Shumë zhurmë në Tiranë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 12 tetor 2013

Kur demokratët erdhën në pushtet më 2005 aktet e para politike ishin ato kundër kryetarit të Bashkisë Tiranë, i cili në të njëjtën kohë ishte zgjedhur edhe kryetar i opozitës.

Me një akt normativ të rrëzuar më vonë nga Gjykata Kushtetuese u prish investimi në miliona euro tek Zogu i Zi, më pas me ndryshime ligjore iu hoq kontrolli bashkisë mbi lejet e ndërtimit, planet urbanistike, për një pjesë të sistemit të taksave, për trafikun rrugor, për sheshet e lulishteve deri edhe tek të drejtat e protokollit zyrtar ceremonial. Skenat ku policia e shtetit (e djathtë) ndeshej me policinë bashkiake (të majtë) u përsëritën të paktën në katër raste publike, duke krijuar një marrëdhënie kaotike midis pushtetit qendror dhe vendor në Tiranë.

Mazhoranca e djeshme nuk u mjaftua me kaq, por ajo vijoi praktikën e saj në opozitë për të ngritur komision tjetër parlamentar hetimi për Bashkinë e Tiranës, si dhe publikisht u dha mbështetje ndërtimeve pa leje, si kontingjent votash në fushata elektorale. “Viktimat” e fundit ishin lulishtja në hyrje të rrugës së Kavajës dhe sheshi “Skënderbe”. E para u bllokua nga Ministria e Transportit dhe policia e shtetit, e dyta çoi në bllokimin e punimeve dhe gjetjen e një zgjidhje emergjente 6 mujore, e cila në fakt deri tani ka mbushur më shumë se dy vjet.

Pasojat dihen. Në pjesën e fundit të drejtimit nga lideri i PS të bashkisë së Tiranës këshilli bashkiak me shumicë pro pushtetit bllokoi buxhetin, u bllokuan planet e rëndësishme të zhvillimit, u bllokuan dhe u shkatërruan investimi masiv tek kryqëzimi i Rrugës së Durrësit apo qendrës së Tiranës,  u bllokuan garancitë për marrje kredish ndërkombëtare, si dhe të gjitha veprimtaritë e rëndësishme të institucionit të Bashkisë. Alibia ishte teknike, arsyet reale ishin dukshëm politike. Kryetari i bashkisë ishte kandidat për kryeministër dhe lider i opozitës, ndaj bashkia e Tiranës shihej si qendra e vetme e pushtetit të opozitës, kërcënimi i vetëm në imazhin publik dhe politik.
Pas 8 vitesh Tirana ndodhet në të njëjtën situatë. PD është në opozitë, e majta është në pushtet, kryetari i bashkisë së Tiranës është zgjedhur kryetar i opozitës, çfarë e bën atë teorikisht edhe kryeministër në hije në rast të rotacionit në zgjedhjet e ardhshme politike. Kanë ndryshuar emrat, por marrëdhëniet, sjelljet, praktikat dhe synimet kanë mbetur të njëjta. Midis 2011-2013 kur dy pushtetet i pati e njëjta parti, qeveria qendrore delegoi shumë kompetenca tek qeveria lokale, pra tek bashkia. Ato kishin të bënin me rregullimin e territorit, praktikat e legalizimeve, hipotekimeve, furnizimit me ujë, sistemin e taksave apo përgjegjësitë në qarkullimin rrugor.

Kjo “bashkëjetesë” paqësore zgjati dy vjet, derisa në zgjedhjet parlamentare u krye rotacioni i ri politik. Tani kemi realitet tjetër politike, dhe për traditë, edhe sjellje të re politike. Aktualisht, bashkia nuk mund të miratojë më buxhet sepse opozita ka shumicën, nuk mund të kryejë investime të mëdha publike edhe sepse qeveria ka të drejtën e vendimmarrjes mbi to. Rasti i zgjerimit të bulevardit është shenja e parë. Bashkia nxitoi ta bëjë fakt të kryer, qeveria deklaroi bllokimin dhe rishimimin e tij. Bashkia prezantoi një plan urbanistik, qeveria premtoi anulimin e tij. Bashkia miraton leje ndërtimi, qeveria qendrore mund t’i bllokojë. Detaje të tjera, si urdhri i fundit i Ministrit të Brendshëm për masa ndëshkuese në territorin dhe kompetencat e qarkullimit rrugor të Bashkisë janë shenja të qarta sesi do të jetë bashkëjetesa midis dy pushteteve në qytetin me 1 milion banorë nga 3.4 gjithsejtë.

