti parlament-qeveri të ishte ai që ishte. Por është strukturë që synon të vendosë më në binarë kushtetues këtë raport. Edhe pse është vetëm fillimi ka shenja mjaft të qarta që tregojnë se qeveria ndihet vërtetë e ballafaquar dhe llogaridhënëse kundrejt parlamentit, përfshi këtu edhe atë pjesë që përbën shumicën politike parlamentare. Kryeministri kërkon që çdo nismë që qeveria merr, të mos mbahet në vëmëndje që çfarëdo që ajo të iniciojë, është e sigurt që do të miratohet pasi i kemi numrat. Është kërkuar që vlerësimi nga qeveria për çdo çështje, iniciativë që do të kalojë në parlament, të jetë në mënyrë të padisktueshme profesionale, serioze dhe në interes të publikut

Si shkojnë marrëdhëniet me kryeministrin Rama? 

Shkojnë shumë mirë! Në përgjithësi ka një atmosferë shumë të mirë jo vetëm profesionale, por edhe njerëzore në gjithë kabinetin ministror. Në vlerësimin tim, nëse do të jetë kështu edhe në vazhdim, unë besoj që atëhere kjo është një garanci parësore për suksesin e këtij kabineti.Ilirjan Celibashi, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, ka një detyrë të pazakontë; Të lehtësojë komunikimin mes legjislativit dhe ekzekutivit. Ai thotë se qeveria e re duhet të ndërhyjë energjikisht, ndoshta edhe në Kushtetutë, për të bërë ndryshimet që kërkon koha dhe situata aktuale

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi