Reforma në Drejtësi, të respektohet hetimi i pavarur
Nga Qemal Lame, botuar në Panorama Online, 27 shtator 2013
Në periudhën më shumë se njëzetvjeçare të tranzicionit, të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës, janë kryer reforma të shumta, duke përfshirë edhe sistemin e organeve të Drejtësisë. Reformat në Drejtësi kanë bërë ndryshimin e sistemit të mëparshëm në sistemin socialist dhe kanë realizuar ndërtimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor dhe të institucioneve të Drejtësisë në tërësi, duke pasur si shembull legjislacionin dhe sistemin gjyqtar-hetues të vendeve perëndimore. Më esenciale kanë qenë reformat për kodet e së drejtës penale e civile, procedurave të hetimit e të gjykimit etj. Ndryshime më të thella u bënë në organet e hetuesisë, duke krijuar Policinë Gjyqësore në varësi të Prokurorisë, si dhe riorganizimit të Prokurorisë si organi i akuzës.
Programi i Rilindjes kombëtare i shpallur nga maxhoranca e re, e formuar me votën e popullit në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ka shtruar detyra edhe për thellimin e reformave të tjera në Drejtësi, që të rritet efektiviteti i luftës kundër kriminalitetit të rëndë dhe të korrupsionit, profesionalizmi, cilësia, transparenca, zbatimi i rregullave procedurale, përgjegjësia për ndjekjen, akuzën, hetimin, gjykimin, fajësinë dhe dënimin me rreptësi dhe besueshmëri në opinionin publik.
Përmirësimi i sistemit gjyqësor.
Për sistemin gjyqësor parashikohet objektiviteti, pavarësia, zbatimi i ligjshmërisë, shpejtësia në gjykime, figura e pastër e gjyqtarëve etj. Këto masa organizative kanë vend për ndonjë përmirësim ligjor. Megjithatë, problemi kryesor mbetet përgatitja profesionale, cilësia, përvoja, besueshmëria në transparencën në procedurën e gjykimit, të fajësisë ose pafajësisë, të dënimit.
Forcimi i gjykimit në Shkallë të Parë shtron nevojën e rivlerësimit të veprimtarisë së Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, më mbrojtje të të drejtave të shtetasve dhe gjykimit në tri shkallë, është një objekt tjetër që kërkon studim dhe përmirësim. Ato u krijuan për arsye të caktuara. Përvoja dëshmon se në kushtet aktuale të vendit tonë nuk është i domosdoshëm sistemi i gjykatave dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda. Ato duhet të kalojnë si më parë në funksionet e Shkallës së Parë.
Unifikimi i hetuesisë dhe krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve.
Një masë e rëndësishme do të jetë krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve. Ky objektiv arsyetohet me nevojën e përqendrimit të hetimeve, të rritjes së shpejtësisë, të aftësive të hetuesve, të mënjanimit të decentralizimit që ka shkaktuar sistemi me oficerët e Policisë Gjyqësore.
Nga të dhënat e pakta që janë bërë të njohura në media, tërheq vëmendje domosdoshmëria e kuptimit dhe zbatimit të drejtë të parimeve të ndërtimit të pavarësisë së tri pushteteve, ku kanë vend të posaçëm sistemi i organeve të Drejtësisë dhe respektimi rigoroz i pavarësisë kushtetuese të Prokurorisë dhe funksionit të saj të akuzës, raporteve me gjykatën etj. Problem themelor kushtetues dhe procedural mbetet kuptimi dhe respektimi i funksionit të akuzës dhe pavarësisë së hetuesisë dhe prokurorisë, të drejtat dhe detyrat ligjore procedurale për garantimin e hetimit të gjithanshëm dhe objektiv, akuzës, arrestimit, afateve të hetimit ndaj të dyshuarve për fajësinë e tyre të bazuar në prova, për vepra penale të kryera dhe shpejtësia e hetimeve dhe forma procedurale e dërgimit të çështjes në gjykatë.
Hetimet e decentralizuara në shumë organe dhe problemet me të metat e theksuara në hetim nga Policia Gjyqësore, mendohet se do të mënjanohen me përqendrimin e hetimeve në Byronë Kombëtare të Hetimeve. Për të ligjëruar këtë reformë, arsyetohet në pikëpamje teorike të së drejtës procedurale dhe asaj administrative, së pari se hetuesia është veprimtari administrative. Në bazë të këtij përcaktimi teorik, hetuesia duhet të jetë në sistemin e Ekzekutivit. Së dyti, publikisht thuhet se mbeten të pacenuara dhe do të respektohen funksionet kushtetuese të Prokurorisë dhe roli i saj në udhëheqjen dhe kontrollin e hetimeve.
Ka shumë rëndësi të rikujtohet dhe të theksohet se në bazë të vendit dhe rolit në sistemin e Drejtësisë dhe në tërësi në mekanizmin shtetëror, në kuptim të drejtë të parimeve të shtetit të së drejtës dhe të drejtës procedurale penale, hetuesia është argumentuar kurdoherë teorikisht dhe vlerësuar në veprimtarinë praktike si organ i Drejtësisë.
Deri në vitin 1981 Hetuesia për krimet kundër shtetit dhe disa krime të lehta ka qenë e përqendruar dhe me strukturë të caktuar, në rangun e drejtorisë së përgjithshme. Ajo ishte në varësi të ministrit të Punëve të Brendshme, me argumentimin e nevojës së bashkërendimit të punës së organeve agjenturore dhe të rendit me Hetuesinë, për të pasur efektivitet më të lartë në zbulimin dhe parandalimin e veprave penale. (Eksperienca tregoi të kundërtën.)
Prokuroria ka kapur në kompetencë hetimet për krimet në ekonomi, kundër jetës e shëndetit etj. Pas vitit 1981, unifikimi dhe përqendrimi i Hetuesisë u realizua për të shkëputur Hetuesinë nga organizimi dhe varësia nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nuk u pranuan argumentet se Hetuesia është veprimtari administrative. Nuk u pranua as argumenti që për forcimin e Hetuesisë, të ndërtohej në nivelin e dikastereve të tjera qendrore të administratës.
Përvoja e deriatëhershme kishte vërtetuar pasojat e rënda në objektivitetin në hetime dhe dënimeve të padrejta, sidomos për krimet kundër shtetit. Krahas përgjegjësisë së udhëheqjes së Partisë, flagrante kanë qenë ndërhyrja e veprimtarisë agjenturore të Sigurimit të Shtetit dhe të ndikimit të madh të Ekzekutivit, të cilat dëmtonin objektivitetin dhe ligjshmërinë.
Kjo ndërmarrje me rëndësi për Drejtësinë, u realizua me krijimin e Hetuesisë së Përgjithshme, me reformën e kryer në vitin 1981. Ajo funksionoi me sukses deri në vitin 1992.
Hetuesia e pavarur ndikoi që të rritet zbulimi dhe parandalimi i veprave penale, të ndërpritet dhe të parandalohet ndërhyrja e organeve të rendit, Sigurimit të Shtetit, influencës së udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit në Hetuesi dhe në tërësi në dhënien e drejtësisë.
Hetimi kryhej në 80 deri 90 për qind të çështjeve në 1, 2, 3 deri 10 ditë, si për veprat penale në flagrancë, ashtu dhe për ato të rënda. Brenda afateve ligjore dy ose tre muaj hetoheshin edhe çështjet me volum të madh të hetimeve, si ato kundër pronës dhe për krime të rënda, që kishin të domosdoshëm hetimin e plotë e të gjithanshëm, si dhe kryerjen e ekspertimeve teknike dhe shkencore. Vetëm çështje të veçanta hetoheshin me miratim nga prokurori të zgjatjes së afatit të hetimeve.
Vlerësimi teorik dhe përcaktimi i rolit të Hetuesisë si organ i Drejtësisë pranohet edhe në shtetet perëndimore, ku funksionon prej më shumë se tre shekujsh sistemi gjyqtar-hetues, të cilin e përshtatëm edhe ne për ndërtimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Prokuroria ka rolin e akuzës dhe Policia Gjyqësore kryen veprime të caktuara hetimore tërësisht nën kontroll dhe miratim nga Prokuroria. Prokuroria në shtetet e demokracisë perëndimore, si në Francë, ku lindi sistemi gjyqtar-hetues, në Gjermani, Itali etj., bën dhe mban përgjegjësi për hetimet, zbulimin dhe parandalimin e veprave penale.
Kjo veprimtari mbetet tipar themelor edhe për Byronë Federale të Hetimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veçori e saj është se në këtë organ është përqendruar zbulimi dhe ndjekja operative dhe veprimtaria procedurale ligjore e hetimit.
Për organizimin e unifikuar të Hetuesisë së Përgjithshme si organ i pavarur i Drejtësisë, i parashikuar në Kushtetutë, që funksionoi në mënyrë origjinale në vendin tonë për atë kohë, studiues dhe drejtues të Prokurorisë, Gjykatës dhe Policisë në vendet perëndimore, shprehen se ky organizim do të ishte i admirueshëm edhe për ata.
Politikanët që vendosin për kryerjen e reformave dhe miratimin e ligjeve, është e domosdoshme të kenë të qartë dhe të dinë të mbrojnë me përgjegjësi edhe pavarësinë e Hetuesisë, si dhe respektimin e funksioneve të Prokurorisë. Hetuesia nuk është veprimtari administrative. Hetuesia është organ i Drejtësisë.
Në rast se ndërtohet një sistem i ri i Hetuesisë, kërkohet që të rivlerësohen balancat që parashikon Kushtetuta për ndarjen e tri pushteteve dhe pavarësinë e organeve të Drejtësisë.
Varësia nga Ekzekutivi do të ishte ndryshim i rolit dhe funksionit të Hetuesisë, duke i hequr padrejtësisht asaj funksionin si organ drejtësie dhe duke e vënë nën varësi të administratës. Varësia përcakton pushtetin dhe rolin në zbatimin e funksioneve. Ato nuk varen nga cilësitë e individit, por kushtëzohen me rregulla të rrepta ligjore, që garantojnë veprimtarinë normale të përditshme.
Të metat dhe dobësitë në hetimin dhe parandalimin e veprave penale.
Të metat dhe dobësitë e hetimit lidhen me rolin dhe varësinë e Policisë Gjyqësore, aftësitë profesionale të prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore, ndërhyrjet dhe presionet e mëdha të pushtetit ekzekutiv, të Kryeministrit, si dhe të rolit të dobët të Presidentit e të Këshillit të Drejtësisë në sistemin gjyqësor dhe Drejtësisë në tërësi.
Prokuroria, me funksionin e saj të akuzës, ka qenë dhe mbetet institucioni kompetent ku populli sheh në praktikë rezultatet konkrete në zbulimin dhe parandalimin në kohë të veprave penale. Për vetë rëndësinë që ka ky institucion i pavarur në goditjen e kriminalitetit të rëndë, ku përfshihen edhe korrupsioni dhe shpërdorimet e detyrës nga nëpunësit shtetërorë, pozita e saj ka qenë shumë e ndërlikuar dhe e kontestuar nga politika. Implikimet e drejtuesve të lartë shtetërorë në krime dhe korrupsion e kanë vështirësuar objektivisht edhe më tej zbulimin në gjerësi dhe vënien para përgjegjësisë të fajtorëve. Me krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të bëhet kujdes që roli i Prokurorisë të jetë dominant, me kompetenca të plota kontrolluese dhe vendimmarrëse, dhe jo të kthehet si Prokuroria e para viteve ’90, në një rol të zbehtë kontrolli ligjshmërie dhe përfaqësimi në gjyq.
Në disa raste tipike Prokuroria ka arritur të dokumentojë fajësinë e zyrtarëve të lartë. Por, në disa çështje të komplikuara është dhënë pafajësi nga Gjykata e Lartë.
Prokuroria dhe gjykata, është e natyrshme që kanë edhe vlerësime dhe bëjnë zgjidhje të ndryshme. Por duhet të bindet edhe opinioni publik. Për shkak të mungesës së transparencës, mossqarimit në kohë apo qëndrimeve të njëanshme nga institucione të ndryshme shtetërore, disa çështje dhe fajësia e disa personave kanë mbetur objekt kritike në media, në opinionin publik dhe atë ndërkombëtar.
Koha e përcaktuar e mandatit prej pesë vitesh për prokurorin e Përgjithshëm, është një tjetër ndikim me efekte në veprimtarinë e tij, që mendoj se duhet të rishikohet me tendencë në rritjen e këtij mandati, por jo më të pakët se sa një anëtar i Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese.
Problem është ndërhyrja e vazhdueshme e politikës në Drejtësi. Në Shqipëri, në dallim nga vendet e tjera perëndimore, politikanët e lartë angazhohen vazhdimisht me opinionet e tyre zyrtare dhe publike për Drejtësinë.
Analiza e këtyre problemeve kërkon objektivitet dhe zgjidhje afatgjata. Reformat në Drejtësi nuk duhet të jenë të shpeshta, pasi rreziku potencial i gabimeve nuk mënjanohet aq lehtë, vetëm me reforma institucionale.
Nga institucionet e larta shtetërore dhe politikanët në tërësi kërkohet edhe mbështetje ndaj organeve të Drejtësisë për realizimin e reformave, rritjen e besimit te qytetarët, përcaktimin e kritereve që përmirësojnë transparencën dhe mënjanojnë korrupsionin. Në kulturën e politikës është e domosdoshme që të formohen koncepte të drejta dhe të reagohet konkretisht me përgjegjshmëri për zgjedhjen dhe emërimin e punonjësve, kontrollin e tyre sipas kritereve ligjore, besimin në vendimet që marrin, nevojën që të veprojnë me iniciativë, përgjegjësi, të jenë të garantuar, të lihen të bëjnë me ndërgjegje punën e tyre në zbatim të ligjit.
Pavarësia dhe unifikimi i Hetuesisë, i realizuar nëpërmjet Byrosë Kombëtare të Hetimit si organ i Drejtësisë, do të dëshmonte për përsosjen e sistemit të Drejtësisë dhe për shkallën më të lartë të dimensionit të demokracisë në shtetin e së drejtës.