Po nëse BSh do printonte 50 miliardë lekë për buxhetin?
Nga Prof. Alqi Naqellari, botuar në Dita, 29 shtator 2013
Dëgjova me vëmëndje Ministrin e Financave zotin Cani që foli për situatën ekonomiko-financiare të ekonomisë shqiptare. Situata ekonomike është ashtu siç e kanë përcaktuar edhe përfaqësuesit e FMN edhe përfaqësuesit e qeverisë, shumë e rënduar. Duke përjashtuar treguesin e inflacionit që është brenda parametrave që ka përcaktuar Banka e Shqipërisë 3%+-1% të gjithë treguesit e tjerë makroekonomikë kanë ardhur duke u përkeqësuar. Pavarësisht se INSTAT-i ka theksuar se kemi rritje ekonomike nga 2009 dhe në vijim, në fakt kemi rënie. Nga 2009 deri sot kemi këto shifra, 7.5%, 3.3%, 3.8%, 1.6% dhe 1.8%. Prirja normale e ritjes ekonomike është 2.25 %, prirje në bazë të së cilës llogaritet rënja e normës së papunësisë. Norma e papunësisë thuajse nuk ka ndryshuar nga 2009 deri sot, ka qënë 13.6%, 13.6%, 13.3%, 13.3% dhe dy deklarimet e fundit nga INSTAT-i 12.8 dhe 14.5%. Deficiti tregëtar është thelluar, remitancat kanë rënë, investimet e huaja po ashtu. Dhënja e kredive është frenuar, depozitat nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukëshme, raporti kredi në lekë me kredi në valutë nuk ka ndryshuar, etj. Deficiti buxhetor është rritur dhe borxhi publik po ashtu, nga 63.5% të GDP që e raportoi Fullani para disa ditëve sot sipas Ministrit të Financave është mbi 70%. Këto të dhëna tregojnë se ekonomia është në recesion, recesion i hapur sepse deri tani nëpërmjet kredive të mara, shitjes së pasurive shtetërore, remitancave dhe investimeve të huaja me sforco ka qëndruar në stanjacion.
Vitet | Norma e papunesisë% | Inflacioni mesatar në % | Rritja reale e ekonomisë në % |
2008 | 12.5 | 3.36 | 7.5 |
2009 | 13.6 | 2.28 | 3.3 |
2010 | 13.6 | 3.56 | 3.8 |
2011 | 13.3 | 3.45 | 3.1 |
2012 | 13.3 | 2.04 | 1.6 |
2013(pritshmi) | 14.5 | 2 | 1.8 |
Këtë situatë e ka diktuar struktura ekonomike e orjentuar keq, mos stimulimi i degëve kryesore prej qeverisë, modeli ekonomik që zbatoi kjo qeveri si dhe drejtimi i shpenzimeve shtetërore. Kjo qeveri pjesën më të madhe të shpenzimeve për investime e drejtoi në ndërtimin e rrugëve. Ky sektor është sektori më ineficient sepse ka koeficient kthimi absolutisht të ulët. Nëse këto para qeveria do ti kishte hedhur në sektorë prodhues brenda 10 vitesh do ishin kthyer, ndërsa në rrugë ato mund të mos kthehen kurrë. Kjo sepse atë e kthejnë bizneset që investimi stimulon. Shpenzimet e rrugës Tiranë-Durrës i kthejnë bizneset që janë ngritur në dy anët e rrugës dhe jo rruga sepse nuk ka ndonjë stacion për të paguar taksë të kalimit në autostradë. Kështu qëndron problemi edhe për rrugën Milot-Morinë ku u shpenzuan mbi 1.3 miliardë euro.
Thane 100? Gënjyen, janë 400!
Qeveria që u largua jo vetëm që profilizoi shpenzimet në sektorët jo prodhues por bëri edhe një veprim tjetër skandaloz, ajo nuk shleu detyrimet e saj ndaj firmave të biznesit që ndërtuan një pjesë të rrugëve dhe përgjithësisht sektorit të ndërtimit. Sipas raportimeve më të fundit borxhi që qeveria e larguar u ka firmave është mbi 400 milionë euro, në një kohë që ajo qeveri pretendonte se nuk u kishte më shumë se 100 milionë euro. Ky borxh i qeverisë nuk është raportuar në totalin e borxhit që ajo reklamon prej 63.5%. Në këtë shifër nuk janë përfshirë edhe borxhet e tjera të brendëshme që ajo qeveri krijoi në 8 vite të sundimit të saj. Borxhi real siç e theksuam edhe më lartë kalon shifrën e 70% në raport me GDP. Shifër tronditëse kjo në kushtet e një stanjacioni ekonomik, me pamundësi zhvillimi, sepse kjo qeveri e ktheu nga një strukturë prodhim- eksport në një ekonomi tërësisht importuese.
Qeveria që ka ardhur në pushtet nuk ka asnjë përgjegjësi për për modelin ekonomik që ajo hartoi dhe kërkoi të zbatonte, nuk ka asnjë përgjegjësi për privatizimet e pasurisë kombëtare, për shitjet dhe koncesionet e turpëshme të qeverisë së larguar. Për këtë arsye unë momentalisht jam kundër borxhit që qeveria e re kërkon të marrë nga FMN apo prej ndonjë burimi tjetër. Unë kam qënë dakort për borxhin e ngrirë. Për këtë propozim askush nuk ka reaguar, përkundrazi propozimet që janë bërë kanë synuar që borxhi të mbetet borxh por të kalojë nga detyrimi ndaj biznesit në detyrim ndaj bankës me një manovër ekonomike që është karakteristikë për tregjet sekondare.
Unë kam propozuar një borxh prej 50 miliardë lekë që Banka e Shqipërisë t’ja akordoi me një vendim të Parlamentit Shqiptar(ligj) qeverisë. Shlyerja e këtij borxhi të filloj pas 10 vitesh, afati maturimit të jetë 30 vjet dhe norma e interesit 0.1%. Pse e kam bërë këtë propozim dhe çfarë mendoj sot? Sot kam mendim më radikal. Parlamenti të miratoj një ligj ku Banka e Shqipërisë të printojë 50 miliardë lekë dhe t’ia akordojë buxhetit si të ardhura ekstra, pa kurfarë detyrim kthimi.
Rreth frikës për rritjen e inflacionit
Pse Banka të bëjë këtë veprim dhe çfarë do ndodhi në qarkullim? Ata që e lexojnë menjëherë do thonë që do rritet inflacioni. Teorikisht kjo është e vërtetë, por ekonomia shqiptare ka një staturë krejt ndryshe nga ajo europiane sepse BSH ka aplikuar një politikë tejet të moderuar ekspansioniste. Kur BQE, FED dhe BQJ e ulën normën bazë duke tentuar zeron, BSH e kishte 6.25%. Sot është 3.5%. Shikoni se sa diferencë kemi ne me “ata”. Ata i kanë mbushur kanalet e qarkullimit me para ndërsa e kundërta ka ndodhur në tregun real shqiptar i cili ka shumë nevojë për to. Jo vetëm kaq por ky treg është i deformuar nga sundimi i euros mbi totalin e kredive dhe në qarkullimin e mjeteve kryesore. Bankat e nivelit të dytë luajnë me Bankën e Shqipërisë sepse kanë mbrojtëse të tyre normën e euros që varet nga BQE-ja dhe është 0.5%. Me këtë normë shumë pak njerëz i referohen lekut shqiptar, të gjithë i drejtohen valutës. Për këtë arsye në treg është ulur sasia e parasë. Ja si paraqitet gjendja e disa treguesve monetarë kryesorë:
Vitet | Para jashtë banke(mld) | M1(mld) |
2008 | 195,8 | 282,9 |
2009 | 209,04 | 284,5 |
2010 | 195,05 | 275,4 |
2011 | 194,9 | 276,9 |
2012 | 192,7 | 281,2 |
Nëse ritmet e rritjes vjetore të tyre në Europë kanë qënë me 7% në Shqipëri kanë pasë rritje simbolike me 1 dhe 2%. Rritjet më të ndjeshme i kemi pasur në qershor të 2013. Nuk dua ti bëj analizë këtij treguesi sepse është tërësisht elektoral.
Nëse krahasojmë rritjen ekonomike më këta tregues atëherë është e nevojëshme që të rritet sasia e parasë në qarkullim të paktën me 5% në vit. Ndokush do thoshte që nuk ka dalë leku jasht banke por ka dalë valuta. Po do thoshja unë por valuta ka dalë jashtë banke dhe jashtë Shqipërie. Mbi 2.5 miliardë euro janë depozituar jashtë Shqipërisë. Në 2009 që është rritur me 3.8% sasia e parasë jashtë banke është rritur me 6.7%. Nëse do vazhdonim me 6% rritje të sasisë së parasë jashtë banke atëherë në 2012 do të kishim 221.5, 234.7, 248.7 mld dhe në 2013 do ksihim 263.6 miliardë lekë. Në qershor ka pasur 202 miliardë lëkë nga 263.6 mld që duhej të kishte. Pra kemi një diferencë me 61.6 miliardë lekë. Kështu propozimi im për të rritur në qarkullim edhe 50 miliardë lekë është fare normal sepse i mungojnë tregut.
Ndokush do thotë se ka për t’u rritur inflacioni. Në fakt mund të ketë edhe abuzime prej tregtareve ashtu sikundër veprojnë ata në rastin e festave që rrisin çmimet ose në muajin korrik. Por edhe nëse do kemi inflacion ai nuk besoj se do kalojë 4% sepse në muajin gusht ai ka qënë 1.4%. Inflacioni në Shqipëri nuk është monetar por është i importuar sepse ne jemi vend jo prodhues më së shumti konsumues, kështuqë mallrat bazë të konsumit të gjerë që nga gruri, mielli, vaji, sheqeri, orizi etj ne i importojmë 100%. Në ekonominë shqiptare nuk ka përputhje midis Deflatorit të GDP si indeks çmimi dhe IÇK-së pikërisht për këtë arsye.
Rritja e sasisë së lekut në qarkullim do zhvendosi euron prej disa pagesave jo normale që fare lehtë mund të kryhen në para. Më tej do ketë edhe probleme sepse një pjesë e tyre do kthehet në valutë dhe do dali jashtë Shqipërisë. Kjo mund të ndikojë në kursin e këmbimit por unë besoj se ndikimi nuk ka për të qënë i rëndësishëm. Përfundimisht unë i sugjeroj Qeverisë të mos marrë kredi te FMN-ja por Banka e Shqipërisë të printojë 50 miliardë lekë për buxhetin duke e kaluar në Parlament. Kjo do jetë zgjidhja më normale në kushtet e ekonomisë shqiptare.