Debati politik për borxhin publik

Nga Top Channel, 10 tetor 2013

Prej gati dy javësh shifra e borxhit publik është shndërruar në pikën më të nxehtë të debatit mes maxhorancës dhe opozitës, ku dy palët kanë vlerësime shumë larg njëra-tjetrës. 

Ministri aktual i Financave Shkëlqim Cani flet për borxh publik në nivelin 70 për qind, ndërsa ish-ministri Bode për 63 për qind.

Sot Qeveria socialiste ka bërë për herë të parë publike arsyet se pse ajo vlerëson që detyrimet reale të shtetit janë shumë më të larta nga shifra që pretendojnë demokratët.

Në relacionin që ndryshon buxhetin e vitit 2013, Ministra e Financave liston tre prej tyre.

E para lidhet me shifrën nominale të Prodhimit Kombëtar, e cila e ndikon drejtëpërdrejt shifrën e borxhit. Ministria e financave thotë se, bazuar në llogaritë e fundit të INSTAT, shifra e Prodhimit Kombëtar është shumë më e ulët nga varianti që mbante Qeveria paraardhëse e demokratëve. Vetëm si pasojë e këtij ndryshimi, borxhi rritet me 2.4 pikë përqindje, duke shkuar nga 63.8 për qind që pretendonte Qeveria e mëparshme në 66.2 për qind.

Por veç korrektimit të Prodhimit Kombëtar, ka dhe një arsye tjetër që e rrit borxhin publik. Ajo është shtesa e huamarrjes. Në buxhetin e rishikuar Qeveria socialiste ka vendosur ta rrisë huamarrjen për vitin 2013 me mbi 22 miliardë lekë të tjera mbi kufirin vjetor që kishin parashikuar demokratët. Kjo rritje, që sipas Qeverisë është e pashmangshme, por që për demokratët është abuzive, i shton borxhit publik të vendit dhe 1.8 pikë përqindje të tjera mbi Prodhimin Kombëtar.

Së bashku me garancitë e dhëna gjatë këtij viti për ndërmarrjet publike, që i shtojnë borxhit dhe 0.6 pikë përqindje të tjera, shifra totale e detyrimeve shkon sipas Qeverisë socialiste në 68.6 për qind e Prodhimit Kombëtar. Dhe në këtë shifër nuk përfshihen detyrimet e prapambetura që shteti ka ndaj privatëve, për të cilat sapo ka nisur procesi i vlerësimit. Bashkë me to borxhi publik rritet sipas qeverisë edhe me katër pikë përqindje duke shkuar në 73 për qind e Prodhimit Kombëtar. Në 2007 ishte 53 për qind dhe kjo e fundit është një shifër që pranohet nga të dy palët.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi