Keqkuptimi për shtetin
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 28 shtator 2013
Një shtet funksional bazohet në tri element: kushtetuta/ligji, legjitimiteti politik dhe administrate e tij. Raportet midis tyre përcaktojnë llojet e sistemeve qeverisëse dhe diferencën midis modeleve demokratike dhe jodemokratike. Shqipëria i ka provuar të gjitha eksperimentet, – shtetin njëpartiak, shtetin pa parti, shtetin personal, shtetin nën pushtim, shtetin nën kujdestari të huaj, shtetin e ndarë në dy ose më shumë palë dhe vitet e fundit, shtetin partiak me rotacion.
Kritika permanente e raporteve të BE në dekadën e fundit ka qenë dobësimi i shtetit dhe forcimi i pushtetit, njësimi i partive në pushtet me administratën dhe keqpërdorimi i fuqive partiake mbi institucionet kushtetuese. Fushata elektorale e fundit provoi përsëri se partia në
pushtet përdori çdo mjet, presionin dhe shpërblimin, kërcënimin dhe premtimin, për të keqpërdorur administratën në mitingje elektorale, për të garantuar deklarimin paraprak dhe familjar të votës, si dhe për ta kthyer garën elektorale në përballje midis pushtetit dhe jopushtetit. Kritikat për emërime dhe konkurse fiktive, lidhje nepotike, shërbime partiake, etj, shpesh me të drejtë ishin të shumta. Për pasojë, qeveria e humbi mbështetjen publike dhe me 23 qershor mori 1 milion vota kundër, midis të cilave shumë prej 98-100 mijë votat e pjesës administrative të saj. Teza se në zgjedhje u votua administrata nuk qëndron, zgjedhjet u bënë për partitë, sistemin politik, taksat, modelin politik, jo për çështje të zyrës së kuadrit. Pjesë e mandatit popullor ishin edhe parti me bashkëqeverisje 3-4 vjeçare modelin e klientelës së pushtetit, ndaj kjo e bën verdiktin shumë më politik sesa administrativ.
Gjithsesi, vota e qartë për ndryshim e 23 qershorit ishte e mjaftueshme për të krijuar shanset për një fillim të ri politik për shtetin, administratën dhe konceptin mbi demokracinë funksionale në Shqipëri. Pala që fitoi zgjedhjet përdori një retorikë të qartë në raport me administratën: mjaft me emërime nepotike, mjaft me konkurse fiktive, mjaft me abuzime dhe angazhim për një administratë të aftë, të vogël në numër, profesionale dhe jopartiake. Me siguri se ky premtim dha efektin e vet dhe një pjesë e administratës votoi pro ndryshimit.
Pak kohë pas zgjedhjeve situata është përmbysur. Qeveria që humbi zgjedhjet, e fajësuar edhe për dëme të mëdha në cilësinë e administratës publike, nuk kërkon falje, nuk jep shembuj inspirues të reflektimit, nuk pranon gabimet dhe as shpreh pendesë institucionale. Pala fituese po jeton “muajin e mjaltit” duke paralajmëruar fshesë masive në administratë. Të gjitha emërimet e reja, përveç atyre me status politik, janë bërë pa konkurs formal, pa garë dhe pa një sistem meritokracie, të premtuar prej saj në fushatë dhe të kërkuar me insistim nga BE.
Për më tepër, eksponentët e saj pranojnë se ky është fillimi, reforma do jetë e plotë, e thellë dhe kapilare. Në simbolikën e saj u bënë disa veprime populiste dhe antiligjore, siç ishin shkrirja e plotë e një komisariati, njoftimi për shkrirjen e Gardës, dërgimi ultimativ i kërkesave për dorëheqje apo shkrirje të tjera pjesore në institucione të varësisë. Alibi përdoret ndonjë skandal personal i ndonjë individi ose grupe individësh në këto institucione. Një arsye që nuk qëndron dhe mbetet emocionale. Është njëlloj si të shkrihet sistemi i drejtësisë për shkak se shumica e qytetarëve mendojnë se ky sektor është korruptiv apo jo i besueshëm, apo të shkrihet parlamenti për shkak se shumica qytetare mendon se politikanët janë të korruptuar dhe të pamoralshëm.
Çështja është shumë e thjeshtë: nëse PD bëri gabime me administratën (dhe ka bërë gabime trashanike për të cilat u ndëshkua vetë dhe ndëshkoi Shqipërinë), pala fituese në emër të këtyre gabimeve nuk ka përse i imiton apo zëvendëson ato. Nëse modeli i një shteti partiak dështoi, nuk mund të zgjidhet problem duke e zëvendësuar atë me një shtet tjetër partiak. Ne jemi një vend i vogël në kapacitete për të pasur dy administrata paralele, një në punë dhe një në shtëpi që paguhet nga gjyqet e fituara, një të majtë dhe një të djathtë, të dyja të paguara jo nga arkat e partive, por nga taksat publike, pra nga paratë dhe taksat tona.
Që të rilindë Shqipëria duhet bërë shteti dhe që të bëhet shteti nuk mund të identifikohet partia me shtetin. Nëse administrata ka probleme zgjidhja nuk është zëvendësimi mekanik i saj. Praktikat e vendeve të tjera na ndihmojnë për zgjidhjen dhe këshillën më të mirë. Zgjidhja gjendet edhe në programin politik të palës që fitoi zgjedhjet. Konkurs, konkurs, garë dhe fitore e më të mirëve. Zyrtari që shkarkon në mënyrë të paligjshme një person, të mbajë përgjegjësi financiare dhe administrative nëse gjykata i jep të drejtë personit të shkarkuar. Kjo do të thotë, më shumë transparencë, më shumë shtet kushtetues dhe më pak pushtet partiak. Kjo to të thotë, një sistem meritokracie, profesional, i hapur dhe legjitim. Cilido që ka shkelur ligjin, etikën publike, ka cenuar institucionin apo imazhin e nëpunësit civil le të përballet me pasojat administrative e ligjore. Gjykimet janë nominale, jo kolektive, pasojë e një sistemi vlerësimi që jep më të mirën për interesat madhorë të vendit. Gjë që ende nuk po ndodh dhe shenjat janë se nuk do të ndodhë. Ky është një lajm negativ. Nëse nuk ka refleksion dhe zgjidhje institucionale, atëherë është lajm dyfish negativ.
Në gjithë këtë debat ekziston rreziku i paragjykimit pasi gjithçka në këtë vend merr ngjyrim politik. Unë nuk bëj pjesë në këto kalkulime dhe nuk kam asnjë interes tjetër veç atij publik. Nuk kam asnjë individ familjar në administratën publike dhe nuk pres të kem. Edhe vetë kam privuar shijen e hidhur të paragjykimit abuziv apo të konkurseve fiktive me fitues të parapërcaktuar, së fundi edhe në Universitetin e Tiranës, institucion që duhej të ishte model i një mentaliteti tjetër, por edhe kjo bën pjesë në praktikat abuzive, është pjesë e sistemit dhe de facto nuk më jep zhgënjim. Zhgënjim sjell diçka që beson, jo diçka që nuk e beson që në fillim. Shteti nuk bëhet mbi ndjesi personale, por mbi interesat e shumicës qytetare. Ndaj jashtë çdo paragjykimi, duke mirëkuptuar të gjithë ata që presin një telefonatë për emërim në administratë për kontribute politike apo ata mijëra qytetarë me dhe pa parti që kanë qenë në 23 vite viktimë e sistemit të deformuar të emërimeve, është detyrë qytetare e profesionale të shohim përtej një viti, përtej një mandati, përtej një interesi afatshkurtër, – të shohim tek interesi publik e shtetëror afatgjatë.
Nëse duam shtet të së drejtës, shtet institucional, shtet funksional, shtet në standardet e BE, atëherë dikush do duhet të “sakrifikojë” ca vota afatshkurtra për të krijuar një model pozitiv afatgjatë. Jo duke arnuar ligjet për të gjetur klauzola abuzimi, jo duke kërkuar alibi që më vonë vetë do ti kritikojnë, jo duke parcelizuar ndër parti politike shtetin dhe pushtetin, jo duke imituar modelet negative, por duke bërë krejt të kundërtën, – duke ofruar model, sjellje e shpresë se edhe ne në të ardhmen do të mund të kemi një shtet të modelit perëndimor, një shtet që do të duhet të bazohet në tri elemente: kushtetuta/ligji, legjitimiteti politik dhe administrate e tij.