Sa kushton të rilindësh shëndetësinë?
Nga Erion Dasho, botuar në Dita, 30 shtator 2013
Ligji Sutton e ka marrë emrin prej Billi Sutton, një hajdut bankash i fillimit të shekullit të njëzetë. Kur u pyet nga gjykatësi se përse grabiste banka, Sutton u përgjigj “Sepse bankat kanë pare!” Ligji Sutton në jetën e përditshme përkthehet “për një fenomen kërko, në radhë të parë, shpjegimin më të thjeshtë”. Shpesh reformat në sistemin shëndetësor shqiptar janë braktisur, madje as nuk kanë nisur, me një justifikim të tipit Sutton, por të perifrazuar në të kundërt: “Sepse shteti nuk ka pare!”
Sa shpenzohet për shërbimin shëndetësor?
Për të kuptuar ku qëndron Shqipëria me financimin e sistemit shëndetësor, nevojiten disa krahasime globale. Nga njëra anë e spektrit qëndrojnë vendet e varfëra të botës të cilat shpenzojnë për shëndetin rreth 50 dollarë në vit për banor, ku ka edhe ekstreme që arrijnë deri në 15 dollarë në vit. Nga ana tjetër qëndrojnë vendet e zhvilluara të cilat shpenzojnë për çdo qytetar të vetin midis 4,000 dhe 9,000 dollarë në vit. Me diçka më tepër se 250 dollarë, Shqipëria pozicionohet në mesin e listës.
Rreth 8-10% e kësaj shume vjen nga sigurimet shëndetësore, rreth 25-30% financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër financohet privatisht nga qytetarët në formën e pagesave formale dhe informale.
Për t’ju rikthyer numrave absolutë, shqiptarët shpenzojnë midis 750 milionë dhe 1 miliard dollarë në vit për shëndetin. Kjo shkon për të financuar sistemin shëndetësor publik dhe atë privat, përfshi edhe paret që harxhojnë qytetarët për tu kuruar jashtë shtetit. Vendet e zhvilluara shpenzojnë shifra të përafërta me krejt financimin e shëndetësisë shqiptare për një spital të vetëm; madje për një spital të zakonshëm rajonal. Shpenzimet e disa prej këtyre vendeve për shëndetësinë e kalojnë krejt GDP-në shqiptare për person. Disniveli dhe mangësitë janë të qarta.
Sa kushton shëndeti?
Teknologjia e zhvilluar nga njeriu ka arritur kufij të cilët, para disa dekadave, i përkisnin fantashkencës. Kjo vlen edhe për shëndetësinë. Teknologjia mjeksore përkufizohet si kombinimi i pajisjeve, medikamenteve dhe njohurive. Sot ekzistojnë pajisje mjeksore që kushtojnë miliona dollarë dhe medikamente të gjeneratave të fundit që kushtojnë disa dhjetëra mijëra dollarë për pacient në vit. Arsimimi dhe edukimi në vazhdim i mjekëve po kështu është shumë i shtrenjtë.
Sot një mjek me kërkesa ndaj vetes ka nevojë të marrë pjesë në të paktën 2-3 takime ndërkombëtare profesionale në vit dhe të abonohet në të paktën 2-3 revista mjekësore, veprimtari të cilat përkthehen në disa mijëra dollarë shpenzime në vit. E parë nën këndvështrimin e pacientit: jo më larg se një shekull më parë, të “mjekoheshe” përkthehej në një vizitë nga mjeku i familjes dhe rezultati financiar i “mjekimit” ishte tarifa e mjekut dhe medikamenti i përshkruar.
Sot “mjekimi” mund të jetë vendosje e disa stenteve (unazave) në zemër me vlerë 10 mijë dollarë, por mund të jetë edhe transplanti kardiak me vlerë 200 mijë dollarë. Shumatorja për një shtet të zhvilluar që pretendon të zgjidhë pjesën dërrmuese të nevojave shëndetësore të qytetarëve, arrin në dhjetëra dhe qindra miliardë dollarë, ku SHBA-të kanë rekordin absolut me mbi 2,5 trilionë dollarë të shpenzuar çdo vit për shëndetin, ndërkohë që qytetarët dhe kritikët e sistemit ankohen për probleme të mëdha sidomos me qasjen dhe barazinë.
Pse u shtrenjtua kaq shumë “malli” shëndet?
Rritja e kostove të imponuara nga shtrenjtimi i teknologjisë është vetëm një prej shkaqeve. Vendet e zhvilluara shpenzojnë shumë për shëndetin si pasojë e rritjes së moshës mesatare të popullatës. Të moshuarit përbëjnë pjesën e popullsisë me më tepër nevoja shëndetësore, të cilat janë përgjithësisht kronike. Një tjetër faktor është informimi i publikut.
Sot pacienti nuk mjaftohet me opsionet për trajtim që i parashtrohen. Pacienti ka në dispozicion burime të shumta informimi, ku interneti është padyshim më i gjeri dhe më i shpejti. Brenda më pak se një orë, një pacient ka mundësi të informohet për sëmundjen apo problemin e vet në një shkallë aq të plotë sa mund të turpërojë në debat çdo mjek mediokër. Informimi lidhet edhe me një tjetër aspekt të rëndësishëm – pritshmërinë prej sistemit shëndetësor.
Nëse para dy dekadash, qytetari shqiptar shkonte në farmacitë e kohës dhe mund të zgjidhte midis penicilinës, streptomcicinës dhe, maksimumi, një ose dy antibiotikëve të tjerë, sot i njëjti qytetar i kërkon llogari mjekut se përse nuk përshkruan antibiotikë të gjeneratave të treta ose të katërta. Qytetari i moshuar sheh tendencën e rritjes së jetëgjatësisë dhe kërkon të jetojë sa më gjatë dhe sa më i lirë nga sëmundjet.
Ka edhe shumë faktorë të tjerë, por për ta mbyllur këtë paragraf mund të sillet shembulli i globalizimit. Pacienti dikur merrte ndihmë nga mjeku i lagjes dhe maksimumi nga spitali i qytetit. Sot, spitalet dhe klinikat e Tiranës janë vetëm pak orë distancë, ndërsa brenda ditës mund të kërkosh dhe të marrësh ndihmë në spitalet e disa prej vendeve më të zhvilluara të botës, ku edhe kostot e shërbimit janë natyrisht shumë më të larta se në Shqipëri.
Cila është kostoja e vërtetë?
“Reformat janë të vështira, sepse reformuesi ka gjithmonë kundër ata që përfitojnë nga gjendja aktuale. Paradoksalisht, edhe përfituesit nga reforma nuk janë veçse mbështetës të vakët” (Niccolo Machiavelli).
Pavarësisht nga sa u tha në paragrafët e mësipërm dhe justifikimit që implikon Ligji Sutton, përballimi i kostove ekonomike është pjesa “e lehtë” e reformës. Kostot më të larta janë ato politike. Zakonisht, para një qeverie shtrohen dy opsione: një reformë e tipit populist që mund të kënaqë popullatën SOT, ose një reformë që hedh bazat për zhvillimin e NESËRM. Për shkak të situatës ku ndodhet sistemi shëndetësor shqiptar, luksi i një reforme populiste ngjan i pamundur; aq më tepër duke patur parasysh pritshmërinë që ka krijuar premtimi për shëndetësi falas dhe qasje universale ndaj shërbimeve.
Zgjidhja për shëndetësinë mbetet një strategji gjithëpërfshirëse e cila ka nevojë për vite të tëra që të “shpërblejë” politikisht forcën inicijuese. Në kushtet kur nuk mund të pritet shumëfishim i buxhetit publik të sistemit shëndetësor, reforma duhet të parashikojë rishpërndarjen e burimeve ekzistuese njerëzore, financiare dhe materiale.
Mbyllja e spitaleve apo institucioneve jo kosto-efektive, një plan kombëtar për ristrukturimin e burimeve njerëzore, kostifikimi i shërbimeve shëndetësore, hartimi dhe vendosja në zbatim e protokolleve mjekësore, përcaktimi i paketave të shërbimeve që do të ofrohen falas, që do të subvencionohen pjesërisht apo që do të paguhen nga xhepi dhe, mbi të gjitha, përcaktimi i parimeve mbi bazën e të cilave do të bëhet prioritizimi i nevojave dhe vendim-marrja, janë vetëm disa nga masat që bartin kosto politike të hapura ose të fshehta. Paralelisht duhet të punohet për forcimin e mekanizmave menaxherialë, financiarë, ligjorë dhe të sistemeve të informacionit shëndetësor.
Me tej, plani i zbatimit të reformës duhet të kapërcejë sfidën klasike të pritshmërive të militantëve për punësim në pozicionet drejtuese. Përvoja e deritanishme ka treguar se militantët pa aftësi apo background teknik janë vrasësit e reformave. Paralelizmi për një ekip reformues dhe një turmë militantësh në drejtim është me një tren ku lokomotiva është prodhim i shekullit të njëzetë e një, kurse vagonët prodhim i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kuptimi dhe zbatimi i kësaj mase është kostoja e fundit politike e reformës.