Punësimi i lidhur ngushtë me planifikimin e territorit

Nga Gentian Kaprata, botuar në MapoOnline, 11 tetor 2013

Fushata zgjedhore e qershorit përfundoi. U shpallën edhe fituesit. Ishin të majtët që u përzgjodhën nga sovrani të nadrejtojnë në katër vitet në vazhdim. Partitë fituese erdhën në seancën kuvendore të miratimit të përbërjes së qeverisë së re, me një program qeverisës të përbashkët. Në fakt, njëra parti e quante program qeverisës ndërsa tjetra program politik, por sidoqoftë të dyja e mbrojtën njësoj. Si një produkt të unifikuar të dy linjave të diferencuara partiake, në fushatën që parapriu zgjedhjet e qershorit. Programi qeverisës apo politik i qeverisë së re u godit nga ligjërimet e opozitës së re në tri drejtime kryesore. Së pari, se nuk ishte realist dhe i zbatueshëm, së dyti, se nuk përfshinte të gjitha premtimet e fushatës dhe së treti, se nuk ishte i detajuar dhe i mungonin shifrat.

Duke shpresuar se debati politiko-teknik mbi programin do të vazhdojë edhe në dimensionin e komponentëve të tij, mund të themi një gjë të sigurt. Përsa i përket komponentit të punësimit, programi përcaktonte detyrime të qarta për qeverisjen katërvjeçare. Ai (programi) përcaktonte punësimin e treqind mijë shqiptarëve përgjatë kësaj periudhe kohore. Shumë (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh: gjendjen e tregut real të punës; gjendjen e likuiditetit të brendshëm për investime të reja; premtimet për taksim progresiv; krizën europiane për remitanca apo investime të huaja. Pak (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh nivelin e lartë të papunësisë prej një milion vetësh, varfërinë e tejskajshme që do të kërkonte dy apo shumëpunësimin për të njëjtin të papunë, rininë studentore që mund të punësohet part-time.

Sidoqoftë, programi ngarkon qeverinë të krijojë 300 000 vende të reja pune. Nga të cilat 40 000 në industrinë prodhuese dhe 12 000 të lidhura me to, 15 000 në industrinë e lidhur me detin dhe 155 000 në aktivitete bujqësore dhe blegtorale. Përmes reformës në programin e ndihmës ekonomike 62 000, në industrinë e turizmit 11 000 dhe në fushën e teknologjisë së informacionit 4 000. Pra, në total 300 mijë, ndërsa në sferën e aktiviteteve të ekonomisë prodhuese (që na intereson për këtë shkrim), 52 mijë vende të reja pune. Pak, mua më duken pak. Jo vetëm se shprehin vetëm 30% të nevojës së identifikuar nga programi, por edhe se mundësitë mund të jenë më të mëdha. Sigurisht, nëse nuk ndjekim rrugën e improvizimit të deritanishëm. Nëse ndryshojmë mënyrën e të menduarit.

Sepse nëse ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe vendosim se çfarë do bëjmë me burimet tona natyrore dhe territoriale, burimet tona njerëzore dhe burimet tona financiare, atëherë çdo gjë është më e thjeshtë. Mjafton që qëndrimeve tona politike për çdo fushë zhvillimi ekonomik t’u japim kuptim gjeografik/territorial. Pra, të planifikojmë zhvillimin e territorit sipas nevojave ekonomike dhe mundësive konkrete të burimeve natyrore. Nëpërmjet një qasjeje të fortë proporcionaliteti në planifikim pasi kemi vendosur llojin e industrive prodhuese që duam të zhvillojmë, të përcaktojmë se ku duhet të zhvillojmë industritë prodhuese, dhe ku është zona më oportune për secilin lloj zhvillimi industrial.

Një model që ka dhënë rezultate shumë pozitive në Europë por edhe në vende të tjera të zhvilluara, është modeli i “Parqeve Ekonomike”. Ato janë projektuar për së pari në fillimshekullin e kaluar, në vendet anglo-saksone dhe të zhvilluara, dhe vazhdojnë të krijohen në vendet në zhvillim edhe në ditët tona. Përfitimi prej tyre është i shumëfishtë. Avantazhi kryesor i tyre është se industritë vendosen të grupuara, çka siguron bashkërendimin dhe mbrojtjen e tyre, kosto të ulët të pajisjes me infrastrukturë, madhësi të përshtatshme të parcelës ku zhvillohen, çlirimin nga konfliktet kufitare të përdorimeve të ndryshme dhe mbi të gjitha minimizim i dëmtimeve të territorit dhe mjedisit. Ndërsa kërkesat e tyre janë minimale. Lokalizimi pranë rrymave të trafikut dhe troje të sheshta e të forta.

Sidoqoftë, nuk mund t’ju them nëse 52 mijë vende pune janë shumë apo pak. Aq më pak nuk mund t’ju them nëse do krijohen këto vende apo jo, pas katër viteve. Por një gjë mund t’jua them me siguri. Nëse ndiqet kjo rrugë dhe ky model, mundësitë janë të mëdha. Burimet territoriale dhe natyrore janë, burimet financiare mund të gjenden nëse biznesit i ofrohen projekte konkrete, burimet njerëzore mund të krijohen nëse dimë se cilat do të jenë aftësitë e kërkuara nga tregu. Mjafton dëshirë e vullnet dhe planifikimi territorial do ta kryejë këtë punë për ne. Kjo është rruga. Sepse jashtë planifikimit territorial nuk mund të ketë zhvillime ekonomike të qëndrueshme. Aq më pak krijime masive të vendeve të reja të punës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi