Propozimet e FMN për pensionet
Botuar në Panorama Online, 30 shtator 2013
Qeveria e re po përllogarit efektet e ndryshimit të dy themeleve të sistemit të pensioneve. Rritjen e moshës për të përfituar pension dhe rritjen e shumës së kontributeve që paguhen çdo muaj për ta përfituar atë.
Këto dy ndryshime, të mbështetura fort nga FMN dhe Banka Botërore, pritet të aplikohen si një mjet imediat për të balancuar shifrat në buxhetin e shtetit. Aktualisht, për të paguar pensionistët në vend, në buxhetin e vitit 2013 janë parashikuar rreth 940 milionë dollarë, ndërsa të ardhurat për sigurime shoqërore janë rreth 510 milionë. Pra, një deficit prej rreth 430 milionë dollarësh, para që merren nga taksat dhe tatimet dhe devijojnë për mbushjen e deficitit. FMN, si një institucion që merret direkt me balancat fiskale, dhe qeveria e re, që duket se ka lidhur një marrëveshje zbatuese për rekomandimet e saj, po gjejnë një zgjidhje për këtë problem. “Misioni i inkurajon autoritetet të hartojnë një plan reformash që parashikon, ndërmjet të tjerash, edhe përfshirjen në skemë të punëtoreve të sektorit bujqësor, heqjen e shtysave negative për njerëzit me të ardhura të larta për të marrë pjesë në skemë dhe rritjen e moshës së pensionit”, thuhet në deklaratën e FMN.
Barazimi i moshës
Propozimet e FMN, dërguar në qeveri, janë për rritjen e moshës së daljes në pension, ose për barazimin e moshës të burrave dhe grave. Kjo e fundit duket se gjen më shumë mbështetje nga FMN dhe qeveria, pasi mund të quhet edhe zbatim i rekomandimit të BE. Ky po shikohet nga qeveria si opsioni më i mundshëm për të rikthyer disi balancat në skemë. Kjo reformë, e cila pritet të miratohet, do të thotë që edhe gratë të dalin në pension pasi mbushin moshën 65 vjeç. Aktualisht pensioni përfitohet pasi mbush moshën 65 vjeç për burra dhe 60 për gratë. Si në vitin 2002, ku u vendos rritja e moshës, nga 55 në 60 për gratë dhe nga 60-65 për burrat, edhe skema aktuale do të zbatohet e shtrirë në kohë. Pra çdo vit, mosha mendohet të rritet me 6 muaj. Skema parashikon që në vitin e parë, një grua për të dalë në pension duhet të jetë 60 vjeç e 6 muaj. Për çdo vit skema rritet me 6 muaj dhe në fund të 10 viteve, mosha definitive për të dalë në pension është 65 vjeç si për burrat, edhe për gratë. Rritja e moshës ka një efekt të menjëhershëm për buxhetin. Shteti merr me shumë para si rrjedhojë e zgjatjes së kohës së punës dhe jep më pak para, si rrjedhojë e uljes së kohës për të cilën qytetarët në këtë rast gratë përfitojnë pension. Pasi rritja e moshës së punës zvogëlon kohën e përfitimit. Koha deri në vdekje bëhet më e vogël dhe më pak e shpenzueshme për buxhetin.
Skema e dytë është rritja me 2 vite e pensionit për burrat dhe me tri vite për gratë. Kjo do të thotë që një burrë do dalë në pension në moshën 67-vjeçare, nga 65 që del aktualisht dhe një grua në moshën 63-vjeçare, nga 60 që del aktualisht. Rritja do të mendohet të bëhet e shkallëzuar, me nga 6 muaj në vit.
Kontributet
Një ndër premtimet e qeverisë së re ka qenë shëndetësia falas. Pra, shërbim total për të gjithë qytetarët e vendit, pa pagesë, pra pa kontribute. Burime nga FMN dhe Banka Botërore tregojnë se do të shfrytëzohet pikërisht ky propozim për rritjen e masës së kontributit për skemën e pensioneve. Aktualisht, nga paga e një të punësuari, 27.9 për qind shkojnë për sigurime. Nga kjo shumë, 24.5% shkon për sigurime shoqërore dhe 3.4 për qind për sigurime shëndetësore. Çdo të punësuari i mbahet nga paga 11.2 për qind, ndërsa punëdhënësi paguan 16.7 për qind. FMN dhe Banka Botërore i kanë propozuar qeverisë që pikërisht pjesa prej 3.4 për qind që shkon për sigurime shëndetësore, të kalojë në skemën e pensionit. Shëndetësia falas, e propozuar nga PS, nënkupton heqjen e kontributeve. Propozimi është që këto kontribute të mos hiqen nga paga, por të shkojnë në fondin e pensioneve. Vetëm nga kjo lëvizje buxhetit i shtohen rreth 76 milionë dollarë. Kjo me buxhetin e vitit 2013.
Rritja e pensioneve
Gjatë takimeve me FMN dhe Bankën Botërore, është propozuar ose, më saktë, është kërkuar që të mos ketë më rritje të pensioneve. Pra, një ngritje e shtesave vjetore deri në një moment të dytë. Kërkesë kjo që, bashkë me zhurmën për përkeqësimin e buxhetit, është pranuar dhe pritet të justifikohet ditët e ardhshme nga qeveria e re. FMN ka kërkuar në të gjitha misionet e veta gjatë viteve të fundit që të frenohet dora e lëshuar për rritjen e pensioneve. Në këshillimet e qeverisë së vjetër, misioni i FMN ka pranuar vetëm indeksimin e pensioneve, sipas inflacionit. Por atëherë qeveria nuk kishte marrëveshje me FMN, dhe këshillat e saj, si janë treguar nga viti në vit, nuk janë zbatuar.
300 mijë vende pune
Në të gjitha takimet fiskale, si dhe daljen e fundit për mediat, FMN dhe autoritetet shqiptare nuk përmendën shëndoshjen e skemës së pensioneve nga ulja e punës së zezë, apo rritja e punësimit. Matjet ndërkombëtare tregojnë se në Shqipëri rreth 30-35% e ekonomisë është informale. Po kaq mendohet edhe numri i të punësuarve që punojnë, por nuk paguajnë kontribute për pension. Në rast se kësaj shume do t’i shtoheshin edhe 300 mijë kontribuues të tjerë si premtim i PS, atëherë skema e pensioneve nuk do të kishte nevojë për kosto sociale, si rritja e moshës apo e kontributeve. Gjetja e zgjidhjeve teknike, pra e rritjes së të ardhurave dhe ulja e ndarjes së përftimit, si rrjedhojë e shtimit të viteve të punës dhe uljes së kohës që merr pension, është më e thjeshta.