Si grabiten qytetarët në bazë të ligjit

Nga Gjon Ndreja, botuar në Shqip, 1 tetor 2013

Rasti e solli që këto ditë të shoqëroja një mikun tim për të kryer procedurat e blerjes së një apartamenti. Pasi u kryen formalitetet paraprake, palët u paraqitën pranë noterit për të nënshkruar kontratën, por aty u përballën me një tarifë shërbimi prej 34 000 lekësh (të reja). Blerësi mbi të cilën rëndonte kjo tarifë, i befasuar nga shuma e madhe që i duhej të paguante, reagoi në mënyrë të beftë dhe jo fort etike, duke kërkuar sqarime nga noteri. Noteri pa e zgjatur dhe krejt gjakftohtë e i sigurt, i vuri përpara Urdhrin Nr. 279, datë 14.06.2012 “Për miratimin e tarifave të shërbimeve noteriale” të nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, dhe u përpoq ta qetësojë qytetarin. Ndërkohë noteri brenda jo më shumë se tridhjetë minutash mbaroi të gjitha veprimet, duke printuar një kontratë me dy fletë nga shablloni që kishte në kompjuter dhe ua vuri përpara palëve për firmë. Profesioni im i ekonomistit më shtyu të “rrëmoj” më tepër rreth kësaj çështjeje për të kuptuar përmbajtjen e kësaj tarife dhe për të gjykuar më drejt mikun tim, noterin dhe Halimin.

Çfarë duhet të përmbajë një tarifë?

Referuar ligjit për noterinë del qartë se noteria është një shërbim privat i rregulluar nga shteti që kryen veprimtari juridike në shërbim të personave fizikë e juridikë nëpërmjet redaktimit të akteve dhe kryerjes së veprimeve noteriale në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet. Dispozita të veçanta të këtij ligji, saktësisht neni 26 i ligjit, përcaktojnë se tarifat e shërbimit përcaktohen nga Ministria e Drejtësisë, duke marrë mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të Noterisë. Shërbimi i noterisë nuk është një biznes që ndjek qëllime të drejtpërdrejta fitimi, edhe për shkak të faktit se shteti e kontrollon këtë veprimtari nëpërmjet përcaktimit të tarifave.

Mbështetur në teorinë ekonomike, ndryshe nga tatimet, tarifat janë një shumë e caktuar që vendoset për të mbuluar shërbimin që u bëhet qytetarëve. Pagesa e tarifës kthehet aty për aty në shërbimin që merr qytetari. Në rastin kur këto shërbime kryhen nga subjekte private, si në rastin e noterisë, tarifa duhet të mbulojë shpenzimet e dhënësit të shërbimeve dhe të sigurojë një fitim të arsyeshëm të mjaftueshëm për ta përmirësuar më tej shërbimin. Kështu, përpilimi i një akti noterial duhet të përmbajë pjesën e shpenzimeve për mbulimin e qirasë së zyrës, apo amortizimin e ndërtesës, koston e punës për redaktimin dhe konsultimin e aktit, shpenzime të tjera kancelarie dhe ato të ndriçimit, tatime e taksa etj., plus një fitim, le të themi jo më shumë se 15 për qind. Peshën kryesore në strukturën e tarifës si rregull e zë kostoja e punës (pagesa orare dhe sigurimet shoqërore).

Tarifa të sponsorizuara nga interesat

Nëse do të shqyrtojmë me kujdes urdhrin e ministrit Halimi, të cituar në hyrje të këtij shkrimi, edhe një lexues i thjeshtë mund të konstatojë se në bazën e tij janë vendosur interesat e noterëve dhe të “Halimëve”, në kurriz të interesave të qytetarëve. Madje, siç edhe do ta shohim, këto interesa shkojnë deri në absurd. Dhe kështu nuk mund të mos mendojmë se ky udhëzim është hartuar e miratuar në konflikt të plotë interesi dhe i sponsorizuar nga interesat e noterëve saqë habit edhe disa syresh.