Debati nuk është teknik, se cila palë ka më shumë të drejtë, sa abuzive apo të dyshimta janë vendimet e bashkisë apo palës tjetër (pasi në çdo rast ekzistojnë mekanizma ligjorë për provimin e fajësisë dhe përgjegjësisë). Asnjë palë nuk i kushton kohë sqarimeve teknike apo transparencës publike. Përkundrazi. Debati është tërësisht politik, direkt dhe i paralajmëruar. A do kishim të njëjtën sjellje nëse kryetari i bashkisë Tiranë nuk do të ishte kryetar i PD apo drejtues i rëndësishëm i saj? Me siguri jo. Nuk ka ndodhur në rastin Brojka më 1996-2000, nuk ndodh as sot p.sh, në bashkinë Shkodër apo ndonjë njësi tjetër ku ende demokratët kanë pushtetin vendor. A do të përfshihej bashkia Tiranë kaq shumë në debatin politik nëse titullari i saj nuk do ishte kryetar partie? Me siguri jo. Kemi përvojën Kelmendi apo Brojka në Tiranë. A po bëjnë dy palët të kundërtën e asaj që kanë promovuar kohë më parë? Po. Kur Rama ishte kryetar bashkie dhe partie i njësoi funksionet, stafet dhe aktet politike. E njëjta gjë edhe me Bashën. Kur Rama ishte në dy funksionet demokratët e akuzuan atë për politizim të institucionit, dobësi pa mandat parlamentar, etj. Sot Basha është në të njëjtat pozita dhe po merr të njëjtat kritika që ka bërë vetë më 2011.

Të gjithë treguesit flasin për një rritje të ndjeshme të retorikës dhe konfliktualitetit politik, partiak, institucional dhe ligjor midis qeverisë qendrore dhe bashkisë Tiranë, një konflikt që do zgjasë të paktën deri në maj 2015, nëse votuesit e rikthejnë bashkinë tek e majta. Kjo, pavarësisht paradoksit se Rama është kryeministër dhe Basha është kryetar bashkie falë votave të të njëjtit aleat politik. Beteja për Tiranën pra nuk është betejë për vizione, për parime, për korrektime ligjesh apo projektesh, për plane zhvillimi apo cilësi përfaqësimi. Është tërësisht betejë politike, e fokusuar në maj 2015 dhe qershor 2017, midis dy siglave, dy emrave, dy aspiratave politike.

Cilat janë pasojat? Secila palë mund të nxjerrë ndonjë përfitim momenti, mund të ketë ndonjë rezultat pozitiv afatshkurtër, pasi për paradoks; – dy palët kanë interes afatshkurtër ta bëjnë këtë: qeveria për të konfirmuar dominimin e saj, opozita për tu konfirmuar si viktimë e pushtetit. Në aspektin afatgjatë, secila palë është e destinuar të heqë dorë nga pretendimet maksimale, dhe vetë Tirana është e destinuar të mbetet kurban politik. Të paktën në dy vitet e ardhshme njëra nga palët do bllokojë palën tjetër dhe për pasojë, dy palët nuk do lejojnë asnjë projekt me rëndësi zhvillimor në Tiranë, nuk do të ketë qartësi dhe as stabilitet, nuk do ketë transparencë dhe as rritje të standardit të jetës në kryeqytet. Për ta konfirmuar tipizimin e saj të vitit 2003, si “Tirana e kontradiktës, e luftës e paqes, e errësirës dhe e dritës, e mashtrimit dhe të vërtetës, e shpifjes dhe interesit, e qejfit dhe e stresit, e ahengut dhe biznesit”.

Në analiza prespektive de facto asnjëra palë nuk do ketë përfitime të dukshme, secila do jetë po aq përgjegjëse për dështimet, por humbja e partive do të jetë minore nga humbjet me të cilat do ndeshen qytetarët dhe bizneset. Në imazh politik, brenda dhe jashtë vendit, qeveria do rrezikojë por edhe do harxhojë shumë energji për të gjetur alibi ndaj akteve të saj politike në Tiranë, kurse vetë bashkia do bëjë të njëjtën gjë, duke identifikuar gabimisht problematikën e Tiranës dhe agjendën e saj në problematikë dhe agjendë të opozitës politike. Siç ka ndodhur më parë, siç po ndodh tani, siç pritet të ndodhë në dy vitet e ardhshme. Kanë ndryshuar emrat, kostumet, por jo sjelljet, mentalitetet dhe as “sistemi që korrupton”, term që e përdori PD më 2005 dhe po e përdor PS më 2013.

Zgjidhja? Ligji dhe transparenca, morali dhe përgjegjësia politike. Të parat janë detyrime kushtetuese dhe u duhen bërë të njohura qytetarëve, të dytat janë cilësi politike të liderëve dhe në rastin tonë, siç ka ndodhur rëndom, ende mungojnë. Çfarë ofrojnë ata? Zhurmë, shumë shumë zhurmë! Po publiku? Ai ende nuk ka zë, ende nuk ka mekanizëm mbrojtjeje, ende nuk pyetet, ende është i papërfaqësuar dhe ende nuk ka shenja se do i rikthehet sovraniteti kushtetues. Përse të mos kemi referendum lokal për kompetencat bazë? Siç u premtua për prishjen e Piramidës, plehrat apo planet zhvillimore? Praktika të tilla në vendet demokratike i bëjnë partitë më të matura, liderit më të përgjegjshëm, qeverisjen më të efektshme dhe qytetarët më të pushtetshëm.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi