Rama: Arka e shtetit bosh, por nuk na mungojnë zgjidhjet për të ndalur rrënimin
Kryeministri Rama prêt ambasadorët e akredituar, 2 tetor 2013
Kryeministri Edi Rama priti mbrëmjen e sotme, në selinë e rikonstruktuar të Kryeministrisë, ambasadorët e akredituar në vendin tonë dhe një grup përfaqësuesish të institucioneve ndërkombëtare e të sipërmarrjes së huaj në Shqipëri.
Në të parën pritje pas marrjes së detyrës së tij si Kryeministër, shefi i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje për të gjithë ambasadorët, që siç tha ai, kanë ndihmuar Shqipërinë me dije, qëndrime apo ndihmë financiare.
“Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht për çdo ndihmë të madhe apo të vogël, për Shqipërinë e këtyre viteve. Dua të falënderoj të gjithë ata ndër ju që nuk kanë reshtur së besuari për një Shqipëri europiane”,- deklaroi Rama.
Duke theksuar se qeveria e tij do të bëjë gjithçka të mundur për të merituar statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kryeministri Rama tha se mbetet dakord me paraardhësin e tij Berisha kur thoshte se “Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton”.
“Europa është një destinacion brenda nesh. Më shumë Europë, nuk do të thotë më pak Amerikë për Shqipërinë. Nuk kemi iluzione, integrimi evropian është mjaft lehtë të thuhet dhe i vështirë të bëhet. Mbetem dakord me paraardhësin tim, kur thoshte se Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton. Do të bëjmë gjithçka për të kërkuar atë që meritojmë, statusin e vendit kandidat”,- u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi edhe njëherë rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke i cilësuar ato po aq të rëndësishme dhe vendimtare sa ato të vitit 1992, pasi siç tha ai, u votua për t’u kthyer pushtetin qytetarëve.
“Unë e kam marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë, për arsyet e 1 milionë votave, të cilat janë një thirrje e fortë për gjithë klasën politike shqiptare, qeverisë në radhë të parë, për të nxjerrë mësime nga e kaluara. Për t’ju kthyer besimin shqiptarëve tek politika, ligji, shteti, për t’i përfaqësuar ata denjësisht para botës dhe për ti dhënë Shqipërisë normalitetin e botës ku duam të jetojmë”,- deklaroi kryeministri.
Më tej, kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke u shprehur i bindur se rezultatet konkrete do të bëhen të dukshme shumë shpejt.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë padyshim sprova jonë. Ne jemi në lëvizje dhe lëvizja jonë do të bëhet më e dukshme në muajt në vijim. Jemi vendosmërisht të përcaktuar për ndërtimin e një kulture të re qeverisëse antikorrupsion në mendësi dhe veprim”,- vijoi Rama.
Kryeministri pranoi se situata ekonomike e vendit është e vështirë, pasi arka e shtetit është bosh, bizneset vuajnë nga mosshlyerja e borxheve dhe bankat nuk japin dot kredi. Por shefi i qeverisë theksoi se “mazhorancës nuk i mungojnë zgjidhjet për të ndalur rrënimin”.
“Çdo krizë është një rrugë për të dalë më të fortë dhe unë jam i bindur se ne nuk do ta humbim këtë shans. Jemi në konsulta intensive me Guvernatorin e Shqipërisë, ekspertë të rangut ndërkombëtar dhe ato të FMN dhe BB. Do të hapim konsultime me sipërmarrjen vendase dhe do të ngremë Këshillin Ekonomik Kombëtar që do të punojë me statistikat dhe strategjitë ekonomike për vendin. Shpejt do të nisë dhe auditi ndërkombëtar i financave të vendit për të parë pasqyrën e vërtetë të gjendjes në cilën kemi marrë financat që mund të jenë më keq se ç’mund të prisnim, në këtë stad të qeverisjes”,- deklaroi Rama.
Kryeministri premtoi transparencë dhe lehtësi për investimet e huaja, të cilat sipas tij në shumë raste janë mbuluar nga hija e errët e aferave të qeverisjeve të mëparshme.
Kryeministri vlerësoi punën e qeverisë paraardhëse në kuadër të projektit TAP dhe theksoi angazhimin e tij për ta çuar më tej këtë projekt, duke synuar edhe një degëzim në Kosovë.
Në lidhje me konfliktin në Siri, Rama nënvizoi se Shqipëria mban qëndrim të njëjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Qëndrimi ynë ndaj regjimit të Assad dhe masakrës atje është i njohur dhe identik me qëndrimin e SHBA, të cilës siç e sigurova presidentin Obama do t’i jemi gjithnjë në krah”,- tha Rama.