Paraprakisht më duhet të them hapur se ky urdhër nuk ka mundësi të jetë konsultuar me Ministrinë e Financave, pasi, sipas mendimit tim, çdo financier, përfshirë edhe ata që kanë mbaruar Universitetin “Kristal”, nuk do të kishte dhënë pëlqimin për këto tarifa. Pëlqimi i Ministrisë së Financave, sipas ligjit, kërkohet për të dhënë ekspertizën e nevojshme, me qëllim që të harmonizohen drejt interesat e noterëve që japin këtë shërbim dhe interesat e qytetarëve. Ministria e Financave duhej të ishte garant i respektimit të kriterit, se në bazën e tarifave qëndron kostoja e shërbimit dhe jo fitimi i noterëve. Në rastin më të mirë duhet pranuar se ky urdhër duhet të jetë shkruar nga ndonjë “Halim” “që s’di këndim”. Por çfarë ka ndodhur? Vetëm për tarifat e redaktimit të akteve të pasurive të paluajtshme tarifat janë tre apo katërfishuar në krahasim me udhëzimin e mëparshëm të vitit 2001.

Duke shqyrtuar më tej përmbajtjen e urdhrit dhe të tabelave që e shoqërojnë, rezulton se metodologjia që është përdorur është krejt e gabuar dhe abuzive. Kështu, në bazën e tarifave qëndron vlera e transaksionit dhe jo kostoja e shërbimit. Po se çfarë lidhjeje ka vlera e transaksionit me tarifën që duhet të përfitojnë noterët, këtë një Zot e di, por sigurisht edhe Halimi që ka lëshuar këtë urdhër. E thënë më shkoqur, sa më e madhe të jetë vlera e shitjes së apartamentit, aq më e madhe është tarifa dhe aq më shumë përfiton noteri, paçka se ndryshimi në kontratën e redaktuar prej tij mund të jetë vetëm shtimi i një zeroje apo ndryshimi i një numri. Tarifa është pothuajse proporcionale dhe rritet në përqindje aq sa rritet edhe vlera e transaksionit me disa korrigjime të parëndësishme, që nuk e cenojnë kriterin proporcional të kësaj tarife. Vetë përqindja e caktuar në tabelë është krejt empirike dhe nuk mbështetet në kurrfarë kriteri shkencor. Referuar tabelës, nëse një person fizik apo juridik do të kryejë një transaksion për shitjen e një pasurie të paluajtshme me vlerë 200 milionë lekë, ai do t’i paguajë noterit që redaktoi një kontratë prej 2-3 faqesh dhe harxhoi një kohë le të themi maksimum një orë, një shumë prej 552 mijë lekësh (të reja) përfshirë edhe TVSH, ndërkohë që kostoja e këtij shërbimi nuk llogaritet të jetë më e madhe se tre mijë lekë. Kjo shumë, që një noter i fiton në 60 minuta, është e barabartë me pagën e gjashtë muajve të një gjyqtari dhe pagën vjetore të një oficeri policie që përballet çdo ditë me krimin. Po cili biznes në botë mund të sigurojë një normë fitimi të tillë? Nuk besoj se mund të gjendet një i tillë askund, përveçse në Shqipëri dhe përveçse në këtë profesion. E kjo më bind plotësisht pse është kaq i kërkuar profesioni i noterit dhe përse marrja e licencës “kushton” kaq shumë.(!)

Nëse do të vazhdojmë më tej me shqyrtimin e këtyre tarifave, nuk mund të mos bjerë në sy fakti se pothuajse për të gjitha llojet e kontratave referenca është vlera e transaksionit, por me mënyrën e tarifës proporcionale të shkallëzuar. Kështu janë të gjitha kontratat e hipotekimit, marrëveshjet siguruese apo ato për zëvendësim të debitorit etj. Nga ana tjetër, ka një shkallëzim të paarsyeshëm midis akteve të të njëjtit tip. Kështu, redaktimi i një prokure të përgjithshme që kërkon vetëm ndërrimin e identitetit të atij që i lëshohet prokura dhe atij që lëshon prokurën, kushton 5 mijë lekë dhe një prokurë e posaçme kushton 3 mijë lekë (!???) Përveç kësaj, niveli i tarifave, edhe kur nuk është mbështetur mbi vlerën, është përcaktuar kryesisht mbi bazën e rëndësisë së aktit që redaktohet. Për shembull, një akt noterial për depozitim shume kushton 5 mijë lekë, ndërsa një akt për depozitim pasurie me vlerë kushton 15 mijë lekë, ose kontratat që kanë të bëjnë me personat juridikë kushtojnë 2-3-fishin e kontratave të personave fizikë, kur përmbajtja e tyre është pothuajse e njëjtë.

Kujtesë për Kryeministrin dhe Prokurorin e Përgjithshëm

“Sponsorizimi” i miratimit të ligjeve apo rregullave nga grupe të caktuara interesi për të siguruar përfitime të drejtpërdrejta është niveli më i lartë i korrupsionit dhe konsiderohet si “kapja e shtetit” (state capture). Kjo është një dukuri shumë e rrezikshme, pasi jo vetëm që dëmton drejtpërdrejt interesat e qytetarëve, por minon rëndë besimin e tyre ndaj qeverisjes, që është jetike për një demokraci funksionale. Nga ana tjetër, kjo është dukuria më penguese dhe shkatërrimtare për të luftuar korrupsionin. Me sa duket, “kapja e shtetit” ka ndodhur në procesin e miratimit të këtij urdhri. Por nëse është vetëm ky urdhër, do të ishte më e thjeshtë. Unë druaj se kjo frymë përshkon të gjithë sistemin e përcaktimit të tarifave, veçanërisht ato që lidhen me sektorin privat. Pa u larguar nga kjo ministri, ne mund t’u referohemi edhe tarifave gjyqësore, që në rastin konkret nuk favorizojnë privatë të caktuar, por janë në dëm të interesave të qytetarëve dhe shtojnë të ardhurat dytësore të institucioneve padrejtësisht, duke krijuar mundësinë e përdorimit abuziv të tyre. Kështu, paraqitja e një kërkesë-padie dhe regjistrimi i saj në gjykatë kërkon plot 12 mijë lekë plus depozitimin e një për qind të vleftës së padisë. Ose tërheqja e një vendimi gjyqësor kushton 800 lekë. Kjo jo vetëm që nuk ka një bazë logjike, por është antikushtetuese, sepse frenon të drejtën e qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre në gjykatë. Qytetarët e kanë paguar shërbimin e gjyqësorit nëpërmjet taksave direkte e indirekte dhe vetëm një shërbim suplementar mund dhe duhet të paguhet sërish.

Një evazion fiskal në këto shërbime është krejt i mundur dhe besoj se ndodh sistematikisht. Noteri në fjalë, megjithëse në tarifën përkatëse, e cila përmban edhe TVSH, nuk lëshoi ndonjë faturë të këtij tipi. Nga ana tjetër, neni 28 i ligjit i lejon mundësi të pastra për evazion, pasi e ka lënë në dorë të noterit pagimin e kësaj tarife, i cili mund të përjashtojë nga pagimi tarifave tërësisht a pjesërisht personin që merr shërbimin.

Si konkluzion mendoj se qeveria duhet ta shqyrtojë me kujdes këtë çështje dhe të rregullojë me ligj rregullat për caktimin e tarifave të shërbimeve, bazuar në kritere shkencore dhe ligjore ashtu si edhe liberalizimin e tarifave dhe caktimin e tarifave tavan.

Po kështu dua t’i kujtoj Prokurorit të Republikës se sa më sipër në lidhje me caktimin e tarifave të shërbimit noterisë mendoj se jemi në kushtet e një vepre penale të pastër, atë të shpërdorimit të detyrës. Gjykuar nga elementet e kësaj vepre penale, mendoj se kundërligjshmëria është e qartë, pasi janë shkelur kriteret që përcaktojnë tarifat, dëmi i shkaktuar interesave të qytetarëve është evident, ashtu si edhe dëmi i shkaktuar shtetit, i cili në këtë rast është humbja e besimit të qytetarëve. Juristët e vlerësojnë shumë anën subjektive në një vepër penale dhe shpeshherë abuzojnë me të, por mendoj se pavarësisht se nuk vërtetohet dashja e drejtpërdrejtë, çdokush e di se ata që kanë përpiluar urdhrin, e dinin ose duhet ta dinin apo ishin të detyruar ta dinin, se një gjë e tillë do të sillte këto pasoja. E pra, i dashur miku im prokuror, mos hezitoni ta hetoni këtë vepër dhe ju siguroj se ajo do të rezultojë me implikime të qarta penale.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi