Vetëm demokraci, apo edhe shtet ligjor?
Nga Eduard Zaloshnja, botuar në Balkanweb, 24 shtator 2013
Qysh prej vitit 1996 e deri në 22 qershor të këtij viti, paaftësia e politikës shqiptare për të prodhuar zgjedhje të lira e të ndershme ishte një shqetësim konstant për shumë nga ata që kanë analizuar zhvillimet politike në Shqipëri. Një shqetësim mëse i drejtë ky, pasi mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme është një kusht i domosdoshëm për ekzistencën e demokracisë. Por a janë ato një kusht i mjaftueshëm për arritjen e një demokracie të shëndoshë?
Shembuj të ndryshëm nga historia e afërt dhe e largët i japin përgjigje negative kësaj pyetjeje. P.sh., Berisha i fitoi mëse pastër zgjedhjet e marsit 1992, por qeverisi si një autokrat i vërtetë. Ai i siluroi të gjithë kundërshtarët e tij në pushtetin ekzekutiv, dobësoi pushtetin gjyqësor e parlamentin, dhe u bëri shantazh të hapur të gjitha mediave të pavarura. Një skenë të ngjashme mund ta gjesh sot edhe në Rusinë e Vladimir Putin-it, i cili erdhi në fuqi pas zgjedhjeve të pakontestuara nga njeri. Ndërsa në Venezuelën e pasur me naftë, demagogu Hugo Chavez, i cili u zgjodh president me një shumicë të ndjeshme votash, u kthye në një mini-diktator. Si rezultat i politikave të tij autokratike, 68% e venezuelasve jetojnë sot nën kufirin e varfërisë.
Një demokraci, e cila ka si kusht ekzistence ndërrimin e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve, mund të quhet e shëndetshme vetëm kur zgjedhjeve të lira e të ndershme u bashkëngjiten edhe funksionimi i shtetit ligjor, ndarja e pushteteve dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut e të pronës private. Në Europën Perëndimore e Qendrore, tradita e lirisë dhe ligjit është zhvilluar përpara se demokracia të bëhej sistemi dominues i qeverisjes. Kjo u arrit si rezultat i disa zhvillimeve të rëndësishme, siç ishin, ndarja e fesë nga shteti, Rilindja Europiane, Iluminizmi Francez dhe lindja e kapitalizmit dhe e shtresave të mesme qytetare.
Për shembull, Britania konsiderohej si shtet ku sundonte ligji e liria 200 vjet më parë, ndërkohë që vetëm 5% e popullsisë së saj kishte të drejtë vote. Më afër në kohë, Hong Kongu mbahej deri vonë si një nga vendet më të lira në botë politikisht dhe ekonomikisht, pavarësisht se për dekada ishte thjesht një koloni e Britanisë, ku nuk zhvilloheshin fare zgjedhje. Në Perëndimin e sotëm, zgjedhjet e lira dhe institucionet e shëndosha të shtetit ligjor janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Por në vendet në zhvillim ato nuk janë gjithnjë bashkë – zgjedhje të lira po zhvillohen pothuajse kudo, por jo kudo po lulëzon një demokraci e shëndoshë.
Duke u kthyer tek Shqipëria, duket se këmbëngulja e BE-së që forcimit të shtetit ligjor të mos i jepet më pak rëndësi sesa kryerjes tashmë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, reflekton atë që Paddy Ashdown, politikani britanik që administronte dikur Bosnjën, ka shkruajtur rreth eksperiencës boshnjake të Perëndimit: “Ne menduam se zgjedhjet e lira dhe të ndershme përbënin përparësinë më të lartë, dhe si pasojë, e matëm suksesin tonë me numrin e zgjedhjeve që mund të organizonim. Rezultati, pasi shumë vjet kanë kaluar, është se boshnjakët janë lodhur nga votimet. Për më tepër, fokusimi ynë kryesisht tek votimet ngadalësoi përpjekjet tona për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat kanë përkeqësuar cilësinë e jetesës në Bosnjë dhe kanë trembur investitorët e huaj. Në retrospektivë, ne duhej t’i kishim vënë vetes si përparësi ndërtimin e shtetit ligjor, sepse çdo gjë tjetër varet prej tij: funksionimi i ekonomisë, liria dhe drejtësia e sistemit politik, zhvillimi i shoqërisë civile dhe besueshmëria e policisë dhe gjykatave.”