Testi i bashkëjetesës mes Qeverisë e Presidentit

Nga Ndriçim Kulla, botuar në Panorama Online, 3 tetor 2013

Eshtë thënë shpesh se një nga testet për të provuar shkallën e demokracisë në një vend është që të ketë tri herë rresht kalim të pushtetit me anë të zgjedhjeve të lira. Por një test tjetër i demokracive moderne është ai që quhet kohabitacion, sipas një termi francez. Këtu duhet të sqaroj lexuesin se në Europë ka një prirje që termi “kohabitacion” të përdoret shpesh gabimisht për të shënuar edhe atë fenomen që në Amerikë njihet si “divided government”. Në të vërtetë, “divided government” ka të bëjë me kontrollin e Ekzekutivit nga një parti (President dhe qeveri, meqenëse në SHBA kryetari i shtetit është njëkohësisht edhe kryetar i qeverisë) dhe të Legjislativit, pjesërisht apo plotësisht, nga partia tjetër. Kurse kohabitacioni ndodh kur një President i Republikës (kryetar i shtetit) i zgjedhur nga njëri krah i politikës, ndodhet në situatën e bashkëjetesës politike me një qeveri dhe maxhorancë parlamentare të kontrolluar nga pala tjetër politike. Në rastin amerikan, nga njëra anë është kryetari i shtetit dhe i qeverisë, si dhe vetë qeveria, ndërsa në anën tjetër është Legjislativi (Dhoma e Përfaqësuesve ose Senati, e ndonjëherë të dy bashkë). Në rastin europian, nga njëra anë është Presidenti i Republikës, dhe në anën tjetër maxhoranca parlamentare, e bashkë me të edhe qeveria që del prej saj.

    Kohabitacioni politik për herë të parë ndodhi në formën më të dukshme në Francë, duke filluar që nga vitet tetëdhjetë, kur për shkak se zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale nisën të nxirrnin fitues nga palë të ndryshme të politikës, u desh që të mësohen të bashkëjetojnë politikisht presidentë dhe kryeministra nga krahë të ndryshëm të politikës. As në Francë, me gjithë traditën e saj të madhe demokratike, nuk ishte e lehtë që të institucionalizohej kohabitacioni politik. Kur Presidenti socialist Miterrand fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 1981, ai nuk pranoi të bashkëjetonte edhe dy vitet e mbetura të legjislaturës me një qeveri të djathtë. Kështu që Miterrand, duke vepruar formalisht sipas kompetencave që i jepte Kushtetuta, por në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, shpërndau Parlamentin, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku fitoi e majta. Kjo ishte një “fitore e Pirros” politike. Fitoi e majta franceze, por humbi Franca, siç u tha nga analistët politikë të paanshëm.

    Kur e majta humbi zgjedhjet parlamentare të vitit 1986, Miterrand u detyrua që të bashkëjetonte me një qeveri të djathtë, ndryshe do t’i duhej që të jepte dorëheqjen. Megjithëse Presidenti i majtë Miterrand dhe Kryeministri i djathtë Shirak bashkëjetuan politikisht për dy vjet, kjo përsëri nuk ishte një shembull i fenomenit që duhej të ndodhte sipas frymës kushtetuese. Presidenti Miterrand, me të gjetur rastin në vitin 1988, kur ai fitoi një mandat të dytë presidencial në zgjedhjet e këtij viti, e shpërndau Parlamentin, duke e çuar përsëri vendin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare (ato duhet të ishin mbajtur në vitin 1991 si zgjedhje të rregullta). Në këto zgjedhje fitoi e majta, e cila mori kështu Presidentin dhe qeverinë, ose Elysenë dhe Matignonin, siç thuhet në Francë, sipas emrit të selive të dy institucioneve. Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të vitit 1993 fitoi e djathta, dhe kështu pati përsëri një periudhë të tretë kohabitacioni për dy vitet e fundit të mandatit të dytë presidencial të Miterrand. Meqenëse zgjedhjet presidenciale të vitit 1995 i fitoi Shirak, kohabitacioni përfundoi duke i marrë këtë herë e djathta të dyja institucionet.

    Në vitin 1997, Presidenti Shirak, duke dashur ta zërë në befasi të majtën, shpërndau Parlamentin, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme një vit para përfundimit të afatit zyrtar të legjislaturës. Por në zgjedhjet e parakohshme fitoi e majta, gjë që solli shembullin e parë të vërtetë të kohabitacionit në Francë. Gjatë një legjislature të plotë, pesëvjeçare, bashkëjetuan politikisht qeveria e majtë dhe Presidenti i djathtë. Kjo gjë ndodhi edhe në sajë të vetëpërmbajtjes së Presidentit Shirak, i cili nuk tentoi më gjatë pesë vjetëve që të bënte ato lojëra politike që kishte bërë Miterrand gjatë viteve tetëdhjetë.

Shembuj më të qetë dhe më të hershëm të kohabitacionit të arsyeshëm na vijnë vetëm nga një demokraci skandinave, siç është Finlanda. Në demokraci më të reja kohabitacioni ka qenë më i vështirë. Në Rumani, kur u krijua një situatë ku do të vihej në provë pjekuria e politikës së këtij vendi për të kaluar testin kohabitacionit, rezultati nuk ishte i kënaqshëm. Siç dihet, gjërat shkuan shumë larg, në luftën mes qeverisë dhe maxhorancës parlamentare, nga njëra anë, dhe Presidentit nga ana tjetër. Diçka më mirë e kaloi testin e kohabitacionit Ukraina, ku në 2006-n Presidenti Jushçenko, i dalë nga Revolucioni Portokalli, u detyra që të bashkëjetonte politikisht me kundërshtarin e tij të madh Janukoviç, i cili fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2006. Presidenti Jushçenko dhe Kryeministri Janukoviç patën për katër vitet e ardhshme një kohabitacion të vështirë, por që megjithatë funksionoi më mirë se ç’pritej.

    Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 krijuan në Shqipëri situatën kur do të vihet në provë kohabitacioni politik mes një Presidenti të zgjedhur nga e djathta dhe një maxhorance parlamentare dhe Kryeministri të majtë. Ky është një test për politikën dhe demokracinë shqiptare. Shqipëria ka rastin që të tregojë një shembull pozitiv në një fushë ku kanë dështuar edhe vende ballkanike që tanimë janë anëtare të Bashkimit Europian. Nga ana e Presidentit Nishani duket se ekziston vullneti i plotë që kohabitacioni politik të funksionojë. Nuk dua të mbivlerësoj disa shenja konflikti me Presidentin që ka dhënë maxhoranca e majtë dhe qeveria e dalë prej saj, për të thënë se Kryeministri Rama nuk e dëshiron kohabitacionin politik. Është ende herët për të arritur në përfundime të tilla. Skenari i prishjes së kohabitacionit, që nëse do të ndodhë do të vijë vetëm nga maxhoranca parlamentare dhe qeveria, dhe do të ishte një atentat ndaj Kushtetutës, më i rëndi i ndodhur në këta 23 vjet të pluralizmit politik në Shqipëri. Para pasojave të këtij skenari do të tërhiqej çdo njeri i arsyeshëm. Askush nuk duhet të gënjehet nga iluzionet se Presidenti Nishani, ashtu siç nuk mbrojti portretet e tij, nuk do të mbrojë as pozicionin e tij kushtetues.

    Kush nuk e ka të qartë le ta mësojë njëherë e mirë se Presidenti Nishani është plotësisht i përgjegjshëm për pozicionin e tij kushtetues dhe i vetëdijshëm se nuk është fjala për të mbrojtur ndenjen e tij edhe për katër vjet në selinë presidenciale, por për të mbrojtur edhe institucionin politik të kohabitacionit, që del nga vetë fryma e Kushtetutës së Shqipërisë, të cilën Presidenti është betuar se do ta zbatojë. Presidenti Nishani është i vetëdijshëm se nëse ai lejon që të prishet kohabitacioni, nuk ka për të pasur kohabitacion politik për një kohë të gjatë në Shqipëri. Prandaj, ata që kënaqeshin gjatë shtatë vjetëve kur e djathta ishte në pushtet, kur shikonin se si dy presidentë gati ishin në “luftë” me qeverinë dhe maxhorancën parlamentare, madje i inkurajonin ata që të luftonin më me ashpërsi kundrejt njëri-tjetrit, duhet që të mësohen me idenë se pushteti i tyre ka kufizime kushtetuese. Ashtu sikundër edhe vetë Presidenti i Republikës është i vetëdijshëm për kufizimet kushtetuese të pushtetit të tij. Në Shqipëri, sot për herë të parë kemi një model të ri politik, Presidenti i zgjedhur nga e djathta pas zgjedhjeve të fundit do të bashkëjetojë politikisht me një qeveri dhe shumicë parlamentare të majtë. Presidenti Nishani dhe Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, zoti Edi Rama, kanë fatin e tyre historik dhe përgjegjësinë që të jenë promovuesit e këtij modeli të ri në politikën shqiptare. Gjithashtu mendoj se kanë detyrimin që t’ia dalim në këtë sfidë të përbashkët, ku nuk kanë alternativë tjetër më të arsyeshme dhe se pas nesh ky model do të përsëritet detyrimisht për shkak të ligjeve të politikës.

Por, të gjithë, dhe në radhë të parë ata që mund të kenë ide për të rrethuar Presidencën me çadra, duhet ta kenë të qartë se posti i Presidentit të Republikës është një post që i përket pushtetit ekzekutiv në kuadrin e ndarjes kushtetuese të pushteteve. Ata që mund të bëjnë aventura duke ndërmarrë atentate kushtetuese ndaj institucionit të Presidentit, do të marrin përsipër përgjegjësinë për përdorimin nga ana e Presidentit të kompetencave të tij kushtetuese, por këtë herë në frymën e qenies së pushtetit presidencial një pushtet ekzekutiv.

Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe mundësitë për të kaluar testin e kohabitacionit politik, që do të rriste ndjenjën e besimit te politika dhe institucionet pas asaj arritjeje pozitive, që ishte rotacioni i pushtetit në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në luftën kundër kohabitacionit politik nuk ka të fituar, ka vetëm të humbur. Të gjithë duhet të mësohemi me idenë se kohabitacioni politik është një vlerë politike, demokratike, institucionale, që pasuron vlerat e krijuara në këto mbi njëzet vjet të demokracisë së brishtë shqiptare, dhe që në fund të fundit janë pasuri e përbashkët e të gjitha palëve të politikës, që u shërbejnë njëlloj të gjithëve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi