Treguesit ekonomik 2013 të Shqipërisë të vlerësuar nga Komisioni Evropian
Nga Edlira Shehu, botuar në Dita, 24 shtator 2013
Megjithë mburrjet e vazhdueshme për ritmin e rritjes ekonomike më të lartin në Evropë dhe nga më të mëdhatë në botë, për një fuqi rritjeje sa e Gjermanisë, etj., qeveria e mëparshme dështoi me modelin e saj ekonomik (madje as model i mirëfilltë nuk ishte, pse e la ekonominë në rritje të lirë, pa ndërhyrje konkrete në të). As “Shqipëria 1 euro”, as “Taksa e sheshtë”, as “Zonat e Lira Ekonomike” nuk arritën të krijojnë një profil të ri të ekonomisë shqiptare.
Nga një studim i qershorit 2013 për performancën e vendeve të bashkuara kohët e fundit me Bashkimin Evropian dhe të vendeve që aspirojnë t’i bashkohen, në lëmin ekonomik Shqipëria ndan vendin e fundit me Bosnjë-Hercegovinën. Janë 11 tregues të ndryshëm, të cilët së bashku bëjnë krahasimin midis ekonomive të këtyre vendeve. Dështimi nis me industrinë shqiptare. Në periudhën 2009 – 2012, industria njohu rënie edhe deri në -13 për qind. Ajo zë një peshë ende modeste në ekonominë tonë. Ulja e thekshme e ritmeve të zhvillimit ka ndodhur në të gjithë sektorët e ekonomisë. Të gjithë ata janë në vështirësi. Ndërtimi prej kohësh, industria së fundmi, telekomunikacioni prej kohësh, edhe transporti është në rënie. Tkurrja është e pranishme edhe në industrinë bankare. Kredia për periudhën janar-qershor 2013 është rritur 12 herë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2011. Gati ka qëndruar në vend. Për fat të keq, ky nuk është lajm i ri dhe i befasishëm. Kreditë me probleme rriten progresivisht prej disa vjetësh, që kur filloi zyrtarisht ngadalësimi i ekonomisë. Kanë arritur në shumë se nje te katerten e protofolit të kredive dhe kanë kaluar shifrën e 1 miliardë eurove, duke u dyfishuar vetëm për 2 vjet. Megjithë butaforinë qeveritare të periudhës 2007-2012 për gjoja rritjen e eksporteve tona , eksportojmë 25 përqind më lirë se tetë vite më parë dhe importojmë 60 përqind më shtrenjtë. Në vitin 2012 kemi importuar 8 për qind më pak se në vitin 2006, por paratë e shpenzuara për të blerë këto mallra janë rritur me 60 për qind. Importi i makinerive dhe pajisjeve, zëri më domethënës për rritjen ekonomike, ka rënë me 19,3 për qind, në krahasim me vitin 2006. Më pak pajisje të importuara do të thotë më pak linja prodhimi të vëna në punë, pra më pak rritje ekonomike dhe më pak vende të reja pune. Nga ana tjetër, edhe pse eksportet janë rritur në periudhën 2006 – 2012, të ardhurat nga eksporti nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm. Për tetë vjet kemi rritur eksportet me 2.7 herë, por të ardhurat me vetëm 2 herë. Kjo është dëshmi e qartë që kemi pak vlerë të shtuar në atë çfarë eksportojmë. Eksportojmë tekstile e këpucë që varen nga lëndë të para të importuara dhe shtesa në Shqipëri është vetëm vlera e krahut të lirë të punës. Eksportojmë minerale të pa-pasuruara dhe të papapërnuara në vend. Eksportojmë naftë bruto në vend që të përpunojmë në rafineritë tona dhe të importojmë diesel të gatshëm duke humbur 250 dollarë për ton.
Nevoja e pakundërshtueshme për një model të ri zhvillimi duhet të nisë nga analiza e llogarive kombëtare dhe nga vlerësimi i oportuniteteve apo avantazheve që Shqipëria ofron. Llogaritë kombëtare në të cilat duket pesha e çdo dege të ekonomisë duhen analizuar veçmas, por më me interes janë ato që sjellin më shumë vlerë të shtuar. Këtë besojmë se do ta bëjë me kompetencë qeveria e re.