Miradministrim i Shtetit përballë synimeve jakobiniste

Nga Romeo Gurakuqi*, botuar në Panorama Online, 10 tetor 2013

Fryma e re politike e promovuar me shumë solemnitet në përurimin e qeverisë së re shqiptare, ngjalli shpresë se Shqipëria e fundvitit 2013 do të niste rrugën e vet serioze për përmirësimin e qeverisjes dhe administrimit, kthimin e kësaj qeverisjeje në të përgjegjshme dhe të shpjegueshme, që do të startonte me hartimin e Kodit dhe Parimeve të Miradministrimit, përforcimin e parashikimeve për respektimin e të drejtave të njeriut e qytetarit, fillimin e një procesi auditimi të sjelljes së administratës deri më sot, ndërtimin e ekipeve të ekspertizës intelektuale për përmirësimin e sjelljes së institucioneve, identifikimit të gjobëvënësve, sekserëve, korrupsionistëve, militantëve dhe të fortëve pranë institucioneve dhe administratës, duke përgatitur fshirjen e tyre nga jeta e përpjekjet e përditshme të qytetarit të thjeshtë shqiptarë.
Të them që kjo shpresë është venitur, do të ishte një ngutje e pajustifikueshme nga pikëpamja e kohore, aq më tepër kur disa emra të rinjsh seriozë të PS e shoqërisë civile, të vendosur në krye të disa degëve të administratës, krejtësisht të ndryshëm nga disa prej shërbëtorëve të automatizuar në mënyrë të spikatshme të administratës pararendëse, më nxitin të shpresoj se një punë e madhe dhe e re, tashmë në shërbim të shtetit, publikut dhe qytetarit, është në ndërtim e sipër.
Por veçmas kësaj, një mori faktesh, sjelljesh dhe planifikimesh, disa zhvillime, mbi dhe nën sipërfaqen e politikës zyrtare të dy forcave politike qeverisëse (përtej idealit të njerëzve të thjeshtë dhe atyre administratorëve të rinj që morën përgjegjësi për t’i shërbyer publikut), që kanë ndarë pushtetin si dy grupime partnere për pushtet, më nxitin të mendoj se njësia administruese e Shqipërisë do jetë, edhe më tutje, një organizëm bipolar shtetgërryes dhe jo një instrument i ndërtuar për mirëqeverisje; rilindje të shtetit. Një seri faktesh të vendosura në veprim dhe projekt nga disa prej administratorëve të rinj, i bien ndesh parimit të padhunueshëm të vendeve demokratike, të konsulencës e ekspertizës bazuar mbi institucione e njësi të ngritura ligjërisht, parimeve të respektimit të lirive, barazive dhe të drejtave të qytetarit, duke respektuar shanset e barabarta për pjesëmarrje në administrim dhe kontroll të qeverisjes.
Administracioni i ri, për hir të së vërtetës, nuk është një njësi uniforme, në shtysat parimore, në intensionet politike, në frymëzimin që karakterizon botën e brendshme personale të personazheve kryesore që e menaxhojnë, deri edhe në mënyrat se si funksionojnë, në pikëpamje organizative, dy partitë kryesore përbërëse: njëra si organizatë joqeveritare e ndërtuar për ndarje fondesh e njerëzish në detyra sipërmarrëse dhe tjetra si organizëm i disiplinuar nga nevoja për shpërndarje të forcave të lira për punësim e menaxhim fondesh publike.
Cilat janë zhvillimet mbi sipërfaqen e politikës që bien erën e zhbalancimit dhe deformimit të parimeve fillestare të shpallura programatikisht?
