Schiuma party, ose a qeveriset vetëm me propagandë?

Nga Alfred Lela, botuar në Mapo Online, 20 shtator 2013

Çdo efekt i bukur të krijon një armik, vërente Oscar Wilde. Edhe më shumë të tillë të krijojnë efektet e shëmtuara në fakt. Një efekt të tillë ka patur ndërmend të krijojë kryeministri i ri Edi Rama kur ka hedhur në faqen e tij në facebook një seri fotografish që paraqisnin dekadencën, shëmtinë, medet-o-Zotin e disa prej mjediseve të selisë së qeverisë. Mure të pista, lagështirë, plasaritje, pllaka të thyera e të shqyera e pahijeshi të tjera. Seriali horror me 30 foto titullohej “kryeministria siç nuk e keni parë” dhe deri në orën 21:03 të së enjtes kishte 5,327 pëlqime dhe 338 komente. Komentet ishin si pamjet: për t’u mëshiruar. Militantë politikë të majtë, ose urryes shoqërorë patologjikë, shpraznin jo vetëm shqipen e tyre të çalë, por edhe keqkuptimin e madh: pretendime estetike me mjete joestetike, në këtë rast fjalë e fjali po kaq ngjethëse sa dhe pamjet.

Por cirku është i rëndësishëm.

Nëse largohesh nga ata që Preç Zogaj i quan me të drejtë ‘maskat e internetit’, dhe bën një ekskursion mbrapsht në historinë moderne të Shqipërisë, gjen pa zor ngutin e madh të të gjitha palëve politike për t’u paraqitur si civilizues. Madje si zanafillë e qytetërimit shqiptar. Mbreti Zog e pati një pretendim të tillë dhe pasaporta e tij reformuese e qytetëruese lexon ndër të tjera: një shtet shekullar, afetarizmin e veshjeve, një kod ligjor perëndimor, vendosje e kontrollit mbi territorin. Me pak fjalë një alla franka brenda një alla turke të madhe shqiptare. Një prej qeverive të kohës së tij madje u pagëzua edhe si e dojç kulturës.

Të njëjtin mëtim shfaqën edhe komunistët e Enver Hoxhës pas ardhjes në pushtet në vitin 1944. Emancipimi i gruas, elektrifikimi, sistemi arsimor e shëndetësor falas dhe i centralizuar, lufta ndaj zakoneve prapanike, e të tjera. Centralizimi (dhe paranoja) shkonte deri aty sa u ndalua feja dhe u kërkua inxhinierimi i njeriut të ri.

Një përmasë qytetëruese por kësaj radhe nën një metaforë tjetër, atë të lirisë, shpalli edhe opozita e re shqiptare pas rënies së komunizmit në vitin 1992.

Nëse të gjitha u ndanë në mënyrën dhe format se si e kërkonin qytetërimin, të gjitha u bashkuan te mohimi i gjithçkaje para tyre. Pararendësit kishin qenë mujsharë të historisë dhe bisha të së bukurës. Belle epoque fillonte me ta.

Kështu edhe me Edi Ramën, një i ri i viteve ’80, banor i Tiranës, një kryeqyteti të çuditshëm që ishte një ëndërr për periferitë dhe një periferi apo makth për kryeqendrat europiane të kohës. Në këtë raport estetik të pamundur, në këtë çmërs të nënndërgjegjes u rrit Rama me bashkëmoshatarë. Kufizimet në art, letërsi dhe stil jete, këtë pamundësi për dekadencë ai brez e barti me vete si një shpagim. Kur të vinte koha ata do ta jetonin kohën e tyre përmes një estetike të lartë. High culture-it të bllokuar të rinisë së parë do t’i vinte radha. Estetike do të ishte bota e re.

Me këtë mëtim ndoshta, duke mos e përjashtuar furoren e estetikës së brendshme, Edi Rama u ka hyrë punëve të qeverisë. Në ditët e para, ekzigjencat e stilit kanë zënë pjesën më të madhe të kohës dhe gjestet peshojnë më shumë se punët në kandarin e javës. Ngjan sikur akomodimi i tij në kanapenë e qeverisjes është brenga e parë dhe më e madhja. Mjedisi rrethues intim duket se e shqetëson më shumë se ajo që, ende pa hyrë në zyrë e pat quajtur “gjendje të jashtëzakonshme të territorit”.

Për t’iu kthyer fotove të ‘kryeministrisë së rrënuar’ nga ‘qeveria e rrënimit’. Duket se ka në to njëfarë manipulimi. Nuk është e vështirë të kuptosh se fotot janë shkrepur pasi karpetet mbi pllakat janë hequr ose kur mjediset janë ‘pushtuar’ nga ekipet e bojaxhinjve apo ustallarëve. Ka lënie-pas-dore në ato mjedise, por ka edhe dorë-që-është-treguar-selektive me to dhe fotot.

Gjithashtu ka një shkelje etike dhe një ndjesi revanshi te publikimi i tyre. Ngjan disi e diku me reportazhet patetike të TVSH-së së fillimviteve ’90 në katakombet poshtë vilave të ish-udhëheqjes komuniste, pamje mbi të cilat lexohej një tekst i fundbotshëm.

Ky manovrim në nivelin e imazhit, ky schiuma party politik mund ta bëjë punën, por mund të kthehet edhe në bumerang për punët e pabëra. Në fund të mandatit, mes një kryeministrie me buzë të lyera dhe ca punëve të kryera, shqiptarët do të zgjidhnin të dytën.

Në 7 ditët që Zoti krijoi botën dhe e bëri njeriun pas imazhit të vet, Rama po kuron imazhin e vet si një demigod estetik. Ditën e tetë ndoshta fillon nga puna.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi