Ç’farë do të përftojë vendi nga modeli që sjell Toni Bler?
Nga Eduart Gjokutaj, botuar në Shqip, 9 tetor 2013
Barra politike ka nevojë të shpërndahet në destinacionin e duhur qeverisës dhe të konvertohet në produktivitet qeveritar, për arritjen e rezultateve të pritshme. I gjithë procesi përmblidhet në kombinimin e profileve të lidershipit të spikatur në sektorin publik dhe privat, për të realizuar shpërndarjen e barrës politike të prioriteteve qeverisëse drejt zyrave të administratës publike, monitorimin e procesit dhe analizën e rezultateve.
Pse ky model? Çfarë shprese përcjell?
Nuk kemi të bëjmë në këtë rast, as me metodat menaxheriale të vjetruara me grupe pune apo komisioneve ndërinstitucionale, por as me modelet me “të kujtuar” të zbatimit dhe monitorimit të prioriteteve. Kemi kaluar nëpër 20 vjet një përvojë qeverisjeje, ku modeli i performancës nuk ka arritur të shpërndajë rezultate të shpejta, por dhe në segmentet ku ato janë të nevojshme. Në të gjitha rastet ka munguar një monitorim i përshtatshëm, që të ketë përmbushur kërkesat e programit qeverisës fitues. Analiza e performancës së qeverive tregon se nuk janë përcaktuar realisht prioritetet e vërteta që janë edhe sfidat e lidhura me modelin ekonomik. Si rezultat në asnjë rast nuk qëndron pretendimi (nëse ka sinqeritet qeverisës), se politikat e prezantuara për ekonominë dhe shërbimet publike kanë ecur me shpejtësinë e kërkuar nga koha. Politika dhe planifikimi i shërbimeve publike nuk kanë pasur lidhjen e përshtatshme me nivelin real të kapaciteteve administrative. Kjo mospërputhje midis politikës dhe administrimit (veçanërisht fiskal) nuk ka arritur të prodhojë rezultate dhe të zhvillojë kapacitetet për të ardhmen.
Modeli i ri, i cili pritet të fillojë të funksionojë, i emërtuar si njësia e realizimit të prioriteteve e ka zanafillën në modelin e formatuar për herë të parë nga ish-kryeministri mbresëlënës britanik, z. Toni Bler (Tony Blair) në fillimin e mijëvjeçarit. Ajo u ideua, si njësia e shpërndarjes së rezultateve të shërbimeve publike me një ekonomisje sa më të mirëpërshtatur të buxhetit. Ky model i jep përgjigje sfidës së sektorit publik në gjetjen e qasjeve të duhura me efektin më optimal për zbatimin e prioriteteve më kruciale të qeverisjes. Brenda dekadës, modeli pati përhapje në shtete me modele dhe nivele ekonomike të ndryshme në çdo kontinent.
Nëse duhet parë pse ky model ndryshimi është bërë i vlefshëm për shumë qeveri duhet, që të shikojmë trajektoren dhe gjurmët e tij.
Vendosja e prioritetit në qendër të direktivës qeverisëse (sipas segmenteve të administrimit) me afate të paracaktuara, (a) përcaktimi i rolit të secilit pjesëmarrës në zhvillimin e prioritetit, (b) personalizimi i buxhetit për prioritetin mbi realitetin dhe objektivat, (c) monitorimi i ecurisë së prioritetit, (d) zhvillimi i dialogimit midis palëve pjesëmarrëse në prioritet, si dhe (e) analiza e rezultatit dhe promovimi i atyre që kanë spikatur, mbyll një proces dhe i hap rrugën një të riu. Përvoja dhe rezultati shpërndahen, si qasje që duhet të bëhen standardet e reja të administrimit publik.
Njësitë e kësaj natyre, në mbarë botën kanë qenë lajmëtaret e ndryshimit dhe përçueset e kultivimit të një shërbimi, që bazohet mbi mentalitetin dhe filozofinë e re të qeveribërjes. Suksesi ka qenë i lidhur me kufizimin në pak prioritete, fillimisht ato më të nevojshmet dhe që janë baza për vazhdimësinë e prioriteteve të tjera.
Këto njësi, ashtu si ekipet në ndihmë të situatave për zgjidhje, natyrisht që nuk janë një “administratë” e përhershme. Ato lindin nga nevoja dhe kërkesa për ndryshim dhe largohen kur është arritur të përmbushet misioni i tyre. Por, derisa të vijë koha e diskutimit për këtë të fundit, për shumë nga bashkëkohësit e mi do të jetë një lajm që nuk u intereson më.
Pse?
Provoni ta gjeni.