Në kërkim të indikatorëve për matjen e mirëqenies dhe progresit social

Nga Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 28 shtator 2013

Stimulimi i rritjes ekonomike bën pjesë në objektivat më të rëndësishëm të politikave publike, për të mos thënë që është më i rëndësishmi. Debatet politike, ekonomike e sociale vazhdojnë të kenë në thelbin e tyre “gjetjen e mjeteve dhe mënyrave për të nxitur rritjen ekonomike si rruga pothuajse e vetme e zhvillimit ekonomik.” E shprehur apo matur si përqindje në raport me PBB, rritja ekonomike paraqitet nga ekonomistët dhe politikanët si “rruga e vetme që të çon drejt progresit social dhe mirëqenies”, si “çelësi i vetëm për krijimin e pasurisë së individëve dhe shteteve”, si “pasuri që pastaj mund të përdoret për shërbime të ndryshme publike apo të rishpërndahet për ata që kanë nevojë në kuadrin e politikave sociale”. Pra, e thënë në mënyrë të përmbledhur, PBB është barometri i pasurisë sonë kombëtare dhe i kapaciteteve tona për progres social dhe mirëqenie.

Ky konkluzion ka kohë që ka ngjallur debate e reflektime, jo vetëm në gjirin e ekonomistëve, por edhe shoqërisë civile, mjediseve akademike e politike duke analizuar faktin “nëse rritja ekonomike është apo jo sinonim i krijimit të pasurisë dhe mirëqenies?”. Në fakt, PBB kontabilizon gjithë format e aktivitetit ekonomik pa bërë ndonjë ndarje ndërmjet atyre që sjellin realisht përfitime sociale dhe atyre që bëjnë efektin e kundërt, pasi thjesht dhe vetëm për hir të fitimit, shkatërrojnë mjedisin, shëndetin,etj. PBB nuk na ofron asnjë të dhënë për cilësinë e jetës, aksesin e shumë grupeve të popullsisë në shërbime bazë, gjendjen e shëndetit fizik e mendor, nivelin e lirisë ekonomike dhe demokracisë, zhvillimin e qëndrueshëm,etj. Pra, rritja e PBB nuk jep automatikisht përgjigje për rritjen e mirëqenies dhe progresit social, nuk mjafton për të dhënë një profil të qartë të nivelit të jetesës dhe mirëqenies së shumicës së popullsisë. Kjo është dhe arsyeja, përse ekonomistët kanë filluar të kërkojnë indikatorë të tjerë më domethënës për të shprehur dhe matur progresin social dhe mirëqenien.

Një histori e shkurtër e PBB

Për ta kuptuar më mirë dhe më thjesht përmbajtjen, thelbin dhe rolin “mbretëror” që PBB ka në politikat publike dhe zhvillimin ekonomik, duhen njohur paraprakisht kushtet historike në të cilat lindi dhe u zhvillua ky koncept. Gjatë viteve 1930, në kulmin e krizës së depresionit të madh, ministrat e financave të SHBA dhe Britanisë së Madhe, në përpjekje për të gjetur një mënyrë eficente për të ndjekur në vazhdimësi efektet e politikave të tyre të mbështetjes dhe zhvillimit ekonomik, krijuan sistemin e Kontabilitetit nacional. Në atë periudhë, rritja e shpejtë ekonomike dhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese ishte për SHBA, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë etj., sfida më e madhe që mund të përballonte papunësinë në nivelet 25-30%, si dhe krijimin e të ardhurave bazë për një pjesë të madhe të popullsisë, së cilës i mungonin paratë për plotësimin e nevojave bazë. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e theksoi akoma më shumë nevojën e këtij kontabiliteti nacional në mënyrë që të vlerësoheshin mundësitë dhe pasojat e pjesëmarrjes në luftë.

Ekonomisti amerikan Simon Kuznets, i konsideruar edhe si “arkitekti i sistemit të kontabilitetit nacional” i kishte lajmëruar që në vitin 1934 autoritetet amerikane se “mirëqenia e një kombi nuk mund të barazohej me prodhimin kombëtar”. Por megjithatë, në konferencën e famshme të Bretton Woods-it të vitit 1944, në të cilën fuqitë e mëdha të kohës i dhanë jetë “krijimit të një rregulli ekonomik botëror, i cili do krijonte mundësitë për përshpejtimin e progresit ekonomik global”, PBB u kurorëzua si “indikatori i vetëm që garantonte realizimin e objektivave të rindërtimit dhe zhvillimit”. Edhe institucionet e krijuara në konferencën e Bretton Woods-it, si Banka Botërore apo FMN e bënë këtë indikator mbretin e aktiviteteve dhe performancës së tyre. Simon Kuznets e kundërshtoi këtë praktikë duke nënvizuar se “vendimmarrësit politikë duhet të dinë të bëjnë dallimin ndërmjet sasisë dhe cilësisë së rritjes ekonomike, ndërmjet kostove e përfitimeve të saj afatshkurtra e atyre afat-gjata”.

Në këtë këndvështrim, kritikat adresuar ndaj PBB nuk janë të reja. Mbas Simon Kuznets, shumë ekonomistë e sociologë të shquar kanë vënë në dyshim “shprehjen e nivelit të mirëqenies vetëm nëpërmjet PBB”, ndërkohë që edhe nocione si “barazia sociale”, “shpërndarja e drejtë e të ardhurave dhe përfitimeve”, “degradimi apo përmirësimi i kushteve të jetesës dhe shërbimeve”, “cilësia e ambientit”etj., rrjedhin ndjeshëm nga suksesi apo mossuksesi i rritjes ekonomike, por nuk gjejnë shprehje domethënëse të PBB. Për pasojë, t’i japësh prioritet vetëm PBB apo ta mbështesësh suksesin apo dështimin e punës së qeverisë pothuajse vetëm te PBB, do të thotë të lësh pas dore përgjegjësinë për rritjen e mirëqenies, për cilësinë e jetës, për marrëdhëniet sociale, për drejtësinë sociale dhe shpërndarjen sa më të barabartë të fryteve të rritjes ekonomike. E përkthyer në një gjuhë më politike, do të thotë të mos kesh në dispozicion informacionin dhe indikatorët e nevojshëm për hartimin dhe aplikimin e politikave të duhura të mirëqenies sociale.

Si ta përkufizojmë mirëqenien?

Nga pikëpamja historike, fenomeni « mirëqenie » dhe tentativat për ta përkufizuar dhe matur atë e ka origjinën në traditat anglo-saksone të shek.XVIII-XIX, me autorë si Jeremy Benthan dhe John Stuart Mill, të cilët i referohen mirëqenies si shprehje e “utilitetit”. Sipas tyre, një shoqëri “e drejtë” krijon mundësinë që shumica e njerëzve të maksimizojnë mirëqenien e tyre, se “realizimi i mirëqenies është shumatore e utiliteteve” nga të cilat varet maksimizimi i mirëqenies globale. Jeremy Bentham e interpretonte mirëqenien si “kriterin më të mirë të çdo politike për të krijuar sa më shumë mirëqenie për një numër sa më të madh njerëzish”. John Stuart Mill, në veprën e tij “Ligjet e shpërndarjes së pasurisë” tentoi ta analizonte mirëqenien nën optikën se “të ardhurat mund të rishpërndahen pa dëmtuar efikasitetin ekonomik të burimeve”, koncept që u përdor më vonë nga Leon Ëalras në kuadrin e “ekonomisë sociale” e cila duhet të ishte “shkenca që studionte pasurinë sociale dhe shpërndarjen e kësaj pasurie ndërmjet shtetit dhe individit”.

Në versionin e saj modern, « ekonomia e mirëqenies » lindi në 1920 me librin “The Economics of Welfare” nga ekonomisti Arthur Pigou, i cili zhvilloi konceptin e “eksternaliteteve” duke analizuar “efektin e veprimeve të një agjenti ekonomik mbi mirëqenien e një tjetri”. Ky këndvështrim u bë thelbi i analizës së mirëqenies që justifikonte ndërhyrjen e qeverisë/shtetit në një ekonomi tregu e cila justifikohet nga “funksionimi i keq i tregut”, në rastet kur ai nuk realizon një shpërndarje optimale të burimeve prodhuese dhe të ardhurave. Nga ana e ekonomistëve, kjo sfidë që konsiston në vlerësimin dhe krahasimin e situatave ekonomike nga pikëpamja e mirëqenies, merr një përgjigje nëpërmjet “kriterit të Pareto-s”: shpërndarja e burimeve është optimale deri në momentin kur rritja e mirëqenies së një personi nuk shkakton zvogëlimin e saj për një person tjetër.

Mbas viteve 1930, u zhvillua « ekonomia e re e mirëqenies » si një degë e veçantë e teorisë neoklasike që studion gjendjet e ndryshme të ekonomisë nën këndvështrimin e mirëqenies. Kur ekonomistët filluan të flasin masivisht për “ekonominë e mirëqenies” u mbështetën gjerësisht në konceptin e Pigou që kërkonte një shkencë ekonomike që “nuk degjeneronte në receta e formula, por që përqendrohej esencialisht në problemet e mëdha sociale si p.sh., ekzistenca e të pasurve e të varfërve etj”. Ata tentuan t’i përgjigjen një serie pyetjesh të tilla si: çfarë kuptohet me termin mirëqenie?, çfarë kuptimi i jepet nocionit të utilitetit kur analizohet mirëqenia ?, cili është dimensioni kolektiv i mirëqenies ?, cila është ndarja më e pranueshme e individëve kur flitet për mirëqenien kolektive ?, cili është roli i ekonomistëve në këtë çështje? etj.

Në fund të shek.XX, debati u përqendrua në tri drejtime kryesore: 1) në përcaktimin se çfarë do të quhej “mirëqenie”; 2) në gjetjen e indikatorëve dhe instrumenteve më të mira për ta shprehur dhe matur atë; 3)në përcaktimin e politikave që siguronin “mirëqenien për të gjithë”. Koncepti “mirëqenie” u përkufizua si “tërësia e gjërave që kemi nevojë për të jetuar mirë, të tilla si paraja që na kënaq nevojat kryesisht materiale, shëndeti që na garanton ekuilibrin fizik e mendor të jetesës, kultura e spiritualiteti, dija dhe njohuritë, kushtet e banimit, cilësia dhe prezenca e shërbimeve të ndryshme etj.

Një lëvizje ndërkombëtare: të shohim përtej PBB !

Në përgjigje të këtij shqetësimi dhe kësaj domosdoshmërie, gjatë dy dekadave të fundit janë shtuar përpjekjet për krijimin e indikatorëve të tjerë specifikë që masin mirëqenien sociale dhe i ofrojnë shoqërisë dhe vendimmarrësve politikë një panoramë më të plotë e të saktë të zhvillimeve sociale.

Treguesi i parë që hapi rrugën drejt matjes së mirëqenies dhe progresit social ishte “indikatori i zhvillimit njerëzor” i llogaritur që në fillim të viteve 1990 nga UNDP. Shpikësi i tij, ekonomisti pakistanez Mahbubul Haq, propozonte që nëpërmjet këtij treguesi të ri të “fillonte një kundër-ofensivë botërore ndaj përdorimit të verbër e të ngurtë të PBB në mjediset politike e ekonomike të çdo niveli në botë”. Ky tregues gruponte në vetvete tre parametra të rëndësishëm të zhvillimit social: shëndetin dhe jetëgjatësinë; edukimin dhe kohëzgjatjen e shkollimit; PBB për banor të axhustuar me treguesin e fuqisë blerëse. UNDP pati meritën e parë në botë kur tregoi se vendet me PBB/banor më të lartë nuk përputheshin detyrimisht me nivelin më të mirë të zhvillimit njerëzor. Vende të ndryshme që renditeshin në krye të klasifikimit botëror për treguesin PBB/banor, në fakt rezultonin shumë poshtë në pozicione kur ishte fjala për zhvillimin dhe progresin social. Megjithë horizontet që hapi ky tregues, ai rezultonte me mjaft të meta, pasi nuk ofronte një portret të plotë të situatës së zhvillimit njerëzor, sidomos për faktin se “fshihte” pabarazitë në shërbimin shëndetësor, arsimor, apo të të ardhurave ndërmjet grupeve të ndryshme sociale e territoreve/rajoneve brenda vendit, pasi i mesatarizonte ato. Ndërkohë, ai nuk jepte dot asnjë informacion për lirinë ekonomike dhe liritë politike, zhvillimin e qëndrueshëm, çështjen e barazisë së sekseve në punësim e përgjegjësi publike, etj.

Hapi më i madh në këtë drejtim u bë në vitin 2007 nga ana e OCDE-së e cila në “Forumin botëror të statistikave, njohurive dhe politikave” të mbajtur në Stamboll të Turqisë, bashkoi rreth vetes Bankën Botërore, Komisionin Europian, UNDP, etj., në deklaratën finale duke nënvizuar një angazhim të madh të këtyre institucioneve “në stimulimin e një debati ndërkombëtar të bazuar në të dhëna statistikore e indikatorë solidë për të matur dhe shprehur saktë progresin social dhe mirëqenien”. Disa muaj më vonë, në kuadrin e një konference tjetër ndërkombëtare të titulluar “Përtej ….PBB”, kjo iniciativë u kthye në objektiv të domosdoshëm dhe u “përkthye” në një projekt ndërkombëtar të financuar nga OCDE të quajtur “Matja e progresit social të shoqërive”, i cili synonte përgatitjen e një seti indikatorësh të vlefshëm ndërkombëtarë “për ta nxjerrë mirëqenien dhe zhvillimin social jashtë trysnisë dhe minimizimit që shkaktonte PBB”.

Kontributi i “Komisionit Stiglitz”

Në vitin 2009, qeveria franceze, në kuadrin e reflektimit për zhvillimin e indikatorëve të progresit social, ngarkoi një grup ekspertësh të shquar ndërkombëtarë, të kryesuar nga dy nobelistë në ekonomi, Joseph Stiglitz dhe Amartya Sen që të “studionin dhe identifikonin limitet e PBB si tregues i performancës ekonomike dhe progresit social…..dhe të propozonin informacionin shtesë të nevojshëm për të patur një pamje të qartë të cilësisë së jetës dhe zhvillimit njerëzor”. Komisioni arriti në konkluzionin se “statistikat kombëtare e ndërkombëtare duhet ta vinin theksin tek evidentimi i nivelit të mirëqenies së popullsisë dhe qëndrueshmëria e saj më shumë se sa tek treguesit e rritjes ekonomike dhe financave”.

Në thelbin e tij, komisioni Stiglitz arriti në tre konkluzione të rëndësishme.

Së pari, vendosja e individit në qendër të çdo treguesi e analize. Nëse nuk shprehet statistikisht “nga brenda” dhe në detaje situata reale e individëve dhe familjeve (pasuria, mirëqenia, gjendja shëndetësore, struktura e shpenzimeve, etj.), dhe jo thjesht mesataret statistikore të tyre apo llogaritje të pjesshme një herë në disa vjet, vendim-marrësit “rrezikojnë të jenë si pilotët pa busull”. Nga ky kënd-vështrim, nocioni i “cilësisë së jetës” është indikatori kryesor i suksesit dhe eficencës së politikave ekonomike. Mjaft vende të botës kanë filluar tashmë që krahas treguesit të “rritjes ekonomike” të llogarisin rregullisht e të bazohen edhe tek treguesi i “kënaqësisë së brendshme bruto”.      Së dyti, statistikat duhet që të evidentojnë qartë “efektet që investimet publike e transfertat e ndryshme  japin tek njerëzit”. P.sh., shpenzimet për shëndetësinë, arsimin, sigurinë publike, ujin e pijshëm etj., në rutinën statistikore evidentohen përgjithësisht në vlerë absolute, dmth, numri i mjekëve, shpenzimet për arsimin apo shëndetësinë në total; ndërkohë që kërkohet kalimi në një nivel më të avancuar treguesish të tillë si : indeksi i shëndetit publik, cilësia e përvetësimit të dijes në shkolla, niveli i kënaqësisë për sigurinë, etj.

Së treti, llogaritja më e mirë e efekteve të rritjes ekonomike ndaj mjedisit dhe në këtë kuadër matja e një indeksi mbi ndikimet që ka mjedisi mbi shëndetin publik, cilësinë e jetës apo dhe strukturën e shpenzimeve të individëve dhe familjeve.

Vetëm në këtë mënyrë mund të orientoheshin siç duhet politikat e zhvillimit që duhet të ndërmerrnin qeveri të ndryshme, apo dhe vetë institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, UNDP, etj. Shumë vende të zhvilluara, të tilla si SHBA, Irlanda, Luksemburgu, Zelanda e Re, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Australia etj., iu përgjigjën menjëherë kësaj iniciative duke i reformuar dhe kompletuar sistemet e tyre statistikore me indikatorë specifikë që masnin qartë zhvillimin social dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Në kërkim të indikatorëve të rinj

Një nga treguesit që u aplikua me shpejtësi ishte “indikatori i progresit të vërtetë” ose real (IPV) që u zhvillua veçanërisht nga një grup ekonomistësh dhe statisticienësh amerikanë në kuadrin e lëvizjes “Redefining Progress”. Në thelbin e tij, ky tregues llogaritej duke i shtuar PBB-së vlerën tregtare të disa aktiviteteve që PBB nuk arrinte t’i kapte dhe pasqyronte të tilla si “punët vullnetare në shërbim të komunitetit”, “punët shtëpiake” etj., dhe duke e zhveshur PBB nga “kostot negative të disa aktiviteteve ekonomike që ndikonin në shkatërrimin e burimeve natyrore, degradimin e ekosistemeve, kostot sociale të papunësisë, kostot e rikualifikimit profesional etj”. Rezultati: pothuajse në shumicën e vendeve të zhvilluara, atyre me ekonomi emergjente të grupit BRICS, dhe vendeve në zhvillim, trajektorja e ecurisë së PBB dhe shtimit të saj, nuk korrespondonte aspak me trajektoren apo vlerat e IPV, duke dëshmuar boshllëkun e madh social që politikat ekonomike lënë pas vetes nëse iluminohen vetëm nga ecuria e PBB.

Indikatori tjetër u quajt “Të jetosh mirë” dhe u propozua nga OCDE në vitin 2011. Ai grupon në vetvete 11 aspekte të mirëqenies: kushtet e banimit, të ardhurat, punësimin, jetën në komunitet, edukimin, mjedisin, qeverisjen, shëndetin, kënaqësinë e jetës që ndjen secili, nivelin e sigurisë dhe harmoninë familjare si ekuilibër ndërmjet kohës së punës dhe kohës në familje. Për ta bërë më të dukshëm efektin e tij, në mënyrë vizuale ky indikator paraqitet në formën e një lule me 11 petale, ku secili prej tyre është më i gjatë ose më i shkurtës në funksion të vlerave të treguesit që përfaqëson.

Rezultati ishte shumë surprizues : vendet më nivelin më të lartë të PBB në grupin e vendeve të OCDE ndodheshin më poshtë se një grup vendesh që e kishin të lartë indeksin “Të jetosh mirë”. Australia, Kanadaja, Suedia, Belgjika, Republika Ceke, Austria,  Kili etj., rezultonin se “jetonin më mirë se SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca etj.”. Aktualisht, ky indikator i OCDE konsiderohet si sistemi i vetëm i treguesve të progresit social që ofron një portret të standardizuar informacionesh që bën të mundur të krahasohen vendet e ndryshme ndërmjet tyre, por që nëpërmjet formës së rregullt apo të çrregullt të lules dhe 11 petaleve të saj, të jep edhe një panoramë të qartë të gjendjes së çdo vendi të veçantë.

Një nga iniciativat më të reja është dhe ajo e llogaritjes së “Indikatorit kanadez të mirëqenies” (IKM), i përkrahur gjerësisht edhe nga Britania e Madhe, në të cilin grupohen tetë elemente: pjesëmarrja në demokraci, dinamizmi komunitar, edukimi, mjedisi, shëndeti, kultura dhe aktivitetet që të japin kënaqësi, niveli i jetesës dhe mënyrat e përdorimit të kohës. Secili prej këtyre 8 elementëve analizohet nga grupe nënelementësh që e portretizojnë atë. Kështu p.sh., elementi “niveli i jetesës” llogaritet duke marrë në konsideratë “cilësinë dhe kushtet e vendit të punës”, “kohën e punësimit gjatë një viti”, “të ardhurat mesatare”, “nivelin e taksave”, “nivelin e politikave sociale dhe përfitimet prej tyre” etj. I paraqitur lehtësisht në formë grafike, ky tregues bën një radiografi të plotë të aspekteve të mirëqenies së një individi, familjeje apo shoqërie të tërë, ashtu siç “nxjerr zbuluar apo ngre në piedestal efektin e shumë politikave të zhvillimit, politika sociale apo demokratizimit etj., që bëhen në emër të progresit social e mirëqenies, por në fakt, në shumë raste ndikojnë pak ose aspak në të.

OKELJO

Rritja e PBB-së nuk jep automatikisht përgjigje për rritjen e mirëqenies dhe progresit social, nuk mjafton për të dhënë një profil të qartë të nivelit të jetesës dhe mirëqenies së shumicës së popullsisë. Kjo është dhe arsyeja përse ekonomistët kanë filluar të kërkojnë indikatorë të tjerë më domethënës për të shprehur dhe matur progresin social dhe mirëqenien.

T’i japësh prioritet vetëm PBB-së apo ta mbështesësh suksesin apo dështimin e punës së qeverisë pothuajse vetëm te PBB, do të thotë të lësh pas dore përgjegjësinë për rritjen e mirëqenies, për cilësinë e jetës, për marrëdhëniet sociale, për drejtësinë sociale dhe shpërndarjen sa më të barabartë të fryteve të rritjes ekonomike. E përkthyer në një gjuhë më politike, do të thotë të mos kesh në dispozicion informacionin dhe indikatorët e nevojshëm për hartimin dhe aplikimin e politikave të duhura të mirëqenies sociale

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi