Nuk na mjafton një rregull i vetëm fiskal

Nga Arbem Malaj, botuar në Panorama Online, 10 tetor 2013

Situata kritike në financat publike nxit diskutime rreth politikave, reformave dhe rregullave për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe stabilitetin e tyre. Kriza dhe keqqeverisja u shfaqën në rritjen e borxheve publike, rritjen e borxheve të ndërmarrjeve publike e private dhe  rritjen e borxheve të individëve.

Strategjitë antikrizë kërkojnë përmirësimin e cilësisë së përgatitjes dhe implementimit të kuadrit buxhetor dhe të rregullave fiskale. Vendosja e tyre ka filluar pas viteve ‘90, numri i vendeve në zhvillim që aplikojnë rregulla fiskale ka ardhur në rritje.

Këto rregulla synojnë që qeveritë dhe parlamentet e vendeve që gjatë periudhave të rritjeve të larta ekonomike të jenë të përgjegjshme në efikasitetin e shpenzimeve dhe investimeve publike, si edhe në mbajtjen në kontroll të deficitit dhe borxhit në funksion të rritjes ekonomike dhe qëndrueshmërisë së financave publike.

Nëpërmjet kufizimeve numerike dhe disa parimeve,  siç janë rregullat e arta fiskale, me anë të të cilave synohet të imponohen përgjegjësi nga çdo qeveri ndaj zhvillimeve dhe risqeve afatgjata. Studimet tregojnë se aktualisht rregullat janë të përqendruara mbi nivelin e deficitit dhe borxhit, por janë bërë të domosdoshme edhe rregullat mbi shpenzimet dhe të ardhurat.

Synohet të vendosen dhe respektohen kufizime: mbi rritjen e totalit të shpenzimeve ndaj PBB-së, mbi rritjen më të shpejtë të shpenzimeve operative se rritja e investimeve publike, mbi risqet e deficiteve të skemave sociale e subvencioneve.

Edhe rregullat fiskale mbi të ardhurat bëhen të rëndësishme. Ideja kryesore është të mos dëmtohet rritja ekonomike nga rritja e ngarkesës së taksave dhe njëkohësisht të ardhurat buxhetore të mos zbresin në nivele që nuk financojnë dot arsimin, shëndetësinë, rendin publik, infrastrukturën dhe politikat e solidaritetit dhe kohezionit social. Këto prioritete përcaktojnë cilësinë e rritjeve ekonomike afatgjata, që duhet të jenë më të larta, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse në shpërndarjen dhe rishpërndarjen e përfitimeve reale.

Shpesh diskutohet se për të kufizuar abuzimet buxhetore të qeverive duhet kushtëzuar në  Kushtetutë niveli i borxhit publik si përqindje ndaj PBB-së. Vendi ynë në vitin 2013 bëri një hap pas, disa muaj përpara zgjedhjeve, pasi e kishte shkelur faktikisht nivelin e borxhit të përcaktuar në ligjin e menaxhimit të buxhetit qeveria e hoqi atë përfundimisht.

Ndaj, sugjerohet që rregullat fiskale të mos jenë lehtësisht të ndryshueshme nga maxhorancat qeverisëse, të cilat tentojnë të keqpërdorin buxhetin në funksion të rizgjedhjes së tyre.

Por, duke pasur parasysh shumicën e cilësuar, 2/3 e votave të të gjithë deputetëve që kërkohet për ndryshimin e Kushtetutës, përfshirja e këtij kufizimi në Kushtetutë mund të krijojë premisë për kriza edhe politike.

Vendosja në Kushtetutë e një kufiri fiks të borxhit publik, mund të ushqejë artificialisht  kriza politike, ndërsa shifra absolute e borxhit del nga Ministria e Financave, vërtetohet nga rakordimi me bankat dhe certifikohet nga KLSH, përllogaritja e GDP-së paraqet risqe për pasaktësi edhe të “paqëllimshme” qoftë edhe përkohësisht, duke e bërë të paefektshëm një rregull të vetëm, qoftë ky edhe në Kushtetutë.

Një arsye tjetër pse vendosja e një rregulli të vetëm numerik në Kushtetutë është e pamjaftueshme dhe rrezikon të jetë edhe e padobishme, ka të bëjë edhe me fleksibilitetin e nevojshëm që kërkohet në rast krize. Debatet në Parlament nuk do të bëhen mbi efikasitetin ekonomik të ndryshimit të kufirit të borxhit, por një debat i tejnxehtë ideologjik për ta keqpërdorur këtë moment.

Kjo është ajo që ndodhi në Greqi, Spanjë dhe Portugali, ku u vonua konsensusi për reformat, edhe ajo që po ndodh tani në SHBA, Itali dhe vende të tjera, ku përgjegjësia për të përballuar krizën është zëvendësuar me luftën ideologjike,  duke e bërë krizën më të gjatë dhe më të ashpër.

Disa momente kryesore në të cilat është fokusuar debati për rregullat fiskale përfshijnë:

1. Duhen disa rregulla fiskale, dhe jo një i vetëm. Ekspertët vlerësojnë se stabiliteti i financave publike jo si qëllim në vetvete, por si një e mirë publike, kërkon një grup rregullash fiskale mbi shpenzimet, mbi të ardhurat, mbi deficitin dhe borxhin publik.

2. Rregullat duhet të respektohen që gjatë periudhave kur vendi ka rritje pozitive. Kjo kufizon keqpërdorimin e buxheteve dhe njëkohësisht ndihmon vendet që të kenë hapësira manovruese apo ndërhyrëse gjatë krizës, pa dëmtuar stabilitetin e financave publike në nivelin që ai bëhet pengues për rritjen ekonomike.

3. Kërkohen rregulla për “gjeneratat e ardhshme”, të cilat duhet të përfshijnë më mirë analizën e risqeve afatgjata. Këto rregulla duhet të bazohen në objektiva afatgjatë, në buxhete afatmesme dhe në prioritete dhe sfidat e 3-5 viteve të ardhshme. (http://www.imf.org/external/pubs/ft/wp/2012/wp12187.pdf – Fiscal Rules in Response to the Crisis—Toward the “Next-Generation” Rules. A New Dataset). Disa vende të zhvilluara e përllogarisin stabilitetin afatgjatë bazuar në zhvillimet e 30-50 viteve të ardhshme. Kjo imponon përzgjedhje të politikave buxhetore bazuar në efektin e tyre afatgjatë dhe rishikimin periodik të strukturës dhe niveleve të rregullave fiskale.

4. Stabiliteti afatgjatë kërkon të rritet cilësia e përgatitjes së politikave buxhetore duke përfshirë opsione të niveleve të ndryshme të risqeve potenciale. Kjo është e vështirë për buxhetet vjetore, por është e detyrueshme për buxhetet afatmesme dhe afatgjata. Ekspert të FMN-së kanë bërë studime të tilla edhe për vendin tonë. Disa nga gjetjet e tyre janë diskutuar publikisht, por respektimi i këshillave të tyre duket së është anashkaluar, ndoshta edhe për shkak të zgjedhjeve. (http://www.imf.org/external/pubs/ft/wp/2010/wp1077.pdf –  Fiscal Objectives in the Post IMF Program World: The Case of Albania Jiri Jonas)

5. Garantimi i respektimit të rregullave fiskale kërkon rritjen e autoritetit të ligjvënësve. Në disa vende, ku përfshihet edhe vendi ynë, deputetët kanë pak ose aspak të drejtë të ndërhyjnë në draftin e dërguar nga qeveria. Këshillohet që parlamenti duhet të rrisë aftësinë e pavarur nga qeveria lidhur me parashikimet dhe cilësinë e buxhetit, duke propozuar ndryshime të argumentuara. Ata duhet të jenë mbrojtësit real të parimeve dhe rregullave fiskale. Kjo varet nga kultura politike dhe marrëdhëniet midis qeverisë dhe parlamentit.

6.  Krijimi i Këshillave Kombëtarë për politikat fiskale përmirëson hartimin dhe implementimin e buxheteve afatmesme dhe vjetore, qartëson  rregullat fiskale sipas stadit dhe specifikave të çdo vendi, përmirëson parashikimet ekonomike e fiskale, risqet potenciale afatgjata dhe monitoron respektimin e këtyre proceseve dhe rregullave. Shumë vende kanë krijuar Këshillat e Politikave Ekonomike, suksesi i të cilave, edhe sipas analizave të fundit të FMN-së, është i kushtëzuar nga specifikat konkrete të çdo vendi, ku një element i rëndësishëm është raporti që krijojnë me këto institucione me presidentët, kryeministrat dhe parlamentarët.

Pra, për të rikthyer stabilitetin e financave publike, për të minimizuar risqet në të ardhmen,   nuk na mjafton një rregull i vetëm fiskal, rregulli i borxhit publik në raport me PBB. Neve na duhet të përmirësojmë pa vonesë cilësinë e përgatitjes e të gjithë kuadrit makroekonomik dhe të implementojmë me përgjegjësi parimet dhe rregullat fiskale të menaxhimit të financave publike që gjatë kohës kur vendi nuk është i prekur nga kriza.

Na duhen rregulla të cilat lehtësojnë identifikimin dhe parandalimin e krizave, lehtësojnë rimëkëmbjen sa më parë të rritjes ekonomike dhe ndihmojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike. Ne nuk duhet të kemi në fokus vetëm një grup rregulli fiskal, pasi ekspertët vlerësojnë se forcimi një kuadri më të gjerë është më i rëndësishëm.

Çdo vonesë për një plan afatmesëm të rikthimit të stabilitetit të financave publike dëmton ambientin e biznesit, dëmton kredibilitetin e vendit ndaj institucioneve ndërkombëtare financiare, pengon rritjen e investimeve private dhe e bën të pamundur që buxheti i shtetit të përballojë i vetëm peshën e rëndë të rënies së të ardhurave dhe të rritjes së deficitit dhe borxhit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi