Që shteti të bëhet vërtet i të gjithëve

Nga Daut Gumeni, botuar në Respublika, 26 shtator 2013

Zgjedhjet e 23 qershorit  i dhanë pushtetin Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe tanimë qeveria e re ka nisur punën. Fitimtarët e zgjedhjeve, duke qenë në kufirin e shumicës së cilësuar, kanë mundësi të kryejnë reforma të thella në dobi të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Reforma të domosdoshme për ta sjellë shtetin në binarët e ligjit e të Kushtetutës. Reforma për të përmirësuar jetën e qytetarëve që e votuan e të atyre që nuk e votuan. Sepse zgjedhjet të japin pushtetin, por shteti është i të gjithëve.

Dhe që shteti të bëhet vërtet i të gjithëve, duhen reforma të thella që ta zhvendosin shtetin nga bataku i korrupsionit e ta vendosin në misionin e tij të njohur. Duhen reforma të thella që ta kthejnë shtetin e të gjithëve në shërbim të të gjithëve. Duhen reforma të thella që ta shpëtojnë shtetin nga kthetrat e babëzitura të një pushteti të papërgjegjshëm. Duhen reforma të shëndetshme që ta kthejnë shtetin në rolin e vet të natyrshëm, reforma që ta kthejnë shtetin në shërbim të të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Kam bindjen se kjo është kërkesa e të gjithë atyre që votuan në shumicë Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe kjo kërkesë e përgjithshme për shtet të barabartë për të gjithë e në shërbim të të gjithëve, përbën dhe pritshmërinë themelore të qytetarëve nga qeverisja e re.

Pa mëtuar se po them ndonjë gjë të re, kam bindjen se duhen përsëritur ca edhe kërkesat e ligjshme, sikundër nuk po lodhet pala humbëse së përsërituri fajësimin e popullit që “nuk i paska kuptuar” dot premtimet “realiste” të pushtetit , që për tetë vjet të tërë nuk la ligj pa shkelur e pronë publike pa rrëmbyer, por këtë e paska bërë “për të mirën e popullit mosmirënjohës” dhe jo për majmen e një grushti pushtetarësh në kurriz të të gjithë shqiptarëve,  në kurriz të zhvillimit të natyrshëm të vendit e në kurriz të vetë demokracisë.

Thënë këto, mendoj se tanimë ka ardhur koha të mos merremi më me pushtetin e humbur e as me një opozitë që ende nuk po e merr dot veten nga një humbje e shkaktuar me bëmat e gjëmat e veta. Them se është koha të kërkojmë nga qeverisja e re të eci shpejt e saktë në rrugën e reformave të domosdoshme, që u kthejnë shtetin qytetarëve.

Dhe , në gjendjen ku është katandisur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e shkelur dhe e nëpërkëmbur sa herë ka dashur pushteti i rrëzuar me votë , shkelje që iu bënë më të lehta edhe me ato shtrembërime që pësoi e shkreta Kushtetutë me konsensusin e të dyja palëve në prill të vitit 2008, mbase reformat duhen nisur me amendimet e nevojshme kushtetuese. Duke qenë ligji themeltar i shtetit, mendoj se për ta kthyer vërtet shtetin në rolin e tij të natyrshëm në shërbim të zhvillimit normal e në shërbim të të gjithë qytetarëve, amendimet e Kushtetutës, veç reformimeve që do të shohin me vend specialistet e fushës, mbase duhet të përmbajnë edhe zgjedhjen e presidentit nga populli, një Kuvend me 100 deputetë, Institucione Kushtetuese që të dalin me votim të cilësuar, mbase dhe një Kuvend me dy Dhoma, një ndarje të re administrative në përputhje me synimin për një administrim sa më racional e të përgjegjshëm të territorit, mbase deri në një përgjysmim të numrit të komunave dhe bashkive. Të kemi dhe ne një Gjykatë të vetme të Lartë, të kemi dhe ne më në fund gjykatës të varur vetëm nga ligji e, për pasojë, të përballen dhe ata vetë me ligjin kur e shkelin duke shitur vendimet gjyqësore e duke nëpërkëmbur të drejtën e qytetarëve dhe dinjitetin e Drejtësisë së barabartë për të gjithë.

Amendimet e Kushtetutës janë të domosdoshme për vendosjen e rendit dhe zbatimit të ligjit, për të kryer si duhet të gjitha reformat e tjera të shtetit, nisur nga reformat në Drejtësi, në Policinë e Shtetit, në Prokurori, në Shërbim Inteligjent Kombëtar, në Institucionin e Kontrollit të Pasurive, në sistemin arsimor të kthyer prej vitesh në fushë eksperimentale për të prodhuar analfabetë funksionalë dhe kioska ku shiten diploma të arsimit të lartë, që kanë të lartë vetëm çmimin që paguajnë studentët dhe vetë niveli i arsimit të lartë shqiptar. Për të mos e thënë të fundit atë sektor që dëshmon më mirë se të tjerët mirëqeverisjen e një vendi, sektorin e shëndetësisë të katandisur prej vitesh në një parcelë pushteti për të majmur memurët e të gjitha ngjyrave e më një shërbim spitalor , që të kujton spitalin e famshëm ku u shtrua dikur ushtari i mirë Shvejk…

Reformat e domosdoshme të shtetit duhet të vendosin njëherë e përgjithmonë kthimin e pasurive kombëtare tek pronarët e vërtetë, tek qytetarët e varfër shqiptarë. Pasuritë nëntokësore të këtij vendi nuk kanë pse pasurojnë më ca firma fantazmë, të krijuara nga sekserët vendas të të gjitha ngjyrave e të të gjitha marifeteve në kurriz të zhvillimit normal të vendit. Nuk ka pse lejohen më ca palo pushtetarë të kthejnë në para të thata ujin e lumenjve , edhe duke rrënuar mjedisin e tok me të shëndetin e banorëve të zonës përkatëse, madje edhe duke tharë fusha të tëra për ujin e “zënë nga kuçedra” si në përrallat e lashta. Të mbeten vetëm ato koncesione që nuk dëmtojnë as mjedisin e as ekonominë e krahinave të tëra dhe jo të kthehet  mbarë territori i vendit në një palo pazar me mjedisin e me shëndetin dhe me pasurinë e të gjithë shqiptarëve. Nëse ka vend për një shfrytëzim shkencor të burimeve ujore për energji elektrike, kjo të bëhet me një masterplan kombëtar dhe të jetë në dobi të zhvillimit të vendit e të përmirësimit të jetës së të gjithë qytetarëve, por assesi në dobi vetëm të hajdutëve të veshur me pushtet. Nuk ka pse vijojnë më gjatë të pasurohen në kurriz të shqiptarëve ca firma fantazmë, të fshehura pas emrash të bukur në gjuhë të huaja për t’i shpurë fitimet në vende të huaja e në xhepa të sekserëve vendas të lidhur me pushtetin. Nafta e nëntokës shqiptare duhet së pari e kryesisht të shtojë mirëqenien e shqiptarëve, të ulë çmimin e karburanteve për qytetarët e këtij vendi dhe jo të pasurojë ca biznesmenë të huaj, që vijnë e shijnë në Shqipëri duke hedhur në erë dhe banesat e varfra të shqiptarëve të pambrojtur as nga shteti i tyre i kthyer në shërbyes të përunjur pushteti. Shijnë ca të huaj, që na shohin së sipërmi e na rrëmbejnë pasurinë tonë kombëtare duke helmuar mjedisin tonë e duke mos i paguar asnjë qindarkë shtetit shqiptar, aq keq të trembur e të deformuar nga pushteti i sëmurë.

Me pasuritë publike, si ato të ushtrisë, nuk ka pse bëhen pronarë të paligjshëm krushqit e miqtë e kushërinjtë e pushtetit, kur mijëra pronarë të ligjshëm mund të kompensohen me ato prona dhe të mbeten sa më pak pronarë për t’i kompensuar në të holla. Sepse, nuk mund të ketë investime të huaja direkte serioze, pa u zgjidhur për së mbari e përfundimisht çështja e pronës dhe e të drejtës së pronësisë. Sikurse nuk besoj se ka më njerëz që gënjehen nga parullat e pushtetarëve tanë të tranzicionit, që sot na thonë që e lirojnë selinë e vjetër të PD-së se “kanë merak për të drejtën e pronarëve” dhe nesër marrin pronën e Toptanëve, edhe pse ligji ua ka kthyer që në vitin 1996. Ndaj them se , në vend që të grinden me pushtetarët e rrëzuar për grabitjen e godinës së SHQUP-it, qeveritarë e rinj do të bënin mirë të zbatonin ligjin për t’ua kthyer pronën pronarëve të ligjshëm, kundrejt pagesës përkatëse për godinën shtetërore të ndërtuar në truallin e tyre.

Mbase, po qe se nisnin mbarë këto lloj reformash themelore, aq të nevojshme e të domosdoshme për ta kthyer shtetin në shtratin e natyrshëm të ligjshmërisë e të shërbimit të barabartë për të gjithë qytetarët, do të jetë dhe më e lehtë për qeverisjen e re të sjellë fundin e pandëshkueshmërisë, që na është kthyer në sistem për pushtetarët e të gjitha kallëpeve në këtë tranzicionin tonë të sëmurë nga komandimi i të shkuarës ende të paperënduar. Se fundi i pandëshkueshmërisë do ta na afrojë më shpejt me BE-në dhe me të gjitha institucionet euro-atlantike, por do t’u japë fund edhe vendimeve gjyqësore, ku gjykatësit as tremben e as nuk turpërohen tek nxjerrin të pafajshëm vrasësit e armatosur me armët e institucioneve të shtetit e me urdhrin e pushtetit të trembur nga protestat e popullit. Nuk do të kemi më të “pafajshëm” e të paparaqitur në drejtësi pushtetarë që kanë shpërdoruar miliona euro të buxhetit të shtetit si në të ashtuquajturën Rrugën e Kombit dhe as pushtetarë që nuk përgjigjen për shpërdorime milionash të tjerë, si në rastin e mbikalimit të Zogut të Zi, apo të Sheshit Skënderbej e të Kopshtit Botanik, etj.

Për këto e për shumë reforma të tjera, që do të gjykojnë me vend ekspertët përkatës, ka një pritshmëri të gjerë nga qeverisja e re e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Mbase nuk është keq ta përsërisim që ka një pritshmëri të gjerë, sepse zgjedhjet të japin pushtetin, po shteti është i të gjithëve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi