Kalo: Reforma në drejtësi, gota gjysmë e zbrazur
Intervistë me Av. Përparim Kalo, botuar në Java, 7 tetor 2013
Sistemi ynë do prodhojë pasiguri përsa kohë do të mungojë dëshira e aktorëve për emancipim, për ndryshim si dhe vullneti politik për të ushtruar presion (jo politik, por ligjor) mbi të nga strukturat përkatëse – pa këto gota do na duket përherë gjysmë e zbrazët.
Eshtë intervista ime e tretë me ju në harkun e 6 muajve të këtij viti, avokat Kalo. Në intervistat e mëparshme diskutuam cështjet e arbitrazhit ndërsa këtë herë do desha tju marr mendime për një cështje më të gjerë – atë të reformës në drejtësi që mbetet kusht vendimtar për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit Europian të Shqipërisë
Ju falënderoj që merrni mendimin tim, edhe pse nuk jam ekspert politikash, pasi reformat kanë natyrë politike. Përkufizimi i reformës gjyqësore në Wikipedia është: “Reforma e gjyqësorit është reformë e plotë ose e pjeshme e reformës politike të një vendi”. Më tej, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Federatës Ruse, Valery Zorkin, në artikullin e tij, “Dymbëdhjetë Teoritë mbi Reformën Ligjore në Rusi”, botuar për herë të parë në revistën Ruse «Legjislacioni dhe Ekonomia», Nr. 2, 2004 shprehet si më poshtë për raportin midis reformës ligjore dhe asaj gjyqësore: “Reforma e plotë ligjore si rregull, duhet të përfshijë jo vetëm reformën gjyqësore, por edhe reformimin e aspekteve të ndryshme strukturore dhe përmbajtjen së legjislacionit, edukimin me ligjin, ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e ligjit, dhe ndërgjegjësimin mbi shoqëritë tregtare të gjithë komunitetit ligjor. Reforma gjyqësore zakonisht synon të përmirësojë gjykatat, rregullat në lidhje me përfaqësimin, avokatinë, hetimet gjyqësore, procedurat përmbaruese, dhe mbajtjen e evidencave”.
Pra, fjala Reformë është fjalë e madhe. Në rastin tonë, përdorimi inflacionist i kësaj fjale ka patur qëllime elektorale, pasi masat për të cilat flitet se do të merren janë fare të zakonshme e nuk ka pse përkufizohen nën emrin e bukur “reformë” Gjithsesi, meqenëse më kërkohet të shprehem për cështjen e reformës në drejtësi, e cila po shtrohet vazhdimisht si retorikë nga shoqëria civile, tatim e taksapaguesit, bashkësia ndërkombëtare etj. do të përpiqem të jap ndonjë mendim. Në veprimtari të ndryshme ku kam patur rastin të marr pjesë, në një mënyrë a tjetër, është folur për shkaqet e mosreformimit ose ecurisë me hapa të ngadaltë në reformimin e sistemit të drejtësisë. Eshtë thënë edhe se sistemi i drejtësisë vuan nga plagë që majisen dita-ditës, duke u bërë kronike. Jam i një mendjeje me ju se shërimi i këtyre plagëve ka qenë e mbetet kusht thelbësor në proceset tona integruese Euroatlantike, madje aq thelbësor sa duket sikur prej tij varet vetë fati i pasaportës sonë të ardhshme Europiane.
Edhe nga këndvështrimi i biznesit mund të konfirmoj se siguria ligjore – që pikërisht prodhohet nga sistemi i drejtësisë – është faktor me ndikim përcaktues në vendimin e investitorëve ose të sipërmarrësve për tu futur ose jo në tregun shqiptar dhe, kur janë futur, për të qendruar apo dalë para afatit të planit të biznesit. Zyra e avokatisë që drejtoj prej 20 vjetësh ka patur rastin tu japë këshilla të specializuara në fushën e investimeve në tërësi dhe të së drejtës tregtare në vecanti, shumë shoqërive shumëkombëshe ose të huaja. Ndër pyetjet e para që na bëhen, kur analizohet mundësia e futjes në tregun Shqiptar për të investuar ose dhënë shërbime nuk është sa shpejt apo me cfarë kostoje mund të kryhet procedura e regjistrimit të tyre për të kryer biznes këtu, por kryesisht e në radhë të parë cfarë sigurie ofrojnë sistemi ligjor e gjyqësor. Me fjalë të tjera siguria juridike, që prodhohet nga gjyqësori, duke mbrojtur interest e palës së cenuar nga një pale tjetër, që mund të jetë privat, ose vetë shteti.
