Llogaridhënia, garanci për mirëqeverisje dhe demokraci funksionale
Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 1 tetor 2013
Në literaturë apo në fjalorët e ndryshëm enciklopedikë, fjala “accountability” (shqip: llogaridhënie) shpjegohet si detyrim, për shembull i liderëve politikë të vendit për të dhënë llogari përpara qytetarëve që ata përfaqësojnë, ashtu sikurse një biznesmen i suksesshëm mendon se nuk është nevoja t’i japë llogari askujt (?!). Ndoshta llogaridhënia, si një dimension i munguar i funksionimit të derisotëm të demokracisë shqiptare, përbën edhe një vijë kufizuese apo ndarëse të kësaj periudhe me të shkuarën e afërt sa i takon funksionimit të institucioneve të vendit, për më tepër që proceset demokratike kanë shënuar ulje-ngritje dhe arritjet janë ende të brishta – për fat të keq, pa përjashtuar as rrezikun e kthimit prapa… Ndërsa “qeverisja e mirë” është një term zakonisht i përdorur në literaturën e zhvillimit ndërkombëtar për të përshkruar mënyrën se si institucionet publike përmbushin punët e shtetit dhe menaxhojnë burimet publike. Qeverisja është “procesi i vendimmarrjes dhe procesi përmes të cilit vendimet zbatohen (ose nuk zbatohen)”. Në botën e sotme përgjithësisht termi “qeverisje” përdoret si për sipërmarrjet (korporatat), në nivel ndërkombëtar apo kombëtar, ashtu edhe në qeverisjen qendrore dhe vendore apo ndërveprimin midis sektorëve të tjerë të shoqërisë.
Koncepti i “qeverisjes së mirë” shpesh shfaqet si një model për të krahasuar ekonomitë apo institucionet politike joefektive me ekonomitë dhe institucionet politike të qëndrueshme. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe thelbi i këshillës dashamirëse për përfshirjen qytetare në proceset demokratike të ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, në ceremoninë e marrjes së titullit “Qytetar Nderi” në qytetin e Elbasanit ditën e djeshme. Ndër të tjera, ai theksoi: “Demokracia nuk mund të ndikohet nga lart. Demokracia është përfshirje, janë qytetarët ata që marrin përsipër përgjegjësinë për të përmirësuar jetën. Çdo qytetar duhet të përfshihet në projekte, të cilat do të bënin të mundur ndryshimin. Ndryshimi i madh nuk është i pamundur, por kërkon këmbëngulje, vizion dhe kurajë, dhe të gjitha këto cilësi shqiptarët i zotërojnë qartësisht”.
Koncepti i “qeverisjes së mirë” ka të bëjë përgjithësisht me përgjegjësitë e qeverisë dhe të institucioneve apo të dikastereve qeverisëse për të përmbushur nevojat e një mase kritike të qytetarëve përkundrejt interesave të grupeve të caktuara të shoqërisë. Për shkak se qeveritë e trajtuara në botën bashkëkohore si më “të suksesshme” janë shpesh ato të shteteve demokratike liberale, kryesisht në Europën Perëndimore dhe në Amerikë, janë institucionet e këtyre vendeve, të cilat shpesh përdoren si referencë për të vendosur standardet me të cilat mund të krahasohen shtetet e tjera, siç është rasti i vendeve të Ballkanit Perëndimor apo vendit tonë kur flasim për institucionet e qeverisjes. Kështu, nëse hedhim vështrimin pas në reformat kryesore të ndërmarra në vendin tonë gjatë dy dekadave të fundit, nuk është vështirë të konstatohet se mirëqeverisja është përdorur si një term përmbledhës në kuptimin e elementeve apo aktorëve, organizatave, institucioneve formale dhe informale të ndryshme të qeverisë qendrore dhe vendore, por edhe në shumë kontekste të tjera. Në vlerësimin tim, nuk del jashtë këtij konteksti edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare pak më shumë se tre muaj më parë. D.m.th. qytetarët shqiptarë votuan për rotacionin jo si mjet për kapërcimin e “lodhjes” së maxhorancës së shkuar në ushtrimin e pushtetit, por si një mjet nëpërmjet të cilit pritet të “prodhohet” një qeverisje minimalisht pak më e mirë se qeverisja tetëvjeçare që lamë pas. Madje edhe vetë rritja e pjesëmarrjes qytetare në votimin e 23 qershorit 2013, përveçse një dëshmi e rritjes së varfërisë dhe shpresës së kuptueshme të qytetarëve ndaj zgjidhjeve që vijnë nga “lart” (d.m.th. nga qeveria), është një dëshmi se nuk janë pa interes dhe përfitim publik edhe nismat e ndryshme të shoqërisë civile për të inkurajuar pjesëmarrjen qytetare në jetën politike të vendit, në rritjen kështu edhe të llogaridhënies së të zgjedhurve në postet publike në qeverisjen qendrore dhe vendore, duke përfshirë edhe lëvizjen “Act now!” (Vepro tani!), të mbështetur personalisht nga ambasadori Arvizu. Natyrisht, rezultati i zgjedhjeve me një maxhorancë gati plebishitare në konceptin numerik nuk presupozon se ndryshimi i pritur do të ndodhë vetvetiu dhe as “nga lart”… Aq më tepër që cilësisht apo në konceptin e përfaqësimit politik, prania e gjerë e një numri sipërmarrësish, disa syresh edhe me një të shkuar problematike sa në aspektin fiskal, aq edhe në integritetin e presupozuar të një përfaqësuesi të vullnetit qytetar, ngre pikëpyetje dhe shtron probleme të reja që nuk duhen injoruar në zhvillimet e afërta politike të vendit. Kuptohet lehtë se dominanca numerike e maxhorancës aktuale nuk duhet të lejojë revansh politik dhe neglizhencë mbi opozitën që deri dje ishte në pushtet. Në fund të fundit, është përgjegjësi e elitës politike të vendit, në pushtet dhe në opozitë, të dallojnë qartësisht dhe të mos konfondojnë për asnjë çast pushtetin me shtetin, dhe në emër të përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve të vendit dhe në favor të integrimit europian të tij të evitojnë përvojat e dëmshme të së shkuarës së afërt në këtë fushë.
Ja përse thirrja e ambasadorit Arvizu në ceremoninë e djeshme në Elbasan tingëllon edhe si një ftesë për reflektim, për të parë të lidhura ngushtë përgjegjësitë e elitës politike të vendit me interesat themelore të qytetarëve. E këta të fundit nga maxhoranca e re presin minimalisht një klimë politike bashkëpunuese në të cilën të sundojë mirëbesimi reciprok në emër të integrimit europian të vendit; përmirësimin e klimës së biznesit me rezultat zvogëlimin e papunësisë në vend; shtimin e investimeve private vendase dhe të huaja për të përshpejtuar rimëkëmbjen pas krizës së 4-5 viteve të fundit dhe rritjen ekonomike; një shtet më funksional, d.m.th. shërbime shtetërore më cilësore të ofruara prej tij në rendin publik, shëndetësi, arsim, diplomaci etj. E që të arrihen këto pritshmëri të natyrshme (në dukje elementare dhe tipike për shoqëritë me institucione të dobëta dhe me performancë problematike), të shumicës së qytetarëve shqiptarë që kanë votuar ose jo maxhorancën aktuale, rritja e llogaridhënies së të zgjedhurve në çdo nivel të qeverisjes ndihmon për të verifikuar ecurinë, ritmet, dinamikën, problemet etj. të qeverisjes, si dhe për të bërë korrigjimet e rastit në politikat e shpallura dhe të pashpallura që ndiqen nga maxhoranca e re qeverisëse e vendit.