Rreziku që qëndron pas manisë së imazhit
Nga Skender Minxhozi, Botuar në Shqip, 29 gusht 2013Prej ditësh, faqet e shtypit janë pasionuar nga beteja në distancë e fotove mes dy kampeve politike. Qeveria si ka qenë dhe si do të bëhet, mund të quhet ky kryqëzim shpatash nëpër rrjetet sociale. Fitimtarët e rinj po harxhojnë shumë energji për të ekspozuar anën e shëmtuar vizuale të shtetit që kanë marrë trashëgim nga paraardhësit e tyre.
Po të shohësh propagandën e sotme zyrtare, po të dëgjosh deklaratat e shkruara ose të folura të krerëve të ekzekutivit (LSI bën përjashtim deri diku), në lidhje me korrigjimin dhe kurimin e imazhit të qeverisjes, të karabinasë së shtetit, fasadës, zyrave dhe bodrumeve të tij, arrin shpejt në konkluzionin se këtu ka më së paku një gabim në vlerësimin e prioriteteve të vërteta. Duket sikur papritmas i gjithë problemi qëndron te pastrimi i plehrave nëpër oborre, lyerja e zyrave, heqja e pluhurit e riparimi i mobilieve të harruara dhe gjithçka do të duket ndryshe. Edhe Shqipëria do të jetë më e bukur, edhe jeta e shqiptarit më e lehtë dhe e gëzueshme. Rama ka qenë politikani i parë i tranzicionit shqiptar, që ka futur në politikëbërje elementin estetik. Mund ta pëlqesh ose jo stilin shpesh provokativ, por gjatë një dekade në krye të Tiranës ai i ndryshoi qytetit ngjyrat dhe veshjen.
Problemi është se tashmë Rama ka në dorë Shqipërinë dhe jo vetëm Kryeministrinë. Ai është zgjedhur për të ndrequr vendin e jo vetëm një godinë të tij. Natyrshëm, ai ka në favor alibinë e fortë të kohës së shkurtër që ka pasur për të qëndruar në një zyrë, ku brenda harkut të pak orëve ka lënë gjithçka pas, për të shkuar matanë oqeanit. Çështja është se kjo e sistemimit po kthehet në një modë, në një standard sjelljeje, për të gjithë administratën qendrore. Për të qenë korrekt me linjën zyrtare, duhet me patjetër të afishosh të lara e të palara në internet e televizione. Oborre të mbushur me plehra, karkasa e rrangulla gjithfarësh, tavane që pikojnë dhe pajisje të hedhura njëra mbi tjetrën, kanë pushtuar faqet personale të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit, duke i dhënë kështu start një gare kolektive “të duarve të pastra”.
Që shteti shqiptar është një ngrehinë ku ka nevojë për rend, rregull dhe strukturë, kjo është jashtë çdo dyshimi. Imazhi i shtetit ka qenë dhe është pre e viktimë e pamjeve “të sikletshme” që shtypi botëror ka nxjerrë kohë pas kohe për qytetet, rrugët e institucionet tona. Duhet një pastrim total, duhet një rregullim tërësor në këtë vend, edhe nga aspekti i mazhit, e shembulli që po përpiqet të japë qeveria e re ka rezonancën e tij të rëndësishme në këtë proces.
Çështja është se drejtimi i shtetit nuk është vetëm një problem imazhi. Cinikët jo të paktë të Ramës po kujtojnë këto orë me insistim projektin e tij të famshëm të fasadave, ku godinat qendrore të Tiranës u lyen pjesërisht, e jo në tërësi. E pra, është koha, pas një dekade që shteti të ndreqë jo vetëm vitrinën e tij, por edhe brendinë.
Me fjalë të varfra, qeveria Rama është pikërisht në momentin kur duhet të paraqesë para shqiptarëve një elaborim final të programit elektoral, të përkthyer në program qeverisës. Opozita e akuzoi Ramën se ishte i vagullt e kaotik në paraqitjen programore në Parlament, në momentin e marrjes së votëbesimit. Përtej zhurmës propagandistike të opozitarëve, tashmë ndodhemi përballë nevojës për të parë idetë konkrete të qeverisësve të rinj, për listën e gjatë të problemeve që i kanë zënë “pusi” Kryeministrit të ri dhe ministrave të tij. Qeveria mund të pëlqejë që ta paraqesë veten për pak kohë edhe si inspektorat ndërtimor. Problemi është se njëra gjë s’përjashton tjetrën. Duhet t’u bëhen të ditura planet shqiptarëve për reformat e mëdha të shtetit që janë premtuar, duke nisur me reformën administrative. Duhen dëgjuar projektet konkrete për vendet e reja të punës, pronën, arsimin, përmbysjen në shëndetësi dhe sigurisht edhe shëndoshjen ekonomike e financiare. Konkluzionet e fundit të FMN-së për situatën financiare të vendit janë dramatike. Shifrat e borxhit publik, ato të pagesave të pashlyera për biznesin apo projektet e lëna përgjysmë, janë që të gjitha sirena alarmi që duhet të vënë në lëvizje me urgjencë institucionet e shtetit.
Vera e rotacionit të pushtetit ka qenë e gjatë, koha nuk ka munguar dhe votat janë aty. Të shumta dhe solide, për të bërë gjithë çfarë duhet. Veçse pas takimeve formale e informale, pas tureve festive për fitoren e zgjedhjeve e shuarjes së kuriozitetit për përbërjen e stafit qeverisës, duhet të nisë puna e vërtetë, e cila i ka brenda edhe rregullimet e zyrave, edhe pastrimin e bodrumeve e të ndërtimeve pa leje brenda territorit të institucioneve. Por ka gjithashtu brenda shumë më tepër se kaq. Ramën e pret një mal punësh, në shkallët e avionit që po e kthen nga SHBA-ja. Jo shpluhurosje mobiliesh, por shpluhurosje e shtetit.