Opozita 3.4 miliardë euro

Nga Emin Barçi, botuar në Panorama Online, 30 shtator 2013

Nga deklarimet publike po krijohet përshtypja se një borxh i fshehur publik prej 400 milionë eurosh është problemi dhe zgjidhja  për ekonominë shqiptare. Personalisht, shtrimi i problemit në këtë mënyrë më duket më shumë se semplicist. Nxitja e konsumit privat nga individët dhe familjet është mundësia më e mirë e çdo qeverie për të garantuar progres  ekonomik e social.  Edhe vetë deklarata e FMN, pas takimeve me autoritetet shqiptare, ndër faktorët që renditi për rritjen e ulët (1.7% për 2013), kryesori apo, siç jemi mësuar ne, “i pari”, është “reduktimi i kërkesës së brendshme”. Dhe po flasim për rreth 8 miliardë euro konsum për vitin 2012, nga rreth 10 miliardë që është gjithë PBB. Nuk dua t’u hyj këtu analizave teknike për burimet që financojnë konsumin, por këmbëngul se duhet të merremi me të, nëse vërtet duam progresin kombëtar dhe zbutjen e hendekut të zhvillimit mes Shqipërisë dhe BE.
Pa dyshim që pagesa e menjëhershme e borxheve do ishte një zgjidhje, por e përkohshme, e kushtueshme dhe pa efekte të menjëhershme e në rritjen e konsumit dhe të PBB. Nëse borxhi i padeklaruar është i vërtetë – nëse situacionet për punë të kontraktuara janë dorëzuar dhe nuk janë paguar – vlera prej 400 milionë eurosh përbën 4% të PBB dhe 5% të konsumit. E kundërta fatkeqësisht nuk është e vërtetë, që pagesa menjëherë e këtij borxhi do rrisë PBB menjëherë me 4% dhe konsumin me 5%. Natyrisht që lidhjet dhe efektet mes huave publike dhe konsumit janë të forta dhe me efekte zinxhir, por jo efekt domino. Në Shqipërinë e Mesme ka një shprehje, që thotë “mos u merr me kokrrën e ullinit, se po të ikën barra e vajit”. Me këtë dua të them se detyrimet patjetër duhen paguar dhe në afatmesëm ato do japin pa dyshim efekte. Por fokusi duhet të jetë në kontribuuesin me 80% në PBB, që është konsumi dhe fillimisht nëndërhyrje pa kosto. Dhe, siç e dimë, tashmë faktori psikologjik ka shumë rëndësi në konsum. Bota moderne e mat çdo muaj sentimentin e konsumatorëve për të kuptuar tendencat e ekonomisë. Edhe ne e matëm, por si e lexuam?
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 kanë edhe një vlerë monetare bazuar në konsum. Nëse zgjedhjet i zbërthejmë në para dhe konsum dhe, nëse supozojmë se shpërndarja e pasurisë ka qenë e barabartë, konsumi mesatar për frymë ka qenë i barabartë si për pozitën, edhe për opozitën, del se: populli socialist konsumon në vit me çmimet e vitit (2012) 3.2 miliardë euro, demokratët 2.5 miliardë euro, LSI 830 milionë euro etj. Maxhoranca e re konsumon rreth 4.6 miliardë euro, ndërsa opozita e re konsumon rreth 3.4 miliardë euro.
Unë e di që ka shumë skeptikë rreth këtyre shifrave. Nuk janë ato qëllimi i shkrimit, por roli i sentimentit në treg dhe pesha ekonomike e popullit opozitar si një indikator që duhet të merret parasysh nga maxhoranca në premtimet dhe veprimet që ndërmerr. Çfarë kuptojmë nga sa më sipër? Nëse populli opozitar e ndien veten të kërcënuar për pushime nga puna etj., gjëja e parë që do bëjë është reduktimi i konsumit dhe huamarrjes. Nëse populli opozitar ul konsumin me vetëm 10%, shifra e dëmit shkon e barabartë me atë të borxhit të fshehur që qeveria pretendon se ka në kurriz.
Kur flitet për konsum, nuk mund të anashkalohet struktura politike e tregut, sepse në fund të fundit konsumatori, votuesi dhe militanti janë një në shumicën e herëve. Populli opozitar (gjithë e djathta), që teorikisht konsumon rreth 3.4 miliardë euro në vit ose rreth 43% të konsumit total, nuk duhet trembur, nuk duhet kërcënuar në bllok. Ka teori të besueshme, që thonë se e djathta vërtet ka 43% të votave, por ka më shumë se 50% të parave për konsum për shkak të abuzimit me pushtetin 8-vjeçar. Nëse kjo është e vërtetë, vëmendja ndaj popullit opozitar dhe reformave duhet shumëfishuar. Kjo nuk do të thotë të mos ndëshkohen të gjithë ata që kanë abuzuar me mandatin apo detyrën duke shkelur rregullat dhe ligjet. Kjo do të thotë që “fajtorit” t’i vihet me shumë kujdes dhe saktësi e kompetencë emri dhe mbiemri pa etiketën “opozitar”. Populli opozitar duhet ta ndiejë veten të përfaqësuar nga qeveria, të mbrojtur prej saj, të ndihmuar dhe nxitur. Populli opozitar duhet të japë aprovimin e tij rast pas rasti për çdo individ që duhet shkarkuar apo dënuar, sepse në radhë të parë ka abuzuar me besimin e tyre. Në të kundërtën, nëse deklarimet apo reformat e maxhorancës së re do konsiderohen si të rrezikshme apo kërcënuese nga masa e popullit opozitar, pasojat do i vuajmë të gjithë e kryesisht vetë qeveria. Më pak konsum do të thotë më pak prodhim dhe importe, më pak të ardhura për sipërmarrjet dhe shtetin, më pak investime, më pak vende të reja pune etj. Në rastin më të mirë, nëse reformat e qeverisë nxisin popullin maxhoritar të rrisë konsumin, efektet rrezikojnë të jenë minimale për shkak të uljes së kërkesës nga populli konsumator opozitar.
Duke shpresuar se kam arritur të qartësoj rolin e pazëvendësueshëm dhe të padiskutueshëm të konsumit në ekonomi dhe peshën shumë të rëndësishme të popullit konsumator opozitar, duhet të them se debati për pushimet nga puna, për spastrimet apo ngrirjen e ligjit të nëpunësit civil, vetëm ua vështirëson jetën shqiptarëve dhe suksesin vetë qeverisë. Opozita flet për 90 mijë persona që u është bërë gati nga maxhoranca mandati i pushimit nga puna. Është pak e vështirë për mua të llogaris se sa familje përfaqësojnë këta 90 mijë persona, por një gjë është e sigurt: humori i popullit konsumator opozitar 3.4 miliardësh euro konsum është prishur. Në rastin më minimal këtij lloj populli i prishet humori, sepse mendojnë se tashmë nuk do kenë më asnjë derë hapur në dyert e pushtetit. Një nga gabimet më të rënda që ish- maxhoranca kreu dhe që e pagoi shumë shtrenjtë, ishte pushimi masiv brenda pak ditësh pas shpalljes së koalicionit PS–LSI i të gjithë atyre që konsideroheshin lsi-stë. Leksioni që morën zgjedhësit ishte i thjeshtë: maxhoranca e PD, për shkak të interesave të veta, shuan me gomë interesat tona si shtetas, konsumatorë e zgjedhës.
Po çfarë duhet të bëjë maxhoranca e re që humori i tregut të konsumit të rritet dhe që demokratët dhe të djathtët në përgjithësi të mos ndihen të kërcënuar? Për këtë nuk ka receta të gatshme. Bashkëpunimi me përfaqësuesit e zgjedhur të opozitës, reforma pa kosto, incentivime me kosto përfitim etj. janë matrica që qeveria duhet të zgjedhë.
Një gjë është e sigurt – nëse opozita vazhdon e kërcënohet në bllok, dëmi në ekonomi do jetë 800 milionë euro; 400 milionë euro situacione të papaguara dhe 400 milionë euro reduktim konsumi nga populli opozitar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi