Vetëm ligji nuk e siguron administratën
Nga Erion Tase, botuar në Balkanweb, 1 tetor 2013
Ende pa mbushur 17 ditët e para në detyrë, qeveria “Rama” do të përballet që nga sot me betejën e parë të vërtetë politike. Përtej përplasjeve të deritashme në mediumet virtuale rreth estetikës së godinës së Kryeministrisë, tashmë mazhoranca e re ndodhet përpara “patates së nxehtë” të ligjit të nëpunësit civil. I miratuar me konsensus dypartiak përpara zgjedhjeve, sigurisht nën presionin e Brukselit, ky ligj synon krijimin e një administrate të pavarur nga ndryshimet politike. Një qëllim i mirë në princip, por paksa kontradiktor me pritshmëritë e post 23 qershorit në krijimin e modelit të zyrtarit profesional dhe mbi të gjitha të pakorruptuar. Është e vështirë të besohet se energjitë e nevojshme për ndryshimin e pritur të mazhorancës së re të majtë do të gjenden tek të njëjtët zyrtarë të emëruar gjatë viteve të fundit nën lidhjet partiake apo edhe konkurset fiktive të përfitimit të statutit të nëpunësit civil.
Përtej debatit politik të ditës, ai që është më kryesori të ndalemi, është fakti se edhe me hyrjen ne fuqi të ligjit të ri të nëpunësit civil, garancitë dhe mbrojtja që parashikohen prej tij nuk do të shërbejnë automatikisht për të krijuar një administratë profesionale dhe imune ndaj “furtunave” partiake. Në fund të fundit, ligjet dhe rregullat të tregojnë se çfarë mund të bësh, ndërsa vlerat të tregojnë se çfarë duhet të bësh. Në një plan më të gjerë, përtej atij të realitetit ligjor dhe dëshirës për të zbatuar ligjet, ekzistojnë gjithmonë edhe ato rregulla të pashkruara, të cilat i japin të drejtën deri diku skepticizmit të qeverisë së re ndaj ligjit të nëpunësit civil. Të gjithë jemi koshientë për konkurset fiktive apo edhe për emërimet politike të pjesëtarëve të administratës aktuale. Nëse edhe kjo pjesë e paaftë e administratës do të përfitojë që nga dita e sotme mbrojtjen që siguron ligji i ri, nuk është e vështirë për t’u kuptuar se asgjë e mirë nuk do të vinte nga ky respektim i konsensusit dypartiak apo presionit që mund të bëjë Bashkimi Evropian. Statuti i përforcuar i nëpunësve aktualë të administratës, do të shërbejë gjithashtu për të shtuar më tepër faturën financiare aktuale të buxhetit të shtetit në shlyerjen e pagave të punonjësve të larguar nga detyra dhe të njohur nga gjykatat si “largime të padrejta”.
Ndryshimi i nëpunësve të administratës aktuale do të ndodhë edhe përtej ditës së sotme, sepse në një mënyrë apo tjetër, qeveria e re do të gjejë mekanizmat për të kryer ndryshimet e planifikuara. Ajo që mbetet për t’u pasur parasysh nga kryeministri Rama është fakti që zëvendësimi i nëpunësve aktualë me ata që do të emërohen me vulat e reja të majta, rrezikon që të vishet sërish me dyshimin e emërimeve politike. Nëpunësit rishtarë të post 1 tetorit do të etiketohen padyshim si të emëruarit e Ramës dhe nuk do të jetë e gjatë dita që së bashku me ndryshimin e qeverisë, të largohen edhe ata vetë si të padëshiruar. Pra, një përsëritje e ciklit të ndryshimeve të deri më sotme të administratës, e cila është mësuar të qëndrojë 8 vite në punë dhe 4 apo 8 vite të tjera në rrugë si kundërshtare politike. Falë këtij cikli të deritanishëm rokadash mes drejtorëve, doganierëve, mësuesve e deri edhe policëve rrugorë, të cilët emërohen e shkarkohen sipas flamurëve partiakë, Shqipëria nuk ka arritur të ndërtojë modelin e duhur të zyrtarit profesional. Një model që qëndron pas të gjitha vendeve të rajonit tonë, deri edhe administratës së sapokrijuar të Kosovës. Pikërisht ky rotacion politik i nëpunësve është gjithashtu edhe një nga faktorët që stimulon korrupsionin e çdo zyrtari. Duke e ditur se do të largohen në përfundim të mandatit qeverisës, nëpunësit janë të hapur përpara ryshfeteve. Ata nuk i druhen rrezikut të shkarkimit nga detyra në rast të ndonjë abuzimi, sepse një gjë të tillë do ta pësojnë sapo të ndryshojë forca politike në pushtet. Nëse politika do të vazhdojë ta përdorë administratën si një plaçkë lufte për të shpërblyer militantët, duke shkelur çdo kriter profesional dhe ligjor, ne do të vazhdojmë të kemi jo vetëm një administratë të paaftë, por edhe gjithnjë të hapur ndaj korruptimit. Nuk ka luftë ndaj korrupsionit vetëm nëpërmjet kërcënimit me burg, por edhe stimul që nëpunësit të jenë të interesuar për karrierën e tyre dhe kësisoj të moralshëm.
Për të gjitha këto arsye, përtej një ligji të mirëndërtuar për nëpunësit civilë, nevojitet edhe një vullnet i mazhorancës dhe kreut të saj për të siguruar paanshmërinë politike të punonjësve të rinj të administratës. Kryeministri Rama ndodhet sot përpara një vendimi mjaft të rëndësishëm. Nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e mekanizmit të rotacionit, duke rikthyer administratën e radhës të militantëve të majtë, me kohëzgjatje të limituar deri në ndryshimin e ardhshëm të pushtetit, apo do të prishë këtë traditë të dëmshme për të krijuar rilindjen e premtuar të administratës.
Rruga për të arritur këtë rilindje, nis tek organizimi i testimeve profesionale për të gjithë nëpunësit aktualë, duke larguar në këtë mënyrë pjesëtarët e paaftë të këtij trupi nëpunësish dhe duke krijuar provën e nevojshme të alibisë për zyrtarët që e kanë fituar me profesionalizmin e tyre punësimin gjatë tetë viteve të fundit.
Këto konkurse mund të organizohen nga kompani të huaja, të cilat kanë garancitë e duhura të paanshmërisë dhe profesionalizmit. Deri më sot është folur nga mazhoranca e re për ekspertizë të huaj në procesin e auditimit financiar apo shërbimin doganor të vendit. Pse jo, kjo eksperiencë të mos shtrihet edhe në testimin dhe kualifikimin e administratës?! Shumë vende të tjera e kanë kaluar këtë fazë dhe më pas kanë arritur të garantojnë imazhin e duhur të një administrate profesionale, por edhe të paanshme nga ndryshimet politike. Pas këtij procesi kontrolli dhe “purifikimi” të nëpunësve aktualë nga uniforma partiake, mund të nisë të zbatohet pa asnjë paragjykim ligji i nëpunësit dhe çdo garanci e nevojshme për punonjësit e administratës.
Në anën tjetër, nuk duhet harruar se të njëjtave testime dhe konkurrime profesionale duhet t’iu nënshtrohen edhe pretendentët e rinj për punësime në administratë. Dhe në këtë pikë, veç ideve dhe propozimeve për rrugët e zgjidhjes, nevojitet mbi të gjitha vullneti për t’iu rezistuar presioneve të militantëve socialistë, të cilët presin të rikthehen në vendet e lëna tetë vite më parë. Është një vendim i vështirë për t’u marrë, përballë rrezikut të rrjedhjeve të votave në zgjedhjet e ardhshme, por kryeministri i ri Rama duhet të dëshmojë se do të jetë i ndryshëm nga paraardhësit e tij.