Lufta mes institucioneve? Na bën mirë për demokracinë shqiptare..
Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 5 tetor 2013
Që nga koha kur njeriu u shkëput nga bota shtazore dhe për një arsye apo tjetrën vendosi të jetojë në shoqëri, ka qenë idetyruar të veprojë në bazë të disa rregullave që përcaktojnë mënyrën e bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit të tij me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë. Ky proces rregullator që Jean-Jacque Rousseau e quan ‘kontratë sociale’ ishte i nevojshëm për të tejkaluar atë periudhë prot-shoqërore dhe anarkie ku jeta njerëzore sipas Thomas Hobbes-it ishte ‘e shëmtuar, brutale dhe e shkurtër’.
Në këtë kontekst, politika ofron arenën dhe rregullat e shpalosjes së llojeve të ndryshme të bashkëveprimit njerëzor si konkurrenca, bashkëpunimi, shkëmbimi, shtrëngimi apo konflikti. Dhe natyrisht, në një demokraci liberale, politika nuk është arenë “lufte”, ku palët kërkojnë të eliminojnë fizikisht njëra-tjetrën, por ata garojnë për të fituar (ose humbur) nga pikëpamja sociale. Këtu, zgjidhja e konflikteve bëhet sipas standardeve demokratike, brenda institucioneve demokratike.
“Po të ishim të gjithë engjëj, nuk do të kishim nevojë për qeveri”, -thotë James Madison, një prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përpilues i kushtetutës amerikane. Një reflektim i tillë nënvizon rolin rregullator të qeverisë, nevojën e baraspeshimit të interesave personale të individëve në shoqëri, dhe vendosjen e mekanizmave për kontrollin e veprimtarisë qeverisëse. Këtu Madison shton: “Nëse në qeveri do të ishin engjëjt, atëherë nuk do të kishte nevojë për kontrolle të brendshme dhe të jashtme të saj. (Por) në krijimin një qeverie njerëzore për të administruar njerëzit vështirësia më e madhe qëndron në dy aspekte: së pari, qeveria duhet të ketë kompetenca të vendosë kontroll mbi individët që qeveris; dhe së dyti, ajo duhet të detyrohet të kontrollojë vetveten”.
Në rastin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Lindore, ndarja e pushteteve ishte reagim i kuptueshëm ndaj së kaluarës komuniste, e cila nga pikëpamja qeverisëse, ishte po aq absolutiste sa dhe monarkitë e të tre shekujve më parë. Por, ndarja e pushteteve nënkupton edhe konflikte interesi mes tyre, sepse institucionet shtetërore kanë interesa konkurruese dhe janë në përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur kompetencat e tyre. Në një demokraci liberale, këto konflikte në vetvete nuk janë të dëmshme për institucionet; madje ato janë pjesë integrale e funksionimit të shtetit. Në këtë kuptim, konfliktet mes institucioneve, të ngritura për aplikimin e këtyre pushteteve, janë në konflikt të vazhdueshëm interesi mes tyre dhe kryejnë një baraspeshim të këtyre pushteteve. Ky ekuilibër vendoset nëpërmjet një sistemi kontroll-balancë (checks and balances), që shërben si urë ndërlidhëse mes pushteteve. Një funksion i tillë, për shembull, kryhet nga komisionet parlamentare, që kanë detyrë kontrollin e politikave qeveritare.
Problemet shkaktohen kur konfliktet ndërinstitucionale janë aq të thella, saqë ata atrofizojnë funksionimin e vetë institucioneve, siç ka qenë rasti në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit dhe kryesisht në tri vitet e fundit. Por, thjesht ekzistenca e konflikteve ndërinstitucionale nuk është vetëm një fenomen i demokracisë shqiptare. Megjithatë, në kontekstin shqiptar këto konflikte dallohen për nga ashpërsia, agresiviteti dhe tendenca e theksuar vetëshkatërruese. Të tilla konflikte ndërinstitucionale nuk ekzistonin në monizëm, sepse shteti ishte në funksion të ideologjisë sunduese dhe nuk ekzistonte ndarje pushtetesh. Atëherë, mund të argumentohet se ato duhet të jenë veçori e demokracisë. Por, me të drejtë mund të pyesim, pse konflikte të tilla janë kaq shkatërruese në Shqipëri, në krahasim madje edhe me vendet e tjera të rajonit e jo me ato perëndimore? Arsyeja duhet kërkuar mesa duket në mënyrën sesi arrihet dhe si perceptohet legjitimiteti institucional në vend. Legjitimiteti, krahas zgjedhjeve të lira, përbën një prej dy koncepteve themelore të teorisë së demokracisë, por njëkohësisht tregon qëndrueshmëri dhe konsolidim të vetë sistemit demokratik.
Vetëm ndarja e pushteteve nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar faktorët e ruajtjes së konceptit të lirisë dhe demokracisë. Po aq e rëndësishme është edhe mënyra e arritjes dhe ruajtjes se legjitimitetit politik. Është legjitimiteti, sipas Max Ëeber-it, që konverton pushtetin në autoritet.. Në këtë kontekst është argumentuar se koncepti i ndarjes së pushteteve, sipas Montesquieu, nuk është i përshtatshëm për të gjitha sistemet demokratike dhe veçanërisht për republikat parlamentare, ku përfshihen vendet ish- komuniste. Kjo për shkak se në Britaninë e shek. të 18-të, që u përdor nga Montesquieu si model për të shpjeguar doktrinën e tij, të tria pushtetet e vendit kishin burime të ndryshme legjitimiteti. Pushteti ekzekutiv e fitonte legjitimitetin nga dinastia mbretërore, ai legjislativ nga populli nëpërmjet zgjedhjeve, ndërsa karriera e gjykatësve varej nga Dhoma e Lordëve dhe e sistemit juridik.
Ndërkohë, në republikat parlamentare, ku përfshihet dhe Shqipëria, nuk ekziston asnjë prej kushteve politiko-sociale të mësipërme. Legjitimiteti i pushtetit bazohet në sovranitetin e popullit i shprehur si vullnet i përgjithshëm që merr shprehjen e tij politike në zgjedhjen e përfaqësuesve politik, nëpërmjet sistemit zgjedhor.
E meta kryesore e këtij sistemi, sidomos në demokracitë e reja, siç është Shqipëria, është se duke u bazuar në një legjitimitet të vetëm, atë popullor, ai mund dhe shpesh prodhon atë që John Stuart Mill e quan ‘tirani të shumicës’[i], e cila anashkalon interesat e pakicës, me argumentin se vepron në bazë të legjitimitetit të fituar nga vullneti i përgjithshëm i sovranitetit popullor. Qeverisja e shumicës duhet të shoqërohet me mbrojtje për pakicën, që nënkupton se nuk mund të injorohen opsionet dhe vota kundër e grupeve të vogla. Pakica ka të drejtë për të promovuar në mënyrë paqësore, brenda dhe jashtë sallës së parlamentit, opsionet përkatëse, me qëllim që të fitojë më shumë përkrahje për to. Në kushtet kur ky legjitimitet nuk njihet ose kur vihet në pikëpyetje vetë ligjshmëria e tij, atëherë sistemi i mësipërm politik prodhon konflikte të ashpra mes forcave politike, që kanë interesa kundërshtuese.
Në Shqipërinë e viteve të tranzicionit nuk është arritur ende një ndarje funksionale e pushteteve. Po ashtu, mungon edhe një sistem efikas kontroll-balancë. Vetëm kjo mungesë nuk do të sillte domosdoshmërisht konflikte të rënda politike dhe institucionale përderisa sistemi politik bazohet në legjitimitet transparent dhe të pranueshëm nga palët. Në tri vitet e fundit, ka qenë pikërisht ky legjitimitet qeverisës që është vënë në pikëpyetje nga opozita dhe për rrjedhojë janë shkaktuar edhe krizat e vazhdueshme politike. Detyra e opozitës në Shqipëri, siç thotë me të drejtë publicisti Fatos Lubonja, “nuk është të kundërshtojë, por të ofrojë paketa më të mira alternativash dhe të zhvillojë një opozitë konstruktive dhe koherente, e aftë për të konkuruar me pushtetin, pra të përmirësojë situatën, jo të zëvendësojë njerëzit”. Ky vështrim është i përafërt me atë të politologut amerikan Robert A. Dahl, i cili kur përshkruan tiparet e opozitën politike amerikane thotë: “Opozitat kanë qëllime të kufizuara që nuk sfidojnë drejtpërdrejt institucionet kryesore dhe as sistemin e vlerave mbizotëruese amerikane.
Ndërkohë, në Shqipëri mungesa e dialogut dhe e aftësisë për kompromise është pasojë, jo vetëm e kushteve socio-politike të përshkruara më lart, por edhe një atavizëm i trashëgimisë komuniste. Shumica e politikanëve shqiptarë kanë qenë të paaftë t’i përshtateshin plotësisht realitetit të ri politik. Ata kanë ndërruar fjalimet dhe shprehjet, por jo mënyrën e të vepruarit dhe të menduarit. Pra, si konkluzion, mund të themi se në Shqipëri, konfliktet ndërinstitucionale, që janë pjesë integrale e sistemit demokratik, janë më të ashpra dhe ato dobësojnë institucionet, sepse shpalosen në kushtet e sfidimit kronik të legjitimitetit politik institucional, të keqfunksionimit të ndarjes së pushteteve dhe mungesës së sistemit të kontroll-balancave. Për shumë shqiptarë, thënia e Madison-it për qeverisjen e engjëjve thjesht u kujton se ata kanë vijuar të qeveriseshin prej djajve, sa djathtas, në qendër dhe majtas, gjatë gjithë tranzicionit.