Antikorrupsioni, një perspektivë pesimiste?
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli Online, 23 shtator 2013
“Me duar të pastra” erdhi qeveria e re më 2005 dhe dihet përfundimi. Përfundimi dihet: ata që erdhën për të luftuar korrupsionin, zëvendësuan piramidën korruptive me vetveten dhe krijuan një sistem po aq korruptiv, madje edhe më të madh, duke u ndërshkuar më 2013 me 1 milion vota kundër. “Me duart të pastra” ka premtuar edhe qeveria e re që sapo erdhi në pushtet. Si do realizohet kjo? Duke “larë” duart? Duke ruajtur sistemin dhe vetëm zëvendësuar emrat në krye të tij? Duke nënkuptuar me reforma ndryshimin e emrave të militantëve të palëve? Duke arrestuar ndonjë polic, nënpunës apo zyrtar të nivelit të mesëm? Duke amnistuar politikën e vjetër në emër të nevojës për mirëkuptim politik, stabilitet dhe dialog? Duke miratuar Kodin Etik që do t’i bëjë zyrtarët të “skuqen” përpara shefit nëse abuzojnë me ligjin? Jo dhe jo. Anti-korrupsioni kërkon akte konkrete, vullnet politik konkret, veprime konkrete, nisma konkrete.
Le të kërkojmë shembuj suksesi në vendet e tjera, me përafërsi me rajonin dhe Shqipërinë. Në Slloveni Janez Janša ka qenë dy herë kryeministër, disa herë ministër dhe prej dy dekadash deputet. Në kulmin e pushtetit të tij (mandati i dytë), Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në Slloveni e denoncoi atë për pasaktësi në deklarimin e të ardhurave financiare. Kaq u desh, parlamenti e shkarkoi, hetimet e nxorrën fajtor për akuzën e rryshfetit në një kontratë ushtarake qeveritare me partnerë finlandezë, dhe në fund, më 2013 gjykata e dënoi me dy vite burgim dhe 37 mijë euro gjobë. Në Kroaci Ivo Sanader ishte kryeministër 2003-2009 por në kulmin e pushtetit të tij u akuzua për korrupsion, u detyrua të japë dorëheqje dhe pas proceseve gjyqësore më 2012 u dënua me 10 vite burgim. Në Rumani kryeministri Nastase, një herë kryeministër dhe kandidat për President, në kulmin e pushtetit të tij duke qenë edhe kryetar parlamenti, u akuzua për korrupsion, dhe më 2012 u dënua me dy vjet burgim. Në Maqedoni politikani nacionalist dhe i “fortë” Ljube Boshkovski, ish kryeministër, u arrestua një ditë pas zgjedhjeve për financime ilegale të fushatës zgjedhore. Më 2011 ai u dënua me 7 vjet burgim.
Në Gjeorgji ish kryeministri Ivane Merabishvili u arrestua në maj 2013 për korrupsion dhe financim të paligjshëm elektoral dhe u dënua me burg. Ai ende nuk është dënuar, është në proces gjykimi. Në maj 2013 u arrestua Presidenti i Bosnjës, Žviko Budimir, me akuzën për korrupsion dhe është në proces gjykimi. Etj, etj, etj. Po në Shqipëri? Në fillim të viteve ’90 në Shqipëri u “arrestua” për korrupsion një kryeministër, i cili më pas nga burgu u emërua përsëri kryeministër dhe ndër aktet e para të tij ishte pafajësia dhe kompensimi financiar. Më pas dosjet e korrupsionit arritën vetëm tek ndonjë zv/ministër, ndonjë si viktimë, ndonjë si të dyshuar, gjithsesi edhe këta fituan pafajësinë dhe janë aktiv në jetën publike. Zyrtarë të tjerë? Jo. Asnjë. Ata që u akuzuan e mbyllën dosjen “për procedurë” dhe falë imunitetit politik. Dhe i kemi kudo në vendimmarrje politike, ca më pak e ca më shumë si pjesë të Rilindjes apo të opozitës së saj. Dhe kjo ndodh në vendin, sipas TIA, më të korruptuar në rajon!!! Atëherë nga duhet nisur? Ka shumë skenarë, janë praktika perëndimore, janë shembuj të gatshëm, thjesht duhet vullnet për ndjekur dhe per t’i zbatuar.
Le të nisim nga gjëra minimale: P.sh, çdo zyrtar i lartë të ftojë median për të deklaruar pasurinë e tij, burimet e fitimit, të ardhurat personale dhe kështu, të bind se është i pastër si parakusht për politikë të “duarve të pastra”. Gjë që sigurisht nuk pritet të ndodhë. Sepse ka një “problem” të vogël. Ne kemi zyrtarë të lartë që kanë disa vila, kanë prona pafund, kanë bodigardë për vetën e familjen, por nuk kanë biznes, dhe zyrtarisht, jetojnë me rrogën e tyre!!! Si rumuni Nastase, që jetonte me pensionin e gjyshes!!! Ne kemi deputetë që e kanë blerë mandatin e tyre, kemi politikanë që jetojnë në luks edhe pse karrierën e nisën kundër “vaskave të floririt”, siç kemi politikanë që kanë krijuar një rreth vicioz njohjesh, miqsh, partnerësh dhe financuesish në politikë, në prokurori, në gjyqësor dhe në media, – duke i dhënë vetes imunitet të paprekshëm. Ky vend nuk ka vuajtur asnjëherë për qeveri e njerëz që merren me politikë, por ka vuajtur e vijon të vuajë nga mungesa e qeverisjes së mirë, politikanëve vizionarë dhe burrave të shtetit që mendojnë më shumë për shtetin sesa pushtetin! A mundet mazhoranca e re ta shpërbëjë këtë rrjet dhe traditë, dhe të bëjë gjeste konkrete anti-korrupsion? Premtimet dhe pritshmëria janë maksimale, por shanset janë e mbeten minimale. Si gjithçka në Shqipëri!!!