Konçesionet: Praktikë administrimi apo shpërdorim i pasurisë kombëtare?

Nga Fation Hasani, botuar në Dita, 4 tetor 2013

Sipas tendencës së viteve të fundit, Shteti Shqiptar ka praktikuar shpesh formën konçesionare  për të kaluar në administrim të sektorit privat aktivitete fitimprurëse, duke dalë si palë nga biznesi. Trendi i konçesioneve të dhëna së fundmi tregon qartë që ka pasur një nxitim në finalizimin e këtyre proçedurave, shumica e të cilave  mbeten shumë të dyshimta. Duket qartë që nuk ka pasur rëndësi cilësia por sasia tyre. Në shumë raste, si përshembull në shërbimin e  kolaudimit të automjeteve, është dhënë  konçesioni në kushtet e monopolit (e drejta e konçesionit vetëm për një shoqëri) duke bllokuar të gjitha avantazhet që  sjell  liberalizimi i këtij tregu, në dëm të konsumatorit.

Konçesioni në vetëvete është një proçedurë administrative  me të cilën shteti transferon të drejtën e administrimit të një aktiviteti tek sektori privat për një kohë zakonisht të gjatë. Pra e thënë thjeshtë, nga njëra anë  kemi shtetin që  transferon një të drejtë dhe  nga ana tjetër kemi privatin që e fiton dhe  e  ushtron  atë  kundrejt  benefitit  ekonomik.  Meqënëse  në  rastin  shqiptar,  konçesionet  janë lëshuar zakonisht në kushte monopoli, me këtë proçedurë legalizohet pozita monopoliste e konçesonarit duke i dhënë fund edhe avantazheve që prodhon konkurrenca e lirë. Nga ana tjetër kemi pozitën e qytetarit shqiptar, i cili për shërbime të caktuara të dhëna me konçesion nga shteti transformohet nga një subjekt me interesa të ligjshme kundrejt shërbimit publik në një subjekt të identifikuar  si  konsumator,  për  më  tepër  i  rënduar  nga  tarifa  më  të  larta  të  zbatuara    nga konçesionari si titullar i të drejtës eskluzive. Konçesioni si proçedurë administrative e zbatuar përgjatë viteve të fundit në Shqipëri, karakterizohet nga një trasparencë e dobët. Zakonisht kushtet dhe kriteret e përcaktuara në proçedurat e tenderit, që duhet të plotësohen nga subjektet private titullare të konçesionit,  janë të hartuara në mënyrë të tillë që të mund të favorizojnë  fare lehtë dhe në mënyrë arbitrare një subjekt në raport me tjetrin.

Menjëherë lindin disa pikëpyetje:

– A është shteti jonë në gjendje të finalizojë një procedurë konçesionare duke mbrojtur në mënyrë të drejtë interesat publike njëkohësisht duke maksimizuar të ardhurat ?

-Sa ndikon presioni i sektorit privat në hartimin e proçedurës së tenderit ku përcaktohen kushtet dhe kriteret përzgjedhëse të konçesionarit? Një marrëveshje e suksesshme midis dy palëve arrihet kur negociatat prodhojnë interesa të ekuilibruara midis palëve e jo kur një palë dominon tjetrën sikurse ndodh shpesh me konçesionarin ndaj autoritetit kontraktor.

-Cili është garanti midis autoritetit kontraktor dhe konçesionarit? Ka një institucion të pavarur nga interesat e palëve, të specializuar për monitorimin e detyrimeve që ka konçesionari ndaj autoritetit kontraktor dhe tregut ku ai operon?

Problemet janë të shumta me këtë lloj procedure administrative. Përvoja tregon që shtetet e dobëta janë shumë të rrezikuara nga praktikat konçesionare pasi në cilësinë e palës kontraktuese nuk kanë forcë për të mbrojtur interesat kombëtare përballë presionit ekonomik që vjen nga ekonomia e tregut. Një praktikë konçesionare që jepet në kushtet ku përfitimi publik (social-ekonomik) është i ulët dhe përfitimi ekonomik i konçesionarit është i lartë, prodhon efekte në dëm të shtetit dhe të shoqërisë gjatë gjithë kohës për të cilën zgjatet kontrata. Mendoni konçesionet absurde të lëshuara me afat 99 vjecar. Edhe në rast se ka vullnet politik për korrigjimin e këtyre kontratave ndërhyrja e njëanshme mundet ti  kushtojë shtetit shifra të larta për dëmshpërblime.

Konçesionet e dhëna deri më sot kanë rezultuar kryesisht të dështuara. Mjaftojmë të kujtojmë konçesionet e pasurisë publike në sektorin minerar ku shteti në vend të luante një rol kyç në këtë fushë, ka dalë jashtë këtij biznesi duke lidhur kontrata me konçesionarët të cilët i keqpërdorin ato. Për më tepër autoritetet kontraktuese, në disa raste nuk kanë zbatuar të drejtat e monitorimit që kanë ndaj konçesionarit duke i lënë këtij të fundit dorë të lirë në administrimin e pasurisë kombëtare sipas interesit të ngushtë monetar.

Fenomeni i konçesionit ka goditur veçanërisht sektorin e burimeve natyrore. Konçesione të shumta janë dhënë në sektorin e naftës, të mineraleve dhe hidrocentraleve. Ky sektor është veçanërisht i ndjeshëm për arsye se shfrytëzimi i burimeve natyrore sjell si pasojë edhe shterimin e tyre. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që konçesionet e lëshuara në këtë sektor të jenë sa më të kufizuara në numër dhe të orientuara drejt zhvillimit të sektorit dhe jo vetëm drejt shfrytëzimit ekonomik të burimeve. Nga njëra anë është e nevojshme që shteti të ushtrojë një kontroll strikt mbi të gjitha shoqëritë private të cilat zhvillojnë dhe shfrytëzojnë burimet natyrore në Shqiperi, nga ana tjetër rregulla të detajuara teknike për ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve natyrore të dhëna me konçesion duhet të jenë objektivi kryesor i shtetit shqiptar. Ajo që fatkeqësisht është vënë re në vitet e fundit është shpërdorimi i konçesioneve në këta sektorë strategjikë, dhe zbatimi nga ana e shoqërive konçesionare të teknologjive të orientuara drejt maksimizimit të fitimit monetar pa mbajtur parasysh dëmet e konsiderueshme që i shkaktohen burimeve natyrore dhe pa zbatuar masat teknologjike të njohura dhe të zbatuara në nivel ndërkombëtar për sektorë analogë. Diçka tjetër që bie në sy, veçanërisht në konçesionet e dhëna në sektorin e naftës, është se ndarja e fitimeve midis shtetit dhe konçesionarit anon në favor të konçesionarit. Në rast se kryhet një analizë e marrëveshjeve të lidhura midis shtetit dhe privatëve që operojnë në këtë sektor, do të vihet re se përqindja e fitimit që merr shteti është shumë e ulët në krahasim me përqindjen e fitimit të përftuar nga privati, si përsa i përket ndarjes së prodhimit ashtu edhe taksave të paguara nga shoqëritë koncesionare. Mjafton të përmendim marrëveshjet e lidhura për dy fushat më të mëdha të naftës të cilat i janë lëshuar në koncesion shoqërisë Bankers Petroleum. Këto marrëveshje parashikojnë ndarje prodhimi midis shtetit shqiptar dhe shoqërinë koncesionare të llogaritura sipas një formule specifike. Për fushën më të madhe të naftës në vend, fushën e Patos Marinzës, Shteti Shqiptar në varësi të formulës përfiton si ndarje prodhimi 1%-5% nga nafta e prodhuar e cila i transferohet nga koncesionari shoqërisë shtetërore Albpetrol sh.a, si dhe rentën minerare në masën 10%, ndërsa Koncesionari përfiton si ndarje prodhimi nga 85-89% të naftës së prodhuar. Ndërsa sipas informacioneve të marrëveshjes së vitit 2007 të publikuar në fletoren zyrtare për fushën e Kucovës, marrëveshje e cila është ndryshuar në  vitin  2010  por  nuk  gjendet  e  publikuar  në  fletoren  zyrtare,  Shteti  Shqiptar,  përvec  rentës minerare prej 10%, përfiton si përqindje të ndarjes së prodhimit nga 1-4% të naftës së prodhuar ndërsa Koncesionari përfiton si përqindje të ndarjes së prodhimit nga 96-99%.

Nëse bëhet një krahasim me praktika të tilla të ndjekura në nivel ndërkombëtar është qartësisht e lexueshme se shteti shqiptar, në një sektor kaq delikat sa shfrytëzimi i burimeve natyrore, nuk ka qënë në gjëndje të lidhë kontrata konçesionare me anë të të cilave të synojë zhvillimin e burimeve natyrore, përfitime ekonomike optimale për vendin dhe njëkohësisht ruajtjen e pasurisë kombëtare.

Shqetësuese bëhet edhe tendenca për të dhënë çdo aset publik me konçesion, edhe aktivitetet që si garant i interesit publik i takojnë vetëm shtetit shqiptar si,  infrastuktura doganore, infrastruktura portuale, ngjyrosja e hidrokarbureve, mbikëqyrja e lojrave të fatit etj. Po shteti për çfarë është?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi