Shoqëria civile, financimi dhe probleme të tjera
Nga Tonin Gjuraj, botuar në MapoOnline, 12 tetor 2013
Gjatë periudhës së tranzicionit, koncepti i shoqërisë civile shpesh u keqpërdor dhe u deformua prej politikës shqiptare deri në atë shkallë sa, në vend që një pjesë e mirë e individëve dhe grupeve të ishin shprehje e gjallë e kësaj shoqërie, ata u njësuan me vetë pushtetin shtetëror e sferën shtetërore në përgjithësi, madje duke u vënë edhe në shërbim të plotë të tyre. Në fakt, shoqëria civile është një koncept opak dhe i vështirë për t’u përkufizuar, jo vetëm në kontekstin shqiptar. Megjithatë, shumë studime e përkufizojnë shoqërinë civile si një strukturë të tretë, mes shtetit dhe tregut, ose biznesit. Zanafilla e shoqërisë civile mund të gjendet në shkrimet e Alex De Tocqueville, i cili në librin “Demokracia në Amerikë” përshkruan se si në vitet 1830 “amerikanët kishin një tendencë të fortë për të krijuar shoqata vullnetare të pavarura nga shteti për të plotësuar nevojat e komunitetit”. Nëse shteti ofronte sigurinë dhe lirinë politike, kurse tregu mirëqenien ekonomike, shoqëria civile përmbushte nevojat e përditshme të mirëqeverisjes lokale. Në këtë kontekst, shoqëria civile përbëhet nga organizata dhe institucione që janë të pavarura nga shteti, administrativisht dhe financiarisht, por që nuk synojnë marrjen e pushtetit. Ato përfshijnë, për shembull, institucione mediatike, universitete dhe/ose grupe shoqërore e fetare.
Ekzistenca e kësaj shoqërie civile konsiderohet si jetike për një shoqëri demokratike, sepse ajo bën lidhjen mes shtetit dhe tregut të lirë. Po ashtu, në vetvete, shoqëria civile është ngjitësi që ndihmon në bashkimin e normave dhe vlerave individuale, për të formuar një kohezion të sferës publike, ku debatohen idetë e së mirës shoqërore. Në këtë kuptim, shoqëria civile luan një rol kyç në pluralizmin e një shoqërie. Për këtë arsye është i nevojshëm institucionalizimi i një partneriteti me shoqërinë civile, por jo keqpërdorimi i saj, duke i servirur opinionit publik, veçanërisht kur është fjala për të emëruar njerëz në poste kyçe shtetërore, se gjoja politikisht ata nuk janë në shërbim të pushtetit shtetëror. Duke u bërë një me pushtetin, shoqëria civile cenon dy elemente të rëndësishme të funksionimit të saj: pavarësinë dhe paanshmërinë. Kjo nuk do të thotë që shoqëria civile të jetë kundërshtare me shtetin, por kurrsesi nuk duhet të njësohet me të. Po ashtu, ajo nuk mund të jetë identike as me opozitën politike. Në vendet postkomuniste, shoqëria civile vazhdon të jetë e dobët dhe të shihet me dyshim prej shtetit, sepse ajo ka marrë disa nga atributet e organeve të mëparshme shtetërore. Nga ana tjetër, duke qenë e pavarur nga shteti, ajo shpesh bie në konflikt me vetë shtetin. Shoqëria civile bën oponencë konstruktive të tendencave autokratike të qeverisjes. Tjetër, shoqëria civile luan edhe disa role shumë të rëndësishme, si: formimin e politikave ekonomike dhe sociale nëpërmjet instituteve “think-tank”; informimin e drejtë dhe të paanshëm nëpërmjet medias, apo dhe monitorimit të zgjedhjeve demokratike në vend. Për shkak të mungesës së përvojës, fatkeqësisht, në shumë vende postkomuniste, përfshirë dhe Shqipërinë, ka një mungesë pothuajse të plotë të financimit të brendshëm të shoqërisë civile. Për rrjedhojë, shumica e të gjitha organizatave të shoqërisë civile u financuan, deri së fundi, nga burime të huaja, duke krijuar një mungesë besimi si nga ana e shtetit, ashtu edhe nga individët.
Ndikimi i shoqërisë civile në Shqipëri në përpilimin e politikave sociale dhe ekonomike është i panjohur, ndoshta dhe i papërfillshëm. Kësisoj, janë, së paku, dy dilema që duhen zgjidhur: Së pari, sa është masa që zë ky sektor në të gjithë ekonominë e vendit? Një hulumtim i këtyre faktorëve do të ishte me shumë interes si për shoqërinë civile, ashtu edhe për vetë shtetin dhe individët. Për shembull, në Britaninë e Madhe, sektori i shoqërisë civile, përshirë të gjitha organizatat joqeveritare, shoqëritë bamirëse, institucionet think-tank dhe universitetet, kanë të ardhura vjetore prej 170 miliardë stërlinash, ose afërsisht 200 miliardë euro. Kjo është e barabartë me 25 për qind të buxhetit vjetor shtetëror. Për krahasim, në një rast të ngjashëm, shoqëria civile në Shqipëri duhet të kishte të ardhura vjetore prej 660 milionë eurosh. Së dyti, cila është gjendja faktike? Historia e zhvillimit të shoqërisë civile në Shqipëri nuk është domethënëse. Viti 1991 do të shënonte fillimin e një faze të re të zhvillimit të shoqërisë civile shqiptare. Krahas lindjes së partive politike, në Shqipëri filluan të “lulëzojnë” me dhjetëra e qindra organizata, shoqata, qendra, institute, fondacione, urdhra, të njohura si organizata “joqeveritare”, “jofitimprurëse”, ose “shoqëri civile”. Tradita e dobët e shoqërisë civile në Shqipëri lidhet edhe me statusin e paqartë të grupeve të interesit në drejtim të organizimit të interesave sociale, me të drejta dhe detyrime të përcaktuara, një profil jo të lartë të tyre në hartimin e politikave publike dhe peshën jo reale në sistemin politik. Për këto arsye, edhe shteti, me sa duket, nuk tregoi ndonjë preokupacion të veçantë për t’i mbështetur financiarisht. Mbështetja për ta ishte kryesisht ndërkombëtare, me fonde nga jashtë. Në rastin e Britanisë së Madhe, rreth 40 për qind e të ardhurave të shoqërisë civile vjen nga shteti dhe pjesa tjetër nga donacionet dhe investimet. Duke pasur parasysh rolin vendimtar që luan shoqëria civile në një shoqëri demokratike, shteti shqiptar duhet domosdoshmërisht të rrisë kontributin e vet për financimin e shoqërisë civile, dhe jo të mbështeten vetëm te donatorët e huaj, përndryshe, nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë do të përballemi me apatinë deri në zhdukje të saj, gjë që do të dëmtonte funksionimin e demokracisë. Atëherë si mund të realizohet konkretisht financimi? Shteti, kryesisht nëpërmjet pushtetit vendor, i duhet të financojë shoqërinë civile nëpërmjet dhënies së kontratave, granteve dhe pagesave për punë të kryer (fees). Alokimi i fondeve kryhet nëpërmjet tenderëve ose aplikimeve për grante. Në të gjitha rastet, shoqatat apo organizatat e ndryshme të shoqërisë civile që aplikojnë për fonde shtetërore, duhet të paraqesin projekte për kryerjen e shërbimeve sociale, të cilat shqyrtohen për financim. Pra, pak a shumë përdoren të njëjtat forma mbështetjeje sikur aplikimet për fondet e kërkimeve shkencore, por që të arrihet kjo shoqëria civile shqiptare duhet të ridimensionojë rolin dhe misionin e saj në realitetet e reja demokratike në vend, të demokratizojë strukturat civile të saj, me qëllim që të marrë më me shumë seriozitet programin e modernizimit rrënjësor të shoqërisë shqiptare, si e vetmja rrugë për t’u integruar në Europë dhe për të përmbushur shpresat e qytetarëve shqiptarë për një shtet modern e demokratik. Nuk mjafton që aktiviteti i tyre të shtrihet vetëm brenda vendit. Përkundrazi, ata duhet të bëhen pjesë integrale e një rrjeti rajonal dhe global të shoqërisë civile. “Shoqëria civile në një vend të vetëm është kategorikisht e pamundur”, thotë Ralf Dahrendorf.