Një alternativë ndryshe për borxhin e brëndshëm
Nga Ardian Haçkaj, Drejtor ShtetiWeb, 8 tetor 2013
Në mbledhjen e fundit me përfaqsuesit e biznesit, Kryeministri Rama i siguroi sipermarrësit prezentë që shteti do tu kthejë borxhin për punët e papaguara dhe për TVSH e pa-kthyer. Totali i këtij borxhi vërtitet tek 550 mln EUR. Ministri Cani ndërkohë informoi pjesmarresit mbi synimin e Qeverisë për të shlyer këtë borxh nëpërmjet një kredie të akorduar nga FMI. Ndërsa mbështesim zgjedhjen strategjike të Qeverise së re për t’i dhënë përparësi strategjike zhbllokimit të situatës në sektorin privat, dëshërojme të propozojmë një skenar alternativ për shlyerjen e këtij borxhi. Në qasjen tonë, për sa kohë që Shqipëria mundet, FMI duhet të ngelet thjesht një organizëm ndërkombëtar që i ofron shërbimet – kredi dhe këshillim – një vendi sovran me një politikë monetare të pavarur sic është Shqipëria.
Punët e kryera të papaguara dhe mos-rembursimi i TVSH kanë hapur një gropë prej EUR 550 mln në financat e kompanive shqiptare. Këtu mund të shtojme dhe nje shume tjetër ekuivalente me të parën që i korrespondon punëve publike të kryera të padeklaruara nga kompanite private, për të mos paguar TVSH. Ky përkeqësim i gjendjes financiare të kompanive ka sjellë bllokimin e pagesave për punëtoret, për nën-kontraktorët, të kredive bankare, si dhe ndaj vetë shtetit nëpërmjet mos-pagesës së taksave nga këto kompani. Rezultati direkt është rritja e numrit të kredive të këqija pranë bankave komerciale dhe rritja e borxhit të ketyre ndërmarrjeve kundrejt shtetit. Praktikisht arteret e qarkullimit monetar të ekonomisë shqiptare janë bllokuar : shteti nuk paguan, ndërmarrjet nuk kthejnë kreditë, bankat nuk japin kredi të reja, rritja ekonomike është në minimum, te hyrat fiskale jane shumë të ulëta.
Përsa i përket qytetarit të thjeshtë, edhe pse nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë shkencor, pranohet si e mirëqenë rritja shqetësuese e numrit të njerëzve që marrin ushqime me lista. Ky fakt ka prekur ndjeshëm xhiron e shitoreve, si dhe ka ulur konsumin e mallrave bazë të shportës së konsumatorit pasi shitësit refuzojnë gjithnjë e më shpesh të shesin veresije. Zinxhiri i borxheve të papaguara po pengon si qarkullimin monetar ashtu dhe zhvillimin e flukseve tregetare.
Para dy muajve prezantuam tek Shtetiëeb.org nje listë prej pesë skenarësh për të ulur borxhin publik. Vendimet e para të Qeverisë Rama na shtynë të shtojmë dhe dy mundësi të tjera : rritjen e efikasitet të administrates në mbledhjen e të hyrave (kontrqktimi i Crown Agents, Deloitte & Touch, emërimi i drejtueseve të reja, etj) dhe anulimin e disa koncesioneve gjë që rrit stokun e aseteve publike dhe eventualisht dhe të hyrat e pritëshme. Sidoqoftë, armiku më i madh në trajtimin e borxhit është koha – të gjitha masat e sipërcituara kërkojne kohë për të dhënë efektet e tyre. Kredia e re nga FMI e përmendur nga Ministri Cani, përvec rritjes së stokut të borxhit publik në EUR, do te vije e kushtëzuar me masa shumë rigoroze, do të kërkojë relativisht mjaft kohë për tu ndjerë tek sipërmarrja shqiptare dhe me siguri nuk do të mund të përdoret e tëra për te shlyer borxhin publik ndaj tyre.
Një kredi me 0% interes për 99 vjet
Për të eliminuar borxhin publik ndaj kompanive vendore ne propozojme marrjen borxh nga Qeveria të ekuivalentit në leke të 550 milione eurove, nga Banka e Shqiperise. Monetizimi i borxhit public është aseti i vetëm që ka Shqipëria sot, e që jep frute të menjëhershme.