Që në krye do të duhet të përcaktoj se fasada teorike e ndërtimit të një modeli demokratik, apo siç do të dëshiroja me aq gëzim, një model britanik qeverisjeje, nuk mund të fshehë dot një qasje shkatërruese ndaj administratës, që nga pikëpamja strukturore synon përmbysjen dhe rimodelimin e plotë departamental; nga pikëpamja e burimeve njerëzore priret të variojë, nga përvoja e Spoils System, e Amerikës së dikurshme së epokës xheksioniane, deri në modelin jakobinist dhe punist të fshirjes së gjithçkaje dhe e të gjithëve, me një shpatë të fshehur robespierane apo hoxhiste. Dua të besoj dhe kam mjaft shpresë se Kryeministri Rama nuk i përket këtij vullneti kaq shkatërrimtar, luftarak regresist, që do të sillte pasoja të rënda për paqen sociale të vendit. Por, mbajtja afër në këshillim e personazheve me fillesa dhe kulturë politike të prejardhur nga pjesa e vjetër e ish-PPSH, të mbarsur që në moshë të njomë me urrejtje patologjike ndaj liberal-demokracisë tradicionale, ndaj pjesës jokomuniste të shoqërisë shqiptare, ndaj parësisë tradicionale të këtij vendi dhe të përsekutuarve politikë, më bën mjaft pesimist mbi cilësinë dhe drejtësinë e këshillimit, në Prime Ministër Office, që është një institucion i paprekshëm i të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, krahinore e fetare. Zyra më e rëndësishme e shtetit, nga ana tjetër, do të duhet të jetë një institucion i shëndetshëm dhe i ruajtur nga çdo infiltrim i papërshtatshëm në mbrojtjen e sigurisë së këtij vendi.
Ku e mbështes të gjithë këtë?
1. Së pari, te ngutja për të imponuar me anën e një VKM-je ndalimin e veprimit të një ligji organik (Ligji për Shërbimin Civil), të arritur me konsensus të gjerë, që përbën një sinjal për sjellje të motivuara politikisht, përkundrejt parimeve të Rule of Law, kundër frymës së Kushtetutës, përkundrejt parimeve të marrëveshjes me opozitën dhe përkundrejt pritshmërisë së qytetarit shqiptar, që nuk dëshiron të këtë më shqiptarë që përsekutohen për shkak të bindjeve politike, përkatësisë krahinore dhe fetare. Në vend që të gjendej një mënyrë më adekuate dhe më efikase për zhbimjen e korrupsionit, të paaftësisë e të tejpolitizimit të administratës, u gjet forma më antikushtetuese, çuditërisht e “arsyetuar” nga ministri i Shtetit i ngarkuar për të garantuar ecjen mbi kushtetutshmëri dhe për bërjen e reformës institucionale. Ndalimi i veprimit të një ligji organik më bën të mendoj se një ndarje plaçke (një spoils system) i administratës shqiptare po përgatitet ndërkaq në underground-in e koalicionit të kulisave majtiste shqiptare. Ndalimi i veprimit të ligjit është një indikacion se ndryshimi në administratë, nuk do të ndalet aty ku duhet të ndalet, d.m.th. brenda niveleve të drejtimeve politike dhe të ekspertizës së administratës, por do të depërtojë thellë në të gjitha poret e këtij organizmi ingranazh të vendit, gjë që do të shkaktojë pashmangshmërisht një turbullirë të pangjashme dhe do ta mbajë vendin në një “Luftë të Ftohtë” permanente. Dua t’ju kujtoj e tregoj, zoti Kryeministër, se kjo “Luftë e Ftohtë”, nga politika, po reflektohet me përshpejtim brenda popullit, mes krahinave shqiptare, mes njerëzve të thjeshtë dhe familjeve shqiptare, gjë që përbën edhe fatkeqësinë e radhës mbi vendin tonë të shumëvuajtur, nën tiranë, nën autoritarë, nën aventurierë dhe nën diletantë. Këtë gjë Kryeministri i ri duhet ta ndalojë njëherë e mirë SOT, sepse nesër mund të jetë tepër vonë, interesi i publikut i dëmtuar dhe ai i ngarkuar me përgjegjësi të madhe para historisë, shansit të dhënë nga vullneti i popullit. Kryeministri dhe shumica nuk duhet të harrojnë se shtyrja apo pezullimi i një ligji organik, me anën e një akti normativ, përbën një kompetencë vetëm përjashtimore, që mund ndërmerret VETËM në rastet e emergjencave nacionale, dhe kjo është një praktikë e mirënjohur në çdo vend demokratik. Ligji mbi Shërbimin Civil është tashmë në fuqi dhe ai nuk mund të diskutohet më në këtë mënyrë. Ai duhet vetëm të zbatohet. Qeveria, në vend që të merret me nxjerrjen e akteve nënligjore mbi zbatimin e ligjit organik të lartpërmendur, bën regresion me përmbajtje antidemokratike dhe antikonstitucionale, për pezullimin e legjislacionit, a thua se Shqipëria është në gjendje lufte! Në fakt, pas gjithë kësaj, mendoj se fshihet qëllimi për të përdorur parantezat e ligjit pararendës, që mungojnë në ligjin aktual, të cilat mundësojnë zhvendosjet e pushimet nga puna nën pretekstin e lëvizjeve strukturore. Thënën ndryshe, e gjithë kjo është një lëvizje taktike, krejtësisht foshnjarake, me pasoja mjaft të rrezikshme për kredibilitetin e sistemit dhe të të gjithë frymës së shpallur në fjalimin përurues. Kjo taktikë është mjaft e papërshtatshme, shumë naive, që vetëm do të krijojë një zinxhir të pafund ngatërresash në vendin tonë të mjerë, të mbërthyer nga kriza ekonomike dhe nga pragu i falimentit ku ndodhen financat publike. Në vend që të merret me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ngritjen e cilësisë së jetës e lirisë dhe gjetjen e rrugëve të shërimit të ekonomisë e sistemit financiar, qeveria e re po përpiqet të futet në spiralen e harxhimit të pafrytshëm të energjive të mbetura të këtij vendi, në një sipërmarrje të palavdishme, që vetëm do ta shpjerë në një qorrsokak nga ku s’do të kthehet dot mbrapsht.
2. Së dyti, ngatërrimi i parimit i ndërtimit të një administrate bazuar mbi ekspertizë, me parimin e Spoils System  (është një frazë e huazuar nga një senator i Nju Jokut më 1832 për të justifikuar shkarkimin e mbajtësve të funksioneve publike të anëtarëve të partisë së mundur dhe punësimin e besnikëve të partisë fituese), përbën një indikacion të qartë se shqiptarët edhe në të ardhmen do të jenë robër të krijimit të administratave korruptive partiake. Kjo taktikë politike mund të themi se shënon vijimin e politikave të “party machine” dhe “party boss”, të cilat jemi mësuar t’i shohim me vuajtje në këtë vend dhe që na kanë lanë në pozicionin e fundit në rrugën europianizuese dhe perëndimizuese. Vertet Kryeministri i zgjedhur është në të drejtën e tij të vendosë besnikët në krye të të gjitha degëve të administratës, duke i hequr titullarët paraardhës, por pezullimi i legjislacionit që siguron palëvizshmërinë e administratës me status të nëpunësit civil, mungesa e transparencës mbi përbërjen e ekipeve reformatore, hyrja madje në qeverisje pa plane të detajuara reformuese, një përpjekje e qartë për të fshirë gjithçka të arritur me asistencën ndërkombëtare, nxitimi për të punuar mbi lista partiake, gjurmimi i përkatësisë politike të individëve shtetas mbi bazën e regjistrave prognozë që i shërbyen PS-së në zgjedhje, përbëjnë një shenjë se parimi amerikan, sipas të cilit funksionet administrative nuk mund të jenë të mënjanuara nga pasojat e zgjedhjes politike të elektoratit, është kuptuar mbrapsht, me dashakeqësi dhe ligësi tipike puniste, nga disa prej personazheve të kreut dhe bazës së qeverisjes aktuale bipolare. Duke parashikuar që në fillesë pafuqishmëri për të goditur klanet ekonomike kriminale, botën e financës ilegale shqiptare dhe rolin e saj ndërhyrës në politikën shqiptare, në pamundësi dhe pa vullnetin e mjaftueshëm për të goditur gjobëvënësit e biznesit të madh dhe zyrat e sekserëve ndërmjetës, udhëheqësia politike e PS, veçmas, po mendon të ulë presionin nga anëtarësia e saj, duke ndërmarrë nën rrogoz operacionin e një spastrimi pa dallim të administratës dhe duke kryer me rrënjë shfrytëzimin e plaçkës administrative. Në analizë të fundit, në qoftë se do të veprohet kështu, do kemi një përpjekje për të shfryer presionin e militantëve, duke goditur më të dobëtit dhe më të pambrojturit e këtij shteti. Në qoftë se kjo është e vërtetë, ditë më të këqija do të vijnë për Shqipërinë, lufta politike do mbahet e ndezur, ndarja politike e vendit, e filluar nga 29 nëntori 1944, do të mbetet edhe më tutje mbi kokën e Shqipërisë dhe fjalimi i mbajtur nga Kryeministri në agimin e qeverisjes së re, jo vetëm do jetë larg parimeve të demokracisë britanike e perëndimore, por do të njolloset si demagogji që përgatiti dështimin e radhës së demokracisë sonë foshnjarake. Kam besuar dhe besoj ende se zoti Rama është shpresa e vetme për momentin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit të përshpejtuar; kuptoj krejt mirë mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare për reformimin e njëmendtë të administratës, pastrimin nga pjesa e së keqes, por nuk mund të arsyetoj dhe justifikoj asnjë kapërcim kufizash dhe shkelje të një prej të drejtave themeltare të qytetarëve shqiptarë. Ndaj, vendosja e udhëzimeve të qarta ndaj ekipeve reformuese dhe ndjekja e ligjshmërisë se ekipeve të konsulencës, mbetet një detyrë e munguar ende për administratorët e rinj.
3. Së treti, vërehet ekzistenca e një qasjeje jakobiniste në frymëzimin e udhëheqësisë së unifikuar socialiste dhe sidomos në mbetjet ende të fuqishme puniste brenda saj, në qëndrimin ndaj administratës aktuale. Kjo qasje synon fshirjen e çdo strukture departamentale të administratës dhe ristrukturimin, pa një model të qartë, duke rrënuar çdo gjë nga Ancien Regime i demokratikasve. E gjitha kjo, duke shpikur e improvizuar struktura të pangjashme, njëlloj si udhëheqësit jakobinë në Francën e viteve 1793-1794, që u larguan me turp dhe rrënim brenda një viti nga pushteti. Shqipëria e vitit 2013 nuk ka nevojë për Robespierë, por për një Adenaur dhe një Toni Bler të vërtetë. Shqipëria e vitit 2013 normalisht që nuk dëshiron satrapë autoritarë, por ajo nuk do as asimilues të këqij propagandistikë, të vlerave demokratike perëndimore. Shqipëria don të gjejë qetësinë, e cila nuk mund të vijë as me improvizime dantoneske dhe as me zgjidhje diletanteske fëmijësh të papjekur ende për qeverisje serioze. Kam pasur rastin të ndjek me shumë vëmendje, për shkak të detyrës që kam si anëtar i Këshillit të Arsimit të  Lartë dhe Shkencës, zhvillimet në MASH. Vendosja në krye të disa prej “ekipeve reformuese”, të personazheve të mirënjohur për egërsinë e sjelljes njerëzore dhe frymëzimin punist (që kanë eklipsuar në mënyrë manipolative ekipet zyrtare të konsulencës të njohur ligjërisht edhe shefat e dikastereve), është një ogur jo i mirë për qëndrueshmërinë e sistemit arsimor shqiptar, përmirësimin dhe vijimësinë. Këta njerëz të pilotuar po sfumojnë dhe çorientojnë edhe veprimin idealist të shefave të tyre dikasteriale. Është drejtpërdrejtë në nderin e Kryeministrit të largojë menjëherë nga ekipe të tilla mbështetëse të ministrive jakobinistët e mbushur me mllefe e urrejtje, të ridrejtohet bazuar në ligj në institucionet këshillimore të ringritura tashmë, ose të rindërtojë ekipet me ekspertë të vërtetë të shoqërisë civile, që edhe e majta shqiptare i ka mjaft të spikatur.
Është tashmë e qartë se që Shqipëria të ketë NJE QEVERISJE të përkryer PARLAMENTARE, nuk mjafton një fjalim i parë teorik, nuk mjafton ardhja aq e dëshirueshme e zotit Bler. Është e nevojshme që ajo filozofi të bëhet pjesë e veprimit të reformës sepse përndryshe ajo do ngelet fasadë. Për fat të keq, sinjalet tregojnë se po ndodh ndryshe: skuadra diletantesh po improvizojnë skema purifikuese të administratës, jo aq nga gjobëvënësit, grabitësit dhe inkompetentët e administratës së djeshme, por para së gjithash kundër njerëzve të thjeshtë. Këto skema synojnë të nxjerrin jashtë administratës shërbenjësit e thjeshtë civilë, varësisht emrit politik, krahinës e prejardhjes familjare. Vetë ndërtimi i skemës reformuese, pa konsulencë ekspertësh të miratuar nga ligji, është një impostim shumë shqetësues. Thënë qartë: presim ndryshim europianizues, çrrënjosje të korrupsionit, reforma të menduara, por jo represion ndaj jetës së njerëzve të thjeshtë nga fëmijët e nipërit e disa prej anëtarëve të KQ të PPSH. Kjo është shqetësuese, duhet të ndalet dhe sidomos duhet të ndalet menjëherë ndaj klasës së të persekutuarve politikë, të cilët duhet të vendosen nën imunitet absolut ligjor. Është tragjike të mendosh se sot pas 22 vitesh të rënies së monumentit të diktatorit Hoxha, mbiemrat e disa prej shërbëtorëve të tij, të persekutorëve më të mëdhenj të shqiptarëve të thjeshtë e të vuajtur, të majtë e të djathtë, ndodhen të atashuar në ekipin vendimmarrës politik më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Administratorët e rinj të ofruar nga klasa e ish-të persekutuarve politikë, që i janë bashkëngjitur ekipit qeverisës, duhet ta kenë të qartë se në qoftë se me heshtjen e tyre aprovojnë skemat purifikuese ndaj njerëzve të thjeshtë dhe nëpunësve me prejardhje nga shtresat e të persekutuarve politikë, kanë bërë shkëputjen e tyre të menjëhershme me vlerat demokratike, qytetare e kombëtare të shqiptarëve të lirë.
Është koha edhe që vendet demokratike, aleate të Shqipërisë, të mbajnë shënim mbi atë çfarë po ndodh aktualisht në vend, të ndërhyjnë për të ndalur çdo përpjekje për riciklimin në kah të kundërt të se keqes së demokracisë shqiptare: një riciklim të spoils system-it allashqiptar. Trashëgimia e përsëritjes ciklike të këtij fenomeni duhet  të marrë fund njëherë e mirë. Shqiptarët e thjeshtë kërkojnë një shtet për të gjithë; jo më persekutime bazuar në shkaqe, politike, ideologjike, kulturore dhe krahinore; luftë kundër korrupsionit në administratë, ndalimin e shpirtit jakobinist dhe enverist në segmente të caktuara të administratorëve të rinj.
*Anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës pranë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi