BE pa strategji për energjinë
DW, Gero Rueter, Amarildo Topi, 21 shtator 2013
Bashkimi Europian ka përgatitur strategjinë për zhvillimin e energjisë në shifra jo reale. Një gjë të tillë e thonë studiuesit e Institutit për Studime Ekonomike. Ata sugjerojnë korrigjime të menjëhershme.
Strategjia afatgjatë e BE është e bazuar tek e ashtuquajtura Letra Jeshile dhe Energy Roadmap 2050. Studiuesit e Institutit për Studime në Ekonomi (DIW) në Berlin kanë kaluar në lupë shifrat dhe projeksionet e BE. Në studimin e tyre studiuesit e DIW theksojnë se plani i Komisionit Europian është bazuar në kosto të vjetra dhe teknologji jo të duhura. Sipas tyre Komisioni Europian duhet të bëjë një plan duke u bazuar në shifra reale.
Profesoresha Claudia Kemfert, drejtuese e departamentit të energjisë, transportit dhe mjedisit pranë DIW, është një nga katër autorët e studimit. Ajo dhe kolegët e saj shohin një keqllogaritje sistematike në planet e Komisionit Europian. “Për shembull nuk ishte përfshirë reduktimi i kostove nga energjia e rinovueshme. Gjithashtu vumë re se nuk ishin nënvlerësuar edhe kostot e energjisë atomike dhe tekonologjinë e kapjes së CO2 “, tha Kemfert në një intervistë për DW
Energjia diellore më e lirë se sa ishte parashikuar
Në veçanti në studim theksohet vlerësimi i gabuar i energjisë diellore: Komisioni Europian duke u nisur nga kostoja aktuale e instalimit të një sistemi me energji diellore që kushton 3000 euro parashikon që në vitin 2050 do të jetë 1300 euro. Por sipas DIW që tani kostot janë më vogla se 1000 euro. “Studimi i BE, Letra Jeshile, parashikon koston për energjinë diellore në vitin 2050, që është më i lartë se kostoja që kemi sot. Këtu ka nevojë urgjente për koriigjim ashtu si edhe tek energjia e erës”, thotë Kemfert.
“Kostot e energjisë atomike kanë shpërthyer”
Studimi e ekspertëve nga Berlini nxjerr në pah se llogaritja e kosotove të energjisë atomike nuk është bërë si duhet. “Në asnjë vend të botës nuk është ndërtuar një stacion prodhimi energjie atomike nën kostot e tregut. Duke shtuar këtu edhe mos planifikimin e kosotve për çmontimin e pajisjeve dhe asgjësimin e mbetjeve nukleare, e për mos përmendur më pas kostot gjigande për aksidente si ai i Fukushimës apo Çernobilit”, thotë për DW drejtuesi i studimit Christian von Hirschhausen.
Sipas të dhënave të DIW edhe ndërtimi i stacioneve bërthamore është planifikuar me një kosto shumë të ulët. “Kostoja e ndërtimit të një stacioni bërthamor është rritur për shkak të shtimit të masave të sigurisë, që duhet të korrigjohen”, thotë Kemfert. Sipas llogaritjeve të DIW investimet në energjinë bërthamore sot janë nga 5000 deri në 7000 euro për kilowat dhe deri në 2050 nuk parashikohet ulje. BE thotë që kostot sot janë 4300 euro për kilowat dhe deri në 2050 do të zbresin deri në 3600 euro për kilowat
Studiuesit e shohin si jo realist edhe parashikim e BE për zhvillimin e CCS-Technologie, Carbon Capture and Storage (Kapja dhe Ruajtja e Karbonit). Me anë të kësaj teknologjie dioksidi i karbonit do të mblidhet dhe futet sërish në tokë. Sipas parashikimit të BE në këtë mënyrë në vitin 2020 mund të prodhohet 1% e energjisë së nevojshme në Europë, ndërsa në vitin 2050 18%.
Por sipas të dhënave të DIW një parashikim i tillë optimist është në kundërshtim me realitetin pasi shumë firma në mbarë botën nuk përdorin një teknologji të tillë për shkak të kostove të larta, rrezikut të depozitimit të CO2 dhe vetë kundërshtimit nga Europa për përdorimin e kësaj teknologjie.
Skenar i ri për politikat energjitike të BE
Kritikat e studiuesve nga Berlini arritën deri në BE. “Komisioni i BE planifikon një skenar të ri deri në fund të dhjetëvjeçarit”, deklaron një zyrtar për Deutsche Welle. Për studiuesit e energjisë një strategji e re është urgjente. „Energjia e rinovueshme është duke u bërë gjithnjë e më e lirë dhe është më ekonomike se energjia atomike, alternativa është e qartë“, përfundon Kemfert.