Më poshtë do shpjegojmë procesin e “sterilizimit të nje pjese të borxhit të brendshëm”, një proces kompleks por i menaxhueshëm:
- Parlamenti autorizon (me 84+ vota) Bankën e Shqipërise të modifikojë statutin e saj dhe përvec kontrollit të shkallës së inflacionit, të kontribuojë dhe në rritjen ekonomike dhe të punësimit. Në këtë rast, Bankës së Shqipërise do ti jepej mundësia të luante me të njëjtat rregulla loje si Federal Reserve, Banka e Japonise, Banka e Anglise, etj. Duhet theksuar se “lehtesimi monetar” eshte bere politika ne mode e Bankave Qendrore te vendeve te zhvilluara. Dhe Banka Qendrore Evropiane qe e ka rreptesisht te ndaluar një praktikë të tillë, kontribuon në rritjen e masës së eurove në qarkullim nëpërmjet skemës LTRO dhe pranimit si kolateral nga Bankat Qendrore te Evropes se Jugut të aseteve me cilësi të “dyshimtë”;
- Banka e Shqipërisë i jep borxh Ministrit Cani ekuivalentin në lekë të 550 mln euro në bono thesari, që menjëherë i konverton në një hua me 0% interes për 99 vjet. Në kontabilitetin e Bankës borxhi i dhënë qeverisë do të figuronte në kolonën e aseteve, shumë që do të ekuilibrohej me një shifër ekuivalente në kolonën e pasivit dhe që do t’i korrespondonte 77 miliard lekëve të shtuara në masën monetare në Shqiperi;
- Tani Qeveria mund të paguaje punët e kryera të papaguara, TVSH, borxhet e entiteteve publike, etj. Ne kete proces merret i mirëqenë fakti që të gjitha pagesat do të bëhen pas një verifikimi rigoroz nga ana e Qeverisë;
- Ndërmarrjet private dhe publike: a) mbyllin gropën e borxhit dhe riparojnë bilancet e tyre, b) paguajnë furnitorët dhe punonjësit; c) paguajnë kreditë, d) paguajnë taksat dhe sigurimet e prapambetura.
- Bankat ulin numrin e kredive të këqia (që ka arritur në 24,5% !), shteti rrit të ardhurat nëpërmjet vjeljes së taksave, etj;
- Injektohen direkt në ekonominë shqiptare 77 miliard lekë pa kosto (pasi shkalla e interesit të kredisë nga BSH është 0%), dhe rritet në mënyrë të menjëherëshme masa monetare në qarkullim përmes pagesave të furnizuesve dhe të puntoreve duke zhbllokuar kanalet e transmetimit monetar ;
- Qytetarët marrin një pjesë të rrogave të prapambetura dhe paguajnë, qoftë dhe pjesërisht, borxhet që kanë ;
- Profili i borxhit publik nuk përkeqësohet pasi një borxh pa interes që kthehet pas 99 viteve, praktikisht nuk egziston.
Mbajtja nën kontroll e inflacionit
Shtimi i sasise të lekëve në treg do të zhvleftësojë lekun në raport me devizat, dhe si pasojë do të shkaktonte rritje cmimesh kryesisht nëpërmjet importit. Pasojat do të ndiheshin nga buxhetorët dhe shtresat e varfra të popullates nëpërmjet shtrenjtimit të artikujve të jetës së përditshme.
Dy faktore strukturore të ekonomisë shqiptare zvogëlojne efektet mbi inflacionin të shtimit të masës monetare. Së pari, shkalla e inflacionit vit-më-vit në shtator 2013 ishte vetëm 1.7%, dhe kjo në një kohë kur BSH ka ulur në minimumin historik shkallën bazë të interesit. Dmth ka vend për nje inflacion më të lartë dhe / ose shkallë interesi më të lartë. Se dyti inflacioni varet jo vetëm nga masa monetare por dhe nga shpejtësia me të cilen kjo masë qarkullon. Në Shqipëri sot kjo shpejtësi është shumë e ulët dhe ky fakt perkthehet në impact të ulët tek ritmet e inflacionit. Praktikisht kanalet e kredisë shqiptare sot janë të ngrira dhe me gjithë likuiditetin e madh në dispozicion të bankave, ritmi i kredidhënies nuk po kontribuon në rritjen e aktivitetit ekonomik.
Per të zbutur impaktin e rritjes së cmimeve tek shtresat e pambrojtura dhe për të sulmuar spekullimet, për një periudhë tre – gjashtë mujore Qeveria mund të bllokojë cmimet e shportes bazë të konsumit. Kjo masë mund të zbatohet nëpërmjet legjislacionit përkates, ose – sugjerimi yne – nëpërmjet marrëveshjeve me kompanitë distributor, importuese të mallrave të konsumit të përditshëm. Këto kompani do të njoftoheshin më parë, si dhe eventualisht mund të ndihmoheshin me likuiditete, për të rritur në maksimum stoqet me artikuj të shportës përpara fillimit të procesit të sterilizimit të borxhit. Kushti i vetëm do të ishte mbajtja konstante e cmimeve të shumicës për mallrat tashmë të importuara.
Masa tjeter e rradhes do te ishte fiksimi i kursi të këmbimit të lekut me devizat në një shkallë këmbimi të vlërësuar si të qëndrueshme, normalisht në një kuotë të zhvleftësuar të lekut (si psh 1 EUR = 160 ALL). Per fiksimin e këtij caku, analizat e Bankës së Shqipërisë do të ishin të domosdoshme.
Po ashtu për të zbutur efektin e rritjes së masës monetare në parametrat makrokonomikë të vendit, këto veprime duhet të bëhen në periudhën Korrik – Gusht, kur prodhimi vendor i produkteve bazë është në maksimum. Kjo do të ulte nevojën për importe dhe do të ndikonte në uljen e përcimit të ngritjes respektive të cmimeve. Në këtë kohë ndodh gjithashtu dhe hyrja më e madhe e devizës në vend nëpërmjet turizmit, zhvillim që kompenson rënien e pritëshme të lekut.
Nuk duhen harruar dhe efektet pozitive mbi eksportet shqiptare të zhvleftësimit të lekut. Ky zhvillim nqs shoqërohet me një kurs këmbimi të stabilizuar do t’i bëjë produktet shqiptare më kompetitivë duke stimuluar prodhimin vendor.
Rëndësi të vecantë ka dhe përshtatja e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2014 – 2020, dhe koordinimi me donatorët. Vetëm BE do t’i japë Shqiperise për 7 vjetët e ardhshëm një total prej 650 milion eur. Për te zbutur efektet inflacioniste te sterilizimit, Qeveria duhet të merret vesh me donatorët që të përshpejtohen ritmet e disbursimeve të ndihmave dhe kredive, si dhe eventualisht të ri-vlerësohet impakti i tyre. Praktikisht kjo do të thotë që në dy vitet e para 2014 – 2015, të shpenzohet shumica e fondeve të parapara për përiudhën 7 vjecare 2014 – 2020. Po ashtu duhet të orientohen ndihmat nga asistenca teknike (e cila, per të cituar këshillat e Tony Blair, eshte teorike dhe shpesh e pa-zbatueshme në terren), dhe nga harmonizimi i legjislacionit (që në shumicën e rasteve nuk zbatohet), në vepra infrastrukture, në strategji sektoriale të kompletuara, dhe në mbështetje sociale për grupet me të prekura.
Cdo vit ndihma e huaj – kredi te buta dhe ndihma – sillet rreth EUR 400 milion. Shpenzimi i kësaj shume në projekte me impakt maksimal në ekonomine e vendit dhe në ruajtjen e paqes sociale, nëpërmjet një preference të shprehur për kompanitë vendore (nqs do të merrej dhe mirëkuptimi i partnerëve të huaj për një periudhë tranzitore) do të zbuste sadopak goditjen e pritur nga shtimi i masës monetare në qarkullim.
Strategjia e sterilizimit të borxhit të brendshëm ka kusht suksesi bindjen e publikut në profesionalizmin e Qeverisë dhe në faktin që “sterilizimi” është nje masë e jashtëzakonshme që do të ndërmeret vetëm një herë të vetme. Është shumë e rëndësishme dhe elementi “surprizë” në mënyrë që aktorët ekonomike të mos kenë mundësi ti paraprijnë nëpërmjet ngritjes paraprake të cmimeve.
Në rastin tonë, avantazhi i Qeverisë është fakti që duke mos marre hua tek FMI, ajo ruan sovranitetin në menaxhimin e financave të vendit. Kjo pavarësi është e domosdoshme në raste reformash strukturore të këtilla (mjafton të shikojme fqinjin grek dhe raportet e qeverisë greke me popullin e thjeshte, si dhe të FMI me qeverinë dhe me grekët).
Në përfundim, ne do të sugjeronim t’i merrej borxh Bankës së Shqipërisë ekuivalenti i borxhit të Qeverisë ndaj biznesit privat, për 99 vjet me 0% interes. Shkopi magjik nuk egziston në ekonomi, por ky skenar i lejon Qeverise të ruaje sovranitetin mbi politikat publike në Shqipëri (ri-kujtojmë rastin grek), eliminon koston e pagesës së interesave, si dhe praktikisht nuk paguan as principalin. Kushti tjetër është planifikimi shumë i kujdesshëm nga administrata, koordinimi i përsosur me Bankën e Shqipërisë, dhe mbështetja politike nga Parlamenti. Qëllimi i Shtetiweb është të pasurojë debatin publik përtej zgjidhjes më të “thjeshtë” dhe evidente në dukje: marrjes borxh të ri për të paguar borxhin e vjetër.