Cilat janë konkretisht sëmundjet të cilave u referoheni, nga të cilat vuan sistemi dhe si mund të shërohen ato
Termat që përdorët si sëmundje, vuajtje, dhe shërim cuditërisht i shkojnë për bukuri sistemit tonë të drejtësisë. Kur bisedoj me ungjin tim, Prof. Isuf Kalo, të cilin e keni intervistuar (ndër njerëzit që ka ndikuar ndjeshëm në formimin tim, me shembullin e tij si profesionist i përkushtuar për 50 vjet dhe vitet e fundit i përfshirë në formimin e shërbimit shëndetësor) konstatoj se fusha e shërbimit shëndetësor ngjan si pikat e ujit me atë të shërbimit ligjor, ku përfshihet edhe shërbimi gjyqësor, bashkë me atë përmbarimor
Sigurisht unë mund të jap vetëm ndonjë mendim modest si dëshmitar i ndryshimeve që pësoi ky sistem, pasi isha punonjës në Ministrinë e Drejtësisë në saporikthimin e kësaj të fundit në vitin 1990, e më pas, si avokat në profesion të lirë nga viti 1994 – që shpresoj ta vazhdoj edhe 20 vjet të tjerë, me dashuri e pasion.
Sipas meje, cështja e reformimit të sistemit të drejtësisë ngjan me pataten e nxhetë që askush nuk e prek, sepse që nga viti 1990 e deri sot nevoja për reformim është trajtuar si domosdoshmëri pothuajse gjithmonë nga faktori i huaj. Ajo shumë pak është ngacmuar nga vetë ne, nga brenda. Madje edhe në fushatat zgjedhore është një temë që nuk zë vend qendror në programet e partive apo grupimeve politike që konkurrojnë. Kanë qenë dhe janë organizatat ndërkombëtare si BANKA BOTERORE, EU, si dhe agjencitë e ndryshme të ndihmës teknike e financiare si ABA/CEELI, DFID, LAW SOCIETY OF ENGLAND & WALES, GIZ, DANIDA, CIDA, SIDA, etj. që kanë folur, kanë financuar e vazhdojnë të financojnë projekte për diagnostikimin e sëmundjeve dhe formulimin e rekomandimeve që ndihmojnë të kuptojmë ku jemi e cfarë duhet të bëjmë. Kam përshtypjen se po të na lihej vetëm ne, kjo cështje do ishte braktisur dhe do ishte lënë në sirtar me kohë. Shumëkush mund të pyesë: “cfarë pengon që të bëhet reforma ?. Përgjigja ime do të ishte e thjeshtë: reforma bëhet nga njerëz të emancipuar, me tipare idealiste dhe kërkon vullnet politik të palëkundur e guxim. Reformatorët në botë lënë gjurmë, pasi reformat përkatëse mbajnë emrin e tyre, ndërkohë që tek ne reformat janë prerogativë, “pronë” e udhëheqësve politikë. Kujtoj emrat e Lordit Wolf, që mbetet ideator i reformës për rritjen e aksesit në drejtësi, duke fuqizuar dhënien e shërbimit ligjor falas në Britaninë e Madhe, ose reformatorët Sarbanes-Oxley që i vunë emrin reformës në përmirësimin e qeverisjes së shoqërive tregtare, duke marrë shkas nga shembja sa tronditëse aq edhe spektakolare e gjigantit energjitik Enron në vitin 2002, etj.
Si hapa reformuese në fushën e drejtësisë, me rëndësi, tek ne mund të shënohen hartimi i legjislacionit në shumë fusha në kuadrin e Acquis, krijimi i Shkollës së Magjistraturës, futja e ndërmjetësimit dhe e arbitrazhit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës tregtare, krijimi i shërbimit të përmbarimit privat, krijimi i statusit të administratorit të falimentimit, krijimi i gjykatave të specializuara, duke përfshirë Gjykatën Administrative, etj. Gjithsesi, krijimi i institucioneve nuk mjafton për të zgjidhur “hallin”. Për shembull, krijimi i Shkollës e Magjistraturës nuk mundi ta shëronte si me shkop magjik mplakjen e gjykatave, nëpërmjet “freskimit” të tyre me gjyqtarë të rinj, me formim bashkëkohor, që do të zëvendësonin gradualisht brezin e gjyqtarëve të mbetur aty nga sistemi mbeti pas, duke i parë ata si e keqe e madhe. Këtë e them se mjaft gjyqtarë të rinj, të diplomuar prej saj, janë po aq zhgënjyes duke shfaqur mungesë rezistence ndaj sëmundjes joshëse që prodhon vetë sistemi. Një pjesë e të diplomuarve nga ajo shkollë kemi rastin ta “testojmë” nga praktikat tona si përfaqësues të palëve në procesin gjyqësor. Me keqardhje mund të them se një pjesë e mirë e këtij kontigjenti që shpresohej se do sillte ndryshimet e pritura, që në vitet e para të karrierës së tyre krijuan perceptimin se zgjodhën të përdorin karrigen e shtetit për tu pasuruar – dhe financuesit e asaj karrigeje, pra tatim e taksa paguesit, enden nëpër gjykata duke kërkuar drejtësi, si viktima të padrejtësisë
Mendoj se gjyqësori vuan nga sëmundje që kërkojnë kohë relativisht të gjatë për tu trajtuar e shëruar duke e bërë reformën një mision të vështirë. Më konkretisht, në Raportin e Progresit të BE, theksohet se gjyqësori Shqiptar ende vuan nga: (1) varësia ndaj politikës, që vjen nga mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë e Gjykatën Kushtetuese; (2) mungesa e përgjegjshmërisë dhe (3) eficenca. Nga ana tjetër, shohim se ai vuan edhe nga sëmundje të lehta, të cilat janë të shërueshme shpejt e pa dhimbje, në kuptimin e kostos financiare.
Dokumenti i strategjisë (që nuk është miratuar ende), përgatitur nga ekspertë të huaj në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, jep udhëzime për orientimin e sistemit gjyqësor drejt praktikave më të mira europiane. Në atë dokument flitet për problemet që e bëjnë gjyqësorin tonë të renditet shumë poshtë në raporte të ndërkombëtarëve, pra si sistem që vuan nga korrupsioni, mungesa e profesionalizmit, varësia ndaj politikës, paprekshmëria e gjyqtarëve, mungesa e formalitetit dhe solemnitetit që karakterizon gjykatat në mbarë botën (e thënë ndryshe mungesa e respektit për rrobën e zezë e cekanin e drunjtë), deri tek mungesa e objektivitetit dhe e transparencës në ndarjen e cështjeve
Meqënëse tematika është shumë e gjerë, mendoj se ja vlen të komentoj vetëm disa prej problemeve që mund të përfshiheshin si objektiva në përmirësimin e sistemit pa qenë nevoja e maxhorancave super absolute parlamentare, dhe konkretisht: 1) Miratimi i ligjeve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e sistemit, 2) Objektiviteti dhe transparenca në ndarjen e cështjeve; 3) rritja e profesionalizmit dhe e performancës së gjykatave dhe 4) fuqizimi i rolit të avokatisë si aktor i rëndësishëm në mirëfunksionimin e sistemit.
Së pari, kuadri ligjor që nevojitet për sistemin e drejtësisë është ende i paplotësuar dhe kjo është një ndër mungesat e pasqyruara në Raportin e Progresit të BE, që konfirmohet edhe nga dokumenti i strategjisë së reformës në drejtësi. Reforma mund të bëhet po qe se ndiqen e përmbushen rekomandimet përkatëse për hartimin e ligjeve që krijojnë premisën bazë për ecurinë e reformës. Kjo mbetet detyrë e shumicës së re parlamentare e cila I ka të gjitha votat e nevoshme, në qoftëse nuk do ti mungojë vullneti politik
Së dyti, objektiviteti në ndarjen me short të cështjeve
mund duket i një rëndësie dytësore, por në fakt është si fillimi i ditës (me diell apo jo) Prej saj ka ardhur në një masë të madhe lëkundja dhe humbja e besimit tek sistemi i drejtësisë, pasi shkelja e kësaj praktike, ndërkohë që reklamohet si e pakomprometueshme, në dukje të parëndësishme, bart pikërisht pasiguri dhe ankth, pasi njëra palë e ndjen që pala tjetër ka ndikim mbi procesin ngaqë e ka zgjedhur “me shortin e vet” gjyqtarin që gjykon cështjen. Edhe kjo mungesë e pasqyruar në Raportin e Progresit të BE mund të shëndoshet duke e bërë shortin, jo të mistershëm, por sa më transparent, si Bingo-ja e Ardit Gjebresë.
Së treti, rritja e profesionalizmit të gjykatave është e lidhur ngushtë me formimin bazë, arritjet akademike, përfshirë kualifikimin pasuniversitar, por në radhë të parë varet shumë nga mënyra sesi bëhet emërimi fillestar i gjyqtarëve e më pas promovimi i tyre në shkallët e karrierës. Mënyra sesi emërohen disa gjyqtarë të përfolur për integritetin e tyre, ka futur pasigurinë dhe padrejtësinë në radhët e vetë gjyqtarëve që detyrohen tu nënshtrohen praktikave të diferencimit që mund të jetë edhe për shkak të “lidhjeve të shkurtra” të gjyqtarëve të emëruar në këtë mënyrë me emëruesit e tyre, ndërsa në marrëdhëniet e sistemit me konsumatorët e tij, dmth me “hallexhinjtë”, shfaqet në sfond kompleksi i pushtetit të pakufizuar të gjyqtarit. Ky kompleks i pushtetit të pakufizuar vjen edhe nga veshja me imunitet si rezultat i mbivlerësimit që i bëhet tek ne parimit të bindjes së brendshme. Një gjykatës nuk ka “frikë” se mund ti hiqet e drejta e profesionit; ai e di që nuk ka burrë mbi dhe’ që mund ta ndëshkojë po qe se analizohet veprimtaria vendimore dhe nga ajo analizë mund të dalë se ka marrë vendime të kundërligjshme. Kjo vjen sepse mungojnë kompetencat e dy mekanizmave të kontrollit: njëri – Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë – nuk mundet të analizojë procesin e vendimmarrjen së gjyqtarëve pikërisht nga interpretimi i ngushtë i parimit të gjykimit mbi bazën e bindjes së brendshme; kurse tjetri, Inspektoriati pranë Ministrisë së Drejtësisë mekanizma. Një mekanizëm i tretë është vetë sistemi gjyqësor i shkallëzuar, ku gjykatë e një shkalle më të lartë kontrollon gjykatën e shkallës më poshtë, kur shqyrton ankimet për vendimet e tyre përkatëse. Nuk kemi dëgjuar asnjëherë që një gjyqtar i Apelit të ketë ngritur zërin për vendime të shkruara keq apo të arsyetuara në kundërshtim me ligjin. Unë vetë kam mbetur pa gojë kur një gjyqtar shpalli vendimin prej 9 faqesh pas një ore të mbylljes së gjykimit, (gjykim që zgjati rreth një orë) Po kështu, habitemi kur gjykatat anashkalojnë detyrimin e gjykimit brenda afatit 30 ditor apo dalin mbi vullnetin e palëve, duke i detyruar ato të paraqiten në gjykatë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkohë që kanë rënë dakord ti zgjidhin në forume të tjera, jashtëgjyqësore.
Së katërti, sot flitet përherë më tepër për rolin e shumë aktorëve që kanë ndikim në reformimin e gjyqësorit, dhe ndër ta vecohen avokatët. Bota sot po ecën në rrugë të pamenduara të pashkelura më parë në të gjitha fushat. Rritja e aksesit në komunikimin masiv virtual, rritja e volumit të informacionit në domaine publike në internet, lidhja e marrëveshje të panumërta, konvencionale e të sofistikuara, rajonale, ndërkombëtare, bilaterale etj. me natyrë juridike kanë rritur dukshëm vëllimin e akteve dhe materialeve doktrinare që duhet të shfletojnë gjyqtarët para gjykimit të cështjeve, nga ku duhet të dalin edhe argumentet aq të nevojshme për arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Niveli i shumë vendimeve sidomos në mënyrën e arsyetimit të tyre dëshmon se hartuesit e tyre nuk e ndjekin dot ritmin e ecurisë së procesit të informacionit. Ndërkohë që avokatët, si përfaqësues të palëve “ndërluftuese” në proces, si pjesë e armatës profesionale, bëjnë përpjekje për tu rritur profesionalisht me shpejtësi, për të ndikuar në përmirësimin e gjykimit. Megjithatë, edhe mes nesh, vërehet me keqardhje se një pjesë e mirë, pajtohen me praktikat e “lyerjes me graso të rrotave” të sistemit, duke fuqizuar ata që kanë në dorë fatin e palëve. Besoj se edhe ju zoti Minxhozi jeni në mendje me mua, se ndikimi profesional dhe sidomos etik i avokatëve në procesin e reformimit të sistemit nuk është mision i pamundur.
Për ta mbyllur, mendoj se sistemi ynë do prodhojë pasiguri përsa kohë do të mungojë dëshira e aktorëve për emancipim, për ndryshim si dhe vullneti politik për të ushtruar presion (jo politik, por ligjor) mbi të nga strukturat përkatëse – pa këto gota do na duket përherë gjysmë e zbrazët.