A miratohen ligjet si në kohën e Faik Konicës?

Nga Vladimir Molla, botuar në Balkanweb, 23 shtator 2013

Faik Konica, duke qenë diplomat karriere gjatë Mbretërisë shqiptare, në marrëdhënie me Ministrinë e Jashtme dhe pjesë të tjera të aparatit shtetëror kishte vënë re kotësinë e shumë dispozitave ligjore, efektet e të cilave përbënin një rrezik të madh për veprimtarinë e institucioneve. Sidomos në mënyrë therëse ironizon zakonin qindravjeçar të rrënjosur nga koha e Perandorisë Osmane, për të nxjerrë sa më shumë rregulla e ligje, që nuk sjellin dobi dhe i shndërronin nëpunësit e zyrave në “makina” që punonin gjithë ditën, pa prodhuar asgjë. Duke e analizuar nga pikëpamja historike këtë dukuri negative dhe dëshmitë historike të lëna nga vëzhgues të huaj, ai kishte mbërritur në përfundimin që shkaku kryesor i kryengritjeve shqiptare gjatë periudhës së Tanzimatit nuk paskëshin qenë reformat në vetvete, por shqetësimi i krijuar me anë të ligjeve të ngatërruara dhe veprimtarisë abuzive të kadilerëve e punonjësve të tjerë të administratës osmane. Konica e quante të tepërt që në një ligj themelor, siç është Kushtetuta, të vendoset një nen (nyje) ku të thuhet, se gjuha zyrtare në Shqipëri është shqipja. Ky nen është parashikuar që atëherë në të gjitha Kushtetutat e Shtetit shqiptar. Një rregull i panevojshëm, sepse – sipas tij – përderisa i gjithë teksti është i shkruar në gjuhën shqipe, atëherë përdorimi i kësaj gjuhe është i kuptueshëm dhe kështu, duhet të zbatohet nga të gjithë shtetasit e zyrat e vendit. Gjithashtu – theksonte Konica – Kushtetuta të vendeve të tjera nuk e parashikonin një rregull të tillë. Konica na ka bërë të ditur ndër të tjera, se Ministria e Jashtme e asaj kohe kishte nxjerrë një rregullore, me anën e së cilës porosiste përfaqësuesit diplomatikë të mos falsifikonin çeqe!

Pas kaq e kaq vitesh, ngjashmërisht me frymën e asaj rregulloreje është formuluar sot neni 44 i ligjit “Mbi regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i titulluar: ‘Regjistrimi i kufizimeve’. Duke synuar të pamundurën, ky nen urdhëron që për parandalimin e ndonjë mashtrimi, veprimi të padrejtë ose të pamjaftueshëm, regjistruesi lëshon urdhër për regjistrimin e kufizimit në seksionin përkatës të kartelës, me ose pa kërkesën e personit të interesuar për pasuritë e paluajtshme, kontratës së qirasë ose hipotekës, pasi të ketë udhëzuar që të dëgjohen ata persona që ai i mendon të përshtatshëm. Ky urdhër ndalon ose kufizon veprimet në këtë pasuri të paluajtshme. Mbas zbërthimit të kësaj dispozite gjen se ajo përmban padijeninë e atyre që e kanë hartuar, kotësinë dhe antikushtetueshmërinë. Do të ishte jashtëzakonisht dobiprurëse që miratimi i një rregulli të tillë të mund të parandalonte mashtrimet, vrasjet, vjedhjet, përdhunimet, korrupsionet dhe të gjitha krimet e kësaj bote. Mirëpo, as pakësimi më i vogël i kriminalitetit nuk vjen prej rregullave të tilla utopike. Veç kësaj, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 41, pika 3) urdhëron që ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në të drejtën e pronës vetëm për interesa publike, pa u zgjatur këtu, se urdhrin si akt administrativ nuk mund ta lëshojë një nëpunës i këtij niveli. Edhe kontrolli, sado i cekët në këtë drejtim, do të nxirrte në shesh sjelljen arbitrare të shumë nëpunësve ndaj pronave të ligjshme të popullit.

Dalja së fundmi e ligjit “Mbi shtesa e ndryshime në ligjin për noterinë” nxori në pah një sërë çështjesh të moszbatimit të teknikës legjislative dhe të mosrespektimit të ligjeve e kodeve të tjera të rëndësishme. Së pari, përgjithësisht çdo marrëdhënie juridike që është rregulluar me një ligj të mëparshëm, në raste ndryshimesh duhet të sjellë si pasojë vetëm prekjen e këtij ligji dhe jo të miratohet një ligj i ri për të ndryshuar një ligj të vjetër. Ky lloj ndryshimi mund të ndodhë p.sh. në miratimin e kodeve të rinj, që shfuqizojnë kodet e mëparshëm. Në rast se do të zbatohej ky parim shumë i rëndësishëm i teknikës legjislative, sipas të cilit ndryshimi duhej bërë në ligjin e vjetër që e ka rregulluar një herë këtë marrëdhënie, atëherë nuk kishte pse të miratohej një ligj i ri, që në fakt ndryshoi ligjin organik të noterisë. Qëllimi mund të arrihej shumë mirë me ndryshimin në Kodin Civil vetëm të një fjale në nenin 348. Domethënë, përkatësisht nga “gjykata” të bëhej “noteri”. Ky zëvendësim fjalësh do të sillte ndryshimin e fjalisë, nga “dëshminë e trashëgimisë e lëshon gjykata” do të kishim “dëshminë e trashëgimisë e lëshon noteri”. Pra, në vend që të ndryshohej vetëm neni 348 i Kodit Civil, një ligj i ri u miratua, i cili nëse zbatohet noteri si institucion do të shkatërrojë vetveten. Zbatimi i kompetencave, që janë monopol i lëndës vetëm për gjyqësorin do ta verë noterin në një pozitë mjaft qesharake përballë qytetarëve.

Së dyti, gjendja që shkaktoi miratimi i këtij ligji të ri nuk u shoqërua me ndryshimin e Kodit Civil, kaq i rëndësishëm për realizimin e shumë të drejtave njerëzore. Asnjë gjyqtar nuk mund të ketë fuqinë e duhur për të refuzuar shqyrtimin e kërkesave, nëse i paraqiten, për lëshimin e dëshmisë të trashëgimisë. E kundërta do të jetë, vendimet gjyqësore të refuzimit do të përbënin një arbitraritet të pafalshëm dhe do të cenonin një të drejtë të rëndësishme, siç është ajo e aksesit për t’iu drejtuar gjykatës. Mendoj se do të ishte me vend që gjykata ta vazhdonte edhe për pak kohë praktikën shumëvjeçare të lëshimit të dëshmive të trashëgimisë. Ndryshimi që do të bëhej, vetëm i një fjale, siç e shpjeguam më sipër, do t’u njihte përfundimisht të drejtën noterëve për ta ushtruar këtë veprimtari. Mënyra si u veprua duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë, ndotje legjislative dhe jo mbivendosje ligjesh. Kodi Civil nuk është nga ata ligje që ndryshohen lehtë. Edhe kur ndryshohet, në Kuvend kërkohet shumë e cilësuar votash dhe jo një mbledhje e thjeshtë parlamentare pa debat e pa marrë në vlerësim mendimin e rretheve të gjera të juristëve, sidomos të komuniteteve të interesuara. Këtu nuk është fjala vetëm për lëshimin e dëshmive të trashëgimisë, por për një sërë institutesh të tjera, siç është padia e trashëgimisë, që paraqitet gjithmonë para gjykatës, pavlefshmëria e një testamenti, që po ashtu do të shqyrtohet para gjykatës dhe nuk mundet kurrsesi noteri pa ia kërkuar kush të shpallë të pavlefshëm testamentin, aq më tepër kur e ka krijuar vetë atë. Ligji i miratuar në nenin 53/8-9 “Mbi shtesat e ndryshimet e ligjit për noterinë”, i njeh noterit të drejtën e sipërme, kur i njëjti nen (53/4), në titullin “Revokimi i dëshmisë të trashëgimisë” përcakton: “Kur, me vendim gjyqësor të formës së prerë pranohet padia për pavlefshmërinë e testamentit…”. Siç shihet, kompetencën për shpalljen e pavlefshëm të testamentit, i njëjti ligj ia njeh edhe gjykatës, edhe noterit. Ky qëndrim mbahet edhe në dispozitën pasuese (53/5), që të drejton te neni 46 i Kodit të Pr.Civile, me anën e të cilit pranohet e drejta e qytetarit për të ndjekur vetëm rrugën gjyqësore mbi paditë që rrjedhin nga pavlefshmëria e testamenteve. Shtojmë këtu se, edhe e drejta për të hequr dorë nga trashëgimia, në çdo rast duhet të bëhet para gjykatës.

Parashkrimi i ngritjes së një padie me objekt goditje testamenti, gjithmonë do të vlerësohet prej gjykatës me kërkesën e palës. Gjithashtu, nuk mund të kuptohet një ligj për trashëgiminë testamentare pa trajtuar të dyja format e testamentit: të atij që bëhet para noterit dhe të atij që shkruhet prej vetë trashëgimlënësit, testamentit ollograf. Për këtë të fundit, ligji mbi ndryshimet nuk bën fjalë fare. Kjo do të thotë se, qytetarët në raste të tilla do të zbatojnë dispozitat përkatëse të Kodit Civil. Pra, për testamentin noterial do të zbatohen ndryshimet, ndërsa për testamentin ollograf do të zbatohet Kodi Civil. Siç shihet, përsëri qartë, një amatorizëm i mirëfilltë ka krijuar një ligj që kundërshton vetveten në tërësinë e tij. Si përfundim, mund të themi që nuk ndodhemi para një veprimi të vetëm, por të disa syresh, që veprojnë në harmoni me njëri-tjetrin, kryerja e të cilëve është në kompetencën ekskluzive të gjykatës. Duhet thënë se ligji në fjalë jo vetëm që nuk zgjidh asgjë, por shkakton pështjellime të shumta që janë në dëm të qytetarëve. Koha sot i kërkon ndryshimet, por jo në mënyrën siç janë bërë.

Në këtë kontekst është i domosdoshëm një reformim radikal i Kodit Civil në përgjithësi dhe i pjesës trashëgimore të tij. Veçanërisht për këtë pjesë të fundit, në një kohë sa më të shpejtë mund të rivendoset dhe aktivizohet Kodi Civil i Mbretërisë shqiptare me ndonjë ndryshim të vogël, që duhet biseduar. Ashtu si e Drejta socialiste në vitin 1954, për herë të parë shfuqizoi ligjin trashëgimor të K.Civil të vitit 1929, sepse nuk mund të zhvillohej prona socialiste me ligje që mbronin të drejtat e individit dhe pronën private, kështu edhe e Drejta Civile socialiste e sotme duhet të shfuqizohet. Po, duhet të shfuqizohet, sepse në themel të sistemit politik, ekonomik e juridik, që po vendoset në vend është mbrojtja e pronës private, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Nga pikëpamja legjislative, ndryshimi duhet të fillojë menjëherë me shfuqizimin e ligjit trashëgimor në fuqi, duke e kthyer të Drejtën Civile për këtë pjesë të saj në origjinën e së Drejtës Civile moderne shqiptare, që ka qëndruar me dinjitet pranë të Drejtës Civile Europiane. Pjesa e Kodit Civil të vitit 1929, në trajtim të trashëgimisë përbëhet nga 323 nene, prej të cilëve 1 gjerman, 5 zviceranë dhe shumica e marrë herë prej Kodit Civil Italian, herë prej Kodit Civil Francez dhe herë tjetër nga ato dispozita që janë të njëllojta në të dyja kodet e shteteve të ndërsjelltë. Kodi Civil në

fuqi kufizon në mënyrën më të qartë lirinë testamentare, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kufizimin e lirisë e të drejtës të individit për të disponuar pjesë të pasurisë së tij.

Kurse, Kodi Civil i vitit 1929 njihte të drejtën e disponimit të një kuote të caktuar prej pasurisë trashëgimore, ndërsa vetëm për pjesën tjetër zbatohej e drejta e rezervës. Kodi Civil në fuqi nuk i njeh asnjë të drejtë trashëgimlënësit për të kaluar sipas dëshirës tek personi që dëshiron, qoftë edhe një kuotë fare të vogël. Legu trashëgimor, gjithashtu nuk duhet të dalë jashtë rrethit të trashëgimtarëve sipas ligjit në fuqi. Të dyja kodet njohin të drejtën e trashëgimtarit, për të hequr dorë nga trashëgimia. Por, ndërsa i pari parashikon një afat 30-vjeçar për kryerjen e një veprimi të tillë, i dyti urdhëron që kjo e drejtë duhet të ushtrohet vetëm brenda një afati 3-mujor për ata që jetojnë në Shqipëri dhe 6 muaj për ata që jetojnë jashtë. Ky afat vepron vetëm për radhën e parë të trashëgimtarëve, ndërsa për zëvendësit e trashëgimtarit që heq dorë nga trashëgimia dhe zëvendësit apo zëvendësve të tyre etj., që duan të heqin dorë nga trashëgimia, Kodi Civil në fuqi nuk parashikon asnjë afat. Përkundër këtij Kodi, afati 30-vjeçar i parashikuar në Kodin Civil të 1929 – s i zgjidh të gjitha çështjet e ndërlikuara; ai Kod të tëra institutet e trashëgimisë i ka të mbështetura në sistemin e pranimit të trashëgimisë. Ndërsa Kodi Civil në fuqi në sistemin e fitimit të trashëgimisë së huazuar nga e Drejta Civile Sovjetike, Kod i cili për qëllimin dhe arsyet që e krijuan mund të shfajësohet; mirëpo sot është tërësisht jashtë kohe dhe duhet të shfuqizohet sa më shpejt. Kodi Civil i vitit 1929 i njeh të drejtën trashëgimtarit që të mos pranojë dhe të mos dojë të jetë trashëgimtar i dikujt. “Askush nuk mund të detyrohet të pranojë një trashëgimi që nuk e do”, – thotë dijetari i shquar Luazel (Loisel). Kjo shprehje e tij është futur në gjithë legjislacionet moderne europiane. Edhe Kodi ynë Civil në fuqi e ka kopjuar këtë shprehje te dy dispozita, në formën: “ose nuk do të jetë trashëgimtar”. Sidoqoftë, kjo është një përfshirje krejtësisht pa lidhje dhe e pazbatueshme për nga mënyra e ndërtimit të dispozitave. I ashtuquajturi sistem i fitimit të trashëgimisë, i vendosur në vendin tonë nga 30 gushti i vitit 1954, nuk njeh të drejtën e trashëgimtarit për të refuzuar trashëgiminë, kur nuk e do atë. Për pasojë, sistemi trashëgimor në fuqi nuk trajton trashëgimitë e pakërkuara.

Për të mos u zgjatur pa fund rreth të mirave të njërit ligj dhe të metave të tjetrit, mendoj që kjo çështje të shihet me përparësi për të vënë sa më shpejt në funksionim Kodin Civil të vitit 1929. Azhurnimi me shtesat që u janë bërë Kodeve Civile franceze dhe italiane, së paku përsa i përket trashëgimisë, mbas kësaj periudhe të gjatë ndërprerje të kontakteve 80-vjeçare nuk do të dojë më tepër se disa muaj kohë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi