Çfarë do të thotë fitorja e Merkelit

Nga Augustin Palokaj, botuar në Koha Ditore, 25 shtator 2013

Zgjedhjet e së dielës në Gjermani ishin ndoshta ndër më të rëndësishmet jo vetëm për të ardhmen e Gjermanisë, por të tërë Bashkimin Evropian dhe Evropën në tërësi. Ishin zgjedhjet e para prej fillimit të krizës financiare që lëkundi shumë Bashkimin Evropian. Ishin zgjedhjet e para në të cilat mori pjesë një parti antievropiane në Gjermani dhe dolën të jenë zgjedhjet e para pas Luftës së Dytë Botërore në të cilat Liberalët nuk arritën të kalojnë as pragun zgjedhor dhe nuk do të jenë në Parlament, nëse konfirmohen rezultatet preliminare.

Jo vetëm gjermanët, por e tërë Evropa i kishte sytë kah Gjermania për të parë se cili është verdikti i popullit gjerman. A do ta shpërblejnë kancelarën e deritashme, Merkel, për mënyrën se si ajo menaxhon krizën, duke arritur ta ruajë fuqinë ekonomike të Gjermanisë, duke arritur madje të ulë papunësinë, apo do ta dënojnë për shpenzimin e aq shumë të miliardave eurove që Gjermania u desh të paguajë për të shpëtuar shtetet e tjera të BE-së që u gjetën në krizën e madhe financiare dhe para kolapsit.

Evropa doli të jetë e lumtur me mënyrën se si votuan gjermanët.  Edhe pse arritën afër 5 për qind të votave, partia antievropiane, e krijuar të eksploatojë ndjenjat e atyre që nuk duan që Gjermania të paguajë për të tjerët, pra edhe kundër BE-së, as përafërsisht nuk mori aq vota saqë të jetë ndonjë kërcënim serioz. CDU-ja e kancelares Merkel, me simotrën e tyre bavareze, CSU, morën një shumicë historike dhe mund të dalë që të këtë madje mjaft vende në Parlament saqë të krijojnë pa askënd Qeverinë. Për Evropën në një anë ky është lajm i mirë, sepse Merkel ishte me vite figura qendrore në menaxhimin e krizës evropiane, madje më mirë të thuhet në menaxhimin e krizave, sepse kishte një varg të tyre. Ajo asnjëherë nuk ka vënë në dyshim ekzistencën e BE-së, as ekzistencën e euros dhe ka bërë çmos që të dyja të ruhen. Dhe tash e tërë Evropa është në fillim të daljes nga kjo krizë e madhe. Padyshim pa Gjermaninë edhe valuta e përbashkët e edhe e tërë BE-ja do të kishte pësuar rëndë dhe do të ishte shpërbërë ndoshta.

Tash BE-ja do të shikojë se si do të formohet Qeveria e Gjermanisë. Nëse Merkel merr në koalicion rivalët kryesorë të saj, Socialistët, kjo mund të jetë një zgjidhje e mirë për Evropën. Dy partitë më të mëdha në Gjermani më me dëshirë shkojnë bashkë në koalicion me njëra-tjetrën sesa me ndonjë parti të vogël. CDU-ja tradicionalisht nuk shkon me të Gjelbrit ndërsa Socialistët nuk shkojnë me Liberalët. Liberalët nuk e kanë kaluar pragun, ndërsa Socialistët edhe po t’i bashkojnë votat me të gjitha opsionet e majta nuk do t’i kenë numrat për të qeverisur. Edhe pse Merkel mund të ketë saktësisht numrin e mjaftueshëm ndoshta për shkak të stabilitetit të Qeverisë, në këtë kohë të ndjeshme qoftë edhe jashtë krize, ajo mund të vendosë të krijojë koalicionin e madh me Socialistët.

Për herë të parë mund të ndodhë që CDU-ja të shkojë edhe me të Gjelbrit gjermanë. Edhe pse tradicionalisht nuk shkojnë edhe Demokristianët gjermanë tash janë shumë më të vetëdijshëm për ruajtjen e ambientit. Qëndrimi i zonjës Merkel që të mbyllen centralet bërthamore në Gjermani mund ta kenë bërë atë më të pranueshme për të Gjelbrit, ndërkohë që të Gjelbrit gjermanë kanë lëvizur gjithashtu kah qendra në vitet e fundit në shumë fusha dhe nuk kanë më qëndrime të prera.

Kureshtja tjetër në Evropë është se si do të reflektohen këto zgjedhje gjermane në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që do të zhvillohen për shtatë muaj në të gjitha shtetet e BE-së. Pasi që Gjermania jep numrin më të madh të parlamentarëve evropianë po të përsëriteshin votat sikur ato të së dielës kjo do të ishte një goditje e rëndë për Socialistët evropianë dhe Liberalët, grupimin tash të dytë dhe të tretë për nga numri në Parlamentin Evropian.

Zgjedhjet në Gjermani kanë një rëndësi të madhe edhe për rajonin e Ballkanit. Asnjë shtet evropian nuk merret më seriozisht me këtë rajon sesa Gjermania. Dhe asnjë shtet tjetër evropian nuk i ka qëndrimet më të prera për zhvillimet në Ballkan sesa Gjermania. Kështu tash është ardhur në situatën ku për secilin vendim të rëndësishëm të BE-së rreth rajonit të Ballkanit, qoftë për dhënien e statusit të kandidatit për BE dikujt, apo për nisjen e negociatave të anëtarësimit, apo për mbylljen e tyre, duhet pritur se çfarë është qëndrimi i Gjermanisë.

Për Kosovën mund të jetë lajm i mirë fitorja e madhe e kancelares gjermane, Merkel, sepse Gjermania nën udhëheqjen e saj pa asnjë dilemë dhe me vendosmëri mbështeti shtetësinë e Kosovës. Por për aspiratat e vendeve të Ballkanit që mendojnë se mund ta kenë të lehtë integrimin në BE kjo është një vërejtje se Gjermania do të vazhdojë të jetë shumë e ashpër në insistimet që të mos ketë lëshime e as procedura të shpejta.

Partia e zonjës Merkel është shumë skeptike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Këtë nuk e kanë fshehur kurrë. Nuk e kundërshtojnë këtë proces, sidomos jo kur është fjala për vendet e Ballkanit Perëndimor, por bëjnë të qartë se duhet të kalojnë shumë vjet për të ardhur në fazën kur BE-ja pas anëtarësimit të Kroacisë të pranojë ndonjë shtet tjetër anëtarë të ri. Madje edhe në rastin e Kroacisë, e cila gjithmonë gëzonte mbështetjen e Gjermanisë dhe sidomos të Demokristianëve, pikërisht Gjermania ishte ajo që e fundit e ratifikoi traktatin e anëtarësimit të Kroacisë në BE. Dhe sot, më pak se tre muaj nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, Gjermania qëndron prapa nismës së Komisionit Evropian që Kroacisë t’i vendosen sanksione për shkak se nuk e respekton si duhet një ligj të BE-së, më saktësisht atë për fletarrestimin siç është në Evropë.

Të gjitha këto veprime dhe qëndrime të Gjermanisë në rastin e Kroacisë duhet t’i kenë parasysh vendet e  Ballkanit Perëndimor të cilat presin në radhë për të marrë statusin e kandidatit (Shqipëria) apo për të nisur negociatat (Serbia). Kjo për ta duhet të jetë një mësim se nuk do të ketë ndonjë rrugë të shkurtër dhe se procesi, ndonëse do të vazhdojë, do të jetë jo i lehtë dhe jo i shpejtë. Një gjë është e mirë në qëndrimet e Gjermanisë e ajo është se këto qëndrime janë të qarta.

Një sfidë tjetër do të jetë Turqia, sepse CDU-ja e Merkelit është qartë kundër anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE. Në vend të kësaj do të preferonin një „partneritet të posaçëm“ të BE-së me Turqinë që nuk do të nënkuptonte bërjen e Turqisë anëtare të BE-së. Nëse në koalicion do të ishin Socialistët atëherë qëndrimi i Gjermanisë kundër anëtarësimit të Turqisë nuk do të ishte i prerë, sepse Socialistët nuk janë kundër. Por Socialistët,e dhe nëse bëhen pjesë e koalicionit të madh të cilin do të udhëheqë Merkel, nuk do të kenë ndonjë ndikim shumë të madh këtu, sepse rolin kryesor do ta mbajë prapë zonja Merkel, e cila padyshim tash është një ndër liderët kryesorë që ka pasur në historinë e saj të re Evropa.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi